“Virusi nuk ka këmbë, ndaj mos ia jepni ju këmbët virusit” ishte mesazhi i Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHPK) sa herë që ata raportonin rastet e reja të të prekurve me koronavirus në Kosovë.
Pasi COVID-19 kishte prekur çdo cep të botës, Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) vendosi që këtë sëmundje ta shpallë pandemi globale (11 mars 2020). Kjo bëri që kjo pandemi të konsiderohet si situatë më e ndieshme dhe që mund të ndikojë te qytetarët në mënyra të ndryshme, dhe një pjesë e madhe e këtij ndikimi varej edhe nga raportimi që bënin mediat në këtë mes. Ajo që kërkohej nga çdo qytetar ishte t’u përmbahen masave parandaluese dhe ta mbrojnë veten nga përhapja e mëtejshme e virusit, kurse nga mediat kërkohej raportim sa më i drejtë dhe korrekt.
Duke qenë se ne si qenie njerëzore funksionojmë në bazë të informatave që na servohen nga mediat, ndikimi i mediave te qytetarët është i paevitueshëm. Të qenit i mbyllur në shtëpi për disa muaj nënkupton më shumë kohë e lirë, ndaj edhe leximi i portaleve dhe gazetave online mori vëmendjen e duhur.
Indeksi i lirisë së mediave, indeks ky i formësuar nga “Reporters Without Borders” (Reporterë pa Kufij) tregon se media në Kosovë, si në çdo shtet tjetër, është e ndarë mes etnive, ku marrja e informacioneve kufizohet brenda një grupi të caktuar njerëzish që i brengosë një problem i caktuar. Mirëpo duke qenë se koronavirusi preku të gjithë, ky kufizim nuk vërehej edhe aq.
Për të vazhduar me raportimin e saktë dhe të sigurt rreth COVID-19, pati organizime që e synonin arritjen e këtij qëllimi. Ndër to është edhe Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK) të cilët bashkë me UN Women mbajtën një trajnim online me temë “Rreziku nga dezinformatat në kohë pandemie”, ku morrën pjesë gazetarë të mediave nga qytetet e ndryshme të Kosovës, ndërsa ligjeruese ishte korrespondentja e RTK-së nga Brukseli, Gjeraqina Tuhina.
Gentiana Begolli – Pustina, kryetare e bordit të Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës tregon se cilat kanë qenë synimet kryesore të këtij trajnimi.
“Përmes këtij trajnimi u synua të zgjerohen njohuritë mbi temën e infodemisë si dhe të forcohen kapacitetet e gazetarëve duke aplikuar një qasje sa më profesionale gjatë raportimeve të tyre,” tha ajo.
Gentiana Begolli – Pustina, kryetare e bordit të AGK-së konstaton se mediat kanë bërë një punë të mirë në sigurim të raportimit korrekt gjatë pandemisë.
Natyrisht se sigurimi i një raportimi të drejtë nënkupton respektimin maksimal të të gjitha rregullave gazetareske, e ajo qka ka rëndësi të madhe në raportim është edhe burimi i informacionit, që konsiderohet një element shumë i rëndësishëm në punën e gazetarëve, e sidomos tash në këto kushte pandemie, rëndësia e burimit të informacionit vlerësohet akoma më shumë.
Ky mbrohet me ligjin e hartuar në vitin 2013 në Kuvendin e Republikës së Kosovës. Ligji për mbrojtjen e burimeve të gazetarisë përmban dhjetë nene dhe mirret parasysh nga gazetarët/et, hulumtuesit/et dhe të gjithë individët tjerë të angazhuar në mbledhjen, përgatitjen dhe përhapjen e informacionit nëpërmjet medias.
Burimi i informacionit nuk është i një rëndësie të madhe vetëm për gazetarët/et, por edhe për audiencën. Për të mos rënë pre e informacioneve të rrejshme, duhet ditur se çka po lexojmë, e kështu duke mos përhapur panik më tej pa e ditur nëse ajo që lexojmë është e vërtetuar.
Mirëpo, kur vendi përballet me një sfidë kaq të madhe siç është situata pandemike e COVID-19, jo rrallë dhe thuajse ekskluzivisht përhapen shumë lajme të rreme të cilat ndikojnë te qytetarët në shtimin e dozës së panikut, një fenomen ky që gjatë kësaj periudhe njihej si “infodemi”. Një vaksinë kundër COVID-19 e krijuar nga mjeku amerikan, mungesa e miellit në Kosovë, e kurimi i koronavirusit përmes hurdhërave ishin vetëm disa nga dezinformatat që u përhapën te qytetarët e Kosovës.
