Build Skills with our trainings

Sign up now!

Të rinjtë e përjetuan rëndë izolimin në pandemi

Tet 16, 2020

Genita Pacolli e cila ka mbaruar shkollën e mesme të mjekësisë në “Dr. Ali Sokoli” në Prishtinë, shpjegon se dy javët e para të karantinimit për shkak të pandemisë COVID-19 i ishin dukur si pushim, por me kalimin e kohës kishte filluar të ndihej më e stresuar nga situata. Izolimi shpeshherë e kishte mërzitur dhe nervozuar atë, mirëpo meditimi e ka ndihmuar t’i kalonte ato ndjenja jo të mira, e përveç kësaj në krah kishte edhe familjen.

E gjitha kjo filloi kur Ministria e Arsimit dhe Shkencës (MASH) njoftoi që ishte marrë vendimi nga Qeveria e Kosovës për ndërprerje të procesit mësimor nga 12 deri me 27 mars, duke filluar nga institucionet parashkollore e deri tek ato universitare, ky vendim ky si masë parandaluese e përhapjes së COVID-19.

Jeta, megjithatë po vazhdonte edhe në izolim, raste të reja po shtoheshin por të  gjithë ishin të fokusuar në mbajtjen e pastertisë, në të ushqyerit sa më të mirë e pothuajse ishte harruar shëndeti mendor, sidomos në një kohë pandemie.

“Ka ndikuar si një shqetësim, panik, stres dhe kam pasur ndryshime të personalitetit në aspektin emocional. Në fillim isha në panik të madhe sepse isha konfuze dhe e shqetësuar se çfarë do të ndodhte me familjen time, por me kalimin e kohës fillova të ndjehem më e sigurt,” është shprehur 19 vjeçarja Shpresa Selimi nga Hajvalia, studente e Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina” në Fakultetin Ekonomik.

Në një hulumtim të vitit 2018 nga Qendra për Hulumtime Psiko-Sociale dhe Mjekësore (QHPSM) për shëndetin psiko-social dhe emocional të adoleshentëve në Kosovë rezultoi se 14% e nxënësve përjetojnë nivele të larta të stresit, përderisa 43.8% e tyre përjetojnë nivele të moderuara të stresit. Ndërkaq, janë 42.1% që raportojnë nivele të ulëta të stresit. Në anën tjetër, simptomat e depresionit janë më të rralla: janë 1.7% e nxënësve të anketuar që kanë treguar simptoma të depresionit madhor, përderisa 19.6% tregojnë nivele të moderuara të depresionit, por që prapë kanë nevojën e trajnimit nga ana e psikologut.

Edhe pse në fillim të pandemisë ishte ndier ndryshe, Blendrita Avdiu, studente në Universitetin e Prishtinës thotë se ishte mësuar me të gjitha – eta vazhdonte rrjedhën e saj, me të infektuar e me izolim .

“Fillimisht nuk e mora me panik se mendova që do i ktheheshim menjëherë normalitetit, mirëpo më pas, kur numri rritej gradualisht, dhe nga diskutimet e shpeshta që bëheshin rreth zgjatjes së kësaj pandemie fillova të ndihesha më e shqetësuar,”u shpreh ajo.

Në një raport nga Qendra për Informim dhe Përmirësim Social, thuhet se shfaqja e stresit në kohë pandemie është normale, dhe se këtë stres mund ta kuptoni kur keni reagime si rritje ose ulje e niveleve të energjisë dhe të aktiviteteve, probleme me fjetje apo relaksim, të qara të shpeshta, brengosje e tepërt, dëshirë për  të  qenë  vetëm  shumicën  e kohës, e të tjera.

Yll Avdijaj, psikoterapeut, e njëkohësisht edhe pjesëtar i bordit drejtues të Shoqatës së Psikoterapeutëve të Kosovës mendon se të qenit i mbyllur brenda gjatë këtyre muajve ka qenë shumë i vështirë.

Sipas tij, karantinimi nuk ka ndikuar drejtpërdrejt në depresion tek të rinjtë, mirëpo ka mundur ta risjellë ndonjë ankth ose depresion që e kanë pasur edhe më herët, e si pasojë e mosdaljes, ai depresion ose ankth u është rikthyer prapë.

“Në momentin e izolimit, kur ti nuk ke hapësirë shumë të mirresh me diçka tjetër ose të dalësh e të takosh njerëz, atëherë nuk iu jep mundësi shumë mendimeve të qarkullojnë, e si pasojë ato mendime kalojnë në negativitet dhe kështu të rinjtë mund të bijnë në depresionin”, thotë Avdijaj.

