Build Skills with our trainings

Sign up now!

Kërcënimet, sulmet… ndër sfidat e shpeshta me të cilat përballen gazetarët

Tet 16, 2020

Serbeze Haxhiaj, është gazetare hulumtuese në Kosovë e cila gjatë përvojës së saj shumëvjeçare në këtë profesion, është kërcënuar dhe penguar për të kryer punën e saj, nga grupe dhe individë të caktuar, në forma të ndryshme direkte ose indirekte.

Duke qenë autore e shumë artikujve që kanë të bëjnë kryesisht me krimin e organizuar, korrupsionin, shpërdorimin e detyrës dhe keqpërdorimet, ajo ka qenë cak i atyre për të cilët ka shkruar në shkrimet e saj.

Ajo ishte ndër gazetaret e para që kishte hetuar abuzimet që ishin bërë me listat e veteranëve, e për këtë ishte ballafaquar me presion e kërcënime në vendin e punës.

“Unë kam hetuar abuzimet me lista të veteranëve dhe jam ballafaquar me kërcënime, probleme dhe me presion në vendin punës sepse persona brenda vendit të punës ku kam punuar (Radio Televizioni i Kosovës- RTK) kanë qenë persona që kanë ushtruar censurë dhe e kanë ndalur atë tekst”, deklaroi Haxhiaj.

Gazetarja hulumtuese, Serbeze Haxhiaj mendon se numri i sulmeve ndaj gazetarëve që janë rrahur ose sulmuar, nuk është matës real sepse liria e shprehjes dhe presioni vjen në forma tjera shumë më të sofistikuara dhe shumë më të pa dukshme. Foto e marrë në profilin e gazetares në rrjetin social Facebook.

Visar Duriqi, gazetar në gazetën online “Insajderi”, është një tjetër gazetar, i cili ka pranuar kërcënime të shumta, madje edhe kërcënime me jetë për punën dhe hulumtimet që ka bërë ai.

“Jam kërcënuar me vdekje disa herë për raportimet që kam bërë për grupet radikale që kanë luftuar në Siri dhe Irak. Për ato kërcënime disa persona janë burgosur e disa të tjerë janë dënuar prej gjykatës”, thotë Duriqi.

Visar Duriqi, gazetar hulumtues në gazetën online “Insajderi” thotë se kohën e fundit është ofenduar dhe kërcënuar nga “militantët” e Lëvizjes Vetëvendosje, siç i quan ai, duke i cilësuar ata si më agresiv se militantët e partive tjera. Foto: Visar Duriqi

Disa herë janë kërcënuar edhe Ridvan Berisha, redaktor në Radio Televizionin e Kosovë (RTK), dhe Urim Isma, gazetar në Radio Criteria, i cili kohë më parë kishte punuar në Kohavision.

Përdorimi i gjuhës fyese, shantazhet, kërcënimet, dhuna fizike dhe ajo online ndaj gazetarëve janë disa nga faktorët që ndikojnë në cënimin dhe rrezikimin e lirisë së shtypit dhe kryerjes së punës së gazetarëve.

Nga janari 2019 deri në shkrimin e këtij artikulli, në Kosovë janë raportuar 89 raste të sulmeve dhe kërcënimeve ndaj gazetarëve.

Raportimet për aferat korruptive dhe grupet e ndryshme, ndër arsyet më të shpeshta të kërcënimet ndaj gazetarëve

Sipas gazetares Haxhiaj sulmi ndaj gazetarëve vjen më së shpeshti si pasojë e raportimit të tyre dhe se problemi me të cilin ballafaqohen gazetarët vjen nga presioni i brendshëm por në përgjithësi edhe nga sistemi i drejtësisë.

Ndërsa, sipas Leonora Dalipit, anëtare në Asociacionin e Gazetarëve të Kosovës (AGK), sulmet dhe kërcënimet më të shpeshta ndaj gazetarëve vijnë si pasojë e hulumtimit të aferave korruptive në institucione dhe në ndërmarrje publike duke shtuar se ky fenomen e vështirëson tejmase përmbushjen e misionit të gazetareve.

Më tutje, ajo shtoi se presioni buron edhe nga menaxhmenti i mediave sa herë që gazetarët nuk i binden politikave redaktoriale, e sipas saj, kjo gjë po ndodhë për shkak të ndikimit politik, dhe si pasojë e kësaj gazetarët shpesh janë përballur me kërcënim, diskriminim dhe largim nga vendi i punës në mënyrë të paligjshme.