Alban Zeneli, ligjërues në Departamentin e Gazetarisë në Universitetin e Prishtinës mendon se mediat, sidomos mediat e reja në Kosovë, janë në mes të një lufte mes shpejtësisë dhe verifikimit. E në këtë rast, sipas Zenelit, verifikimi është tejkaluar për të qenë më të shpejtë.
I pyetur në lidhje me përhapjen e dezinformatave gjatë pandemisë, ai thotë se janë përhapur më shumë në portale dhe rrjete sociale, e si rrjedhojë duke e përdorur situatën aktuale në raport me qytetarët, këto media kanë synuar të rriten.
“Nëse i shohim disa media të reja të cilat kanë pasur për qëllim të rriten, ato kanë përdorur dezinformimin kryesisht në rrjete sociale, kështu duke shfrytëzuar hutinë e publikut dhe pasigurinë e tyre, frikën, panikun, dhe këto emocione normalisht bëjnë që qytetarët të klikojnë ose t’i konsumojnë ato informata pa i verifikuar,” shtoi më tutje ai.
Edhe një raport i shkurtër i ARTICLE 19 në lidhje me politikat e raportimit të mediave gjatë pandemisë pohon se COVID-19 i ka gjetur qytetarët duke pasur vështirësi ta dallojnë të vërtetën nga e pavërteta. Këtu thuhet se lajme të pavërteta rreth virusit kanë qarkulluar akoma më tepër sesa informatat nga burime të sigurta, siç është Organizata Botërore e Shëndetësisë dhe mediume tjera.
Kosova pati një numër të konsiderueshëm të lajmeve të rreme të cilat u përhapën te qytetarët, mirëpo prapëseprapë nuk hyn në grupin e shteteve me numrin më të madh të lajmeve të raportuara gabimisht. Klikoni këtu për të parë se cilat shtete përhapën më së shumti dezinformata.
Në lidhje me korrektësinë e mediave në raportim, Dren Gërguri, ligjërues në Universitetin e Prishtinës, mendon se gjithçka është trajtuar me profesionalizëm, sidomos rastet e personave të prekur nga virusi, kështu duke respektuar privatësinë dhe duke ruajtur identitetin e tyre. Ndërkohë tha se media nuk është fokusuar vetëm në situatën në Kosovë por edhe jashtë saj, kështu duke bërë krahasime mes shteteve.
“Dezinformata kishte vazhdimisht gjatë krizës së pandemisë, veçanërisht në periudhën mars – prill.”
Dren Gërguri ishte pjesë e grupit realizues të raportit mbi dezinformimin gjatë pandemisë në rastin e Kosovës bashkë me Gëzim Qerimi dhe Blerta Blakaj. Raporti është pjesë e serisë së Digital Communication Network mbi situatën mediatike gjatë pandemisë, raport ky i publikuar në korrik të vitit 2020. Në këtë raport thuhet se ka pasur një numër të madh të lajmeve të rreme të shpërndara nga media jokredibile por jo vetëm, ku disa prej këtyre mediave janë krijuar pikërisht gjatë periudhës së COVID-19 vetëm për të depërtuar te qytetarët me informacione të pavërtetuara.
Përkundër faktit që në Kosovë nuk u hartua ndonjë udhëzues për gazetarë mbi raportimin gjatë pandemisë, Shoqata e Gazetarëve të Maqedonisë në bashkëpunim me Këshillin për Etikë në Mediat në Maqedoni (KEMM) në mars të vitit 2020 hartuan “Udhëzime mbi raportim të sigurt dhe profesional mbi koronavirusin (Covid-19)” me autorë Dr. Marina Tuneva, drejtoreshë ekzekutive e Këshillit për Etikë në Mediat në Maqedoni dhe Ognen Janeski, gazetar dhe alumni-hulumtues në departamentin e KB-së për Informim Publik në Nju Jork, SHBA. Natyrisht, udhëzuesi është ofruar edhe në gjuhën shqipe.
Ndër të tjera, udhëzuesi parasheh se gazetarët duhet të kenë kujdes me vendosjen e titujve adekuatë, dhe kjo është tejet e rëndësishme pasiqë lexuesi mesatar e përjeton raportimin vetëm përmes titullit. Në udhëzues gjithashtu potencohet se gazetarët duhet të kenë kujdes edhe në shfrytëzimin e burimeve të informacionit, përdorimin e fjalorit të duhur e pa sensacion, përdorimin e kujdesshëm të vizualizimit e të tjera.
