Build Skills with our trainings

Sign up now!

Betonizmi i qyteteve“shkaktar”për mungesën e hapësirave të gjelbra

Tet 19, 2020

Prishtina si kryeqytet ka qenë gjithmonë e kritikuar për ndërtimet e shumta “të vrazhda” pa kritere dhe mbi të gjitha për mungesën e hapësirave të gjelbra.

Madje, si pasojë e kësaj viteve të fundit kryeqyteti i Kosovës renditet në mesin e qyeteve me ajrin më të ndotur në botë, sipas matjeve të “Air Quality Index”.

Për këtë ankohen edhe qytetarët. Besim Gashi, banor i Matit 1 shprehet i shqetësuar për mungesën e gjelbrimit në lagjen e tij. Ai thotë se komuna duhet të angazhohet më shumë dhe t’u kushtojë më shumë rëndësi hapësirave të gjelbra.

Unë jetoj në Matin 1 dhe prej banesave të shumta nuk shoh hapësira të gjelbruara. Normal kryeqyteti ka nevojë që të ketë hapësira të gjelbra sa më shumë pasi kemi neojë për ajër të pastër dhe jo ngulfatje të popullatës nga ndërtimet…”, shprehet Gashi.

Nevojën për më shumë gjelbërim e ndjen edhe banorja tjetër e Matit 1, Elmira Gashi.

Ajo thekson se ia vlen të investohet në hapësirat e gjelbra, më shumë se në asfalt.

Më shumë se kurrë Prishtina ka nevojë për hapësira të gjelbëruara…sidomos Mati 1, ka shumë nevojë për gjelbrim”, thotë ajo.

Agron Bektashi, ekspert i mjedisit, thotë se qytetarët e Prishtinës janë duke u ballafaquar me një situatë mjaft serioze mjedisore, e cila sipas tij është rezultat i zhvillimit të pakontrolluar urban, planifikimit jo adekuat hapësinor, ndotjes të ajrit, menaxhiminit jo adekuat të mbeturinave e trafikut të stërngarkuar.

Ai thekson se mungesa e sipërfaqeve të gjelbra në kryeqytet, mund të ketë pasoja negative dhe afatgjate në shëndetin e qytetarëve.

Sipas shumë studimeve të Organizatës Botërore të Shëndetesisë por edhe instituteve të ndryshme ndërkombëtare, sipërfaqet e gjelbërta jo vetem që pastrojnë ajrin dhe e përmiresojnë kualitetin e ajrit, por edhe përmirësojnë shëndetin mendor dhe atë fizik të qytetarëve dhe ulin nivelin e vdekshmërisë së parakohshme”, tregon Bektashi, teksa shton se dëmet nga ndërtimet e pakontrolluara dhe humbjeve të sipërfaqeve të gjelbërta janë të mëdha dhe mund të rrisin mundësinë e paraqitjes së sëmundjeve respiratore, të mushkërive, sëmundjeve kardiovaskulare, infeksioneve të lëkures dhe syve.

Drejtoresha e Drejtorisë së Parqeve në Komunën e Prishtinës, Fatime Hajdari tregon se hapësirat e gjelbëra shtrihen në një sipërfaqe prej 1 milion e 300 mijë m2, pa llogaritur Parkun e Gërmisë.

Ajo thotë se parqet në këtë komunë ndahen në dy grupe, në parqe të mëdha dhe parqe të lagjeve.

Parqe të mëdha në Komunën e Prishtinës janë: Parku i Gërmisë, Parku i Taukbahçës, Parku i Qytetit si dhe Parku i vjetër i Arbërisë. Parqet tjera konsiderohen parqet e lagjeve si në lagjen Dardania, Ulpiana, Bregu i Diellit, Parku 1 Tetori, Parku i Ri i Arbërisë, Parku i Kalabrisë si dhe hapësira tjera të gjelbra në pjesë të ndryshme të qytetit”, tregon Hajdari.

Ajo tutje tregon se po punon vazhdimisht për të shtuar numrin e hapësirave të gjelbra, me mbjelljen e drunjëve dhe luleve sezonale.

Sipas Hajdarit, këtë vit nga blerja pritet të arrijë 12 mijë fidane të rinj, të cilët do të shpërndahen në të gjitha lagjet e qytetit.

Ndërsa sivjet përveç luleve sezonale, që çdo vit arrin numrin prej 1 milion lulesh, do të mbillen edhe lule shumëvjeçare.

Gjithashtu Drejtoria e Parqeve, siç tregon drejtoresha, ka filluar implementimin e shtrirjes se sistemit te ujitjes përgjatë hapësirave të gjelbra dhe parqeve të qytetit, i cili parashihet të përfundojë brenda këtij viti.

