Sociologia dhe shkrimtarja, Sibel Halimi, gjatë një interviste për KosovaLive ka thënë se, pabarazia në familje krijon dhe zhvillon më tej “patriarkalizmin”, i cili institucionalizohet dhe legjitimohet edhe në organizimin e shtetit.
“Patriarkalizmi është një sistem vlerëor i shoqërisë kosovare i cili fatkeqësisht vjen si rezultat i organizimit të brendshëm të njësisë elementare të shoqërisë të ashtuquajtur familje. Pabarazia e krijuar në familje e fuqizon sistemin patriarkal dhe si rezultat e kultivon edukimin jo të barabartë në mes vajzave dhe djemve”, thekson ajo.
Tutje, siç shprehet sociologia, në trupin e gruas kosovare veçanërisht tek shtatzënat “patriarkalizmi”, promovohet në mënyrë direkte.
“Në shoqëritë patriarkale tradicionale, trupi i gruas është instrumentalizuar, i kontrolluar dhe i disiplinuar sipas nevojave të cilat i ka shoqëria kosovare. Fillimisht para shtatzënisë shoqëria patriarkale e determinon moshën kur duhet të hyjë gruaja apo vajza në martesë dhe kontrollon seksualitetin dhe ekzaminon trupin e vajzave nëpërmjet ‘virgjërisë’, në mes patriarkalizmit dhe trupit të gruas ka të bëjë edhe me planifikimin familjar veçanërisht edhe me lindjen e gjinisë femër apo mashkull”, ka thënë Halimi.
Sipas saj, trupi i gruas me patriarkalizëm ka një lidhshmëri direkte pasi që po të mos ekzistonte trupi i gruas nuk do të ekzistonte as patriarkalizmi.
Halimi thotë se gruaja në shoqërinë tonë më tepër shihet si objekt se sa si subjekt.
“…Në shoqërinë kosovare nëna merr konotacion pak më mitik nuk mbetet vetëm si rol, gjë e cila e ka bërë gruan që të jetë më shumë e identifikuar me këtë rol se sa me subjektin e të qenurit grua”, shton halimi.
Në Mitrovicë para dy viteve, në organizimin atoret e Sektorit për Parandalimin e Dhunës në Familje dhe Drejtorisë së Policisë në Bashkësi dhe Preventivë, e me përkrahje të OSBE-së, është mbajtur një fushatë vetëdijesuese ndaj dhunës në familje, nën moton “Dhuna nuk arsyetohet”.
Më tej, sociologia, Sibel Halimi thekson se, janë institucionet shtetërore për strehimin dhe trajtimin e grave të cilat përjetojnë dhunë në familje, e të cilat do të duhej t’i mbështesnin më shumë këtë kategori. Sipas saj, nuk e mjaftueshme për gratë e keqtrajtuara vetëm strehimi.
“…Gratë të cilat gjenden në një pozitë të tillë, pikërisht Qendra për Punë Sociale do të ishte rruga e parë dhe e vetme në të cilën ato do të duhej t’a adresojnë problemin e tyre. Janë edhe strehimoret të cilat janë të organizuara mirë e të cilat i pranojnë gratë shtatzëna dhe ballafaqohen me dhunën në familje. Kjo nuk është e mjaftueshme në kuptimin e trajtimit të rastit të tyre, shpesh herë do të duhej të krijoheshin mekanizma specifik se çfarë duhet të bëhet me gratë janë shtatzëna dhe janë të braktisura nga anëtarët e familjes”, thotë ajo.
Në Klinikën Gjinekologjike-Obstetrike të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), në 6 mujorin e parë të vitit 2020, u lindën 4,371 foshnje.
Drejtori i kësaj klinike, Jakup Ismajli në një intervistë për KosovaLive, thotë se deri më tani të gjitha gratë shtatzëna të cilat procesin e lindjes e kanë kryer në QKUK, kanë qenë të kujdesshme në kontrolle gjatë fazës së shtatzënisë.
“…Numri i lindjeve në QKUK, në gjashtëmujorin e parë ka qenë 4371 lindje ndërsa në muajin korrik 871 lindje dhe në muajin gusht 726 lindje. Nuk ka pasur asnjë shtatzënë gjatë vitit e cila nuk ka bërë vizitë dhe echo te gjinekologu”, tha ai.
Ismajli tregon edhe procedurën se si një grua shtatzënë duhet t’i bëj kontrollet në QKUK gjatë ciklit të shtatzënisë.
“Për të kryer një kontroll në KOGJ, duhet të vijë pacientja me udhëzim nga Qendrat e Mjekësisë Familjare për kontroll apo echo. Në KOGJ ekzistojnë ambulancat specialistike si dhe këshillimorja për shtatzëna. Kontrollet në KOGJ, janë pa pagese dhe çdo dite në këtë ambulantë kontrollohen 15 shtatzëna. Meqenëse para dite punojnë këto ambulanta dhe nga ora 8 deri në ora 14 secila shtatzëne pa kufizime mund të informohet me echo për gjendjen e bebes si dhe (të kryejë) kontrolle gjinekologjike për gjendjen e shtatzënës”, thekson Ismajli.