Sipas Arbër Hitaj, drejtues i Shoqatës së Gazetarëve në Shqipëri, sulmet më të shpeshta ndaj gazetarëve në Shqipëri kryesisht vijnë nga politika dhe krimi i organizuar, dhe se në të shumtën e rasteve, sulmet janë verbale, duke shtuar se kohëve të fundit ka pasur edhe sulme ekstreme ndaj gazetarëve.

Gazetarët në ditët e sotme, megjithëse janë më të privilegjuar se gazetarët e viteve ’90-ta sa i përket aspektit të sigurimit të burimeve, hulumtimit dhe aspekte tjera, privilegj të cilin ia ka mundësuar zhvillimi teknologjik, përsëri përballen me shumë sfida gjatë punës së tyre.

Në mesin e këtyre sfidave janë edhe mungesa e përgjigjeve nga institucionet, pamundësia për qasje në dokumente publike, frikësimet etj.

Edhe pse qasja në dokumente publike është e garantuar me kushtetutë, në Kosovë një gjë e tillë pothuajse nuk respektohet fare. Kjo, sipas Iniciativës për Progres (INPO), ndodhë për shkak të mungesës së transparencës nga institucionet publike, e që kjo mungesë e transparencës lë hapësirë për keqpërdorim të pozitave zyrtare.

Komuna e Ferizajt që nga viti 2018 numëron gjithsej 46 kërkesa për qasje në dokumente publike ku në mesin e tyre 37 janë lejuar 8 janë refuzuar ndërsa njëri ka pasur qasje të pjesshme në to.

Probleme me qasjen në dokumente publike kishte edhe gazetari Visar Duriqi, i cili thotë se tani nuk e aplikon metodën e kërkesës për tu qasur në dokumente publike pasi nuk e konsideron efektive, por përdorë metoda tjera për t’i siguruar këto dokumente.

Se qasja në dokumente zyrtare është ndër sfidat më të mëdha për gazetarët, e pohon edhe Leonora Dalipi, anëtare e bordit të AGK-së.

“Dyert bëhen thuajse të pakalueshme kur gazetarët kërkojnë qasje në dokumentet e tenderëve publik, që konsiderohen të jenë burimi më i madh i korrupsionit, përmes së cilëve Kosova ka humbur miliona euro”, thotë Dalipi.

Gazetarja hulumtuese Serbeze Haxhiaj në një intervistë për KosovaLive thotë se në Kosovë, liria e shprehjes ekziston deri në një masë të caktuar dhe se mediat kanë kujdes të shtuar në raportimin e çështjeve të ndjeshme, duke iu referuar rastit të intervistimit të presidentit Thaçi nga Gjykata Speciale, ku sipas saj, mediat kanë qenë shumë të rezervuara gjatë raportimit për këtë rast.

Në lidhje me sfidat e gazetarëve në Kosovë, profesori universitar Muhamet Jahiri, thotë se sfidë mbetet paqëndrueshmëria e tregut, siguria e gazetarëve dhe mbrojtja e fjalës së lirë, duke shtuar se edhe problemet me kontrata dhe kushtet jo të mira në vendin e punës mbeten sfidë në vete.

Profesori, Muhamet Jahiri, mendon se presioni që ushtrohet nga pushteti qendror është ndërhyrje e drejtpërdrejtë në lirinë e shprehjes dhe lirinë e mediave, prandaj një gjë e tillë, sipas tij, duhet të ndalohet dhe pushteti duhet të jetë tepër rigoroz në mbrojtjen dhe garantimin e lirisë së shprehjes dhe lirisë së punës së mediave pa presion dhe pa tendenca të njollosjes të punës së tyre.

Sfidë për gazetarët në Kosovë mbetet edhe respektimi i standardeve etike profesionale dhe distancimi nga grupet e interesit, thotë Ridvan Berisha, redaktor në Radio Televizionin e Kosovës.

“Kjo lidhet direkt me zhvillimin ekonomik, trajektorja sot e zhvillimit ekonomik në një mënyrë ose tjetër ndikon edhe në ambientin mediatik në Kosovë”,  deklaroi mes të tjerash  Berisha.

