Build Skills with our trainings

Sign up now!

(Pa)barazia e grave në politikë kërkon një qasje përtej kuotave

Gus 3, 2020

Luftimi i pabarazisë dhe stereotipeve gjinore mbetet sipërfaqësor dhe minimalist në Kosovë. Pozitat vendimmarrëse e ato udhëheqëse janë të “rezervuara” për burrat, ka një qasje shumë të pabarabartë midis burrave dhe grave mbi vendimmarrje. Barazi gjinore kemi atëherë kur pjesëmarrja e të dy gjinive në vendimmarrje politike e publike është e balancuar, gjë që është shumë e ulët në vendin tonë.

Ndër vite Kosova ka pasur probleme të shumëta, sikurse në aspektin e demokracisë, në aspektin e mosarritjes së qëllimeve të tyre, dështimin në mosinkuadrimin e organizatave të shumëta, mosrealizimin e vizave… E pabarazia gjinore është një problem tjetër i madh që ka qenë dhe po vazhdon të jetë në Kosovë.

Viteve të fundit është bërë diçka e zakonshme që gratë të mos përfshihen në politikbërje dhe të mos përfshihen në pozita drejtuese apo vendimmarrëse. Vet fakti që në 38 komuna të Kosovës nuk ka asnjë kryetare tregon shumë.

Ligji për barazi gjinore i Kosovës ka qëllim të garantojë, mbrojë dhe promovojë barazinë midis gjinive, si vlerë themelore për zhvillimin demokratik të shoqërisë. Mirëpo, zbatimi i këtij ligji nëpër institucione, nëpër pozita vendimmarrëse ka pak ose fare zbatim.

Një ndër hapat e parë të ndërmarra për përmirësimin e përfaqësimit gjinor ishte marrë në vitin 2000 kur UNMIK atëbotë prezantoi kuotat për përfaqësimin e grave në listat zgjedhore. Sipas kësaj, 30% e ulësëve në Kuvendin e Kosovës dhe Kuvendet Komunale rezervohen për gratë. Përgjatë viteve kjo kuotë filloi të shfaqë rezultate dhe rrjedhimisht pati ndikim në ngritjen demokratike të shtetit të Kosovës.

Në zgjedhjet e fundit komunale të vitit 2017, në 38 komunat e Kosovës ishin 204 kandidatë për kryetarë, e vetëm tetë prej tyre ishin gra. Në zgjedhjet paraprake, ato të vitit 2013, ishin nëntë gra kandidate dhe atëbotë Mimoza Kusari–Lila, në dhjetor të atij viti, ishte bë gruaja e parë kryetare e një komune në Kosovë.

Edhe pse Ligji për Barazi Gjinore në Kosovë, është më i avancuar se në shumë vende tjera, zbatimi i tij lë shumë për të dëshiruar. Kur vie puna të mundësitë e barabarta për pjesëmarrje të grave dhe burrave në zhvillimin politik, ekonomik, social, kulturor dhe në të gjitha fushat e jëtës shoqërore hasim në zbatim të vogël të këtij ligji.

Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani, shpjegon se përfaqësimi i grave në strukturat partiake dhe qeverisjen lokale është shumë i ulët.

 “Është fakt i pakontestueshëm që përfaqësimi i grave në strukturat më të larta të shumicës së partive politike në vendin tonë është ende shumë i ultë, gjë që është reflektuar sidomos në qeverisjen lokale. Në ketë drejtim, edhe pse kuotat në të vërtetë shpiejnë drejt një barazie numerike, ato adresojnë vetëm një anë të pabarazisë gjinore dhe jo domosdoshmërisht ndikojnë në adresimin e problemeve strukturore të cilat e sfidojnë vazhdimisht përfaqësimin e gruas në politikë, e të cilat janë akoma më të theksuara në një shoqëri patriarkale”, thotë Osmani.

Osmani beson se është koha të mendohet përtej politikave dhe kuotave.

Në mënyrë që të shkohet përtej numrave dhe të investohet në ndryshim strukturor, është koha të mendohet përtej politikave të kuotave dhe të investohet në zhvillimin e një mendësie të re në organizimin politik, ku partitë politike investojnë në aftësimin e vajzave të reja dhe grave në politikë dhe inicojnë reforma të organizimit të brendshëm të cilat ndihmojnë në krijimin e hapësirës dhe mundësive të barabarta për to”, thotë kryeparlamentarja.

Kryetari i Komunës së Ferizajit, Agim Aliu tregon se komuna që ai kryeson ka shënuar përparime sa i përket temës për gratë në pozita udhëheqëse.

“Ne aktualisht kemi 3 gra në pozita të drejtorëve të drejtorivve komunale dhe për herë të parë në historinë politike të Ferizajit – një grua në krye të Kuvendit të Komunës, pra kryesuesen e Kuvendit të Komunës…Duhet pasur parasysh edhe numrin prej 300 grave në pozita të nivelit drejtues dhe të mesëm në kuadër të administratës komunale dhe institucioneve në vartësi të saj”.

Kryetari  i Ferizajit, Agim Veliu.

Ferizaji, sipas Aliut, ka miratuar edhe rregulloren komunale për barazi gjinore, ku parashihet formula 50:50 në përfaqësim gjinor instuticional.