Shtirja e sistemit të ujitjes po implementohet në këto parqe dhe hapësira të gjelbëra: Sheshi Nëna Terezë, Parku Heroinat, Parku i Ri i Arbërisë, hapësira e gjelbër para Pallatit të Rinisë dhe Sporteve, hapësira e gjelbër në Bregun e Diellit (afër Qendrës Tregtare), hapësira e gjelbër afër Termokisit dhe hapësira e gjelbër te “Kroi i Bardhë” në Dardani”, vazhdon tutje Hajdari.

Mirëmbajtja e këtij sistemi do të zgjasë deri në fund të vitit 2021.

Drejtoria e Parqeve tregojnë se po planifikojnë edhe krijimin e kopshteve vertikale në hyrje të Prishtinës, që ka për qëllim uljen e nivelit të ndotjes së ajrit në kryeqytet, ndikimin në biodevirsitet dhe amortizimin e zhurmave.

Ky projekt, sipas komunës është paraparë për vitin e ardhshëm.

Sa i përket ndërtimeve të shumta pa leje dhe jashtë kritereve që e karakterizojnë kryeqytetin e Kosovës, ato po i japin Prishtinës një imazh të shëmtuar në botë.

Madje, vitin e kaluar BBC e kishte konsideruar kryqendrën e Kosovës, si një nga kreqytetet më të shëmtuar në botë.

Eksperti i mjedisit, Bektashi mendon se betonizimi dhe asfaltimi total i Prishtinës do të rrisë efektin serë duke reflektuar në ngritjen e temperaturave dhe nxehtësisë më të madhe në qytet, derisa prerja e drunjëve në masë, humbja e lëndinave dhe kopshteve, sipas tij e ul në masë të madhe shumëllojshmërinë e shpendëve, kafshëve, insekteve dhe organizmave të tjera në qytet dhe rrethinë.

Ndërtimi papushim i blloqeve të ndërtesave, qendrave tregtare etj, kanë rrezikuar edhe vetë cilësinë e jetesës në qytet. Prishtina është bërë një kantier i madh ndërtimi ku zhurma, pluhuri, ndotja, degradimi i natyres janë bërë përditëshmëri e zymtë”, vazhdon Bektashi.

Drejtori i Inspektoratit në Komunën e Prishtinës, Adonis Tahiri, tregon se këtë vit janë ekzekutuar 22 vendime të rrënimit për objekte pa leje dhe për tejkalime të lejeve të lëshuara.

Në një përgjigje për Kosovalive, Tahiri tregon se sipas ligjit, gjoba maksimale që ipet është 500 euro, sipas tij deri tash janë shqiptuar qindra gjoba nga të gjithë sektorët dhe vlera financiare e paguar deri në fillim të këtij muaji është mbi 60 mijë euro.

Gjitha dënimet që nuk paguhen brenda afatit të caktuar shkojnë në procedura përmbarimore.

Krahas gjobës nxirren edhe vendimet tjera ligjore si ndërprerja e punimeve, urdhëresa për kthim në gjendjen e mëparshme apo vendimi i rrënimit nëse është e nevojshme.

Agron Bektashi vie në përfundim se tashmë dëmet janë të pariparueshme dhe nëse Komuna e Prishtinës nuk e ndalon këtë ritëm të kaosit dhe ‘gurëzimit’ komplet të qytetit, gjeneratat aktuale po edhe ato që do vinë do të kenë pasoja të rënda shëndetësore edhe mentale.

Diellza Kabashi

Pikëpamjet e shprehura në këtë publikim janë të News Agency KosovaLive dhe në asnjë mënyrë nuk mund të konsiderohen si qëndrim i Fondacionit të Kosovës për Shoqëri të Hapur.

PUBLIKIME

LAJME

THELLESISHT

DIALOG

Grantet e Prodhimit të Përmbajtjes II

Grantet e Prodhimit të Përmbajtjes II

Pesë aplikantë që paraqitën një aplikacion për “Grantet e Prodhimit të Përmbajtjes II”, Tv Tema, Internews, RTV Puls, Radio Gorazdevac dhe Besnik Krasniqi do të marrin mbështetje.

BARAZI

Womair: Informimi i grave dhe burrave për cilësinë e ajrit

Womair: Informimi i grave dhe burrave për cilësinë e ajrit

Më 19 nëntor, nga ora 10:00 deri në 12:00 në KosovaLive u mbajt ngjarja interaktive “Womair”, e cila kishte për qëllim informimin e djemve, vajzave, grave, burrave, çifteve dhe të gjithë të interesuarve, pa dallim, për mënyrat më efektive për përmirësimin e cilësisë së ajrit në hapësira të brendshme dhe të jashtme.

EDUKIM