Për shkak të kushteve jo të mira në Klinikën e Gjinekologjisë në Prishtinë, sipas drejtorit Ismajli, pamundësohet edhe mbështetja e bashkëshortëve tek shtatzënat.
“Sa i përket mbështetjes së bashkëshortit gjatë procesit të lindjes tek në është disi e vështirë. Duke pasur parasysh numrin e madh të lindjeve, 10.000 gjate një viti, kushteve që ofron salla e lindjes e ndërtuar në vitin 1980, furnizimit me veshje për të hyrë në sallë si dhe gatishmërisë së bashkëshortit që të qëndrojë pranë gruas është vështirë e realizueshme. Tek ne gati çdo 24 orë janë 30 lindje dhe prezenca e 30 bashkëshortëve do të na e vështirësonte edhe neve punën, e duke pasur parasysh që shpeshherë ka ndodhu që në vend të merremi me pacienten në fazën e lindjes është dashtë të merremi me bashkëshortin për shkak të shqetësimit dhe mosgatishmërisë së tij për të qëndruar në sallë”, përfundon Ismajli.
Ndërsa, sipas sociologes, Sibel Halimi, Kosova ende ballafaqohet me problemin, hendekun e theksuar në mes burrave dhe grave në edukimin e fëmijëve, ndarjen e barabartë prindëror.
“…Kujdesi, prindërimi do të duhej të ishin pjesë edhe e burrave jo vetëm e grave, kjo duhet të jetë një organizim shtetëror. Shpeshherë tek ne, burrat kur ballafaqohen me institucionet shëndetësore janë të përjashtuar p.sh nga procesi i lindjes, nuk është si në vendet e tjera që burrat marrin pjesë gjatë lindjes. Pastaj, nuk marrin pjesë as në ato grupe të edukimit se si duhet të qasen prindërit, burrat dhe gratë ndaj një fëmije të sapo lindur. Pra neve na mungon një politike emancipuese sa i përket ‘si të ngel gruaja shtatzëne’, prandaj nuk është rastësi që kontakti me gjinekologët ose me pediatrat, realizohet nga nënat por jo edhe me baballarët”, shtoi ajo.
Sipas Halimit, jeta private duhet të mos shihet si pronë vetëm e gruas, ndërsa ajo publike vetëm e burrave, por e barabartë.
“Një burrë i cili nuk është i vetëdijshëm që punët e grave në shtëpi nuk janë vetëm të grave por janë edhe të burrave atëherë e shohim që (kjo) është problematike tek ndryshimi edhe në procesin e lindjes, edhe shtatzënisë në përgjithësi”, përfundon ajo.
Në një artikull të botuar kohë më parë në KosovaLive rreth dhunës në familje, theksohej se çdo e treta grua në Kosovë pëson ndonjë formë të dhunës.
Figura e spikatur publike kosovare në shumë drejtime profesionale, Diellza Kolgeci, në një intervistë për KosovaLive flet për rëndësinë e stafit mjekësor dhe të bashkëshortit në periudhën sa ishte shtatzënë. Sipas saj, për krijimin e një familje, nga çifti duhet një planifikim dhe parapërgatitje.
“…Kontrollet i kam bërë tek doktori, Göksu Göç, në Spitalin Amerikan. Për krijimin e familjes, nga unë dhe Fisniku çdo gjë ka qenë e planifikuar, nuk na ka zënë në befasi. Normal për me krijua familje edhe me rrit një fëmijë, kurrë nuk mundesh me qenë 100% i përgatitur, por ndryshe kur planifikon, përgatitesh psiqikisht, lexon më shumë, merr informata, këshilla prej nënave sidomos”, thekson Kolgeci.
Sipas Kolgecit, gjatë shtatzënisë përveç mbështetjes së burrit, brenda gruas ekziston edhe një fuqi vet-mbështetëse, porse patjetër se bashkëshorti duhet t’i qëndrojë pranë gruas së tij për t’i ofruar mbështetjen e nevojshme.
“Fisi, bashkëshorti, normal që ka qenë përkrahës. Unë gjithmonë besoj në forcën e gruas pavarësisht sa dikush të përkrah. Vetë fakti që t’i po e mban një jetë, një mrekulli prej Zotit e bën që nëna është përkrahëse e vetës, pastaj me kërkua nga bashkëshorti që thjesht aty pranë me qenë. Për mua kishte me qenë absurde nëse bashkëshorti nuk e përkrah gruan e tij gjatë periudhës së shtatzënisë – fundja ajo në trupin e saj po e rrit fëmijën e tij”, thotë Diellza Kolgeci.
Para se të lindte vajzën, Helenën, ajo ka qenë e përgatitur në aspektin e të informuarit rreth shtatzënisë, lindjes dhe kujdesit të foshnjës.