Visar Prebreza, redaktor i hulumtimeve në KALLXO.com tregon se pandemia i ka gjetur gazetarët të papërgatitur mjaftueshëm pasiqë asnjëherë më parë nuk janë ballafaquar me kushte të tilla të raportimit.
Prebreza mendon se në Kosovë janë përhapur lajme të rreme mirëpo jo në nivel tepër të lartë.
Megjithatë, ai tha se puna e gazetarëve është për t’u duartrokitur sepse nuk ka qenë aspak e lehtë për ta të punojnë me maska në terren, e disa prej tyre edhe me orë shtesë.
Ajo çka Prebreza e konsideron të mirë gjatë këtij raportimi është fakti se, kur kanë raportuar për rastet e të prekurve me virus, mediat nuk janë fokusuar në persona individualë, pra nuk i kanë bërë publike të dhënat e tyre në mënyrë që ata të ndihen më inferiorë ndaj fqinjëve dhe rrethit.
“Ajo çka kemi parë nëpër media është që janë publikuar personat e infektuar me emër dhe mbiemër vetëm në rastet kur personi në fjalë vetë e ka bërë publike një gjë të tillë,” thotë ai.
Në kuadër të Kallxo.com është krijuar edhe një instrument i verifikimit të fakteve i quajtur “Krypometër”. Qëllimi i Krypometrit është të reflektojë mbi vërtetësinë e një deklarate publike, të skenojë e të inspektojë një deklaratë të një figure politike lidhur me çështjet me rëndësi të madhe lokale, qendrore apo ndërkombëtare. Ky verifikim matet me krypore të cilat variojnë nga një deri në pesë, varësisht se a është lajmi i vërtetë apo jo, si dhe nga shkalla e vërtetësisë së atij lajmi.
Se mediat shpesh e kanë lënë etikën pas dore, këtë e thotë edhe Jehona Hulaj, gazetare në portalin Telegrafi. Kjo është bërë kur disa media kanë publikuar identitetin e personave të prekur me virus, por edhe të viktimave, për të cilat raportime ka pasur edhe reagim nga Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës.
Tutje, ajo mendon se dezinformata janë përhapur shumë, për numrin e të prekurve, për personat zyrtarë që janë testuar e që nuk kanë rezultuar pozitivë dhe kjo është bërë edhe nga disa media që konsiderohen lidere në Kosovë.
“Mirëpo duke marrë parasysh zhvillimin e teknologjisë dhe numrin e madh të rrjeteve sociale e po ashtu të mediave online, në raste të tilla nuk mund t’u shpëtosh dezinformatave apo lajmeve të rrejshme,” shtoi ajo.
Jehona Hulaj, gazetare në portalin Telegrafi, mendon se pandemia ka qenë një indikator i mirë për të parë se cilat media janë më serioze e cilat e kanë synim vetëm click-un.
Njëjtë nuk mendon edhe Doruntina Baliu, gazetare dhe redaktore në KALLXO.com, e cila thotë se është ende herët për të japur një gjykim final rreth raportimit të mediave gjatë pandemisë. Megjithatë, Baliu mendon se mediat në Kosovë janë familjarizuar shpejt me situatën.
Ajo flet edhe për një element që ka munguar në media vendore.
“Nga observimi im, në mediat jashtë vendit kemi parë shumë më shumë prodhime mediale që pasqyronin studime shkencore dhe mendime të ndryshme shkencore lidhur me virusin e ri. Mirëpo kjo nuk do të thotë që mediat vendore nuk do të fokusoheshin më shumë në këso lloj raportimesh nëse studimet do të ishin bërë brenda vendit,” u shpreh Doruntina.
Kurse Shkumbin B. Kajtazi, redaktor dhe bashkëthemelues i mediumit Reporteri, është i mendimit se mediat serioze kanë raportuar në mënyrë mjaft korrekte, pasi që si fillim u janë përmbajtur normave e pastaj kanë vazhduar me raportim, një që gjë e kanë përqafuar edhe shumë media tjera më pas. Ai thotë se pandemia ka bërë që njerëzit t’u besojnë mediave serioze, e jo atyre fantome që kanë përhapur shpesh edhe dezinformata.
“Duke e ditur se mbyllja iu ka dhënë kohë lexuesve të marrin shumë informacione nga burime të ndryshme, ka bërë që ata ta vërejnë edhe më shumë dallimin”, përfundoi Kajtazi.
