Build Skills with our trainings

Sign up now!

Banorët kërkojnë përfshirje në rrjetin e ngrohjes së qytetit

Tet 13, 2020

Banorët e disa lagjeve të kryeqytetit dhe të qyteteve të tjera të Kosovës në hall ndaj mungesës së ngrohtores qendrore, ndonëse nuk janë të përfshirë në rrjetin e ngrohtores “Termokos”, ata kërkuan që ky problem të zgjidhet sa më shpejt. Ndryshe, nga kjo e fundit kërkohet kohë për t’i përfshirë të gjitha lagjet e Prishtinës dhe qyteteve jashtë saj me ngrohtoren e qytetit pasi që kapaciteti i tanishëm i kompanisë publike komunale nuk është i mjaftueshëm, kurse sipas analistëve po të zgjerohej rrjeti i ngrohtores së qytetit edhe për nga ajri do të ishim më mirë.

Sipas zëdhënëses së “Termokosit”, Aferdita Uka-Fejzullahu, aktualisht kjo ndërmarrje publike nuk ka kapacitet që t’i përfshij me ngrohtore qendrore më shumë se sa disa lagje të Prishtinës, pasi që financat janë ato që e stopojnë zgjerimin apo rrjetëzimin e “Termokosit” në gjithë Kosovën.

“…NP “Termokos” është kompani publike e Komunës së Prishtinës. Sado që, funksionon që nga viti 1970 si ngrohtore qendrore ende nuk ka mundësi ta shtrij rrjetin e ngrohjes në tërë qytetin e Prishtinës. Para së gjithash për të ofruar ngrohje ne kemi nevojë për kapacitet termik, e atë që e kemi aktualisht, që në fakt na ofron KEK-u, mjafton për të ofruar ngrohje vetëm për rreth 15 mijë konsumatorë, sa kemi aktualisht me tendencë zgjerimit të vazhdueshëm të rrjetit të ngrohjes. NP “Termokos” është duke u angazhuar që të sigurojë fonde shtesë për Projektin për dyfishimin e kapaciteteve, i cili do të mundësojë që rrjeti i ngrohjes dhe numri i konsumatorëve të rritet për rreth 30 për qind”, ka thënë ajo.

Ndërsa, Emine Veliu banore e lagjes “Kodra e Trimave”, gjatë një intervistë të shkurtër për KosovaLive ka thënë se në këtë lagje interesimi i banorëve është për përfshirjen me rrjetin e ngrohtores “Termokos”, por siç tregon ajo, deri tani nuk ka qenë interesimi i kompanisë për të diskutuar rreth kësaj çështje.

Ngrohtore nga “Temokosi” nuk kemi ende, nuk ka ardhur askush për të shikuar se a do të duhej edhe në këtë pjesë të Prishtinës të vendosen ngrohtoret e qytetit. Si lagje jem komplet të pajtimit që sa më parë në lagjen tonë të kemi të kyçur “Tetmokosin”, as nuk kemi bërë ankesë por as nuk ka ardhur askush për të biseduar në lidhje me këtë problem”, tha ajo.

Fatmir Zeqiri, banori tjetër nga “Matiçani”, lagje e Prishtinës, për KosovaLivë tha diçka më ndryshe nga banoret e tjetër në lidhje me çështjen e ngrohtoreve së qytetit. Siç thekson ai, Matiçani së shpejti do të përfshihet në rrjetin e “Termokosit” dhe kjo gjë është paraparë nga viti i ardhshëm.

Banesa jonë është ndërtim i ri edhe para dy ose tre muajve “Termokos” e ka pru një shkresë për të aplikuar në lidhje me ngrohtoren e qytetit. Nga banoret ajo shkresë ka përfunduar dhe është dorëzuar në “Termokos” dhe jemi duke e pritur shqyrtimin e kërkesës dhe vendimin e kërkesës. Kyçja me “Termokos” na kane premtuar që nga viti tjetër do të mbulohet edhe kjo pjese e Prishtinës me “Termokos”, ka thënë Zeqiri.

