Pandemia përveç ndryshimit të mënyrës së jetesës se të gjithë neve, ka ndryshuar mënyrën e arsimimit dhe mundësitë e zhvillimit profesional. Ajo ka vështirësuar punën e shumë fakulteteve të cilët aftësimin profesional të studentëve e bëjnë edhe përmes punës praktike në kompani e institucione të ndryshme.
Gjithsesi rëndësia e punës praktike është shumë e madhe për aftësimin e duhur të të rinjëve.
Jaser Veseli, teknolog i ushqimit në kompaninë “Frutex”, e cila njihet për brendin e pijeve energjike “Golden Eagle” dhe lëngjet “Relax”, tregon se puna praktike në këtë kompani i ka ndihmuar mjaftueshëm për t’i njohur nga afër proceset teknologjike dhe punën praktike të makinave.
“Definitivisht praktika të familjarizon me proceset teknologjike dhe ta bën më të lehtë tregun e punës nesër”, thotë ai.
Edhe Donika Cakaj, studente e psikologjisë, konsideron punën praktike shumë të rëndësishme për zhvillimin e një karriere dhe për të krijuar një përvojë reale për kërkesat e përditshme të profesionit.
Megjithatë ajo tregon praktika në vende publike është e vështirë të bëhet sepse në shumicën e rasteve fakultetet nuk kanë kontrata me ato institucione.
“…Shumicën e rasteve duhet të kryejmë praktikën në vende private sepse një gjë e tillë nuk sigurohet nga fakulteti dhe për këtë arsye fjalët e tyre e para kur të një institucioni publik kur shkojmë për praktikë arsyetohen me fjalët se nuk kemi kontratë me fakultetet dhe nuk kanë mundësi për të pranuar praktikant”, thotë ajo.
Edhe Veseli mendon se universiteti duhet të jetë ndërmjetësues në mes kompanive prodhuese dhe studentëve për zhvillimin e praktikës, pasi sipas tij jo të gjithë studentët kanë fatin dhe mundësinë të sigurojnë një vend për zhvillimin e aftësive praktike.
Gjithsesi ai mendon se trajtimi dhe integrimi i studentëve praktikant bëhet varësisht nga kompania dhe kapacitetet e saj.
“Në industritë ushqimore më të mëdha dhe më serioze, studentit i ofrohen më shumë mundësi me nxënie të informatave, ndërsa në industritë prodhuese më të vogla duke parë fushën e veprimit më të vogël edhe hapësira për të vepruar e mësuar si student është më e vogël”, thotë ai.
Laura Çelaj, studente e gazetarisë e vlerëson si shumë të rëndësishme punën praktike në zhvillimin profesional, pasi sipas saj kjo ndikon në një formësim edhe më profesional dhe në shmangien e mënyrës mekanike të të mësuarit.
Ajo beson se studentët e gazetarisë kanë mjaft mundësi për zhvillimin e aftësive praktike, pasi siç thotë ajo grupmosha e gazetarëve në Kosovë i përket një moshe relativisht të re duke iu referuar asaj që shohim në televizion.
Sa i përket pandemisë, studentja Cakaj thotë se kjo periudhë ua ka pamundësuar zhvillimin e praktikës për shkak se institucionet kanë punuar me staf të reduktuar dhe nuk kanë qenë të hapur për të pranuar praktikantë.
Edhe teknologu Veseli, tregon se kompania e tij për disa javë ka punuar me kapacitet të përgjysmuar, duke i respektuar masat e marra nga qeveria për hapësirat e mbyllura.
Studentja e gazetarisë Çelaj, po ashtu mendon se pandemia e ka ndikuar në reduktimin e mundësive për të bërë praktikë.
“Mendoj që ka ndikuar, duke pasur për bazë reduktimin e punëtoreve në ndërmarrje të ndryshme”, thotë ajo.
Për shkak të COVID-19 institucionet e arsimit janë mbyllur në gjithë botën, ndërsa sipas një referohet një raporti të UNESCO-s, rreth 1.3 miliardë nxënës dhe studentë janë mbyllur në shtëpi pas mbylljes së shkollave.
Sipas një artikulli të “EdSurge”, COVID-19 ka të ngjarë të përshpejtojë tendencat e punës dhe po shtyen një transformim ekonomik dhe dixhital. Sipas këtij artikulli, pandemia ka krijuar kërkesa të reja të fuqisë punëtore.
Ky artikull tutje sugjeron se në krizën aktuale të shkaktuar nga pandemia, me arsimin e lartë të ndikuar, njerëzit kanë nevojë për formim më të shkurtër, të përballueshëm, i cili menjëherë sjell aftësi praktike dhe të kërkuara dhe në mënyrë efektive mund të garantojë vendosjen e vendit të punës.
Diellza Kabashi
Pikëpamjet e shprehura në këtë publikim janë të News Agency KosovaLive dhe në asnjë mënyrë nuk mund të konsiderohen si qëndrim i Fondacionit të Kosovës për Shoqëri të Hapur.