Megjithatë, pavarësisht përkushtimit të gazetarëve, redaktorëve dhe pjesës tjetër të ekipit që angazhohet në grumbullimin dhe raportimin e informatave te qyetetarët, shpesh ndodh që mediat fokusohen vetëm në një tematikë, ndërsa një pjesë te mirë e problemeve mbeten të pambuluara. Kjo ka bërë që qytetarët po ashtu t’i kushtojnë vëmendje vetëm një lloj lajmi dhe si të tillë të ndikohen nga to, përderisa shumë veprimtari të tjera që janë zhvilluar gjatë periudhës së pandemisë vazhdojnë të mos marrin vëmendje, pavarësisht nevojës.
Imer Mushkolaj, drejtori ekzekutiv i Këshillit të Mediave të Shkruara të Kosovës thotë se edhe pse ka vend për përmirësime, dhe duke marrë parasysh kapacitetet e tyre dhe qasjen në informacion që iu është ofruar nga institucionet, mediat në përgjithësi i kanë mbuluar të gjitha segmentet e raportimit.
”Natyrisht se ka vend për përmirësim, por në përgjithësi gazetarët dhe mediat kanë dhënë maksimumin, në rrethana të caktuara, për raportim korrekt dhe gjithëpërfshirës,” shtoi Mushkolaj.
Mirëpo, jo të gjithë kanë të njëjtin mendim. E pyetur në lidhje me përmirësimet që duhet të ishin bërë në raportim, Begolli–Pustina thotë se duke qenë se mediat ishin më të fokusuara te raportimi në lidhje me pandeminë dhe situatën politike në vend, kujdesi ndaj shëndetit mendor gjatë pandemisë nuk është promovuar aq.
“Raportimet në lidhje me shëndetin mendor kanë qenë të pakta e të cilat do të duhej të ishin më të shpeshta marrë parasysh situatën me të cilën jemi përballur si shoqëri, përfshirë këtu edhe numrin e madh të vetëvrasjeve kohëve të fundit, posaçërisht nga muaji mars,” shtoi ajo.
Pikërisht për këtë problematikë, AGK-ja ka ka shpërndarë një udhëzues për raportimin e përpiktë dhe të kujdesshëm të rasteve të vetëvrasjes.
Një tjetër problem që ka ikur pa u vënë re është edhe përfitimi në kurriz të pandemisë. Visar Prebreza thotë se institucionet kanë përfituar shumë përmes tenderave të cilët nuk janë zhvilluar siç duhet, prandaj mediat është dashur të fokusohen më tepër te kjo pjesë.
“Mediat nuk janë vetëm për të raportuar numra të personave të prekur, nuk janë aty për të raportuar vetëm lajme kryesore, por gjithmonë mediat duhet shkuar përtej asaj që thuhet nëpër konferenca, e në këtë rast është se qysh po përdoren paratë në emër të pandemisë,” tha Prebreza.
Tutje, ai tregoi se një prej temave tjera që nuk është trajtuar shumë është aryeja pse ne si Kosovë nuk kemi kapacitet për të bërë teste të mjaftueshme si shtetet tjera, ose kush është fajtor që na ka sjellur deri në këtë pozitë. Ai thotë se rastet si pandemitë na mësojnë edhe ku ka çaluar qëllimi i ndonjë sektori të caktuar, mirëpo në të njëjtën kohë na mësojnë edhe nëse një sektor e kemi të fortë ose jo. “Pra secila krizë tregon diçka – tregon se kush është mirë e kush nuk e ka kryer punën si duhet.”
Dren Gërguri mendon media në Kosovë është fokusuar tepër në situatën politike, ndërsa informatat mbi COVID-19 kanë mbetur në hije, e kësisoj kishte periudha në shoqëri kur krijohej përceptimi se rrezikshmëria nga COVID-19 nuk është edhe aq e madhe, përderisa media më shumë po fokusohej në politikë.
“Në rastin e Kosovës, gjatë pandemisë, media ka vendosur politikën para shëndetit, sepse shumë shpesh kanë dominuar lajmet për zhvillimet politike, duke i lënë nën hije informacionet për COVID-19,” u shpreh Dren Gërguri për Kosovalive.
Ndërkohë, është e mundur të themi se pandemia COVID-19 nuk ndikoi vetëm në gjendjen e mediave në Kosovë, por edhe në botë. Edhe pse sistemi i shpërndarjes së informatave mund të jetë më ndryshe jashtë Kosovës, pandemia bëri që e ashtuquajtura “krizë botërore” të përfshinte çdo hapësirë mediatike.
Gjatë kësaj periudhe izolimi, nuk vie krejtësisht e papritur se është rritur konsumimi i medias. Në një hulumtim të publikuar në prill të vitit 2020 nga Indeksi Global i Medias vërehet se 38% e njerëzve në mbarë botën kanë konsumuar më shumë media që nga izolimi kryesisht përmes televizionit, ndërsa 29% përmes gazetave online.
