Build Skills with our trainings

Sign up now!

“Komuniteti LGBTIQ:Sytë nga arratisja, në përballje me diskriminimin”

Tet 5, 2020

“S’ka person i komunitetit LGBTIQ që nuk ka mendu me dalë jashtë Kosovës. Kualiteti i jetës ish kanë shumë ma i mirë jashtë vendit, kisha pas rahati, liri, mundësi me i pas të drejtat e barabarta edhe me pas qasje në gjithçka që kam nevojë, sidomos në martesë”,  thotë E.V, mosha 18 vjeç, nga Ferizaj.

E.V. identifikohet si person Queer, emër që shërben si term ombrellë për personat që kanë identitet gjinor dhe orientim seksual ndryshe. Personat që e quajnë veten Queer nuk identifikohen si heteroseksualë apo cisgjinorë.

Se të rinjtë kosovarë homoseksualë nuk gëzojnë të drejta të mjaftueshme për t’u integruar në shoqëri na vërteton edhe projekti “Studimet Rinore të FES për Evropën Jug-Lindore 2018/2019”. Sipas gjetjeve të këtij projekti, këta të rinj nuk shohin të ardhme në Kosovë. Për këtë fenomen shtjellohen arsye të shumta që kryesisht kanë karakter ekonomik dhe arsimor si dhe kulturor.

E.V. tregon se të tjerët e diskriminojnë sa herë që del në rrugë dhe thotë se kjo ndodhë për shkak të mënyrës se si duket. Flokët e shkurta dhe stili i veshjes “tomboy” në një vajzë tërheqin shumë vëmendje. E.V. mendon se ndoshta po t’i rriste flokët nuk do ta trajtonin dhe shikonin ndryshe. Ndjenja të tilla pasigurie në identitet dhe rol ngjallen te çdo i ri tjetër që kupton se që të trajtohet në mënyrë të barabartë, duhet të ndryshojë pamjen dhe/apo sjelljen.

Prapë se prapë, pjesëtarët e komunitetit LGBTIQ në Kosovë nuk e kanë aspak të lehtë të integrohen në shoqëri dhe madje as në familjet e tyre. Për shumicën e të rinjve kosovarë është sfidë e madhe mungesa e lirisë dhe ndjenja e ngulfatjes nga ana e familjes. Homofobia, mospranimi, diskriminimi, madje edhe dhuna e ushtruar ndaj tyre na bëjnë të bindemi se shoqëria jonë është ende e papjekur dhe e panjoftuar me temat e identitetit gjinor dhe atij seksual. Çështje si këto janë pengesat më të mëdha për këtë komunitet dhe si të tilla i bëjnë këta të rinj t’i kthejnë sytë nga perëndimi dhe jo vetëm.

Si një mënyrë për të realizuar këtë dëshirë të tyren, të rinjtë e këtij komuniteti shfrytëzojnë mundësitë për punësim ose studim jashtë vendit.

“Mendoj me ikë, përmes ndonjë burse për studime master në SHBA ose Kanadë ose në njërin prej shteteve perëndimore”, rrëfen planet e tij i riu A.T., 21 vjeçar nga Ferizaj, pjesëtar i këtij komuniteti.

Ai shprehet se Kosova nuk i ofron atij kushte të sigurta të jetesës. Ai dëshiron të jetë i hapur, të ketë një vend të sigurt të punës, të ketë stabilitet ekonomik ndër të tjera – nevoja të rëndësishme të çdo individi në një vend demokratik.

Korniza Ligjore për komunitetin LGBTIQ

Ligjet ekzistuese në Kushtetutën e Republikës së Kosovës nuk njohin të drejtat e personave LGBTIQ për t’u martuar e aq më pak për të pasur fëmijë. Ndër ta është Ligji për Familjen, neni 14, i cili e përkufizon martesën si akt që duhet të kryhet mes dy personave me sekse të ndryshme biologjike. Ndërsa sa i përket zgjerimit të familjes, në Kushtetutë nuk ceket një gjë e tillë, madje as me metodën e adoptimit.

