Koncepti i shtëpisë si strehë e sigurt dhe e rehatshme nuk është i vërtetë për të gjithë. Të qëndrosh i izoluar në shtëpi nuk do të thotë që je domosdoshmërisht i sigurt. Në shumë shtëpi dhuna është paradigmë, mënyrë e të jetuarit, e kur shtëpia nuk është vendi më i sigurt, ku shkojnë ata persona që e përjetojnë atë.
Pandemia Covid-19 ka pasur ndikim të madh në shumë aspekte të jetës, gjithashtu ka sjellë në pah edhe fenomene që kanë qenë gjithmonë prezente. Dhuna në familje është një çështje mjaft shqetësuese në Kosovë, madje 48% e grave në Kosovë ende besojnë se dhuna është çështje private dhe duhet të trajtohet brenda familjes, e me vendosjen e kufizimeve në lëvizje si masë mbrojtëse ndaj Covid-19 të dhënat tregojnë se ka pasur rritje edhe më të madhe.
Në një përgjigje për KosovaLive, Policia e Kosovës njofton se gjatë periudhës mars-maj të këtij viti janë raportuar gjithsej 481 raste të dhunës në familje, ndërsa vitin e kaluar në periudhën e njëjtë ishin raportuar 403 raste.
Nga këto raste Policia e Kosovës i ka referuar dhe dërguar në strehimore 3 viktima në muajin mars, 7 në muajin prill dhe 6 gjatë muajit maj.
Masat e ndërmarra të Qeverisë për parandalimin e përhapjes së virusit kishin kufizuar lëvizjen e të gjithë qytetarëve, por viktimat e dhunës në familje kanë qenë të lejuara që të dalin. Të dalin po, mirëpo ku të shkojnë?
“…gratë në këtë aspekt kanë përjetuar frikën nga virusi jashtë shtëpisë dhe abuzuesi brenda shtëpisë. Qëndrimi gjatë 24 orëve brenda shtëpisë me abuzuesin e ka vështirësuar edhe mënyrën e raportimit të dhunë”, thotë për KosovaLive Erza Kurti, koordinatore e projekteve në Rrjetin e Grave të Kosovës.
Ndërsa, Zamire Kelmendi, koordinatore e projekteve në UN Women Kosovo tha për KosovaLive se ndonëse shifrat tregojnë rritje për 24% të dhunës në familje në Kosovë gjatë periudhës janar-maj, kjo shifër mund të mos krejtësisht e saktë.
“Kjo shifër edhe mund të jetë shumë më e madhe duke pasur parasysh se një numër i konsiderueshëm i këtyre rasteve nuk raportohen aspak.”
Kurti e Rrjetit të Grave të Kosovës pohon se bashkëpunimi mes institucioneve relevante dhe mes organizatave jo-qeveritare që merren me dhunën në familje ka qenë në nivel gjatë kohës së pandemisë. Ajo tregon se ka pasur organizim që nga fillimi që mos këtë asnjë mungesë gjatë kësaj periudhe për gratë dhe fëmijët që kanë qenë të strehuar si të mbijetuar të dhunës në familje.
Ndërsa, sipas Kelmendit, qysh prej ditëve të para pas shpalljes së masave kufizuese UN Women në partneritet me agjencitë tjera të Kombeve të Bashkuara, ka ofruar mbështjeten për strehimoret duke i dhuruar të gjitha produktet e nevojshme si ushqimore, higjienike e teknologjike.
Strehimoret për të mbijetuarat e dhunës në familje kanë bërë gjithçka që kanë mundur për të vazhduar ofrimin e mbështetjes për gratë dhe fëmijët, shtëpitë e të cilëve cilësohen si të pasigurta. Mirëpo edhe në rrethana normale strehimoret e dhunës në familje në Kosovë e kanë të vështirë të ofrojnë mbështetje për viktimat, e me ardhjen e pandemisë këto çështje veç sa janë ndërlikuar edhe më shumë. Puna 24 orëshe, frika e bartjes së virusit, ndjenja e frikës, ndjenja e vetmisë si dhe numri i shtuar i grave që kërkonin ndihmë për ushqim e për këshillim janë vetëm disa nga sfidat më të cilat u përballën gjatë kësaj periudhe stafi i strehimoreve në Kosovë.
