Build Skills with our trainings

Sign up now!

Mjedisi dhe pandemia: Toka për një çast filloi të “merrte frymë”

Tet 6, 2020

“Në çdo fatkeqësi, ka një mirësi”, thonë, apo edhe e kundërta. Pandemia COVID-19 që kaploi botën qysh në fillim të këtij viti, solli dëme të konsideruara për ekonomitë e globit, pasiguri, frikë, stres, ankth – humbje të qindra mijëra jetëve të njerëzve. Megjithatë, në gjithë këtë gjendje kaotike, kur shumë vende të botës mbyllën kufijtë tokësorë e ajrorë, kur njerëzit ndaluan aktivitetet e tyre të jashtme dhe u mbyllën nëpër shtëpitë e tyre, e industri dhe fabrika të shumta ndaluan së vepruari – planeti ynë – Toka, duket se për një çast filloi ‘të merrte frymë’.

Shërbimi i Monitorimit të Atmosferës vërejti një rënie për 20-30% të partikulave PM 2.5 (partikulat PM2.5 janë grimca me diametër dy mikron e gjysmë apo më pak, të cilat zvogëlojnë dukshmërinë e ajrit dhe paraqesin rrezik për shëndetin e njerëzve) në Kinë – aty ku SARS-Cov2 u shfaq për herë të parë si një Koronavirus i ri-gjatë muajit shkurt të këtij viti, krahasuar me muajin shkurt të tri viteve paraprake. Të dhënat satelitore të NASA-s tregojnë se gjatë muajit mars 2020, niveli i ndotjes së ajrit në shtetet verilindore të SHBA-ve ishte për 30% më i ulët krahasuar me mesataren e nivelit të ndotjes së ajrit gjatë po të njëjtit muaj të viteve 2015-2019.

Rënie të dukshme të nivelit të ndotjes së ajrit gjatë COVID-19 përjetuan edhe shtetet evropiane, si Italia, Spanja, Franca. Rënia e qarkullimit rrugor dhe e dinamikës së aktiviteteve ekonomike ka pasur ndikim pozitiv edhe për cilësinë e ajrit në Kosovë.

Agjencioni për Mbrojtjen e Mjedisit në Kosovë (AMMK) raporton se ulja e përqendrimeve të ndotësve të ajrit – në veçanti e dioksidit të azotit dhe e grimcave të pluhurit PM 2.5 – në Kosovë gjatë muajve mars-prill 2020 është ulur deri në 50%, krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar.

Stacioni për monitorimin e cilësisë së ajrit i vendosur në Gjilan në bazë të raporteve mujore të publikuara nga AMMK, tregon se gjatë periudhës mars-prill 2020 nuk ka pasur ditë me tejkalime të ndonjë ndotësi të ajrit në rajonin e Gjilanit, krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar kur kishte ditë me tejkalime për ndotës të caktuar.

Besnik Shabiu, koordinator lokal i organizatës “Let’s Do It Kosova” për komunën e Vitisë,  thotë se për shkak të pozitës gjeografike, mungesës së zhvillimit industrial e të fabrikave, komuna e Vitisë nuk konsiderohet në mesin e atyre komunave që e kanë problematikë ndotjen e ajrit, madje as gjatë periudhës së dimrit.

“Ndotës kryesorë vazhdojnë me qenë makinat dhe ekonomitë familjare. Përndryshe, Vitia edhe përgjatë periudhës së dimrit kur qytetet më të mëdha kanë pasur probleme të theksuara lidhur me ndotjen e ajrit, nuk ka pasur ndonjë ndotje të rritur”, tha Besniku për Kosova Live. 

Deponitë ilegale, stërshpenzimi i ujit, ndotje kimike…

Ndikimi i papritur pozitiv i pandemisë në përmirësimin e cilësisë së ajrit, mbase nuk ishte i tillë edhe për dy komponentët e tjera mjedisore – ujin dhe tokën. Disa probleme mjedisore që lidhen me ndotjen e ujit e të tokës, siç janë p.sh deponitë ilegale të mbeturinave, kanë vazhduar të jenë prezente edhe gjatë pandemisë, e madje edhe janë përkeqësuar. Ndërkaq, disa të tjera si ndotja e ujit me sapun, mbeturinat medicinale e të tjera nga materialet higjienike njëpërdorimëshe (maskat, dorëzat), u shtuan gjithherë e më shumë – rrjedhimisht edhe nga masat mbrojtëse kundër COVID-19.

