Raportet profesorë-studentë apo nxënës-mësues sa mund të jenë të mira dhe efektive aq mund të shkaktojnë mangësi dhe probleme në sistemin arsimor të një shteti.
A.Memeti, ish-nxënës i klasës së nëntë në SHFMU “Andon Zako Çajupi” në Bardhosh, tregon se në institucionin ku ai ka qenë për nëntë vite raportet arsimtarë-nxënës kanë ndikuar shumë në nota. Ai tregon rastin me arsimtarën e biologjisë A.B e cila ishte hakmarrë në notë për shkak se A.Memeti kishte mbrojtur vëllaun në një padrejtësi që iu bë në klasë.
“…Pa më pyet asgjë më ka lënë 1-sh…Kur ka ardhur fundi i vitit ma ka përmendur, më ka thënë, ti harro që mund ta marrësh notën 5…”, tregon ai.
Sipas tij, edhe pse ka raste të tilla ai nuk ka pasur ku të ankohet sepse drejtori i shkollës gjithmonë mban anën e arsimtarëve dhe ata kanë gjithmonë të drejtë në raport me nxënësit.
Fillimisht raportet e mira profesorë-studentë mund të ndikojnë në forcimin e arritjeve akademike, mund të jenë faktor i reduktimit të mungesave të studentëve në mësime. Këto raporte ndikojnë edhe në rritjen e motivit të studentëve, ulin numrin e sjelljeve përqarëse dhe forcojnë apo përmirësojnë aftësitë për t’i vendosur vetës qëllime.
Nga këto raporte, përveç studentëve përfitojnë edhe profesorët. Sipas studimeve të fundit të publikuara në Revistën Evropiane të Psikologjisë së Edukimit, mësuesit të cilët kanë pasur raporte të mira me nxënësit kanë përjetuar momente të mira në klasë e jo ankth dhe siklet si në rastet e tjera.
Marigona Xhakli, ish nxënëse në Shkollën e Mesme të Mjekësisë “Elena Gjika” në Ferizaj, aktualisht studente në drejtimin e gazetarisë, shpjegon se si ka pasur raste kur nxënësit kanë marrë notë të lartë vetëm sepse kanë qenë të sjellshëm.
“Ka pas raste ku ndonjë profesoreshë ka favorizuar ndonjë vajzë që ka ndodhë ta ketë fytyrën më të pafajshme e iu ka përmbajtur rregullave por e theksojë që nuk ka pas dijeni të mjaftueshme për lëndën në fjalë, e profesoresha pas përfundimit të pytjeve për vënien e notës të saj e ka përmbyll me këtë frazë “ Ti je çikë e sjellshme, as nuk lyhesh as nuk del në pushim të gjatë e për këtë po ta lë 5”.
Gjithashtu, Xhakli tregon edhe për raste kur studentët kanë përfituar nga “shoqëria” e prindërve me profesorin.
“Kemi pas raste kur ndonjë nxënës ka qenë djali i dy mjekëve me emër, ndodhë që profesori t’i ketë miq e kolegë prej një kohe të gjatë dhe e ka favorizuar fëmiun e tyre e duke ia shtuar frazën ‘prindërit i ke njerëz të mirë e të arritur, kam respekt për ta”. Ai fëmiu nuk e kishte idenë fare as se si bëhet ndarja e frymëmarrjes në trupin e njeriut e as nuk e donte mjekësinë por ishte djalë i dy mjekëve…”, përfundon ajo.
Ngjashëm më të, mendon edhe Kaltrina Krasniqi, ish-nxënëse e shkollës së mesme të lartë profesionale “Shtjefën Gjeçovi” në Prishtinë.
Sipas saj, ka pasur raste kur kujdestari i saj vetëm me shikime është kuptuar me njerën nga nxënëset dhe ia ka vendosur notën.
“Kujdestari im vetëm u shikojke në sy dhe ia vendoste pesë pa ditur asgjë e pa e pyetur asnjëherë. Ne që kemi mësuar asnjëherë nuk kemi pasur notë të mirë te ai profesor, cdo herë kemi pasur kritika nga ai. Raportet e tyre kanë qenë më të afërta se arsimtar- nxënëse.” tregon ajo.
Arben Krasniqi, profesor në SHMLEJ “Hoxhë Kadri Prishtina” në Prishtinë, konsideron se vlerësimi i studentëve është pjesa më e vështirë e procesit mësimor.