Edhe pse ligjet për të drejtat e komunitetit LGBTIQ në Kosovë janë amandamentuar dhe aprovuar në Kuvend më parë, implementimi i këtyre ligjeve lë për të dëshiruar.

Në bazë të përvojës së Blert Morinës, drejtor ekzekutiv i organizatës CEL, organet qeverisëse nuk kanë siguruar ngritjen e kapaciteteve të personave zyrtarë që e kanë për detyrë të kujdesen për zbatimin e ligjit. Disonanca mes kushtetutës dhe moszbatimit të ligjeve qëndron në faktin se kushtetuta jonë është bazuar në legjislatura perëndimore dhe nuk përkon me besimet dhe vlerat konservatore të shoqërisë.

Së fundmi shoqërisë tonë i është prezantuar Kodi i ri Civil i cili ka qenë në proces të ndryshimit tash e një kohë. Ndër tjera ndryshime që mendohet të sillen, ky kod pritet që për herë të parë në vend të iniciojë legalizimin e martesës mes seksit të njëjtë. Ky projekt synon të rregullojë edhe çështje të tjera ligjore dhe do të procedohet dhe shqyrtohet së shpejti në Kuvendin e Republikës së Kosovës.

Duke analizuar qëndrimet që përmban projekt ligji, Rrjeti i Organizatave të Shoqërisë Civile vlerësoi se projekt ligji favorizon martesat e ashtuquajtura “tradicionale” mes burrit dhe gruas. Aksioni AllOut në korrik të këtij viti publikoi një peticion si formë reagimi ndaj këtij rasti me qëllim të ngritjes së vetëdijes për këtë anim dhe pabarazi.

Këto qëndrime të hapura të institucioneve ligjvënëse në Kosovë shihet se kanë ndikim direkt në të rinjtë dhe pjesëtarë të tjerë të komunitetit, specifikisht në planet e tyre për të ardhmen.

E.H. 20 vjeçare nga Prishtina, pjesëtare e komunitetit shprehet se sa herë që i shkon në mendje krijimi i një familje, asnjëherë nuk e mendon Kosovën si vend të përshtatshëm.

“Krijimi i një familjeje me dikë të seksit të njëjtë në Kosovë është e pamundur dhe kjo është vështirësia më e madhe për komunitetin në vendin tonë”,  thotë ajo.

Ajo shpreh edhe brengat e saj për t’u punësuar në Kosovë dhe thotë se para se të aplikojë për punë duhet të sigurohet se vendi ku aplikon është i hapur dhe pranues ndaj komunitetit LGBTIQ.

Kur aplikoj për punë menjëherë më shkon mendja tek intervista. Më shkon mendja që kur të shkoj aty (në intervistë) kanë me i pa flokët e shkurta ose mënyrën qysh veshna edhe kanë me më diskriminu për këtë arsye”.

Përvojë e lehtë, sipas saj nuk është as dalja për t’u shëtitur apo për të kryer ndonjë punë në qytet. Shpesh i duhet ta ndërrojë rrugën në të cilën ecë në mënyrë që t’i shmanget ndonjë komenti të panevojshëm nga të huajt.

Edhe pse Ligji për Mbrojtjen nga Diskriminimi, neni 1, parandalon dhe dënon çfarëdo akti të diskriminimit përfshirë atë ndaj identitetit gjinor dhe orientimit seksual, të dhënat tregojnë se diskriminimi ndaj këtij komuniteti është mjaft i përhapur në Kosovë dhe se ky legjislacion nuk zbatohet në mënyrë adekuate.