Bazuar në një hulumtim të bërë nga Pew Research Center me rreth 10 mijë qytetarë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, doli se ata ishin më shumë pozitivë se negativë ndaj punës së bërë nga mediat në mbulimin e krizës së pandemisë. Prej këtyre të anketuarve, 59% kishin thënë se atyre u janë dhënë informatat e nevojshme për përhapjen e virusit, ndërsa 24% kishin thënë të kundërtën. Në anën tjetër, 49% ishin përgjigjur se informatat kanë qenë të sakta, kurse 24% ishin të mendimit se informatat e dhëna ishin shumë të pasakta.
Një tjetër karakteristikë interesante është se 48% e të anketuarve kishin thënë se media ka punuar vetëm për të ndihmuar publikun, ndërsa 36% e tyre ishin përgjigjur se mediat kanë punuar më tepër për përfitime personale sesa në të mirë të qytetarëve.
Secili shtet ka mënyrën e vet të raportimit dhe, jo pa shkak, ky raportim varet nga numri i rasteve të personave të infektuar dhe gjendja aktuale e tyre, kushtet në spitale e kriza ekonomike e shtetit. Kjo tregohet edhe në një artikull që përmban pikëpamje nga përfaqësues të vendeve të ndryshme.
Kështu, në Shtetet e Bashkuara të Amerikës raportimi i mediave është ndarë me një vijë ndërmjet burimeve konservative dhe atyre liberale. Përderisa burimet konservative të raportimit kanë përcjellur filozofinë e Donald Trump dhe republikanëve tjerë që, në njëfarë mënyre, kanë zvogëluar rrezikshmërinë e pandemisë, burimet liberale janë munduar që ta rrisin rëndësinë e kujdesit maksimal, të mbajtjes së distancës dhe nevojën për të qenë të përgatitur.
Këtë ka konfirmuar edhe Katie Foss, profesoreshë e gazetarisë në Universitetin e Tennessee. Si pasojë, thotë ajo, ka pasur një ndarje mes atyre që kanë respektuar rregullat e karantinimit si dhe pjesës tjetër të qytetarëve që janë shqetësuar më pak, lëvizje kjo që është dëshmuar edhe përmes protestave të ndryshme (për kauza të mira) por që kanë mundur të rrisin rrezikun e infektimit.
Mediat në Itali, në anën tjetër, kanë pësuar faza të ndryshme të zhvillimit. Në fillim, kur Italinë e kishte kapluar një krizë morale për pandeminë, mediat u munduan që të qetësojnë qytetarët përkundër rrezikut. Më vonë, kur situata eskaloi, ato e përkrahën qeverinë për masat e rrepta të mbajtjes së higjienës dhe izolimit.
Sergio Splendore, profesor i asocuar në Departamentin e Shkencave Politike dhe Sociale në Universitetin e Milanos, ka thënë se mediat atje përfaqësojnë pikëpamje të ndryshme në lidhje me COVID-19. Ka media që promovojnë kujdesin maksimal, media që shtyejnë qeverinë që të lirojnë pak masat dhe t’u japin më shumë liri italianëve, si dhe media që po hulumtojnë shpenzimin e parasë publike nga shteti dhe se sa po u ndihmon ky buxhet atyre që kanë nevojë.
Ndërsa në Spanjë pandemia është mbuluar më tepër nga mediat audio-vizuele duke u bazuar në emocione dhe spekulime në raport me pandeminë. Një metodë interesante që është përdorur atje është shfaqja e një figure 3D e koronavirusit duke lëvizur poshtë e lartë ekranit të televizonit, e cila thuhet se do të hyjë në histori të televizonit në Spanjë, ndërsa mediat e shkruara kanë qenë shumë të sakta.
Këtë e ka thënë edhe profesori i Universitetit të Barcelonës, Carlos A. Scolari. Ai tregon se mediat kanë përcjellur me kujdes konferencat e ministrave, oficerëve të ushtrisë dhe epidemiologëve, mirëpo në përgjithësi ato kanë promovuar masat e rrepta të ndërmarra nga qeveria. Ndërsa mediat sociale atje, si në çdo shtet tjetër, kanë qenë fluks i burimeve të informatave të rëndësishme por edhe të atyre të rreme.
Rexhep Kameraj
Ky artikull është shkruar në kuadër të projektit “Ngritja e Aftësisë Mediale dhe Digjitale”/”Enhancing Media and Digital Literacy”, e mbështetur nga Albany Associates.