Banorët e “Zllatarit” së Prishtinës për të udhëtuar me transport urban drejt pjesëve tjera të kryeqytetit, duhet të ecin këmbë deri te stacioni në lagjen “Matiçan”, ose të përdorin ndonjë taksi privat, pasi që këndej nuk kalojnë autobusët urban.
Ilire Bekteshi, një banore e Zllatarit, periferi e kryeqytetit ka thënë se kjo pjesë nuk ka fare transport, madje sipas saj një linjë e autobusit është shumë e nevojshme për banorët.
“Prej se e mbaj në mend në këtë vend nuk ka pasur asnjë autobus, për mua dhe banorët është shumë e domosdoshme që edhe Zllatari të e ketë një transport udhëtimi”, tha Bekteshi për KosovaLive.
Sipas Ministrisë së Infrastrukturës, për transportin e udhëtarëve me autobusë në Kosovë janë rreth 250 ndërmarrje të regjistruara transportuese me 22 stacione kryesore.
Inxhinieri i komunikacionit rrugor Nol Dedaj, kritikon institucionet shtetërore duke thënë se, transporti publik në Kosovë është në gjendje primitive dhe i duhet një qasje profesionale për t’a rregulluar.
“…Transportit publik të udhëtarëve duhet t’i bëhet një studim i fizibilitetit në përgjithësi dhe gjatë këtij studimi është e nevojshme të bëhet arsyeshmëria ekonomike e të gjitha linjave të transportit publik, por në Kosovë nuk ka institucion profesional e as shkencor që merret me këtë fushë. Nga ana shkencore transporti publik i udhëtarëve tek ne është i nivelit më të ultë në rajon apo unë e quaj primitiv për shkak se nuk ka asnjë studim të mirëfilltë”, tha Dedaj për KosovaLive.
Transportin urban dhe atë ndërurban në Kosovë, Dedaj vazhdon t’a quaj “të ngecur në zhvillim” teksa kritikon institucionet edhe për licencimin jo të drejtë të transportuesve.
“Transporti publik ndërurban është i privatizuar pa studim të fizibilitet prandaj edhe është i tillë primitiv, ndërsa transporti urbanë është publiko privat pa studim të fisibilitetit prandaj është primitiv”, thotë Dedaj.
Ligji mbi transportin publik të udhëtarëve me autobusë, definon edhe llojet e transportit në Kosovë, siç është ai i transportit urban dhe urbano-periferik, transporti ndërurban dhe transporti ndërkombëtar.
Struktura e transportit publik të udhëtarëve në kryeqytetin e Kosovës janë të përbëra nga operatorët privat dhe Ndërmarrja Publike Komunale “Trafiku Urban”, dhe në Prishtinë aktualisht janë aktive linjat urbane dhe urbano-periferike.
“…Në Prishtinë qarkullojnë mbi njëqind autobus nga NPK ‘Trafiku Urban’ dhe operatorët e tjerë privat. NPK ‘Trafiku Urban’ i ka 51 autobusë duke operuar në linjat 1, 1A, 3, 3C, 4, 7C dhe 15. Kurse linjat tjera mbahen nga operatorët privat me rreth 90 autobusë”, thonë në Divizionin për Komunikim me Publik në Komunën e Kosovës.
Në komunën e Prishtinës pohojnë se pandemia Covid-19 ka shkaktuar probleme tek transporti në përgjithësi, ndërsa gjatë ditëve në normalitet, sipas tyre, transporti ka qenë i rregullt dhe pa probleme të theksuara.
“…Deri me fillimin e pandemisë transporti ka qenë duke u mbajtur i rregullt në të gjitha linjat urbane dhe urbano-periferike, por tani ka në disa linja probleme për shkak të numrit të vogël të udhëtarëve, numrit të kufizuar sipas rregullave të IKSHP-së dhe normal kjo paraqet problem në koston financiare të operatorëve”, thuhet në një përgjigje me shkrim për KosovaLive nga Departamenti për Komunikim me Publikun i Komunës së Prishtinës.