Në vitin 2018 Grupi i Bankës Botërore publikoi raportin “Jeta në margjina: Përvoja e personave LGBTI në Evropën Juglindore” në të cilin analizoi përvojat e komunitetit në shtete të Evropës Juglindore, studim në të cilin u përfshi edhe Kosova. Gjatë intervistimit, 41%  e respondentëve pranuan se kishin qenë të sulmuar apo të kërcënuar në rrugë.

Sipas Avokatit të Popullit, Hilmi Jasharit, plotësimi dhe ndryshimi i kornizës ligjore ekzistuese të Kosovës në lidhje me komunitetin LGBTIQ mbetet sfidë për shtetin. Ndër aspektet themelore dhe kryesore që kanë nevojë për ndryshim janë ligjet mbi diskriminimin, martesën, marrëdhëniet familjare dhe trashëgiminë. Sipas tij, Kosova ende qëndron në proces të harmonizimit të legjislacionit përkatës për LGBTIQ.

Avokati i Popullit, Hilmi Jashari në Ditën Ndërkombëtare për të Drejtat e Njeriut, 201

“Rruga deri te afirmimi i plotë i barazisë shoqërore të personave LGBTIQ në Republikën e Kosovës është ende në fillimet e saj”, thotë Jashari.

Kërcënimet dhe sulmet ndaj pjesëtarëve të komunitetit LGBTIQ do të duhej të raportohen në mënyrë që të mbizotërojë ligji dhe personat fajtorë të dënohen, mirëpo, më shumë se gjysma e këtyre personave nuk raportojnë krimet e bëra ndaj tyre. Në intervistën për KosovaLive, Avokati i Popullit tha se pak persona LGBTIQ kërkojnë ndihmë nga ky institucion. Raste të tilla raportohen rrallë për një mori arsyesh ndër të cilat më kryesoret janë frika nga mospranimi nga familja dhe shoqëria si dhe mosbesimi në organe ligjore.

Aktivizmi i komunitetit LGBTIQ

E sa kanë ndryshuar qëndrimet e personave në pozita qeverisëse në Kosovë, tregon Myrvete Bajrami, aktiviste e të drejtave të komunitetit LGBTIQ në Suedi dhe pjesëtare e komunitetit. Ajo thotë se për shkak të aktivizmit të pandalshëm për këtë çështje në Kosovë, është filluar të vërehet ndikimi tek qeveritarët dhe zyrtarët. Gjithashtu, në këtë aspekt ajo shprehet se ka ndikuar edhe dalja e hapur e personave LGBTIQ te familja dhe shoqëria e tyre.

Aktivistët dhe organizatat që punojnë në ngritjen dhe njohjen e komunitetit LGBTIQ në Kosovë vetëm se kanë vendosur bazën e tyre në shtetin e ri kosovar.

Myrvete Bajrami, në një intervistë për KosovaLive tha se periudha kur aktiviteti për LGBTIQ ka filluar të gjallërojë në Kosovë ishte viti 2005. Sipas saj, gjatë asaj kohe u është bërë presion organeve ligjvënëse të vendit për hartimin e ligjeve anti-diskriminuese. Atëbotë Kosova gjithsej kishte rreth 300 aktivistë të cilët merreshin me promovimin dhe mundoheshin ta njoftonin publikun me termet gej dhe lezbike. Inicimi i diskutimeve lidhur me këto tema ishte barrë e madhe. Policia nuk ishte e përgatitur t’i trajtonte ato, ndërsa personat që e shfaqnin identitetin e tyre seksual përballeshin me dhunë nga shoqëria e sidomos nga familjet e tyre. 

Blert Morina, në një bisedë për KosovaLive, thotë se ndër vite Policia e Kosovës ka qenë organi më i besueshëm dhe mbështetës kur persona apo grupe të komunitetit janë ndjerë në rrezik, por të intervistuarit nuk e ndajnë të njëjtin mendim.