Zgjidhje e përkohshme strehimi
Qeveria e Kosovës ka krijuar në një afat të shkurtër kohor një model strehimi për viktimat e dhunës në familje që synonte të mbronte jetën e viktimave të dhunës në familje dhe njëkohësisht të parandalonte infektimin potencial me Covid-19.
Agjencia për Barazi Gjinore në kuadër të Zyrës së Kryeministrit, është fokusuar tek krijimi i kushteve adekuate për strehimin e rasteve te reja të dhunës në familje në kohë pandemie, në një hapësirë alternative e cila mbulonte kërkesat e rasteve te reja të dhunës në familje për strehim dhe përkujdesje adekuate, dhe njëkohësisht mbronte rastet e strehuara deri tani në strehimoret në vend mos ti ekspozohen infektimit, si dhe njëkohësisht të mbrohej edhe stafi i strehimoreve.
“Vendosja në karantinë e viktimave të dhunës në familje ka qenë proces i sigurt, ku ato janë strehuar në përcjellje të garantuar nga akterët e paraparë në procedurat standarde të veprimit. Siguria e objektit ishte në nivel të duhur”, thotë për KosovaLive Edi Gusia kryeshefe ekzekutive e ABGj-së.
Sipas saj, edhe përkujdesja shëndetësore dhe trajtimi psikologjik gjatë kësaj kohe nuk ka munguar.
Ajo thotë se edhe pse fillimisht ishte paraparë që viktimat të qëndronin 14 ditë në strehimoren e përkohshme, të testohen për Covid-19 dhe nëse dalin negativ të përcillen në hapësira të tjera banimi, viktimat janë trajtuar me prioritet dhe janë testuar në afat prej 7 ditësh, në mënyrë që sipas vlerësimit të situatës së rrezikut, nëse kanë rezultuar negativ në Covid-19, të përcillen në ndonjërën prej strehimoreve në nivel vendi, ose në cilindo ambient që viktima ka preferuar të shkoj.
Strehimorja e përkohshme në karantinë deri më 6 prill ka strehuar 11 raste viktima të dhunës në familje nga ta 5 fëmijë dhe 6 gra.
Sfidat e Qendrës për Mirëqenien e Gruas në Pejë gjatë pandemisë
Ardita Bala, drejtoreshë e Qendrës për Mirëqenien e Gruas në Pejë pranon se menaxhimi i situatës në strehimoren që ajo e drejton gjatë kohës së pandemisë nuk ka qenë aspak i lehtë.
“Ne jemi 9 personel në staf dhe gjatë pandemisë kemi punuar nga një person gjatë një orari, d.m.th 3 persona për 24 orë, dhe ka qenë e vështirë, por me ketë orar kemi punuar vetëm rreth tre jave, dhe më pas kemi filluar të punojmë të gjithë në oraret e zakonshme për arsye të ngarkesës së punës”, u shpreh Bala në një bisedë për KosovaLive.
Gjatë periudhës së izolimit në këtë qendër kanë kërkuar strehim 6 persona. Ndërkohë që strehimorja në tërësi ka 18 shtretër, ka pasur raste kur janë strehuar edhe më shumë se 26 persona njëkohësisht.
“…zakonisht nënat flenë me fëmijët e tyre dhe shfrytëzojmë dyshekët portabël për të mos e refuzuar gruan e cila ka nevojë për ndihmë.”
Kjo periudhë ka qenë mjaft e vështirë për gratë me fëmijë, mësimi online, e sidomos pamundësia për t’i takuar fëmijët e tyre fare.
“…kemi sfida të cilat janë shprehë më shumë gjatë pandemisë, kur nëna është në strehimore dhe fëmijët janë te babai, dhe takimet që kanë qenë të përjavshme në Qendrën për Punë Sociale tani gjatë kësaj periudhe janë ndalur, pastaj babai ka refuzuar ti jap fëmijët në telefon”
Gjatë kësaj kohe, sipas Balës,ata janë furnizuar me mjete dezinfektuese vazhdimisht ndërsa maskat i kanë qepur vetë në strehimore. Ndihmë shtesë kanë përfituar nga disa organizata ndërkombëtare të cilat kanë ndihmuar me ushqime, produkte për higjiene, laptop, printerë etj.