“Unë kam qenë e informuar shumë më herët rreth shtatzënisë dhe të qenit nënë. Ndërsa sa i përket stafit mjekësor, qysh prej fillimit deri në fund kur kam lind dhe kur kam dal prej spitalit, edhe më pas kur kam shkuar për kontrolle për vete edhe për vajzën, të gjithë kanë qenë profesionist në punën e tyre”, tha Kolgeci.
Edhe ajo pajtohet se patriarkalizmi, i cili është ende prezent tek ne, ndikon negativ si në shëndetin e gruas po ashtu edhe tek shëndeti i fëmijëve.
“… Unë jam rrit në frymën demokrate, ku babi im ka qenë shumë feminist dhe ne si familje asnjëherë nuk kemi bërë dallime në gjini, përkundrazi i kemi përkrah. I kam përkrah edhe në të kaluarën gratë të cilat kanë qenë të shtypura apo të keqtrajtuara në familje nga burrat. Ende nuk mund të kuptoj të gjithë këtë dhunë që i bëhet ende grave në përgjithësi në shekullin XXI,” thotë Kolgeci.
Sipas saj ende ka gra të cilat përjetojnë dhunën në familje e të cilat nuk guxojnë të ngrisin zërin ndaj të drejtave të tyre, e në një familje ku ka dhunë, ekziston rreziku që edhe fëmijët të pësojnë me shëndetin e tyre.
“Patriarkalizmi përveç që dëmton shëndetin psikik dhe fizik të gruas dëmton edhe shëndetin e fëmijëve sepse një fëmijë që rritet me dhunë në familje dhe me një frymë jo të drejt mundet me qenë një fëmijë që nuk mund të rritet shëndetshëm dhe i lumtur. Gratë duhet gjithsesi ta ngrisin zërin për vetën dhe fëmijët e tyre, patriarkalizmi është helm i fëmijëve nëse e shohin nënën e tyre duke u keqtrajtuar nga babai”, thotë ajo.
Diellza Kolgeci tregon edhe përvojën e drejtpëfrdrejt që e ka pasur, kur ka takuar këto gra, dhe kur qenë shumë vështirë të binden që t’i paraqesin rastet e dhunës.
“…janë të frikësuara dhe është shumë vështir me i bind për t’a paraqitur rastin në polici apo diku tjetër përderisa nuk siguron shteti ndonjë strehim për këto gra. Kjo frikë, kjo torturë, kjo padrejtësi ka me vazhduar tutje. Këto gra e mbajnë në heshtje maltretimin që e marrin nga burrat e tyre”, përfundon Kolgeci.
KosovaLive më herët ka raportuar për rastin e 28 vjeçares L.T, gruas shtatzëne e cila kishte përjetuar dhunë të vazhdueshme nga bashkëshorti gjatë periudhës ku ishte shtatzëne, e që më pas kishte shkuar deri në fatalitet, atë të 2 abortimeve.
Sanije Marteta, një shtatzëne nga Prishtina, për KosovaLive thotë se gruas gjatë periudhës së shtatzënisë i nevojitet mbështetja e bashkëshortit dhe se pa bashkëshortin do e kishte të vështirë shtatëzaninë.
“Ka shumë rëndësi burri kur një grua është shtatzëne. Unë personalisht nuk e kisha pas kaq të lehtë këtë periudhës pasi që e kam edhe një djalë më të madh dhe tani jam në muajin e gjashtë të shtatzënisë”, theksoi ajo.
Marteta thotë se bashkëshorti përveç mbështetjes financiare rol po kaq të rëndësishëm luan edhe tek trajtimi emocional i shtatzënës.
Sa u përket grave që përjetojnë dhunë nga bashkëshortët, ajo thekson nevojën e mbështetjes së institucioneve kompetente.
“Shteti së pari duhet t’i mbështes këto gra, t’i financojë e t’i strehojë pasi që gratë që përjetojnë dhunë në familje nuk mund të jetojnë në rrugë”, shtoi ajo.
Edhe Marteta pajtohet se patriarkalizmi ende ekzistont tek ne, ndërkohë që e merakos është se në një vend ku ekziston patriarkalizmi, gjasat që të rriten rastet në psikiatri janë të mëdha andaj shteti duhet t’i dënoj me kohë keqtrajtuesit.
Duke konstatuar se në shoqëritë patriarkale vështirë që subjekti grua të vihet në qendër të organizimit të politikave të shtetit, sociologia Sibel Halimi thotë se mungesa e emancipimit të shtetit e bën që edhe rastet të trajtohen në kuadër të skemave të caktuara, duke i përjashtuar edhe rastet specifike siç është rasti me gratë shtatzëna të cilat janë të braktisura nga anëtarët e familjes dhe nga bashkëshorti.
Shqipdona Gashi
Pikëpamjet e shprehura në këtë publikim janë të News Agency KosovaLive dhe në asnjë mënyrë nuk mund të konsiderohen si qëndrim i Fondacionit të Kosovës për Shoqëri të Hapur