“… Vlerësimi është pjesa ku më së shumti mund të ketë ankesa nga ana e studentëve. Po, kam pranuar edhe unë ankesa të tilla dhe çdoherë i kam kërkuar arsyet se pse po mendojnë në atë mënyrë. Në të shumtën e rasteve këshilla ime ka qenë që të kërkojnë rivlerësim nga ana e profesorit ose të kërkojnë forma të tjera të rivlerësimit, p.sh me anë të komisionit”, përfundon ai.
Raportet profesorë-studentë sipas një artikullit në Kirby Hall ndikojnë edhe në avancimin akademik të studentëve. Përveç që këto nivele rrisin nivelet e suksesit akademik të studentëve, mund të jenë ndikues edhe në mënyrën se si të dyja palët sillen në klasë.
Arsye tjetër e notave të pa merituara, sipas Sonila Pacollit nga Prishtina del te jetë edhe ekspozimi i trupit.
“Jo për shkaqe personale po për shkaqe të ekspozimit të trupit ose gjërave të tjera edhe ka ndodhur që është fal nota ose është lënë pa meritë”, shprehet ajo.
Sipas saj, ankesat e nxënësve për raste të tilla iu kanë kushtuar me humbje të vitit apo mbetje në provime.
“Kam dëgjuar prej tjerëve që janë ankuar edhe ka pasur raste kur të tjerët kanë raportuar që ka ndodhur kjo gjë dhe ata i kanë ngelur…”, thotë Pacolli.
Përveç se në shkolla të mesme, raste të tilla sipas studentëve ndodhin edhe në universitete.
V.K, student në Fakultetin Filologjik në Prishtinë, dega gjuhë gjermane tregon se ka dëgjuar shumë raste të tilla mirëpo arsyeja e faljes së notës sipas tij ka qenë sjellja më e mirë e studentit në fjalë.
“Po zakonisht ka ndodhur që ka pasur preferenca ndaj studentëve, jo ndoshta se janë njoftur po vec pse janë sjellur më mirë ose dicka”, thotë ai.
V.K. thotë se grupi i tij nuk kishte bërë ankesë zyrtare për këtë problem dhe për këtë arsye edhe nuk ka pasur zgjidhje deri më tani.
Sipas një shkrimi në Pride Surveys, çdo problem në sjellje nga të dy anët duhet të adresohet në mënyrë që të mos përsëritet. Raportet pozitive studentë-profesorë, po ashtu mund të krijojnë një ndjenjë krenarie në klasë dhe komunikim më efektiv gjë që çon në një klasë e cila përqëndrohet në edukim e jo në shqetësime..
Milazim Krasniqi, ligjërues në Universitetin e Prishtinës konsideron se kjo çështje është shumë relative, meqë ekzistojnë mënyra të ndryshme të vlerësimit e të cilat shpeshherë keqkuptohen.
“…Mënyra se si bëhet vlerësimi sipas procesit të Bolonjës është vlerësimi suksesiv. Për shembull vlerësohet gjatë tërë semestrit çdo aktivitet, kolokviumet, aktiviteti në klasë, prezenca në klasë, e gjithë pjesëmarrja në ushtrime, kryerja e detyrave dhe është 50% e vlerësimit bëhet në mënyrë suksesive gjatë procesit dhe vetëm 50 % ose nganjëherë edhe 45% e provimit është provimi final. Në këtë rast, normalisht që kjo formë e provimit në fakt dikujt i duket si lëshim i kritereve por në fakt nuk është lëshim i kritereve por është vlerësim i tërë aktivitetit të studentëve…”
Ushtruesi i detyrës së zëvendës-drejtorit të shkollës fillore “Dardania”, Nehar Shasivari. Sipas tij falja e notave ekziston mirëpo rastet e tilla nuk raportohen dhe këto fenomene bëhen me lidhje aq të sigurta sa nuk mund të identifikohen.
“Nuk jam shumë i sigurt që nuk ekziston ky fenomen, që i bie se ka, po të raportuara nuk besoj që ka, duke e ditur se këto fenomene bëhen me lidhje aq të sigurta sa që e kemi të vështirë të identifikohen këto raste. Po sa i përket pasojave mund të identifikohen lehtë si thotë thënia “Si e kemi arsimin e kemi dhe shoqërinë”.
I pyetur për këtë çështje, qytetari nga Fushë Kosova, Nustret Azemi tregon se në të kaluarën nuk ka pasur raste të lëshimeve të tilla nga profesorët.
“Jo, në kohën time ka qenë arsimimi i mirëfilltë në kushte shumë të vështira, por cilësia ka qenë e nivelit të lartë. Kësi lloj lëshimesh nga profesorët që janë duke bërë në kohën e tanishme nuk ka pasur”, tregon ai.