Strehimoret u afektuan nga pandemia
“Shtëpia e Sigurt” në Gjakovë, njëra ndër strehimoret më të mëdha në Kosovë, funksionon që nga viti 2000 duke ofruar shërbime të strehimit, rehabilitimit dhe riintegrimit për viktimat e dhunës në familje dhe dhunës në baza gjinore. E periudha e pandemisë nuk ka qenë aq e lehtë as për stafin e kësaj strehimore.
Drejtoresha e kësaj qendre Erblina Dinarama në një intervistë për KosovaLive tregon se gjatë kohës së izolimit, në strehimoren të cilën ajo e drejton kanë kërkuar strehim 14 persona.
“Menaxhimi i situatës gjatë pandemisë nuk ka qenë e lehtë, pasi që numri i madh i rasteve të cilat i kemi pranuar para dhe gjatë pandemisë ka kërkuar punë dhe përkushtim edhe më të madh.”
Sipas saj, gratë e strehuara aty nuk e kanë pasur shumë të vështirë përballimin e izolimit, pasi që edhe para strehimit aty ato kanë qenë në një lloj “izolimi” nga ana e dhunuesit për vite me radhë.
E më e vështirë kjo periudhë ka qenë për fëmijët të cilat janë aty bashkë me nënat e tyre. Çdo fëmijë që strehohet në këtë strehimore e vazhdon shkollimin e rregullt në shkollën më të afërt, ndërsa me mbylljen e shkollave gjatë pandemisë në këtë strehimore kanë qenë gjithsej 11 fëmijë të cilët e kanë vazhduar shkollimin online prej aty. Dinarama tregon se i gjithë stafi është angazhuar maksimalisht për të siguruar pajisjet e nevojshme për shkollimin online dhe është përkushtuar në realizimin e detyrave dhe obligimeve për secilin fëmijë.
Stafi i strehimores përbëhet nga 9 persona, të cilët kanë punuar 24 orë edhe gjatë pandemisë.
Gjatë kësaj periudhe ato kanë pranuar donacione nga shumë organizata ndërkombëtare dhe vendore të cilat operojnë në Kosovë.
“Në fillim të pandemisë ne kemi siguruar mjetet dezinfektuese, maskat dhe dorëzat, dhe po ashtu vlen të ceket që kemi bërë dezinfektimin e gjithë objektit të strehimores e kjo është realizuar me ndihmën e Kuvendit Komunal në Gjakovë, ndërsa gjatë pandemisë ne kemi pranuar donacion edhe maska“, rrëfen Dinarama.
Strehimorja në Gjilan
Qendra për Mbrojtjen dhe Rehabilitimin e Grave dhe Fëmijëve “Liria” në Gjilan, që funksionon që nga viti 2003, ofron strehim për viktimat e dhunës në familje, gratë dhe fëmijët e tyre (djemtë deri në 12 vjeç).
Menaxhimi i strehimores, që ka 15 shtretër gjithsej, gjatë pandemisë sigurisht ishte i vështirë edhe për stafin e kësaj qendre.
“Ka pas vështirësi mirëpo me organizimin e duhur tonin dhe institucioneve po mundohemi ta menaxhojmë situatën”, thotë për KosovaLive Nazife Jonuzi, drejtoreshë e kësaj qendre.
Stafi i saj qëpërbëhet nga 8 anëtarë edhe gjatë kohës së pandemisë ka punuar vazhdimisht. Sigurisht kujdesi për higjienën ka qenë më i lartë se çdo herë tjetër, gjë që ka rezultuar që askush deri tani të mos infektohet me Covid-19 në këtë strehimore.
Maskat, dorëzat, dezinfektuesit dhe mjetet tjera mbrojtëse nuk kanë munguar asnjëherë, mirëpo nevoja për to vazhdon gjithmonë pasi që janë pajisje që kanë përdorime të shkurtra.
Jonuzi tregoi se kanë marrë edhe ndihma të shumta nga organizata të ndryshme, të cilat e kanë bërë më të lehtë punën gjatë kësaj kohe të vështirë.
