Sipas të dhënave të drejtorit, Heset Lokut nga Qendra Korrektuese për Femra në Lipjan, aktualisht në Kosovë janë 33 gra të burgosura, dhe që nga pas lufta ky është numri më i vogël në këtë qendër. Mes të burgosurave, dy prej tyre me iniciale M.M dhe S.Y për KosovaLive treguan për jetën e tyre, gjendjen shëndetësore dhe kushtet me të cilat ballafaqohen ato çdo ditë.
E burgosur me iniciale M.M. që është në vuajtje të dënimit për shkak të një vepre penale në qendrën korrektuese për femra në Lipjan, për KosovaLive ka rrëfyer jetën e saj prapa grilave.
“…24 vjet jam e dënuar, që 20 vite jam këtu edhe 4 i kam për të e kryer e gjithë dënimin. Për një femër është shumë, askush nuk e përjeton ashtu si e kemi përjetuar vetë ne. Në fillim ka qenë fundi i botës për mua lajmi se jam dënuar me 35 vite dënim me burg”, ka thënë e burgosura nga Qendra Korrektuese për Femra në Lipjan.
Kjo 45 vjeçare nga Lipjani thotë se “pishman” është ndjerë menjëherë pasi e ka parë vetën prapa grilave.
“Atë ditë që futesh në burg i bien ‘pishman’. Stafi në burg janë sjellë shumë mirë, kjo është edhe pak që ma kanë lehtësuar stresin, mërzinë. Në fillim kam qenë me stres, me trauma, shumë e frikësuar, por stafi në burg në një farë mënyre më kanë mbështetur për të vazhduar jetesën në burg”, tregon ajo.
M.M thotë se aktualisht gjendja shëndetësore e saj është e mirë, ndonëse herë pas herë ka ankesa por jo të theksuara.
“Gjendja shëndetësore e imja është e mirë edhe pse tani e kam lëshuar pak. Ndoshta ka ndikuar mosha, izolimi… por nuk jam e fortë siç kam qenë dhe as nuk kam ndonjë problem të madh me shëndeti. Në burg nuk mund të jesh plotësisht i shendosh”, thotë M.M..
Sipas Këshillit Gjyqësor të Kosovës deri më tani, gjatë vitit 2020, janë gjithsej 2,305 aktgjykime të publikuara. Kurse, sipas Agjencisë së Statistikave të Kosovës, në gjykatat themelore të Republikës së Kosovës gjatë vitit 2019 në përgjithësi ishin të akuzuar 29,405 persona madhorë, me gjithsej 17,315 persona të dënuar. Gjykata Themelore e Prishtinës prin për nga numri i të akuzuarve me gjithsej 5,954 persona apo 20.2% e numrit të përgjithshëm.
Jehona Majkovci, psikologe në Qendrën Korrektuese për Femra në Lipjan, thotë se përkundër ngjarjeve tragjike dhe izolimit për gratë e burgosura, sipas saj, deri më tani gjendja psikike e tyre është stabile.
“…Gjendja psikike apo gjendja shëndetësore e grave të burgosura është e mirë, nuk ka ndonjë problem që vlen mu theksuar. Zakonisht secila që vjen në burg që brenda 24 orëve konsultohet me mjekun e burgut, psikologun. Varësisht prej gjendjes momentale në qoftë se është për burg normal ndalën në burg, nëse jo delegohet në institucione të tjera”, ka theksuar Majkovci gjatë një bisede për KosovaLive.
E burgosura me iniciale M.M. shprehet e kënaqur me stafin e burgut por jo edhe me kushtet dhe drejtësinë ndaj saj – ajo aktualisht punon në kuzhinë sado pak për t’ia larguar rutinën e jetesës në burg si dhe e ka të përfunduar kursin e rrobaqepësisë.
“Deri tani stafi është sjellë mirë ndaj meje dhe unë po ashtu, kushtet nuk janë të mira por as të këqija shumë, mundet të ishte më mirë. Gratë me kushte më të mira ekonomike brenda burgut kanë edhe privilegje, ndërsa ne me kushte më të dobëta ekonomike mundohemi të punojmë brenda burgut për t’ia dal sado pak me shpenzime tona”, thekson ajo.