Joshja të gazetarëve nga grupe të ndryshme, konsiderohet të jetë një sfidë tjetër që pengon zhvillimin e gazetarisë së mirëfillët në Kosovë.

“Kur gazetari joshet në diçka qoftë materiale apo në ndonjë mënyrë tjetër atëherë gazetaria rrezikohet”, thotë gazetari Urim Isma.

Disa nga sfidat e gazetarëve i përshkruan edhe Donjeta Zahiti, gazetare dhe autore e emisionit debatues “All In” në TV Mitovica.

Një herë kam pasur të ftuar në emision një politikan, dhe ai u mundua që të më frikësojë për të mos i bërë disa pyetje por jam munduar të mos ndikohem nga deklaratat e tij”, u shpreh Zahiti.

Zbehja e besimit në organet e drejtësisë

Visar Duriqi, gazetar në “Insajderi”, thotë se nuk është ndarë i kënaqur nga disa procese gjyqësore që janë zhvilluar, duke shtuar se gjykatat po e bastardojnë punën e tyre.

Besim në organet e drejtësisë, thotë të mos ketë as gazetarja Serbeze Haxhiaj, pas përvojës jo të mirë që ka pasur më këto institucione.

Unë e kam raportuar rastin si viktimë, ndërsa  për një vit mua nuk më ka intervistuar askush, e pas një viti më ka ardhur një thirrje prej gjykatës, por për mua ka qenë shok sepse kur e kam shikuar thirrjen, unë kam qenë e paditur për pengim në detyrë të personit zyrtar”, thotë Haxhiaj.

Edhe Leonora Dalipi, nga AGK thotë se organet e drejtësisë janë treguar të ngathtë në zgjidhjen e rasteve të sulmeve dhe të kërcënimeve ndaj gazetarëve. Edhe ato vendime të pakta që i ka marrë gjykata ndaj kërcënuesve, sipas saj, kanë qenë gjoba të ulëta, në shumë prej 300-500 euro.

I pakënaqur me organet e drejtësisë shprehet edhe profesori universitar, Muhamet Jahiri, pasiqë sipas tij, në disa raste ato janë treguar neglizhente dhe janë vonuar.

“Mediat ushtrojnë aspektin e tyre profesional dhe duhet të trajtohen me prioritet për hirë të interesit publik”, thotë Muhamet Jahiri, profesor në Departamentin e Gazetarisë në Universitetin e Prishtinës.

Format se si mund të mbrohen gazetarët nga kërcënimet

Në muajin shkurt të 2020, KosovaLive ka lansuar Udhëzuesin për Gazetarë “Mekanizmat për mbrojtjen e gazetarëve nga dhuna online”, qëllimi i të cilit është informimi i gazetarëve, redaktorëve dhe mediave se si të mbrohen nga dhuna online.

Sipas gazetares hulumtuese Serbeze Haxhiaj, mënyra më e mirë për t’u mbrojtur është balancimi i fakteve dhe raportimi i kujdesshëm, sepse sipas saj, gjyqësori është i kontrolluar dhe polica nuk është efikase.

Muhamet Jahiri, profesor në Degën e Gazetarisë në Universitetin e Prishtinës, thotë se e vetmja mënyrë për t’u mbrojtur është solidarizimi me gazetarët dhe të reagojnë të gjithë ndaj kërkesave kur janë në pyetje mediat.

Si mënyrë preventive për t’u mbrojtur, Visar Duriqi sugjeron që gazetarët të mos publikojnë në rrjete sociale vendndodhjen e tyre, fotografitë e familjarëve sepse kështu ata nuk e rrezikojnë vetëm veten por edhe familjarët e tyre.

Ka nga ata gazetarë që janë të mendimit që gazetarët duhet të tërhiqen pas kërcënimeve.

“Ndonjëherë mënyra më e mirë për tu mbrojtur nga kërcënuesit është që të tërhiqemi, ta ruajmë vetveten dhe ekipin”, thotë gazetari Kosovë Gjoci.

Por, të kundërtën e kësaj e thotë Kemajl Berisha, redaktor në portalin Telegrafi. Ai u shpreh se shkrimi që është në interes të publikut duhet të vazhdojë të shkruhet dhe nuk duhet pasur frikë gazetarët.