Kur gjatë gjithë kësaj kohe të pandemisë bëhej thirrje e vazhdueshme që të mirëmbahej higjiena e ambienteve të brendshme dhe ajo personale, duket se udhëzimi për pastrimin e shpeshtë të duarve me ujë dhe sapun për së paku 20-30 sekonda është keqkuptuar nga shumë qytetarë, sipas prof. dr. Zeqir Veselaj, ligjërues në Fakultetin e Edukimit të Universitetit të Prishtinës. 

“Shumë njerëz kur e kanë dëgjuar këshillën për të pastruar duart me ujë dhe sapun, kanë menduar që për 20-30 sekonda duhet të mbajnë rubinetin e kyçur, duke rrjedhë uji vazhdimisht. Siç duket, kjo e ka rritur shpenzimin e ujit. Në anën tjetër, ky ujë që është konsumuar është ngarkuar me një nivel të shtuar të ndotjes si nevojë e pastrimit të duarve me sapun”, thotë Veselaj.

Thirrje për përdorim racional të ujit gjatë kohës së pandemisë është bërë nga Kompania Rajonale e Ujësjellësit “Prishtina”, e cila kishte publikuar edhe këshilla për përdorimin e drejtë të ujit, duke potencuar se Kosova ka mungesë të theksuar të reshjeve atmosferike dhe se akumulacionet e ujit varen nga ky faktor natyror dhe nga shfrytëzimi racional i ujit nga ana e qytetarëve. Ndërsa Kompania Rajonale e Ujësjellësit “Hidromorava”, qysh në javët fillestare të shfaqjes së rasteve të para të infektimit me COVID-19 në vend, kishte bërë apel që të kursehet uji maksimalisht.

Lidhur me shpenzimin e ujit gjatë pandemisë, prof. Veselaj thotë se kemi pasur një “fat të vogël në fatkeqësi”, që kjo periudhë e rritjes së shpenzimit të ujit nuk ka ndodhur gjatë muajve të verës, por është bërë në periudhën kur rezervat e ujit ende janë të mira.

Në anën tjetër, sipas Shabiut nga “Let’s do it Kosova”, edhe gjatë pandemisë në komunën e Vitisë problematike ka vazhduar të mbetet edhe ndotja e ujit edhe nga mbeturinat.

“Qytetarët në njëfarë forme po i konsiderojnë ujërat, sidomos ato të lumenjve, si vend ku ata mund t’i hedhin mbetjet e ndryshme – shpesh hidhen mbetjet e amvisërisë e ato inerte”, thotë ai.

Sipas Shabiut, njëherësh numri i deponive ilegale në komunën e Vitisë fatkeqësisht është në rritje e sipër, si pasojë e mungesës së trajtimit adekuat të mbeturinave dhe mungesës së lokacioneve adekuate për hedhjen e tyre nga ana e qytetarëve.

Drejtori ekzekutiv i organizatës mjedisore “Let’s Do It Kosova” – Luan Hasanaj, thotë se gjatë tremujorit të parë të pandemisë nuk ka pasur ndonjë përmirësim të gjendjes as në nivel vendi.

“Kjo periudhë nuk është shfrytëzuar nga komunat – përjashtuar komunën e Skenderajt, që të bëjnë eliminimin e deponive ilegale të mbeturinave, duke marrë parasysh faktin që kompanitë kanë qenë në pushim dhe kanë mundur t’u përgjigjen më lehtë thirrjeve të komunave për këtë”, thotë ai.

Sipas Hasanajt, menaxhimi i mbeturinave komunale në përgjithësi është lënë anash gjatë kësaj kohe nga institucionet lokale.

Edhe pse në mesin e masave të Pakos Emergjente Fiskale të miratuar nga Qeveria e Kosovës në fund të muajit mars, është edhe masa për “ndihmë” të ndërrmarrjeve publike, kjo masë ishte vetëm sigurim i huadhënies pa interes në vlerë deri në 20 milionë euro, me afat kthimi deri në dhjetor të këtij viti.

