Pa dyshim se çdo fe thërret për tolerancë dhe solidaritet mes vete, duke injoruar dhe duke mos i lënë asnjë hapësirë të mundshme ekstremizmit fetar. Megjithatë jo të gjithë tregohen tolerantë e në vend që të luftojnë ekstremizmin fetar, ata kanë tendenca ekstremiste fetare.
Kosova është vlerësuar të jetë vend pjellor për ekstremizmin fetar, kështu edhe duke u radhitur si vendi me numrin më të madh të luftëtarëve të huaj. Sipas hulumtimeve të bëra, deri më sot 400 qytetarë të Kosovës kanë udhëtuar në zonat e konfliktit në Siri dhe Irak, një pjesë e të cilëve kanë humbur jetën, e disa janë kthyer në vend.
Përkundër faktit se përfaqësuesit fetar disa herë janë distancuar nga veprat që janë lidhur me ekstremizmin fetar, përhapja e ideologjive ka vazhduar në Kosovë, ku vendi më i prekur nga ekstremizmi fetar, sipas hulumtimeve ka dalur të jetë Hani i Elezit.
Kryetari i Bashkësisë Islame në Hanin e Elezit, Musa Vila, i cili njëkohësisht është edhe profesor në Fakultetin e Studimeve Islame në Prishtinë, thotë se feja islame asnjëherë nuk e ka përkrahur ekstremizmin fetar dhe se gjithmonë ka qenë e njohur formula e bashkëjetesës dhe tolerancës, ku njerëzit mund të jenë tolerantë dhe mund të durojnë njëri-tjetrin në fenë tjetër, në kulturën tjetër apo në ideologjitë çfare i kanë.
Sipas tij, këtë gjë më së miri e ka dëshmuar prezenca e Perandorisë Osmane, e cila ka qenë një Perandori që asnjëherë nuk ka ushtruar ekstremizëm ndaj të tjerëve, por përkundrazi iu ka dhënë të drejta të barabarta të gjitha feve dhe nuk ka qenë në pyetje të favorizohet njëra nga tjetra.
“Feja islame asnjëherë nuk e ka përkrahur ekstremizmin fetar. Gjithmonë është njohur formula e tolerancës, ku njerëzit mund të jenë tolerant dhe mund të durojnë njëri-tjetrin në fenë tjetër”, thotë ai.
Pas Hanit të Elezit, si vendi me ekstremizmin më të përhapur në Kosovë renditit Komuna e Mitrovicës.
Lumnije Behrami, koordinatorja e projektit rinor në Rrjetin e Edukatorëve “PEN Peer” thotë se shteti dhe Bashkësia Islame e Kosovës duhet të kenë kontroll e kujdes të shtuar ndaj ekstremizmit fetar.
“Situata ekonomike dhe moskontrolli i mjaftueshëm nga ana e shtetit ka bërë që të përhapet ekstremizmi fetar. Mendoj se BIK-u në bashkëpunim me shtetin duhet të kenë një kontroll dhe kujdes ndaj ekstremizimit fetar”, ka thënë ajo.
Ajo ka shtuar se çdo gjë që është ekstreme dhe kalon kufijtë mundet të jetë edhe e rrezikshme dhe kjo gjë vlenë edhe për ektremizmin fetar.
“Ektremzimi fetar është një fenomen global. Mund të përkufizohet si veprimtari, besime, qëndrime apo ndjenja të cilat një individ apo grupe individësh i aplikojnë dhe besimi i tyre është ndryshe nga ajo e zakonshmja”, thekson ajo.
Ndryshe, që nga viti i kaluar Policia e Kosovës ka arrestuar 45 persona të dyshuar për vepra penale të terrorizmit dhe vepra tjera penale kundër rendit kushtetues dhe sigurisë së vendit.
Zyra për Informim në Policinë e Kosovës, në një përgjigje përmes e-mail-it, ka bërë të ditur për KosovaLive se nga viti 2015 deri tani janë ngritur 118 kallëzime penale kundër 223 personave si dhe janë arrestuar 120 persona të dyshuar për vepra të tilla.
“Që nga viti i kaluar e deri më tani janë inicuar gjithsej 12 raste të reja, janë ngritur gjithsej 16 kallëzime penale kundër 21 personave të dyshuar, si dhe janë arrestuar 45 persona”, është thënë nga PK-ja.
Zyra për Informim, njëherësh rikujton se Policia e Kosovës mbetet e përkushtuar që të ofrojë siguri për të gjithë qytetarët, pa dallim etnie apo religjioni. Policia në mënyrë të vazhdueshme është e angazhuar në përmbushjen e aktiviteteve dhe objektivave të parapara sipas Strategjisë për parandalimin e përhapjes së ekstremizmit të dhunshëm dhe radikalizmit.