Ajo tregon se brenda burgut ka parë vetë raste ku disa të burgosurave ua janë bërë edhe privilegje, duke theksuar se edhe brenda burgut bëhen dallime, të burgosurat përfitojnë nga shërbimet që u bëjnë stafit korrektues apo mbikëqyrësve të burgut.
“Kam pa vetë raste ku për një të burgosur u janë bërë privilegje nga stafi korrektues i femrave në Lipjan. P.sh kam parë që një e burgosur e ka depiluar një femër nga stafi korrektues dhe më pas e burgosura ka përfituar privilegjin të e thërras familjen në telefon për disa orë edhe jashtë orarit të thirrjeve normale siç e kemi ne”, u shpreh e burgosura.
Bisedat me psikologen e qendrës korrektuese për femra, e burgosura M.M. konsideron se e kthejnë në kohë ndërkohë që ajo konsideron se tani i duhet një jetë e re, pa e kujtuar të kaluarën. Ndryshe, 45 vjeçarja, pasi të jetë e lirë pretendon një jetë të re duke e nisur nga pika zero me një punë dhe me një normalitet të jetesës.
“Pasi të e përfundoj dënimin pres që të e nisi jetën prej zeros, aspak nuk dua të mendoj për të kaluarën por vetëm për vetën për një punë dhe një jetës normale. Edhe pse në normalitet nuk mundem të kthehem asnjëherë nga ajo që kam përjetuar, por do të mundohem disi”, shton ndër të tjerash M.M..
Ndryshe, edhe e burgosura tjetër me inicialet S.Y nga Skenderaj thotë se është vështirë që një grua të burgoset dhe të kalojë një jetë të gjatë prapa grilave.
“…Unë edhe kur jam burgos, jam friku ndaj atij personi, shumë kam pas maltretime dhunë nga ai, më ka lënë ende me pasoja si traumat, stres, mërzi. Në memorien time gjithmonë janë shfaqur maltretimet e burrit dhe ngjarja më tragjike vrasja e tij. Por janë stafi i burgut që më kanë ndihmuar shumë po ashtu dhe familja sepse po të mos kisha mbështetje nuk do të mundja edhe të jetoja”, u shpreh ajo.
Psikologja e kësaj qendreje korrektuese, Jehona Majkovci thekson se jetesa prapa grilave tek të burgosurat shkakton stres dhe ankth.
“Izolimi në burg ndikon kryesisht në ankth dhe stres, për raste me te renda është edhe psikiatri po në shumicën e rasteve konsultat bëhen me psikologun. Intervistat dhe seancat që bëhen tek psikologu i burgut janë konfidenciale dhe janë të hapura për me biseduar me këto gra dhe respektohet privatësia e të burgosurave kjo e bën edhe qe ato të jena të hapura”, është shprehur Majkovci.
Gjendja shëndetësore gjatë qëndrimit në burg nuk kishte qenë gjithaq e mirë as për S.Y. ndonëse ajo thotë se fal stafit shëndetësor të burgut, aktualisht gëzon një shëndet të mirë.
“Nëse jeton shumë gjatë brenda në burg nuk mund të mos kesh probleme me shëndetin por ishin psikologet dhe doktorët e tjerë të cilët më kanë mbështetur që unë të mos behëm shumë keq me shëndet, edhe pse akoma ka stres, frikë por me bisedat e psikologes dhe doktorëve i tejkaloj herë pas here”, tha 50 vjeçarja.
E burgosura S.Y. apelon tek gratë që cilat mund të ndodhen në situata të ngjashme që kontakti me policinë shpëton jetë dhe ju largon nga burgosja. Në rastin e saj, konsideron se po të ishte njoftuar me kohë policia, vrasja për të cilën është dënuar nuk do të kishte ndodhur, po ashtu edhe burgosja.
“Ju bëj apel krejt grave që për çfarëdo problemi si dhunë-maltretim, së pari të lajmërojnë policinë, kjo është mënyra më e mirë për të shpëtuar vetën dhe të tjerët. Nëse unë u kisha tregu familjareve të mi ndoshta sot nuk do isha në burg por me një jetë tjetër, por ka qenë gabim se kam qenë e mbyllur në vete. Unë kam gabuar, të tjerat të mos gabojnë”, përfundon ajo.