Psikoterapeuti Yll Avdijaj nuk sygjeron rutinën në karantinë. Ai mendon që më mirë është të bëhet nga një aktivitet i ri çdo ditë.

Shoqata e Psikoterapeutëve të Kosovës gjatë periudhës së pandemisë kishte ndërmarrë një iniciativë në Facebook dhe Instagram duke ofruar shërbime falas për të gjithë, ku qytetarët kanë mundur të shkruajnë, thërrasin, e të konsultoheshin me profesionistë të fushave të ndryshme si psikiatër, neuropsikiatër, dermatologë, psikologë e psikoterapeutë për shqetësimet dhe problematikat që ata kanë pasur gjatë pandemisë. Deri në kohën e shkrimit të këtij artikulli kishin pranuar rreth 243 thirrje.

Në ndërkohë, Ministria e Shëndetësisë në bashkëpunim me Departamentin e Psikologjisë të Universitetit të Prishtinës, me 22 prill të këtij viti hapën edhe linjën telefonike, që ende është funksionale, e që shërben si ndihmë e parë psikologjike gratis, dhe ku të rinjtë mund të aplikonin edhe si vullnetarë.

Studentja e masterit për Psikologji Shkollore dhe Këshillim në Universitetin e Prishtinës, Shkurta Bajgora, një ndër 200 vullnetarët që aplikuan si anëtarë të linjës telefonike, thotë se deri më tani kanë pranuar gjithsej 1300 telefonata. Ndëkohë që më shumë thirrje kanë pasur ditët e para kur u promovua linja, ajo thotë se më së shumti thirrje kishin pranuar prej moshave të mesme, diku prej 30 deri në 40 vjeç.

Për pranimin e telefonatave nga te rinjtë nën moshën 18 vjeçare paraprakisht kërkohet leja e prindit ose kujdestarit që ka telefonuesi.

Shkurte Bajgora, vullnetare në linjën telefonike për ndihmë psikologjike.

Projekti për linjën e ndihmës psikologjike është duke u zhvilluar në një kabinet të ministrit të Shëndetësisë, me pajisjet e ndryshme për komunikim verbal, ndërkohë që pPuna bëhet nga vullnetarët.

Ndërsa arsyet që i kanë shtyer qytetarët t’i bien numrit të linjës për ndihmë psikologjike, më së shumti thirrje ka pasur për shkak të ankthit, e më së paku për mendime\tentim për vetëvrasje. Situata ka qenë sfiduese, pra një sfidë emocionale dhe psikologjike. E në këtë kohë telefonuesit kishin probleme të përbashkëta si ankthin, stresin, panikun dhe vështirësi në marrëdhëniet personale me familje, me shoqëri ose raportet në çift.

“Kanë pasur edhe disa shqetësime kur nuk e kanë ditur se çfarë ndodh më tej kur do hiqeshin masat, ose a do hapeshin vendet e punës prapë,” shtoi tutje Bajgora.

“Linja e jetës”, një linjë kjo tjetër e formuar me 17 nëntor 2019, po ashtu ka rezultuar të ketë pasur mjaft punë gjatë pandemisë, edhe pse në kushte të vështira. Muajin e kaluar, ata kishin zhvilluar edhe kampanjën “Këtu për ty” ku kanë marrë nga tre telefonata pothuajse çdo ditë.

Bind Skeja, bashkëthemelues i linjës është i mendimit se për nga shëndeti mendor, nga pandemia janë ndikuar të gjitha moshat.

 “Të rinjtë janë pak më rezidentë sesa grupmoshat e tjera për sa i përket ndikimit të karantinës, mirëpo ka shumë studime që jam duke i përcjellë që tregojnë se ka pasoja në shëndetin mendor te të gjitha moshat,” tha Skeja.

Bind Skeja, bashkëthemeluesi i “Linjës së Jetës”

Ndërsa, gjatë kësaj kohe për ndihmë psikologjike kanë shërbyer edhe faqet nukjevet.net (në Kosovë) dhe faqja nukjevetem.al (në Shqipëri). Të dy webfaqet target kyesor kanë moshat nga 13 deri në 25 vjeç, mirëpo marrin mesazhe edhe nga grupmoshat tjera.

Edhe pse nuk ka marrë kurrë ndonjë mbështetje financiare nga shteti, madje as për projektin për parandalimin e vetëvrasjeve që e ka dorëzuar kjo faqe në zyrën e kryeministrit para tetë viteve, sërish faqja “Nuk je vet” ka vazhduar punën, ndërsa vullnetarizmin e ekspertëve të saj e mbajnë si vlerë, e sot ajo numëron gjithsej 50 milionë vizitorë përgjatë këtyre viteve.