Ndërsa nga një postin në rrjetin social Facebook në vitin 2019 nga kryetari i tanishëm i Prishtinës, Shpend Ahmeti, thuhet se rreth 1,500 njësi banesore me rreth 7500 qytetarë nga lagjet Kalabria dhe Emshir u përfshin me rrjetin e ngrohtores “Termokos”.

Muhamed Jupa nga Peja për KosovaLive ka thenë se jo vetëm në kryeqytet por edhe në të gjitha qytetet dhe qytezat e Kosovës duhet të ketë ngrohtore të qytetit, siç thekson ai, deri më tani në Pejë shfrytëzohen ngrohtoret individuale pasi mungojnë ato të shtetit.

“Peja sikurse qytetet e tjera është në mungesë të ngrohtoreve të shtetit, aktualisht i përdorim ngrohtoret individuale apo private, mirë do të ishte që të kishim ato të shtetit sepse me sa e di unë vetëm Prishtina e gëzon ketë privilegj karshi qyteteve të tjera të Kosovës”, tha ai.

Zeqir Veselaj, njohës i çështjeve mjedisore dhe ligjërues i Edukimit Mjedisor dhe Zhvillimit të Qëndrueshëm në Universitetin e Prishtinës, gjatë një interviste për KosovaLive ka treguar se, ngrohtoret e qytetit janë më efektive se sa ato individuale, siç tregon ai, zgjerimi i rrjetit me  “Termokos” ka rëndësi edhe në përmirësimin e cilësisë së ajrit në vend.

 “Sigurisht se ngrohjet qendrore janë shumë më efikase se sa ngrohjet individuale. Ndryshe shkarkojnë me mijëra tymtarë individual (shtëpi dhe objekte banimi) dhe ndryshë një i vetëm siç është Termokosi. Zgjerimi gradual që po bën Termokos në ngrohjen e qytetit sigurisht se përveç se siguron ngrohje më të mirë, e ule edhe ndotjen e ajrit por knontribon edhe në ekonomitë familjare. Kjo sidomos këto vitet e fundit kur ngrohja nga Termokosi po bëhet nga avulli i ujit të TC Kosova B si pjesë e projektit të kogjenerimit.”

Foto gjatë orarit të punës nga Zeqir Veselaj, njohës i çështjeve mjedisore për Kosovë 

“Koogjenerimi KEK-Termokos është rasti më i mire i zgjidhjes afatgjate si mund të ngrohen më mire qytetarët, të kursehet uji si resurs i kufizuar dhe ulet ndotja e ajrit dhe e ujit. Uroj të zgjerohet më tej si rast suksesi”, thekson Veselaj.

Tutje, Veselaj tregon se pasojat e ndotjes së ajrit reflektohen kryesisht në sëmundjet e traktit respirator dhe ato kardiovaskulare. Siç e cek ai, sipas të dhënave, shëndeti publik i kosovarëve është i cënuar në këto dy shtylla dhe këtë po e dëshmojnë raportet e Institutit Kombëtar të Shëndetit Publik, Agjencisë së Kosovë për Mbrojtjen e Mjedisit, Agjencionit Evropian për Mjedis etj. Prandaj çdo ulje, sado e vogël e shkarkimeve ndotëse në ajër kontribuon në ruajtjen e shëndetit publik”, tregon ai.

Sipas Veselajt, “thëngjilli”, mbetet si shkatërruesi më i madh i ajrit të ndotur në vend.

Thëngjilli padyshim se është karburanti me pasoja të rënda në mjedis në shkarkimet ndotëse në ajër dhe kontribues i fuqishëm i smogut krahas shkarkimeve nga termocentralet dhe transporti urban në Prishtinë gjatë muajve të dimrit. Thëngjilli e sidomos ligniti që përdoret më shumë te ne ka vlerë të vogël kalorofike, shkarkon shumë CO2, thërrmija të imta PM10 dhe P2.5 si dhe konglomerat të gjerë të ndotësve tjerë”, tha ndër të tjerash Veselaj.