Drejtori i Qendrës Korrektuese për Femra në Lipjan, Heset Loku thotë se kjo qendër aktualisht ka tridhjetë e tri të burgosura.
“Qendra Korrektuese për Femra në Lipjan për momentin i ka 23 femra të dënuara ndërsa të tjerat janë në paraburgim. Pra numri total i të gjitha femrave në ketë qendër është 33. Ky numër është relativisht i ulët. Sa i përket grup moshave në statistikat tona dominojnë moshat nga 25 deri në 35 vite”, tha Heset Loku për KosovaLive
Loku thekson se edhe të miturat dënohen porsa vendimi nga gjykata të bëhet i plotfuqishëm.
“Sa i përket dënimeve tek të miturat në qendrën korrektuese për femra nuk ndodhet asnjë e mitur, ky është institucion ku edhe të miturat mund t’i kryejnë masat edukuese korrektuese ose dënimet në burg apo paraburgim. Çdo i mitur në Kosovë përgjegjësinë penale e ka nga mosha 14 deri 18 vjeçare sipas kodit të drejtësisë, ku përgjigjet si e mitur ndërsa mbi këtë moshë përgjigjet si madhore. Dënimi maksimal i të një dënuare të mitur për çfarëdo vepre penale është 10 vite. Dhe ajo e fillon vuajtjen e dënimit në momentin që vendimi behet i plotfuqishëm”, tregon ai.
Sipas tij, kushtet brenda Qendrës Korrektuese të Femrave në Lipjan relativisht janë të mira dhe se deri tani nuk ka pasur ankesa nga të burgosurat. Gjatë kohës së pandemisë në kuadër të trajnimeve që të burgosurat kanë ndjekur në burg, ato kanë dhënë edhe kontributin e tyre duke i qepur mbi 20 mijë maska higjienike.
Loku thekson edhe ndihmesat nga OJQ-t ndërkombëtare e ta cilat së fundi të burgosurave u kanë ndihmuar financiarisht.
“Organizatat të cilat na ndihmojnë janë, Caritas Kosova, Help, Këshilli për Mbrojtjen dhe të Drejtave të Njeriut, kjo e fundit në bashkëpunim me KFOS dhe rrjetin e shoqërive të hapura u kanë ndihmuar me tri rroga nga 170 euro 14 të burgosurave më gjendje ekonomike më të dobët”, tha ai.
Ai përmend edhe lirimet me kusht dhe privilegjet e tjera në rast se respektohen disa kushte brenda jetesës në burg. Aktualisht, sipas tij, ka gra të cilat janë risocializuar dhe po presin lirimin me kusht ose falje nga Presidenti.
“Dënimi më i madh për gratë vitet e fundit është 25 vite – ne kemi 3 raste që gratë kanë të shqiptuar dënim me 25 vite për shkak të veprave penale të rënda. Janë edhe disa kushte që vazhdimisht inkurajohen të burgosurat, është lirimi me kusht, falja prej presidentit, lirim i parakohshëm – të cilat janë të arritshme sipas risocializimit dhe riedukimit të tyre. Aktualisht kemi disa raste që gratë kanë vuajtur më shumë se 2/3 e dënimit dhe ka raste që nuk ka bërë asnjë shkelje disiplinore gjatë një periudhe 15 vjeçare ose 20 vjeçare dhe ajo është plotësisht e arsyeshme që të përfitojë nga lirimi me kusht”, përfundon Loku.
Në bazë të nenit 7 të Ligjit Nr. 03/L-101 për Falje, personave të dënuar mund të ju falet dënimi nga ana e presidentit vetëm atëherë kur nga ana e të burgosurve respektohet humanizmi apo përparohet risocializim dhe riintegrimi i tyre gjatë jetesës në burg.
Shqipdona Gashi
Pikëpamjet e shprehura në këtë publikim janë të News Agency KosovaLive dhe në asnjë mënyrë nuk mund të konsiderohen si qëndrim i Fondacionit të Kosovës për Shoqëri të Hapur.