“Të tregosh të vërtetën dikujt nuk do t’i pëlqejë, por nëse nuk e publikon, do të bëhet dëm për vendin. Prandaj, të hulumtuarit është sfidues, është stresues dhe ndonjëherë i pasigurt”, thotë Berisha.

Katër muajt e parë të vitit 2020, janë shënuar 56 raste të kërcënimeve ndaj gazetarëve në rajon

Frikësimet, kërcënimet dhe kanosjet nuk kanë munguar edhe në disa shtete të Ballkanit  Perëndimorë.

Sipas një publikimi të Platformës Rajonale për mbrojtjen e lirisë së mediave dhe sigurinë e gazetarëve, SafeJournalists.net, gjatë vitit të fundit, ka pasur një rritje të presionit ndaj gazetarëve në gjithë rajonin.

Sipas kësaj platforme, pozitën numër një sa i përket kërcënimeve ndaj gazetarëve dhe mediave për vitin 2019 e mban Serbia, me gjithsej 67 raste të regjistruara, e pasuar nga Bosnja me 36 dhe Kosova me 21 incidente të regjistruara.

Kosova qëndron pak më mirë se shtetet fqinje në këtë aspekt duke u bazuar në ranglistën botërore për lirinë e shtypit dhe në faktin që në Kosovë nuk është mbyllur ndonjë medium nga politika.

Gjatë pandemisë COVID-19 janë shtuar rastet e pengimit të lirisë  së shprehjes.

Vetëm në katër muajt e parë të vitit 2020 kanë ndodhur 56 incidente – 19 sulme aktuale drejtuar gazetarëve, 10 kërcënime kundër jetës, 19 tipe tjera të kërcënimeve adresuar gazetarëve, 5 sulme drejtuar shtëpive mediatike dhe organizatave dhe 3 kërcënime ndaj tyre. E në këto statistika nuk përfshihet rritja e presioneve politike, financiare, institucionale dhe gjyqësore ndaj gazetarëve.

Në Malin i Zi, vetëm gjatë dy viteve të fundit kanë ndodhur 41 incidente, ku në mesin e tyre tre kanë qenë të kërcënuar me jetë.

Ky ritëm i kërcënimeve dhe presionit ndaj gazetarëve, ndikon direkt në punën e tyre e gjithashtu edhe në censurimin e punës së tyre.

Leonora Dalipi, anëtare e AGK-së, thotë se në shumicën e mediave është evident censurimi si pasojë e lidhjeve të ngushta mes pronësisë mediale dhe politikës së biznesit, duke shtuar se pavarësia editoriale sot mbetet larg standardeve dhe se kjo po reflekton ne censurë dhe autocensurë.

Edhe Arbër Hitaj, drejtues i Shoqatës së Gazetarëve të Shqipërisë (AEJ Albania) thotë se presioni nga politika është më i shpeshti dhe kjo sipas tyre ka sjellë ndikim mbi gazetarët, redaktorët dhe kryeredaktorët e lajmeve duke bërë që ata të shtojnë vetëcensurën.

“Shumë gazetarë, redaktorë apo kryeredaktorë lajmesh, duke e ditur lidhjen ekonomike dhe interesin e pronarëve të medias me politikën, shtojnë vetëcensurën, fenomen i cili është shtuar ndjeshëm vitet e fundit”, thotë Hitaj.

Në vitin 2018, kryeministri Edi Rama kishte dërguar në Kuvend për miratim një pako ligjesh të cilat do të rregullonin punën e mediave online, por Arbër Hitaj drejtuesi i “AEJ Albania” thotë se me miratimin e këtyre ligjeve nga qeveria, parashikohen gjoba dhe mbyllje të mediumeve pa pasur ndonjë vendim nga gjykata.

Duke e parë këtë si kërcënim nga qeveria kundër fjalës së lirë ndaj mediave, reaguan organizata të ndryshme brenda Shqipërisë, në mes të cilave ishte edhe Këshilli Shqiptar i Medias të cilët shprehën shqetësimin e tyre për dy projektligjet e propozuara nga kryeministri Rama, me të cilin, sipas tyre, censurohen mediat dhe ndalohet fjala e lirë.

Kohët e fundit, janë shënuar edhe raste ekstreme, ku disa gazetarëve iu janë djegur makinat, iu janë sulmuar banesat me armë zjarri kallashnikov, ndërsa autorët ende nuk janë gjetur”, deklaroi Hitaj.