Në Kosovë, nuk është folur fare më herët për shëndetin mendor, mirëpo pas luftës gjendja është përkeqësuar më shumë. E tani në këtë situatën e COVID-it kemi pasë rritje të hatashme të ankthit, na është rritë nevoja për këshillim mbi 50%. Gjatë kësaj kohe ne kemi ofruar diku mbi 1000 konsulta për dy ose tre muaj,” thotë Vera Remshkar, drejtuesja e faqeve dhe njëkohësisht themeluesja e fondacioneve “Together Kosovo” dhe “Together Albania”.

Duke u bazuar në kontaktuesit që kanë pasë, Enkel Bulica, psikolog në faqen “Nuk je vetëm” në Tiranë tha se për të rinjtë sidomos ka qenë stresuese përshtatja e mësimit online, ndërprerja e shkollave, ndërprerja e socializimit si dhe ndërprerja e rutinës së përditshme.

Edhe Qendra për Rehabilitim të Mbijetuarve të Torturës ka shpalosur një fletushkë për menaxhimin e stresit dhe të ankthit gjatë kohës së COVID-19, ku ceket se është normale që njerëzit të përjetojnë një sërë reagimesh emocionale, fizike dhe mendore. Kjo qendër ka ofruar edhe ndihmën për menaxhimin e gjithë kësaj, duke përfshirë këtu të ashtuquajturën “përqafimi i fluturës”, e cila është një teknikë e shkëlqyeshme qetësuese dhe mund të bëhet kudo dhe kurdo.

“Përqafimi i fluturës realizohet duke mbështjellë krahët rreth vetes, në mënyrë që secila dorë të prekë krahun ose supin e kundërt, pastaj lëvizin duart si krahët e një fluture, në një ritëm të alternuar,” shpjegohet më tutje në këtë fletushkë.

Psikologia klinike nga QKRMT-ja, Selvije Izeti, thotë për KosovaLive se kjo qendër kishte funksionuar edhe në kohën e pandemisë në platformat online në Facebook, Zoom, Google Meet e Viber, pra kudo që u ka konvenuar personave që kanë kontaktuar.

“Nga ajo që ne e kemi vërejtë, sidomos te adoleshentët, ndikim të madh kishte ndërprerja e menjëhershme e shkollës dhe ndërprerja e rutinës, problemet në familje, por edhe hapësira e vogël në banesa,” tha psikologia Izeti.

Edhe pse të gjitha gjeneratat kanë raportuar ndjenja depresioni dhe ankthi gjatë pandemisë, të rinjtë janë mosha më e përvuar. Në këto gjenerata, ka të ngjarë të thonë se shëndeti i tyre mendor u përkeqësua ndjeshëm gjatë pandemisë, sipas disa statistikave të NRC Health. Si grupmoshë përfaqësojnë një grup veçanërisht të prekshëm, ku edhe para pandemisë ata tashmë vuanin nga rënia e shëndetit mendor, duke çuar në atë që ekspertët e quajnë një “tronditje shëndetësore”. Normalja e re e jetës nën karantinë pritet të ndezë vetminë dhe ankthin që shumica prej kësaj gjenerate veçse e kishin ndjerë.

“Nuk është e njëjtë si më parë,” thonë adoleshentët, “takohemi më pak”, por “ne komunikojmë më shumë përmes rrjeteve sociale”.

Adnita Pacolli

Ky artikull është shkruar në kuadër të projektit “Ngritja e Aftësisë Mediale dhe Digjitale”/”Enhancing Media and Digital Literacy”, e mbështetur nga Albany Associates.

PUBLIKIME

LAJME

THELLESISHT

DIALOG

Grantet e Prodhimit të Përmbajtjes II

Grantet e Prodhimit të Përmbajtjes II

Pesë aplikantë që paraqitën një aplikacion për “Grantet e Prodhimit të Përmbajtjes II”, Tv Tema, Internews, RTV Puls, Radio Gorazdevac dhe Besnik Krasniqi do të marrin mbështetje.

BARAZI

Womair: Informimi i grave dhe burrave për cilësinë e ajrit

Womair: Informimi i grave dhe burrave për cilësinë e ajrit

Më 19 nëntor, nga ora 10:00 deri në 12:00 në KosovaLive u mbajt ngjarja interaktive “Womair”, e cila kishte për qëllim informimin e djemve, vajzave, grave, burrave, çifteve dhe të gjithë të interesuarve, pa dallim, për mënyrat më efektive për përmirësimin e cilësisë së ajrit në hapësira të brendshme dhe të jashtme.

EDUKIM