Sfidat e përhershme të strehimoreve
Në Kosovë nuk ekziston ndonjë legjislacion specifik që e rregullon çështjen e strehimit të viktimave të dhunës në familje. Ligji për mbrojtje nga dhuna në familje ofron një gamë të gjerë masash mbrojtëse mirëpo “strehimorja” përmendet vetëm një herë në kuadër të përgjegjësive të Policisë së Kosovës për të siguruar transport për viktimën.
Ndërsa Agjencia për Barazi Gjinore, përmes Procedurave Standarde të Veprimit për mbrojtje nga dhuna në familje përmend mekanizmat institucionalë, duke cekur strehimoret si partnerë mbështetës joqeveritarë, të përfshirë drejtpërsëdrejti në mbrojtjen e viktimave të dhunës në familje. Edhe pse janë ndër akterët themelorë të riintegrimit të viktimave të dhunës në familje në shoqëri, strehimoret përballen me sfida të ndryshme duke filluar nga licencimi e pastaj financimi jo i rregullt. Tek strehimoret të cilat nuk i kanë objektet e tyre shfaqet edhe probleme i qirasë, pastaj hapësirat e vogla dhe kapaciteti i vogël i shtretërve.
Sfidë tjetër paraqet edhe fakti që strehimi zgjat vetëm gjashtë muaj. Drejtoreshat e strehimoreve në Pejë dhe Gjakovë gjatë intervistave për KosovaLive treguan se edhe ndonëse strehimi zgjat vetëm 6 muaj ato vazhdojnë t’ju ofrojnë strehim viktimave deri sa ato të gjejnë ndonjë vend të sigurt për të jetuar.
Një sfidë tjetër është edhe referimi për në strehimore. Zakonisht viktimat referohen në strehimore nga Qendra për Punë Sociale, por ajo mund të bëhet edhe nga policia ose institucione tjera, dhe viktimat mund edhe të vetë referohen.
Në një prononcim për KosovaLive,Emine Gashi, zyrtare në Qendrën për Punë Sociale në Komunën e Pejës thotë se kjo Qendër është e obliguar që viktimës së dhunës në familje t’i sigurojë strehim të përkohshëm, të marrë pjesë në seanca nëse viktima ka fëmijë, të marrë pjesë gjatë intervistimit nga policia, të bëjë kërkesën për urdhërmbrojtje gjatë rikthimit në familjen biologjike nëse viktima është i/e mitur etj.” Gjatë këtij procesi mund të jenë problematike pengesat gjuhësore, sepse strehimoret nuk ofrojnë informata në gjuhë të tjera përveç shqipes, duke kufizuar kështu qasjen për ata që nuk flasin shqip.
Përveç këtyre, në strehimore mund të qëndrojnë djem deri në 12 vjeç, nëse janë nën përcjelljen e nënës, nuk ka ndonjë qasje sistemore për ofrimin e kujdesit për djem më të rritur se 12 vjeç. Nuk ka strehimore për burra në Kosovë. Edhe pse gratë janë viktimat më të prekura të dhunës në familje, nevoja për strehimore ku mund të strehohen edhe gjinitë tjera është esenciale.
Kjo duke qenë se edhe dhuna ndaj personave të komunitetit LGBTQ+ është një fenomen tjetër mjaft shqetësues në vendin tonë.
“Mos pasja e një strehimore për djemtë mbi 12 vjeç dhe për personat LGBTI është mjaft problematike sepse kjo tregon edhe për pakujdesinë e institucioneve karshi grupeve të margjinalizuara”, deklaroi për KosovaLive, Blert Morina, drejtor i organizatës CEL Kosova.
Deri më tani CEL i ka referuar në strehimoren për personat LGBTQ+ në Tiranë të gjitha viktimat e dhunës në familje, mirëpo pandemia dhe mbyllja e kufinjve një gjë të tillë e pamundësuan, duke lënë personat që e përjetojnë një gjë të tillë, sipas Blertit, në “mëshirën e fatit”.
Rritje të dhunës në gjithë botën
Si pasojë e pandemisë, dhuna në familje ka pësuar rritje në të gjithë botën. Megjithëse raportimi i rasteve të dhunës është gjithnjë i ulët, të dhënat e hershme tregojnë se linjat telefonike në Singapor dhe Qipro kanë regjistruar një rritje më shumë se 30% të thirrjeve. Në Australi, 40 % e punëtorëve në New South Wales raportuan më shumë kërkesa për ndihmë me dhunën. Në Francë, rastet e dhunës në familje u rritën me 30 % që nga 17 marsi. Në Argjentinë, thirrjet urgjente për dhunë në familje janë rritur me 25 % nga fillimi i karantinës më 20 mars thuhet kështu sipas raportimeve nga Kombet e Bashkuara.