“Kujtoj se lidershipi politik, ka treguar seriozitet e qasje pozitive me kandidimin e politakaneve të profileve të ndryshme në garat zgjedhore, qoftë lokale apo nacionale. Zgjedhja ose jo e tyre, më saktë, shkaku i saj duhet të kërkohet në programet e përfaqësuara dhe jo kujtoj tek mentaliteti partiarkal. Shoqëria shqiptare e ka tejkaluar mentalitetin patriarkal, kjo është dëshmuar në disa palë zgjedhje ë në periudha të ndryshme të shtet ndërtimit tonë”, përfundon Aliu.

Deputetja nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Arbëreshë Kryeziu Hyseni, thotë se brenda subjektit të saj nuk hezitohet aspak që pozitat udhëheqëse t’iu besohen grave.

“Më së miri e dëshmon edhe numri i grave deputete të grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, ku që të gjitha jemi deputete pa pasur nevojë për kuotë”.

Duke folur për sfidat nëpër të cilat kalon një grua në politikë, Kryeziu thotë se sot, gratë, megjithatë, janë shumë të zëshme dhe jo vetëm në politikë, por në çdo sferë.

Natyrisht që sfida vazhdon, sepse kjo nuk do të thotë që kemi arritur gjendjen e dëshiruar. Sepse nuk duhet harruar që akoma ka burra në politikë, që gratë nuk arrijnë ti shohin si vendimmarrëse. Por, fatmirësisht, kemi gra të zonja që qëndrojnë pikërisht në krye të institucioneve më të larta dhe tregojnë zgjuarësia, guxim dhe vullnet për të quar vendin tonë përpara”.

Deputetja e Lëvizjes Vetvendosje gjatë një fushateje, foto e marrë në faqën e VV-së

Kryeziu beson se kuotat duhet të ekzistojnë deri në vetdijësimin tonë të plotë në këtë drejtim, edhe pse ajo vet është kundër tyre.

“Sikur të mos kishin ekzistuar kuotat, sigurisht se gratë nuk do të kishin arritur të avancoheshin në politikë, kështu siç jemi sot”, konsideron deputetja e VV-së.

Gresë Sermaxhaj, koordinatore për Marrëdhënie me Publikun nga Rrjeti i Grave të Kosovës, shpjegon se numri i vogël i grave kandidate, në zgjedhjet e fundit lokale, ku nga gjithsej 38 kandidatë për komuna, vetëm gjashtë ishin gra, na lë të mendojmë që partitë politike, në përgjithësi, nuk kanë ndonjë strategji apo mekanizëm të qartë që të sigurojnë të drejtën e grave për pjesëmarrje të barabartë, qoftë në trupat e partisë apo edhe në institucione publike.

RrGK-ja ka reaguar disa herë lidhur me moszbatimin e Ligjit për Barazi Gjinore, nga institucionet e vendit. Ky ligj sado i përparuar dhe stabilizon nevojën për respektimin e barazisë gjinore, në tërësi në të gjitha fushat, është larg nivelit të  duhur të  zbatimit.

Këtu kemi të bëjmë me dy gjëra: diskriminin gjinor që gruaja në Kosovë e has çdo ditë e çdo kund, si dhe nevojën që ne të vazhdojmë punën dekadëshe për përmirësimin e pozitës së gruas në shoqërinë kosovare”, thotë Sermaxhaj.

Fatbardhë Kiqina, themeluese e ALBFEM (platformë e cila ka qëllim të identifikojë dhe të bëjë të njohur kontributin e grave shqiptare nëpër etapa të ndryshme kohore), mendon se partitë politike në Kosovë janë promoterët më të mëdha të pabarazisë në jetën publike.

“Ende nuk e kemi nje parti politike që me seriozitet të plotë e ka vendosur në pozita te larta menaxhuese një grua”.

Ajo beson se mungesa e grave në udhëheqjen komunale nuk arsyetohet në asnjë formë.

“Ne kishim fare pak gra kandidate për kryetare komunash në vitin 2017, fatkeqësisht asnjëra prej tyre nuk arriti të merrte këtë pozitë, dhe jo pse nuk e meritonin, por sepse votuesit ende nuk besojnë në kapacitetet dhe ngritjen intelektuale të grave”, shton Kiqina.

Uranik Emini

Pikëpamjet e shprehura në këtë publikim janë të News Agency KosovaLive dhe në asnjë mënyrë nuk mund të konsiderohen si qëndrim i Fondacionit të Kosovës për Shoqëri të Hapur.

PUBLIKIME

LAJME

THELLESISHT

DIALOG

Grantet e Prodhimit të Përmbajtjes II

Grantet e Prodhimit të Përmbajtjes II

Pesë aplikantë që paraqitën një aplikacion për “Grantet e Prodhimit të Përmbajtjes II”, Tv Tema, Internews, RTV Puls, Radio Gorazdevac dhe Besnik Krasniqi do të marrin mbështetje.

BARAZI

Womair: Informimi i grave dhe burrave për cilësinë e ajrit

Womair: Informimi i grave dhe burrave për cilësinë e ajrit

Më 19 nëntor, nga ora 10:00 deri në 12:00 në KosovaLive u mbajt ngjarja interaktive “Womair”, e cila kishte për qëllim informimin e djemve, vajzave, grave, burrave, çifteve dhe të gjithë të interesuarve, pa dallim, për mënyrat më efektive për përmirësimin e cilësisë së ajrit në hapësira të brendshme dhe të jashtme.

EDUKIM