Kjo, sipas kryeshefit ekzekutiv të Kompanisë për Menaxhimin e Deponive të Kosovës (KMDK) Abdullah Haxhiut, nuk ka paraqitur ndonjë ndihmesë për kompanitë regjionale të pastrimit – prej nga siguron të hyrat edhe KMDK-ja, sepse këto as që kanë aplikuar për të marrë huadhënie ngaqë afati për kthim të kësaj huaje është brenda vitit. Nga ana tjetër, kompanitë eegjionale të mbeturinave kanë probleme të mëdha me inkasim të të hyrave nga ana e qytetarëve, të cilët nuk paguajnë në nivel të kënaqshëm për shërbimet e grumbullimit të mbeturinave nga KRM-të. 

Kështu, Kompania Rajonale e Mbeturinave “Ecohigjiena”, pohon se vlera e inkasimit të të hyrave nga komuna e Vitisë gjatë tremujorit të parë të pandemisë ka rënë për 30%, një diferencëpë rreth 16 mijë euro krahasuar me të hyrat gjatë periudhës së njëjtë të vitit të kaluar.

“Problematike ka qenë çështja e pagave sepse rënia e inkasimit ka ndikuar në pagesën e punëtorëve brenda kohës së caktuar, prandaj jemi detyruar që pagat t’i japim në dy etapa, në fillim dhe mbarim të muajit. Kemi bërë edhe shtyerje të pagesave te disa furnitorë, sepse vlera e inkasimit ra diku për 30%”, tha për Kosova Live, kryeshefi ekzekutiv i KRM “Ecohigjiena”, Senad Ramaj.

 

Ramaj tregon se KRM “Ecohigjiena” ka aplikuar për të përfituar nga masat e parapara për ndërmarrjet publike nga Pakoja Emergjente Fiskale – të cilat më vonë nga dhënia e huas kishin kaluar në subvencione, por se zyrtarisht nuk kanë pranuar ndonjë shkresë për aprovimin e kërkesës së tyre.

“…Për ne, çdo euro që paguhet në xhirollogarinë tonë ka me shku në pagesë të pagave, në pagesë të furnitorëve, etj.”, thotë ai.

Vetëm gjatë tremujorit të parë të pandemisë, sasia e mbeturinave të gjeneruara në Rajonin e Gjilanit ka qenë për 5% më e madhe, ndërkohë që KRM “Ecohigjiena” nuk e ka reduktuar apo ndërprerë shërbimin për grumbullimin e mbeturinave, si të atyre kolektive ashtu edhe të atyre derë më derë (nga amvisëritë).

E gjatë kësaj kohe jo të zakonshme u paraqit edhën edhe mbeturinat e gjeneruara nga materialet higjienike njëpërdorimëshe – maskat, dorëzat, një ndikim shtesë negativ i pandemisë në mjedis, sipas Veselajt.

Haxhiu i KMDK thotë se nuk ka ndonjë cend për deponimin dhe trajtimin e këtij lloji të mbeturinave potencialisht të rrezikshme për shëndetin publik, që vijnë edhe nga spitalet – mbeturinat medicinale, përjashtuar incerenatorët të cilët i kanë disa spitale, dhe se ky lloj i mbeturinave nuk pranohet në deponitë rajonale të mbeturinave.

E kënaqur me punën e KRM “Eco-higjiena” shprehet edhe Drejtoria e Shërbimeve Publike në Komunën e Vitisë, por sipas tyre problematik është mospranimi i shërbimit të kompanisë së mbeturinave apo moskryerja e obligimeve të qytetarëve ndaj kësaj kompanie. Në komunën e Vitisë janë diku rreth 10 mijë amvisëri, ndërsa vetëm rreth 4 mijë prej tyre apo 40% janë të kyçur në sistemin e menaxhimit të mbeturinave komunale.

Edhe pse sipas Ligjit për Mbeturina “ndotësi paguan”, ky parim nuk shihet të jetë ende i zbatuar praktikisht nga të gjithë qytetarët e kësaj komune.

“…Kemi punuar dhe jemi duke punuar në këtë drejtim. Planifikojmë që brenda 2-3 viteve t’i detyrojmë të gjithë qytetarët të paguajnë për mbeturina dhe të kërkojnë shërbim nga kompania”, tha për KosovaLive drejtori i Drejtorisë së Shërbimeve Publike në komunën e Vitisë, Nexhmedin Jakupi.

Ndërsa sa i përket mirëmbajtjes së hapësirave publike gjatë tremujorit të parë të pandemisë në komunën e Vitisë, Jakupi thotë se të gjitha aktivitetet e planifikuara janë kryer.