“Policia e Kosovës si institucion i sigurisë, me qëllim të parandalimit dhe luftimit të çdo forme të kriminalitetit dhe veprave tjera penale, bashkëpunon shumë ngushtë me të gjitha institucionet relevante, por edhe shoqërinë civile dhe qytetarët në përgjithësi”.
Në raportin e Fondacionit “Berghof”, nga qershori i vitit 2019 – “Perspektiva Komunitare për Parandalimin e Ekstremizmit të dhunshëm”, thuhet se në Kosovë dy qytetet të cilat janë më së shumti të prekura nga ekstremizmi fetar janë Hani i Elezit dhe Mitrovica. Në të njëjtën kohë Deçani spikatet si vend i paprekur nga ekstremizmi fetar.
“Në Kosovë, ekipi hulumtues zgjodhi Hanin e Elezit për t’u studiuar si komunë e prekur. Me 11 luftëtarë të huaj të regjistruar, ajo ka numrin më të madh të këtyre luftëtarëve në Kosovë në raport me popullsinë“, ka bërë të ditur raporti.
Ndërsa në raportin “Monitorimi i planit të veprimit për implementimin e Strategjisë për Parandalimin e Ekstremizmit të Dhunshëm dhe Radikalizmit që shpie në terrorizëm 2015-2020”, të publikuar në vitin 2019 nga Organizata për Zhvillim Civil janë treguar faktorët që i kanë shtyrë kosovarët të marrin rrugën drejtë Siris dhe Irakut.
“Faktorët të cilët kanë ndikuar më së shumti janë faktorët shtytës dhe tërheqës, faktorët ekonomik dhe social, e kapaciteti dhe integriteti i ulët institucional”, është thënë në raport.
Por ata veçmas këtyre faktorëve kanë përmendur edhe pikat në të cilat mund të fokusohen organizatat e shoqërisë civile, në mënyrë që ta parandalojnë ekstremizmin e dhunshëm, përfshirë këtu angazhimin e të rinjve në proceset e vendimarrjes, rritjen e vetëdijes për rreziqet e ekstremizmit dhe radikalizimit të dhunshëm e punën e drejtpërdrejt me prindërit për të rritur vetëdijen e tyre lidhur me shenjat dhe sjelljet që mund të tregojnë radikalizimin.
Diana Kastrati, e cila ka kryer studimet në Fakultetin Juridik në Gjilan, pjesëtare e besimit islam ajo ka deklaruar se feja islame nuk e përkrah ekstremizmin fetar, ashtu siç nuk e përkrah racizmin dhe dhunën. Mirëpo sipas saj, në veprat që lidhen me ekstremizmin fetar janë të përfshirë persona që i takojnë të gjitha feve, përfshirë këtu edhe ata të fesë islame.
“Secili e ka fenë e tij, por që mendoj që të gjithë ata që i takojnë fesë islame, katolike e feve tjera, duhet të jenë të bashkuar dhe të përkrahin fetë e tyre “, ka thënë ajo.
Sipas saj, ndaj kosovarëve të cilët kanë shkuar drejt Sirisë për t’iu bashkangjitur atje luftës terroriste të organizatës ISIS duhet të ketë dënime më të rënda.
“Kemi qytetarë që kanë ikur nga vendi dhe kanë shkuar në Siri ku ju kanë bashkangjitur ISIS-it për të luftuar. Mendoj që duhet të ketë dënime me mbi 10 vite burgim për ekstremizëm”, thotë ajo duke shprehur mendimin se burrat në Kosovë janë më ekstremistë se sa gratë.
Për Penesta Mulliqin, që veten e mban ateiste thotë se ekstremizmi fetar është tendenca për të instaluar një mendësi ndryshe nga ajo çfarë në të vërtetë është Kosova.
Ajo thotë se rrymat e ndryshme ekstremiste që veprojnë në Kosovë, bien ndesh me mendimet e saj të qytetarisë dhe me identitetin e saj kulturor dhe kombëtar, të cilat puqen me konceptin e idesë liberale e evropiane.
“Ateizmi ekstremizmin fetar e sheh si rrezikun më të madh që i kanoset lirisë individuale por edhe shoqërore të qytetarëve në Kosovë. Shteti duhet të mirret me këtë kategori, duke e trajtuar në aspektin psikologjik dhe juridik ” , shprehet ajo.
SipasRrona Jakës nga Gjakova, e cila identifikohet si agnostike, që do të thotë se për të ekzistenca e hyjnores nuk është as e mohueshme as e marrë si e garantuar, ekstremizmi fetar është një formë e shthurur e mësimeve teologjike e cila ka kaluar në nxitje të urrejtjes dhe të dhunës.
“Në kohërat tona përballemi me ekstremizmin islamik, por e njëjtë ka qenë koha e kryqëzatave. Për mendimin tim ekstremizmi fetar lind kur shfrytëzohet feja apo besimi si pjese e propagandës pushtuese”, thotë ajo.