Në ndërkohë, Luljeta Y, banore e Zllatarit, periferi kjo e Prishtinës, nga mungesa e transportit publik detyrohet të shfrytëzojë taksitë si mjet udhëtimi apo nganjëherë edhe të ec në këmbë deri tek stacioni i fundit në Matiçan.
“Zllatari nuk ka asnjë transport për udhëtarët, probleme normal që ka sepse mungesa e transportit dëmton banoret, mua personalisht më dëmton sepse me duhet të paguaj taksi ose të eci deri tek stacioni i Matiqanit për çdo udhëtim timin”, thotë ajo për KosovaLive.
Luljeta thekson se nNevoja e transportit publik në Zllatar është e madhe andaj institucionet duhet të veprojnë sa më parë drejt zgjidhjes së këtij problemi.
Në Komunën e Prishtinës, nga ana tjetër, thonë se flota prej 51 autobusëve ka përmirësuar dukshëm gjendjen e transportit në vend.
“…Duke u bazuar në marrëveshjen për bashkëpunim me BERZH-in, komuna në sektorin publik ka bërë reformë, është kompletuar flota prej 51 autubusëve, është renovuar në tërësi garazha dhe është rregulluar infrastruktura në bazën e NPK ‘Trafiku Urban’. (Kjo) po ashtu ka ndikuar shumë në përmirësimin e shërbimit ndaj qytetarëve të cilët shfrytëzojnë transportin me autobus”, thekson DKP-ja.
Ndryshe, Komuna e Prishtinës nuk e mohon edhe Planin e Mobilitetit tek operatorët privat sa i përket përmirësimit të mjeteve transportuese që, siç thotë, duhet të mbështetet edhe nga sektori privat.
Përveç mobilitetit, Komuna thekson edhe një plan tjetër atë të rregullimit të pritorëve në çdo stacion në Prishtinë.
“Në kuadër të rregullimit të infrastrukturës është duke u realizuar projekti për vendosjen e pritoreve të modelit të ri ku do të jenë të gjitha informacionet e nevojshme për linjat, rendin e udhëtimit dhe informacione tjera të nevojshme”, pohojnë në Komunën e Prishtinës.
Si rikujtim, më 2014, kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti dhe përfaqësuesi i Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH), Anton Kobakov, kishin arritur një marrëveshje bashkëpunimi për blerjen e flotës prej 51 autobusëve dhe se blerjen e këtyre autobusëve, të cilët aktualisht qarkullojnë në kryeqytet, BERZH-i e kishte mbështetur komunën e Prishtinës me mbi 700.000 euro.
Kryetari i Kuvendit të Odës Ekonomike, njëherësh edhe kryetar i Shoqatës së Transportit Rrugorë, Ruzhdi Kurtishaj pohon se komunikacioni rrugor në Kosovë është i stërngarkuar nga linjat e autobusëve.
“Në Kosovë janë rreth 2 mijë autobusë dhe është e sterngarkuar. Ky numër është më se i mjaftueshëm për të kryer shërbimet e transportit urban, ndërurban, apo urbano-periferik apo ndërkombëtarë”, deklaroi ai për KosovaLive
Ai shprehet i kënaqur me raportin dhe bashkëpunimin mes Ministrisë së Infrastrukturës dhe Transportit (MIT) dhe Shoqatës së Autobusëve.
“Nga Ministria e Infrastrukturës, kemi përfituar 350 mijë euro subvencion apo lirim nga pagesa për operatorët që udhëheqin transportin e udhëtimit qoftë për transportin urbano-periferik, urban apo ndërurban”, thotë Kurtishaj.
Por, një banore tjetër e Zllatarit, kësaj zone të periferisë së kryeqytetit, problemi kyç vazhdon të mbetet transporti dhe ajo fajëson institucionet se janë marrë me këtë problem.
“…Në këtë pjesë mungojnë shumë sende por më kryesorja është transporti, nuk është se kam dëgjuar që komuna apo dikush tjetër të ketë planifikuar diçka në lidhje me transportin e udhëtarëve”, tha Blertë Bekteshi për KosovaLive.