Njësia Profesionale e Zjarrfikjes dhe Shpëtimit edhe gjatë tremujorit të parë të pandemisë e tutje ka qenë në krye të detyrës, duke intervenuar ndër të tjerash, edhe në fikjen e zjarreve në hapësira të hapura – zjarreve fushore, malore dhe të mbeturinave.

Komandanti i kësaj Njësie për komunën e Vitisë, Hetem Jakupi, tha për Kosova Live se për çdo vit, shkaktari kryesor i zjarreve në hapësirat e hapura është faktori njeri dhe se ky lloj i zjarreve përbën përqindjen më të lartë të zjarreve të shkaktuara në komunën e Vitisë.

“Për çdo vit, shkaktar i zjarreve fushore, malore është faktori njeri – si shkaktari kryesor. Disa shkaktohen nga pakujdesia, në mënyrë jo të qëllimshme apo aksidentalisht – pa ndonjë qëllim të keq. Viteve të tjera ka pas edhe zjarre të qëllimshme.”

Vetëm që nga gjysma e muajit të parë pandemik në Kosovë – fillimi i prillit, e deri në fund të korrikut të këtij viti, në komunën e Vitisë kanë ndodhur gjithsej 90 zjarre.

Jakupi tregoi se kanë bërë apel disa herë te qytetarët e Vitisë që të mos ndezin qëllimisht zjarre në hapësira të hapura sepse kjo vepër është e ndaluar edhe me ligj.

Ndotja e ajrit e shkaktuar nga zjarret përmes reshjeve percipitohet edhe në tokë prej nga kalon edhe në ujërat nëntokësore e në ujërat sipërfaqësore, duke shkaktuar ndotjen edhe të këtyre komponentave mjedisore. Kjo ndotje pastaj mund të inkorporohet në strukturat e kulturave bujqësore, duke shkaktuar të ashtuquajturën “ndotje të ushqimit” e cila përmes zinxhirit ushqimor mund të përcillet deri tek organizmi ynë.

Vitin e kaluar, Ministria e Pushtetit Lokal kishte mbështetur komunën e Vitisë në projektin “Ndërtimi i trotuareve, ndriçimit dhe hapësirave gjelbëruese”, me një shumë prej 72 mijë eurove.

Ndërkaq, drejtori i Drejtorisë për Financa dhe Zhvillim Ekonomik në komunën e Vitisë, Ibrahim Rama, në një prononcim për Kosova Live tha se kjo komunë për diku 6 vite është duke aplikuar një fond të veçantë për hapësirat gjelbëruese, vlera e së cilit variron nga viti në vit, me tendencën për t’u rritur, e që për këtë vit vlera e tij është 45 mijë euro. Në kuadër të investimeve publike, komuna e Vitisë për këtë vit ka të miratuara edhe projekte të tjera të cilat prekin përmirësimin e mjedisit.

Aktivizmi qytetar mjedisor gjatë izolimit

“Gjatë periudhës së izolimit kemi pasur pak më tepër kohë dhe hapësirë që në lagjen ku unë jetoj të organizojmë disa aktivitete së bashku me qytetarët e lagjes, ku kemi arrit me i pastru brigjet e rrugëve dhe hapësirat ku ne kalojmë çdo ditë”, thotë Shabiu nga “Let’s Do It Kosova”.

Këto iniciativa vullnetare, sipas tij, nuk kanë munguar as nga qytetarët e komunave të tjera të vendit.

Getoarba Prokshaj-23 vjeçare, aktiviste për ruajtjen dhe mbrojtjen e mjedisit nga komuna e Skënderajt, e cila më 2018 kishte fituar edhe çmimin “Vullnetarja e vitit” për angazhimin e saj të dalluar në fushatën nacionale të pastrimit të mbeturinave – “Ta Pastrojmë Kosovën 2018”, ndan për KosovaLive eksperiencën e saj gjatë periudhës së izolimit.

“Në periudhën e izolimit, përveç aktivizmit virtual përmes postimeve avokuese në rrjetet sociale, jam munduar që energjinë negative ta ktheja në energji pozitive përmes aktiviteteve në natyrë në kopshtin e shtëpisë time; fillova me përkujdesje të kopshtit, mbjellje të luleve si dhe pastrim të hapësirave rreth brezit rrugor në lagje. Virtualisht, kam marrë pjesë edhe në seminare me tematika të ndryshme mjedisore.”