Raporti i CEL dhe CSGD shtjellon njohuritë dhe përvojat e punonjësve në organe të tjera të shtetit në lidhje me çështje që shqetësojnë komunitetin LGBTIQ. Në raport vlerësohet përvoja e punëtorëve socialë dhe atyre mjekësorë në ofrimin e mbështetjes ndaj personave transgjinorë në Kosovë dhe konkludohet se ata janë të papërvojë dhe të painformuar për çështjet e këtij komuniteti. Siç duket pjesa e komunitetit e cila e përfaqëson shkronjën T brenda akronimit LGBTIQ qëndron më së shumti në hije në vendin tonë me gjithë aktivizmin e personave që dolën haptazi si transgjinorë dhe morën iniciativa për ta sfiduar sistemin ligjor të shtetit.

Bjeshka Guri, kordinatore e Programit në organizatën YIHR, në një intervistë për KosovaLive thotë se në Kosovë shkollat janë ndër vatrat kryesore ku fëmijët mësojnë të diskriminojnë. Kjo ndodhë se parësisht librat janë të stërmbushura me gjuhë që promovon diskriminimin. Një fragment i librit të Edukatës Qytetare 10 që targeton homoseksualitetin thotë  “çrregullimet, sjellja kriminale dhe homoseksualiteti i atribuohen filmave dhe librave erotikë.” ndërsa një tjetër i Biologjisë 10 thotë se “ekzistojnë edhe veçori të tjera poligjenike, të cilat diçka në masë më të vogël shmangen nga sjellja normale dhe shënohen si forma devijuese të sjelljes (prirja për kriminalitet, konsumimi i alkoolit ose i drogës, homoseksualitetit etj.)”.

Sipas saj, përpos që këto fjali kanë pavërtetshmëri shkencore, ato fusin homoseksualitetin në të njëjtën kategori me çrregullime dhe sjellje kriminale. Guri vlerëson ndikimin e internetit dhe punëtorive joformale të cilat janë shndërruar në mbështetës dhe informues të të rinjve dhe shpesh u mundësojnë atyre qasje në njohuri që përkojnë me të drejtat e njeriut.

Një gjë të tillë e thekson edhe gazetari Dardan Hoti i cili thotë se sistemi edukues kosovar nuk i mëson fëmijët për komunitetin. Sipas tij, rritja në familje me vlera patriarkale dhe pa informacione për komunitetin si dhe mosedukimi për këtë çështje bëjnë që fëmijët të vazhdojnë me fluksin e krijuar nga prindërit e tyre dhe ta shohin homoseksualitetin si diçka të keqe dhe madje si sëmundje.

Si arsye tjetër për njohuritë e pakta për transgjinorët konsiderohet të jetë mungesa e trajnimeve për çështje të tilla. Por, gjërat duket që kanë filluar të marrin kthesë për të mirë ngase stafi i policisë, si një nga organet kryesore të rendit në vend, merr trajnime të veçanta nga Qendra për Liri dhe Barazi (CEL) në lidhje me mënyrën se si të sillen me personat e komunitetit.

Përveç iniciativës vetjake të këtyre organizatave, ndonjëherë ndihma iu vjen edhe nga organe të tjera më të larta në shtetin e Kosovës. Së fundi, Komuna e Prishtinës i ka dhuruar organizatës CEL një hapësirë për përdorim si qendër “Drop in”.

Një mënyrë për të marrë ndihmë nga kjo organizatë është përmes strehimores që gjendet në Shqipëri. Në këtë strehimore dërgohen pjesëtarët e komunitetit që përjetojnë dhunë fizike në familje dhe përjashtohen prej shtëpisë. Zakonisht këta persona janë prioritet për organizatën për shkak se janë shumë të kërcënuar dhe mund të përfundojnë me fatalitet. Prej fillimit të ofrimit të këtij shërbimi, nga Kosova në strehimore janë dërguar rreth 9 persona.