Në Francë, Gjermani, Itali, Norvegji dhe Spanjë, farmacitë dhe supermarketet janë bërë hapësira të sigurta ku pëshpëritja e një “kodi” (“MASK 19”) sinjalizon një kërkesë urgjente për mbrojtje nga abuzuesit. Me strehimoret e mbushura, në shumë prej këtyre vendeve, tani hotelet e kanë marrë detyrën për të përmbushur mungesën e akomodimit.
Ndërkohë që statistikat zyrtare në disa vende të Ballkanit tregojnë për një rritje të dhunës në familje, ekspertët dhe OJQ-të thonë se të dhënat rrallë pasqyrojnë shkallën e vërtetë të problemit, pasi viktimat shpesh nuk raportojnë incidente dhe disa madje nuk e pranojnë se po abuzohen.
Në Bosnje dhe Hercegovinë strehimoret po përpiqen të sigurojnë mbrojtje adekuate për gratë që mbijetojnë nga dhuna dhe fëmijët e tyre. Ndërsa të gjitha strehimoret në vend mbeten të hapura dhe funksionale, ato nuk kanë kapacitete të pranojnë persona tjerë për shkak të rrezikut të lartë të infeksionit dhe pamundësisë për të siguruar hapësirë për vetë- izolim.
Kufizimet e lëvizjes dhe në disa raste si në Serbi, oraret e mbylljes në shtëpi kanë ndihmuar në frenimin e përhapjes së Covid-19 por, ato kanë përkeqësuar gjendjen e shumë grave tashmë viktima të abuzimit në familje. Një studim i kohëve të fundit mbi vrasjet e grave në Serbi, tregoi se vendi më i rrezikshëm për gratë është shtëpia e tyre. Në studim thuhet se 68% e vrasjeve ndaj grave ndodhin në shtëpinë e viktimës.
Në Bullgari pas shpalljes së gjendjes së jashtëzakonshme 8 gra janë vrarë nga partnerët e tyre dhe ka pasur një rritje të madhe të raportimit të rasteve të dhunës në familje.
Sipas aktivistes dhe feministes, Gresa Hasa në Shqipëri nuk ka të dhëna të mjaftueshme për dhunën në familje, ndonëse situata e izolimit mund ta ketë rënduar shumë gjendjen e shumë grave që bashkëjetojnë me abuzuesit e tyre.
“Strehimoret e pakta të dhunës, janë të rezervuara në mjedise dhe në staf. Mbi të gjitha në rast mbingarkese, ato s’mund të ofrojnë ndihmë njëkohësisht për një numër të konsiderueshëm vajzash dhe grash”, thotë Hasa në një bisedë për KosovaLive.
Maja Raicevic nga organizata “Qendra Për Të Drejtat e Grave” në Malin e Zi tha për KosovaLive se gjatë kohës së pandemisë ato kanë zgjatur orarin e punës dhe kanë krijuar një linjë të veçantë emergjente për të ndihmuar viktimat e dhunës së familjes, edhe pse sipas saj izolimi e ka bërë shumë më të vështirë edhe raportimin e rasteve.
“Trazirat e ndryshme sociale janë shkaktarë të rritjes së dhunës mirëpo kjo situatë është vetëm një shkas, ndërsa arsyeja e vërtetë qëndron në pabarazinë midis burrave dhe grave”, konsideron ajo.
Instituti Evropian për Barazi Gjinore pohon se numri i shtretërve në strehimoret e grave është vetëm gjysma e asaj që kërkohet nga Konventa e Stambollit, të cilën 21 vendet e Bashkimit Evropian e kanë nënshkruar, e dhuna në familje mbetet një rikujtim i hidhur i faktit që asnjë shtet evropian nuk e ka arritur barazinë gjinore ende.
Edona Shala
Ky artikull është shkruar në kuadër të projektit “Ngritja e Aftësisë Mediale dhe Digjitale”/”Enhancing Media and Digital Literacy”, e mbështetur nga Albany Associates.