Në analizën e UNDO dhe USAID “Parandalimi i ekstremizmit të dhunshëm”, publikuar më 2017, pjesëmarrësit në të dy grupet e fokusit në Gjilan dhe në Han të Elezit kanë argumentuar se Kosova ka nevojë për një ligj për Bashkësinë Islame të Kosovës (BIK), i cili do t’i jepte të drejtën për të kontrolluar xhamitë dhe imamët, një e drejtë që ajo nuk e ka sipas rregullave të saj.
Zyra për Komunikim me Publikun në Shërbimin Korrektues të Kosovës (SHKK) ka thënë për KosovaLive se dënimi më i lartë që është shqiptuar deri tani në Kosovë për veprat që lidhen me ekstremizmin fetar është 10 vite burgim.
“Aktualisht në institucionet korrektuese janë 33 persona, të cilët vuajnë masa dënimi në burgjet e Kosovës për këto vepra. Gjithsej janë 33 burra, përderisa nuk kemi asnjë të burgosur nga gjinia femërore lidhur me këto vepra”, pohon Zyra për Komunikim me Publikun e SHKK-së.
Shërbimi Korrektues i Kosovës ka ngritur kapacitetet e tij, kështu duke trajnuar ekipet që mbikëqyrin trajnimin e personave që kanë qenë të përfshirë në vepra që lidhen me ekstremizmin fetar. Ky institucion pohon se sipas planit strategjik të hartuar në vitin 2017 dhe përmes planprogrameve të saja rehabilituese dhe risocializuese për të burgosurit e kësaj kategorie aplikon programe të cilat zhvillohen në Qendrën Korrektuese në Dubravë dhe Burgun e Sigurisë së Lartë.
Ndryshe, personat e kësaj kategorie vuajnë dënimin në burgje të njëjta me personat tjerë që janë të përfshirë në vepra tjera penale.
“Të burgosurit e kësaj kategorie vuajnv dënimin në burgje të njëjta, duke qenë të ndarë në dy grupe respektivisht në dy pavione të veçanta prej të cilave iu pamundësohet qasja dhe kontakti me të burgosurit tjerë”, thotë Zyra për Informim e SHKK-së.
Si në Kosovë, edhe në shtetet tjera është i shprehur ekstremizmi i dhunshëm.
Në raportin “ Ekstremizmi i dhunshëm në Shqipëri” i publikuar nga Instituti për Demokraci dhe Ndërmetësim në vitin 2018, thuhet se Shqipëria duhet të vazhdojë të punojë në drejtim të parandalimit të ekstremizmit të dhunshëm dhe të ngrejë komunitete të qëndrueshme ndaj ideologjive të ekstremizmit fetar. Sipas studimit të kryer, thuhet se shqiptarët e kanë nënvlerësuar potencialin e ekstremizmit jofetar.
“Gjetje të tilla përbëjnë një potencial tepër të madh për lulëzimin e alternativave politike radikale, anti-establishment e populiste në kontekstin shqiptar”, thuhet në raport.
Ndërsa, sipas raportit të Qendrës Kosovare për Studime të Sigurisë, të publikuar në vitin 2018 me titull “Çështjet e radikalizmit dhe ekstremizmit të dhunshëm në Maqedoni” shenjat e para të ekstremizmit dhe radikalizimit të dhunshëm në këtë shtet janë shfaqur që në fillim të viteve të ’90-ta dhe janë të lidhura ngushtë me fluksin e papritur të organizatave joqeveritare të financuara nga Shtetet e Gjirit Persik si dhe me kthimin e imamëve të rinj nga Lindja e Mesme.
Sipas raportit, xhamitë e paligjshme dhe imamët e vetëshpallur po praktikojnë dhe ligjërojnë fenë në një mënyrë më radikale dhe konservatore.
“Në përgjithësi, Bashkësia Fetare Islame e Maqedonisë jo vetëm që nuk ka pasur sukses për t’u kthyer në zë unik të praktikuesve myslimanë, por institucioni ka treguar dobësi edhe në reagimin ndaj rritjes së ekstremizmit të dhunshëm”, bëhet e ditur në raport.
Në raportin e OSCE-së “Parandalimi i terrorizmit dhe lufta kundër ekstremizmit dhe radikalizmit të dhunshëm që favorizojnë terrorizmin”, bëhet e ditur se shtetet pjesëmarrëse të OSBE-së janë të vendosura të luftojnë të gjithat aktet e terrorizmit, pa asnjë përjashtim.
‘Kjo kërkon që shtetet të përdorin një qasje gjithëpërfshirëse në luftën kundër terrorizmit, duke i kushtuar vëmendje të veçantë parandalimit dhe luftës kundër ekstremizmit dhe radikalizmit të dhunshëm”, thuhet në këtë raport.
Xhihad Shkreta
Ky artikull është shkruar në kuadër të projektit “Ngritja e Aftësisë Mediale dhe Digjitale”/”Enhancing Media and Digital Literacy”, e mbështetur nga Albany Associates.