Blert Morina tregon se strehimorja ka programin e vet në të cilin personat banues mund të kalojnë gjashtë muaj, e pas aftësimit profesional ata mund të gjejnë vend të punës në kompanitë me të cilat strehimorja ka partneritet. Nga kërkesat e shumta për ndihmë që merr kjo organizatë kur raportohen raste, kërkesa më e shumtë është gjetja e mundësisë për të dalur jashtë vendit.
Shënimi i ditës IDAHOT në Kosovë


 Pavarësisht këtyre përpjekjeve, aktivistët e rinj kosovarë tregojnë se diskriminimi ndaj këtij komuniteti ndikon në mënyra të ndryshme tek ata. Agon Rexhepi aktivist për të drejtat e komunitetit nga Prishtina vlerëson se homofobia është shumë e shprehur në vendin tonë. Sipas tij, shtypja që i bëhet komunitetit nuk është gjithmonë e dukshme dhe mund të manifestohet në formë të ngacmimit në shkolla, pabarazisë në mundësitë për punësim si dhe hapësirat publike të cilat nuk janë të sigurta dhe të rehatshme për komunitetin.

Shumë të rinj të gjendur përballë këtyre padrejtësive vlerësojnë që ikja jashtë vendit është mënyra më e lehtë e përballjes me diskriminimin. Megjithatë, kjo qasje mund të mos jetë mënyra më e mirë dhe më e përshtatshme për të gjithë, vlerësojnë të rinjtë. “Është më lehtë të ikësh se sa të përballesh me mentalitet konservator, religjioz dhe patriarkal si ky i Kosovës”, thotë Rexhepi. 

Ku qëndron Kosova në raport me vendet e rajonit?

Pavarësisht përpjekjes të organizatave për t’u reprezantuar si fqinjtë perëndimorë, Kosova qëndron në pozitë të palakmueshme në aspektin e të drejtave të komunitetit LGBTIQ. Krahasuar me shtetet në rajon Kosova shënon pikët më të larta në diskriminimin, dhunën dhe mospranimin e këtij komuniteti. Nga studimi i Grupit të Bankës Botërore del se 74% e personave të intervistuar deklarojnë se nuk e kanë shfaqur identitetin seksual dhe gjinor të tyre të vërtetë pikërisht për këto arsye. 

Fqinjtë e shtetit të Kosovës trajtojnë qytetarët e komunitetit LGBTIQ në forma më të mira. Në Evropën Juglindore, shkalla e dhunës ndaj personave LGBTIQ është shumë më e lartë se në Bashkimin Evropian. Duke marrë parasysh matjet e tolerancës, dukshmërisë dhe hapave drejt përfshirjes, pozitën më të mirë e mban Sllovenia dhe më të keqen e mban Kosova, e pasuar nga Maqedonia e Veriut dhe Bosnja dhe Hercegovina. Maqedonia e Veriut është shteti i fundit që u pajis me ligj anti-diskriminues për personat LGBTIQ, megjithatë martesa mes dy personave me seks të njëjtë vazhdon të jetë ilegale. 

Së fundi, një hap në drejtimin e duhur së fundi e ka bërë Mali i Zi i cili ka legalizuar partneritetet civile të seksit të njëjtë. Përveç legjitimimit të kësaj të drejte humane, autoritet zyrtare theksuan benefitet si integrimi dhe zhvillimi që e presin Malin e Zi. 

Diskriminimi i komunitetit vazhdon të jetë i pranishëm në Ballkan në shtetet si Shqipëria, Bosnja dhe Hercegovina dhe Serbia edhe pse këto kanë përparuar në linjë me standardet e Bashkimit Evropian. 

Sipas studimit “Ndarja Globale mbi Homoseksualitetin Vazhdon”, Evropa Lindore, Rusia, Ukraina, Lindja e Mesme dhe Afrika Nënsahariane janë shumë më pak pranuese ndaj komunitetit se sa Evropa Perëndimore, Amerika dhe Australia. Por, kjo po shkon duke u përmirësuar..