Më tej, njohësi i çështjeve mjedisore theksoi se përdorimi i “thëngjillit” mund të zvogëlohet në rast se rritet rrjeti i ngrohtoreve të qytetit.

Pavarësisht ndalimit me ligj të përdorimit të thëngjillit , kjo gjë po ndodh dhe do të ndodh deri sa qytetarëve t`u ofrohen zgjidhje më të mira si: ngrohja qendrore, termoziolimet e shtëpive etj.  Pra si hapa për zbutjen e ndotjes nga ngrohja gjatë dimrit shoh:  investimet në ngrohjen qendrore nëpër qytete (zgjerim ku ka dhe ndërtim aty ku nuk ka), subvencionet e amvisnive shtëpiake për zëvendësimin e thëngjillit për ngrohje  dhe për rritjen e termoiziolimit të ndërtesave banesore dhe gjelbërimin e qyteteve (sidomos me drunjtë halor apo gjethmbajtës që mbajnë gjethet edhe gjatë dimrit për të filtruar ajrin) e plot masa tjera që të tjerët neper botë zbatojnë”, përfundon ai.

Kujtojmë se gjatë këtij viti, NP “Termokos” nënshkroi marrëveshjen me Fondacioni i Mileniumit të Kosovës MFK-në për njehsorët digjital.

Berat Mernica nga qyteti i Vushtrrisë për mungesën e ngrohtoreve të shtetit në qytetin e tij tha se kjo që do të duhej të rregullohej sa më shpejt nga “Termokosi”.

“Edhe Vushtrria meriton kyçjen në “Termokos”, është në përgjegjësin e shtetit dhe kjo duhet sa më parë të rregullohet”, tha ai.

Ndërsa, zëdhënësja e Ngrohtores Termokosit, Afërdita Uka- Fejzullahu i tha KosovaLives përmes postës elektronike, se aktualisht “Termokos”, operon vetën në disa lagje të Prishtinës.

 “NP “Termokos” SH.A, është kompani publike komunale, që operon vetëm në disa lagje të urbanizuara të qytetit të Prishtinës. Rrjeti i ngrohjes është i shtrirë në lagjet: “Qendër”, “Ulpiana”, “Dardania”, “Bregu i diellit”, një pjesë të lagjes “Kalabria” dhe tek disa objekte banesore në “Mati 1”, ka thënë ajo.

Tutje, Uka- Fejzullahu tha se, “Termokos” sipas planit është duke u zgjeruar më tej rreth rrjetit të ngrohtoreve në kryeqytet.

“Termokos” në vazhdimësi ka zgjeruar rrjetin e ngrohjes tek konsumatorë të rinj, ndërsa aktualisht është në realizim Projekti për zgjerimin dhe rehabilitimin e rrjetit të ngrohjes, me fondet e ndara Komisioni Evropian në vlerë të 8.8 milion eurove. Këtë vit është zhvilluar faza e dytë e këtij projekti, si rezultat e të cilit për herë të parë do të kyçen në rrjetin e ngrohjes çerdhja “Xixëllonjat”, shkolla “Meto Bajraktari”, objekti i Teatrit Kombëtarë, Ministria e Kulturës, 5 objekte të vjetra banesore në lagjen “Ulpiana” si dhe 6 objekte në lagjen “Mati 1”, shtoi Uka-Fejzullahu.

Ajo thekson se, aktualisht “Termokos”, nuk mund të përfshij të gjitha lagjet e Prishtinës por siç tregon ajo, na bazë të projekteve të reja është e mundur edhe zgjerimi i mëtejmë i ngrohtoreve për konsumatorët e rinj, banor të kryeqytetit.