Sipas saj, ndryshimet që u vërejtën në përmirësimin e aspekteve të caktuara në mjedis gjatë fillimit të pandemisë i kanë shtyer njerëzit të reflektojnë se sa shumë është degraduar me resurset mjedisore.

Rrahim Jata, koordinator i projekteve në organizatën joqeveritare “Green Line Albania”, thotë që shumë prej qytetarëve të cilët jetojnë në metropolin e Tiranës ndjejnë që ajri është më i pastër në krahasim me vitet e tjera, kjo për shkak se pandemia bëri që lëvizja e automjeteve të kufizohet dhe kjo e dha ndikimin e saj. Mirëpo në anën tjetër, izolimi ka bërë që sasia e mbeturinave të gjeneruara të rritet për shkak se qytetarët shtuan konsumin e tyre. Për më tepër, ndërprerja apo ulja e ritmit të punës nga linjat industriale në vend të cilat riciklojnë një sasi të mbetjeve, ka bërë që shumë mbetje të lihen jashtë sistemit riciklues.

Rrahimi thotë se fokusi i institucioneve tyre gjatë kësaj periudhe ka qenë në lajmet rreth pandemisë dhe kjo ka bërë që reagimi i tyre për të përmirësuar shërbimin publik dhe për t’u përshtatur me situatën e pandemisë të ishte tepër i ngadaltë.

“Maksimumi që mund të bëjnë institucionet në lidhje me mjedisin është të ankohen se janë të pafuqishëm për të reaguar, ose thjeshtë justifikohen me faktin se situata e virusit është më e rëndësishme se ndotja, por ky është trend i njohur tashmë në vend”, tha Rrahimi.

Sipas tij, në bazë të foto-raportimeve të vullnetarëve të Green Line Albania, gjendja mjedisore në Shqipëri është mjaft e rënduar, dhe se as situata në bregdetin e vendit nuk është e mirë. 

“Mbetjet janë pushuesit më besnikë në plazhet e vendit”, thotë ai.

Shumë shtete të zhvilluara, menjëherë pasi panë ndikimet pozitive të izolimit në përmirësimin e cilësisë së ajrit, filluan të shqyrtojnë mundësitë për të ruajtur këtë cilësi të ajrit edhe pas përfundimit të izolimit.

 Franca prezentoi skemën 20 milionë dollarësh, përmes së cilës synon që të nxisë më shumë çiklizmin nga qytetarët e saj, në mënyrë që niveli i ndotjes së ajrit të mbahet i ulët ashtu siç u tregua gjatë izolimit. Qyteti Italian i Milanos filloi ndarjen e hapësirës në disa nga rrugët kryesore të saj për ecje dhe çiklizëm. Në ndërkohë që arsyet për t’u zhvendosur në ekonominë e gjelbër në botën pas COVID-19 tanimë po merren më seriozisht edhe nga vendet ndotëse më të mëdha me CO2 në nivel global, siç është Kina.

Prof. Veselaj thotë se nuk ka diçka të veçantë që Kosova duhet të bëjë në raport me vendet tjera.

“Vetëm se (institucionet) t’i japin hapësirë pak ma të madhe çështjeve mjedisore në rikuperimin ekonomik dhe social që do të ndodhë pas kësaj pandemie”, u shpreh ai.

Sherife Shabani

Ky artikull është shkruar në kuadër të projektit “Ngritja e Aftësisë Mediale dhe Digjitale”/”Enhancing Media and Digital Literacy”, e mbështetur nga Albany Associates.

PUBLIKIME

LAJME

THELLESISHT

DIALOG

Grantet e Prodhimit të Përmbajtjes II

Grantet e Prodhimit të Përmbajtjes II

Pesë aplikantë që paraqitën një aplikacion për “Grantet e Prodhimit të Përmbajtjes II”, Tv Tema, Internews, RTV Puls, Radio Gorazdevac dhe Besnik Krasniqi do të marrin mbështetje.

BARAZI

Womair: Informimi i grave dhe burrave për cilësinë e ajrit

Womair: Informimi i grave dhe burrave për cilësinë e ajrit

Më 19 nëntor, nga ora 10:00 deri në 12:00 në KosovaLive u mbajt ngjarja interaktive “Womair”, e cila kishte për qëllim informimin e djemve, vajzave, grave, burrave, çifteve dhe të gjithë të interesuarve, pa dallim, për mënyrat më efektive për përmirësimin e cilësisë së ajrit në hapësira të brendshme dhe të jashtme.

EDUKIM