Gjithashtu personat që janë pro legalizimit dhe inkuadrimit të komunitetit janë rinia, ata që kanë edukim më të lartë, janë më pak religjiozë dhe gratë. Sipas botimit, vendet me besim Islam janë më homofobike.

Për të dhënë një pasqyrim të popullsisë në Kosovë, në vendin tonë dominojnë rezidentët e rinj, me gjini mashkullore, edukim vetëm të shkollës fillore, besim islam dhe që jetojnë në zona rurale, andaj refuzimi i personave që vetë identifikohen si homoseksualë dhe dëshira e tyre për të jetuar në shtete perëndimore nuk është çudi.

Pranimi i vlerave evropiane dhe zbatimi i tyre hap dyer të bashkëpunimit me shumë unione dhe institucione ndërkombëtare dhe është e arritur e mbarë për secilin shtet që synon anëtarësim. 

Realiteti shihet se është i ndryshëm për pjesëtarët e komunitetit që veçse kanë vendosur të vazhdojnë jetën e tyre jashtë Kosovës.

Një shembull është edhe Myrvete Bajrami, që tashmë ka privilegjin e jetesës jashtë Kosovës, në Suedi. Ajo shijon jetën me partneren e saj, është rehat, e sigurt dhe nuk ka nevojë të fshihet. Ajo tregon se jeta e saj është shumë më e mirë tani dhe thekson rëndësinë e mbrojtjes ligjore që ofron Suedia.

Mirëpo, duket se drejt një fryme pranuese dhe barazie shkon edhe Kosova me organizimin e marshit për nder të komunitetit LGBTIQ për të tretin vit radhazi.

Blert Morina, si një ndër organizatorët e këtij marshi, rrëfen se kërcënimet nga të tjerët janë ulur në krahasim me vitet paraprake. Mundi që u dha për organizimin e paradës, sipas tij, ishte maksimal duke pasur parasysh se në vendet e rajonit marshi ishte përcjellur me incidente të mëdha.

Pavarësisht zhvillimeve të shumta që ka bërë shteti i Kosovës ndaj çështjeve të komunitetit LGBTIQ, të rinjtë e këtij komuniteti ende nuk shprehin besim të plotë në vendlindjen e tyre. Qëndrimet e qytetarëve të Kosovës nuk janë në favor të këtij komuniteti dhe kjo ka ndikim direkt në pjesëtarët, sidomos në shëndetin mendor të tyre. 

‘’Nuk është e këndshme kur e di që ti je i barabartë edhe nuk ke asnjë mangësi por nga ana tjetër njerëzit të trajtojnë si të tillë.’’ , thotë A.T.

Mrika Bala

Ky artikull është shkruar në kuadër të projektit “Ngritja e Aftësisë Mediale dhe Digjitale”/”Enhancing Media and Digital Literacy”, e mbështetur nga Albany Associates.

PUBLIKIME

LAJME

THELLESISHT

DIALOG

Grantet e Prodhimit të Përmbajtjes II

Grantet e Prodhimit të Përmbajtjes II

Pesë aplikantë që paraqitën një aplikacion për “Grantet e Prodhimit të Përmbajtjes II”, Tv Tema, Internews, RTV Puls, Radio Gorazdevac dhe Besnik Krasniqi do të marrin mbështetje.

BARAZI

Womair: Informimi i grave dhe burrave për cilësinë e ajrit

Womair: Informimi i grave dhe burrave për cilësinë e ajrit

Më 19 nëntor, nga ora 10:00 deri në 12:00 në KosovaLive u mbajt ngjarja interaktive “Womair”, e cila kishte për qëllim informimin e djemve, vajzave, grave, burrave, çifteve dhe të gjithë të interesuarve, pa dallim, për mënyrat më efektive për përmirësimin e cilësisë së ajrit në hapësira të brendshme dhe të jashtme.

EDUKIM