Me kapacitetet ekzistuese, që kemi në dispozicion është e pamundur që rrjeti i ngrohjes të shtrihet në gjithë Prishtinën. Mirëpo, jemi duke punuar në vazhdimësi për projekte të reja, që do të mundësojnë zgjerimin e rrjetit të ngrohjes tek sa më shumë konsumator të rinj”, tha ajo.

Ndër të tjerash, Uka- Fejzullahu tregon se, Ndërmarrja Publike “Termokos” deri më tani ka rreth 15 mijë konsumator ndërsa çmimet mujore janë 0.76 euro për metër katror.

“Aktualisht, NP “Termokos” ofron vetëm shërbimin e ngrohjes për rreth 15 mijë konsumatorë. Siç e dini, çmimin e tarifave të ngrohjes e përcakton Zyra e Rregullatorit për Energji (ZRRE). Ato janë ndryshuar para 1 viti dhe si rrjedhojë konsumatorët banesorë paguajnë 0.76 euro për metër katror plus TVSH-ja, ndërsa subjektet afariste 0.95 euro për metër katror plus TVSH”, Uka-Fejzullahu.

Ajo më pas tregon se në NP “Termokos” deri më tani nuk ka pasur ankesa nga konsumatorët, siç e cek ajo, një numër i madh i konsumatorëve janë të kënaqur ndaj shërbimeve nga kjo kompani. 

“Bazuar në raportin e fundit të vlerësimit të kënaqshmërisë së konsumatorëve mbi 94 për qind e konsumatorëve tanë të anketuar kanë dalë të kënaqur me shërbimet e ngrohjes, që i ofron kompania jonë”, përfundon ajo.

Kurse, sipas njoftimeve nga N.P ”Termokos”, kujtojmë se sezoni i ngrohjes në kryeqytet fillon më 15 tetor dhe mbaron më 15 prill. Gjithashtu ngrohtorja u sherbetet konsumatorëve për 24 orë pa ndërpre vetëm në ndonjë rast prishje.

Ndërsa, banori tjetër nga “Bregu i Diellit” II, Idriz Krasniqi për KosovaLive tha se, kjo lagje është në pritje që 20 vite për kyçjen me “Termokos”, siç tregon ai, duhen edhe disa vite të tjera për t’u rregulluar ky problem.

“Aktualisht nuk jemi të kyçur me “Termokos”, që 20 vite kemi pritur. Kemi bërë mbledhje në shkollën e mesme të ulet “Iliria” me njerëz përgjegjës, diku jemi 36 blloqe pa ngrohtore qendre dhe do të ngrohemi me rrym. Nga “Temokos” nuk kemi pasur kontakte direkte në lidhje me kyçjen e ngrohtoreve qendrore në këtë lagje por siç jam duke e shikuar unë edhe 4 ose 5 vite do të vazhdojmë kështu, pra do të jemi pa ngrohje të shtetit”, tha ai.

Krasniqi tutje shtoi se, asnjëherë nuk janë realizuar premtimet e liderëve politik për rregullimin e rrjetit të ngrohtoreve në këtë lagje, sipas tij, kjo ka qenë mënyrë që kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti i ka kërkuar votat.

“Pikërisht kryetari i komunës, Shepnd Ahmeti na ka thënë neve që nëse më jepni votat do t’ju premtoj që brenda vitit do ti lëshoj ngrohtoret, ani pse e kemi votuar një gjë e tillë nuk ka ndodhur që 2 dekada. Pra për vota shfryhet tema e “Termokosit” në ketë lagje”, ka thënë Krasniqi.

Gjatë vitit 2018, në vlerë prej 2.3 milionë euro ishte nënshkruar marrëveshja “Grant”, për përmirësimin e rrjetit të ngrohtores qendrore në Prishtinë, ndërmjet Ministrisë së Financave dhe Bankës Gjermane për Zhvillim (KfW), ku donatorë i këtyre mjeteve ishte Qeveria e Luksemburgut, ndërsa përfituese ishte NP “Termokos” Sh.A.

Kurse, kujtojmë se në të gjitha shkollat e kryeqytetit që nga viti 2014 janë të kyçura me “Termokos”.