Ai pranon se Shqipëria ka shënuar rënie sa i përket lirisë së shprehjes dhe se liria e medias po cënohet e kjo sipas tij, sepse ndikimi i drejtpërdrejtë i politikës në lajme ka shkaktuar ulje të besueshmërisë edhe në lajmet rutinë.

“Është ironik fakti që edhe vetë kryeministri Edi Rama dikur ka qenë gazetar që është dhunuar nga sistemi dhe tani me ndërhyrjet e tij, po ndikon në përkeqësimin e situatës së lirisë së medias”, shtoi Hitaj.

Maqedonia e veriut, vitet e fundit, ka shënuar rënje të sulmeve ndaj gazetarëve.

Gjatë katër viteve të fundit në Maqedoninë e Veriut kanë qenë vetëm 30 sulme drejtuar gazetarëve, shkruan Shoqata e Gazetarëve të Maqedonisë (SHGM).

Derisa Kosova, këtë vit, në raglistën e Reporterë Pa Kufij, është renditur në vendin e 70, fqinja e saj, Serbia renditet në vendin e 93-të, Maqedonia në vendin e 92-të, Mali i Zi në pozitën 105, ndërsa Shqipëria, është renditur në pozitën e 84-të.

Gjendja e gazetarëve nuk paraqitet të jetë më e mirë as në shtetet tjera të botës.

Sipas një publikimi të Organizatës Ndërkombëtare për Drejtësi ndaj Gazetareve, numri i kërcënimeve dhe i sulmeve ndaj gazetarëve dhe mediave në Rusi, që nga viti 2017 e deri më sot, pothuajse është dyfishuar. Që nga viti 2017 e deri në vitin 2019 janë regjistruar gjithsej 1 mijë e 116 raste të raportuara.

Në Rusi, metodat kryesore të sulmeve ndaj gazetarëve rus janë arrestimet, ndalimet, ndjekja penale, kontrollet, marrja në pyetje e deri te burgimi i tyre. Këtë vit, Russia gjendet në vendin 149 sa i përket lirisë së shtypit. E këtë trysni të gazetarëve e kanë pothuajse të gjitha vendet e ish Bashkimit Sovjetik.

Në Turqi, që nga viti 2016, kur u bë përpjekje për grusht-shtet, gazetarët turq, sipas Amnesty International, janë më të burgosurit në botë. Turqia zë vendin 154 në botë sa i përket lirisë së shtypit.

Në Kosovë, liria e shprehjes, e shpërndarjes së informacionit, mesazheve, liria e qasjes në dokumente publike, është drejtë e cila garantohet me nenin 40 dhe 41 të aktit më të lartë juridik të Republikës së Kosovës, Kushtetutës, por në praktikë, gazetarët hasin në vështirësi të shumta për fjalën e lirë dhe qasjen në dokumente publike.Ndërkohë që në aspektin e ligjeve, Kosova qëndron mirë, por zbatimi i tyre ende mbetet një ndër sfidat më të mëdha të të gjitha qeverive.

Arlind Beqiraj

Ky artikull është shkruar në kuadër të projektit “Ngritja e Aftësisë Mediale dhe Digjitale”/”Enhancing Media and Digital Literacy”, e mbështetur nga Albany Associates.

PUBLIKIME

LAJME

THELLESISHT

DIALOG

Grantet e Prodhimit të Përmbajtjes II

Grantet e Prodhimit të Përmbajtjes II

Pesë aplikantë që paraqitën një aplikacion për “Grantet e Prodhimit të Përmbajtjes II”, Tv Tema, Internews, RTV Puls, Radio Gorazdevac dhe Besnik Krasniqi do të marrin mbështetje.

BARAZI

Womair: Informimi i grave dhe burrave për cilësinë e ajrit

Womair: Informimi i grave dhe burrave për cilësinë e ajrit

Më 19 nëntor, nga ora 10:00 deri në 12:00 në KosovaLive u mbajt ngjarja interaktive “Womair”, e cila kishte për qëllim informimin e djemve, vajzave, grave, burrave, çifteve dhe të gjithë të interesuarve, pa dallim, për mënyrat më efektive për përmirësimin e cilësisë së ajrit në hapësira të brendshme dhe të jashtme.

EDUKIM