KosovaLive ka tentuar disa herë që edhe nga Ministria e Infrastrukturës të marrë përgjigje se cila është struktura përgjithshme e transportit publik në Kosovë, se a i përmbushin nevojat e banorëve-udhëtarëve linjat ekzistuese të autobusëve, por MIT ishte e paqasshme.
Ndërkohë, eksperti i inxhinierisë për transport, Rifat Krasniqi rithekson rëndësinë e transportit publik.
“Transporti publik – është i lirë, ekonomik dhe më i mirë për mjedisin-ambientin tonë, sidomos brenda qyteteve preferohet transporti publik, është më lehet i përdorshëm për personat me nevoja të veçanta”, tha Krasniqi.
Ai njëherësh thekson se transporti publik është më i sigurt në komunikacion.
“Transporti publik e lehetëson dhe e zvoglon dendësinë e qarkullimit në komunikacion, pasi sot në rrugët tona numri i mjeteve personale (private) është mjaft i lartë, dhe kjo shkakton shkakton vonesa, dhe kemi dendësi të lartë në qarkullimin e komunikacionit. Si pasojë e kësaj kemi kolona dhe raste të aksidenteve në komunikacion”, thotë ai.
Ky ekspert njëherësh thekson edhe levërdinë tjetër të transportit publik, atë të reduktimit të ndotjes nga nga automjetet personale.
“Transporti publik në një masë të lartë ndalon ndotjen e ambientit. Pasi është një numër i madh veturave personale që përdoren në vendin tonë dhe lirojnë sasi të madhe të ndotësve (CO2, SO2, Oksidet e Azotit NO, NO2 etj), që janë nën standardin Euro 3”, thotë Krasniqi.
Sipas tij, trolejbusi dhe tramvaji për vendin tonë do të ishte zgjidhja ideale për transportin publik urban..
“Kosova ka nevojë për transportin publik me trolejbus dhe tramvaj, është më lehtë e realizueshme, dhe më pak e kushtueshme. Këtë e shoh si zgjidhje edhe në Prishtinë”, konsideron Krasniqi.
Kur bëhet fjalë për transprtin në përgjithësi, “TrainKos” është operatori i vetëm në Kosovë që ofron shërbime të transportit hekurudhor të udhëtarëve, ndërkohë që transporti ajror, sipas MIT, del të jetë më i avancuar, meqë ofron shërbime me shumë operatorë të jashtëm, që bëjnë transportin e udhëtarëve në linjat ajrore Prishtinë-Munih, Vjenë, Cyrih, Lubjanë dhe Stamboll… e.
Eksperti tjetër i inxhinierisë së transporti, prof.ass.dr. Ramadan Duraku, thotë se një transport i mirë rregullon gjithçka në komunikacionin vendor.
“Transporti publik i mirë organizuar dhe sistemuar gjithmonë e rregullon dhe e lehtëson komunikacionin në vend dhe nëpër qytetet tona”, tha ai.
Sipas tij, Kosovës i nevojitet edhe transporti rrugor me binarë.
“Për shkak të rritjes së numrit dhe koncentrimit të banorëve në qendrat urbane, kërkohen edhe mënyra tjera të organizimit të transportit publik përveç autobusit. Pra si teknologji tjera që mund të aplikohen në Kosovë janë: trolejbusi, tramvaji, treni i lehtë urban, metroja etj”, thotë ai.
Në këtë kontekst Duraku përmend edhe rikonstruktimin e linjës hekurudhore “Prishtinë-Hani i Elezit-Shkup-Prishtinë”, që pritet të lëshohet në përdorim në vitet në vijim.
Shqipdona Gashi
Pikëpamjet e shprehura në këtë publikim janë të News Agency KosovaLive dhe në asnjë mënyrë nuk mund të konsiderohen si qëndrim i Fondacionit të Kosovës për Shoqëri të Hapur.