Banori nga qyteti i Mitrovicës, Arbër Mehmeti për KosovaLive ka thënë se deri më tani nuk është diskutuar nga institucionet shtetërore që edhe Mitrovica do të mundte të kyçte rrjetin e ngrohtoreve “Termokos”, sipas tij ngrohtoret e shtetit janë të nevojshme dhe Mitrovica duhet t’i aktivizoj.

 “As nga komuna jonë e as nga Qeveria nuk është fol se do të vijë edhe në Mitrovicë “Termokosi”, kemi nevoje për një gjë të tillë por duhet të punohet më seriozisht në ketë drejtim”, tha ai.

Ndërsa, ish-specialisti i Menaxhimit Mjedisor dhe Social në Fondacionin Mijëvjeçarit Kosovë, Agron Bektashi për KosovaLive thekson se, Kosova është vend i rrezikuar nga ndotja e ajrit, siç tregon ai, rreziku më i madh është gjatë sezonit të dimrit. Në veçanti, komunat si Prishtina, F.Kosova dhe Obiliqi janë të ballafaquara me cilësi shumë të dobët të ajrit kurse qytetarët me probleme shëndetësore.

Bektashi, tregon po ashtu se, cilësia e ajrit do të përmirësohej në kryeqytet nëse do të bëhej kyçja e ngrohtoreve qendrore në shumicën e lagjeve.

 “Një zgjidhje ideale do të ishte modernizimi dhe zgjerimi i Termokosit dhe/apo ndërtimi i Ngrohtores të Re në Prishtinë me kapacitet të mjaftueshëm që të kyç shumicën (80-90%) e qytetarëve. Kyçja e shumicës të banorëve në rrjet të ngrohjes do ta zvogëlonte dukshëm përdorimin e burimeve fosile si: thëngjilli, druri, nafta, etj., dhe do të ndikonte shumë në përmirësimin e kualitetit të ajrit.”

Foto në orarin e punës nga Agron Bektashi, njohës i çështjeve mjedisore për Kosovë

Disa masa që ndikojnë në përmirësimin e cilësisë të ajrit: promovimi i energjisë të ripërtëritshme – energjia me panele solare, ndalesa e importit të automjeteve më të vjetra se 10 vjet, promovimi i trafikut publik, biçikleta, ecja, monitorimi i përdorimit të pesticideve, plehrave kimike dhe mbeturinave të rrezikshme, pyllëzimi (bimë halore) dhe krijimi i sipërfaqeve të gjelbërta në Prishtinë dhe rrethinë, rritja e ndërgjegjësimit tek qytetaret dhe klasa politike”, ka thënë Bektashi.

Shqipdona Gashi 

Pikëpamjet e shprehura në këtë publikim janë të News Agency KosovaLive dhe në asnjë mënyrë nuk mund të konsiderohen si qëndrim i Fondacionit të Kosovës për Shoqëri të Hapur.

PUBLIKIME

LAJME

THELLESISHT

DIALOG

Grantet e Prodhimit të Përmbajtjes II

Grantet e Prodhimit të Përmbajtjes II

Pesë aplikantë që paraqitën një aplikacion për “Grantet e Prodhimit të Përmbajtjes II”, Tv Tema, Internews, RTV Puls, Radio Gorazdevac dhe Besnik Krasniqi do të marrin mbështetje.

BARAZI

Womair: Informimi i grave dhe burrave për cilësinë e ajrit

Womair: Informimi i grave dhe burrave për cilësinë e ajrit

Më 19 nëntor, nga ora 10:00 deri në 12:00 në KosovaLive u mbajt ngjarja interaktive “Womair”, e cila kishte për qëllim informimin e djemve, vajzave, grave, burrave, çifteve dhe të gjithë të interesuarve, pa dallim, për mënyrat më efektive për përmirësimin e cilësisë së ajrit në hapësira të brendshme dhe të jashtme.

EDUKIM