Sipas tij, bazuar në atë se çka i tregojnë katër fëmijët e tij, falja e notave dhe lëshimet nga profesorët ndodhin dhe janë një fenomen shumë i përhapur në institucionet arsimore.
Fatmir Grajqevci, profesor në gjimnazin “Ulpiana” në Lipjan, ndërkaq thotë se edhe në kohën kur ai ka qenë në studime ka pasur raste të tilla.
“Mua më ka ndodhë të jem nënvlerësuar, paragjykuar për njohuritë e mia në lëndën e caktuar nga një profesor dhe kam kërkuar vlerësim me komision për atë lëndë për të cilën profesori fare pa më pyet m’ka thënë se s’kam njohuri”, tregon Grajqevci.
Arben Krasniqi, profesor në SHMLEJ “Hoxhë Kadri Prishtina” në Prishtinë, thotë se një veprim i tillë, si falja e notave nëse ndodh, ndodh në mënyrë që të mos i demoralizojë.
“Fenomeni i faljes së notave mendoj se ekzistojë në Kosovë, por jo në masë të madhe. Kjo mund të ndodh me synimin që mos të demoralizojë studentët dhe t’iu jepet vullnet e kurajo për të mësuar që më vonë ta mbrojnë atë vlerësim. Në rast se kjo keqpërdoret nga ana e studentëve, atëherë pasojat e kësaj do të ndikojnë direkt në rënien e cilësisë në arsim”, përfundon ai.
Resul Sinani, ligjërues dhe dekan i Komunimit Masiv në AAB nuk përjashton faktin se raportet dhe njohja jashtë ligjëratave ndikojnë në procesin e vlerësimit. Kjo gjë, sipas Sinanit duhet të eliminohet nga profesionalizmi dhe përgatitja pedagogjike e vet profesorit. Ai tregon se në fakultetin ku ligjëron ai aplikohet metoda e vlerësimit me teste anonime.
“…Përherë e më shumë aplikohet praktika që testet të jenë anonime dhe në to të shkruhet vetëm me shifra, siç janë numrat të ID-ve të studentëve…” shprehet ai.
Sipas tij, ky problem duhet të trajtohet seriozisht nga institucionet përkatëse sepse ato gjithashtu ndikojnë në demotivimin e studentëve të tjerë.
“…Kurse, nëse studentët dëshmojnë diçka të tillë, kjo duhet të trajtohet me seriozitet nga institucionet përkatëse, në këtë rast nga universitetet, në mënyrë që të mos ndodhin gjëra të tilla të cilat janë të dëmshme dhe demotivuese për studentët tjerë”, thotë ai duke shtuar se si fenomen ndikimi i marrëdhënieve jashtë ligjeratave ndikon negativisht edhe në reputacionin e profesorit dhe institucionit.
Në anën tjetër, Selim Mehmeti, hulumtues për standarde dhe vlerësim në Institutin Pedagogjik të Kosovës (institucion në kuadër të Ministrisë së Arsimit, i cili është institucion kërkimor shkencor publik që merret me hulumtime, trajnime, vlerësime dhe inovacione në fushën e arsimit), shprehet se falja e notave është një nga faktorët por edhe cilësia e mësimdhënies dhe nxënies, përgatitja e mësimdhënësve dhe cilësia e zhvillimit profesional të tyre, burimet, materialet mësimore dhe kultura e shkollës janë faktorë me rëndësi në këtë aspekt.
“… Rezultatet e fëmijëve tanë nga pjesëmarrja në studimet PISA (2015 dhe 2018), nxjerrin një realitet të gjendjes së arsimit në Kosovë, gjendje për të cilën duhet të reagojmë, duhet të bëhemi kritik dhe autokritik, për atë së sa i kemi kontribuar kësaj gjendjeje edhe përmes proceseve të vlerësimit,…”, tregon ai.
Ai konsideron se Ministria e Arsimit nuk ka bërë mjaftueshëm në këtë aspekt.
“…Është realitet që Ministria e Arsimit nuk ka bërë mjaftueshëm në përcaktimin e standardeve të vlerësimit, në përkrahjen e mësimdhënësve për zhvillimin e kompetencës në fushën e vlerësimit të nxënësve – bazuar në rezultatet të nxënit/kompetenca, në mbikëqyrjen e procesit të vlerësimeve, etj. Po ashtu, Ministria e Arsimit nuk ka bërë mjaftueshëm edhe në informimin dhe sensibilizimin e komunitetit arsimor për ndjeshmërinë e procesit të vlerësimit dhe ndikimet e pasojat që mund të sjellin vlerësimet pa kritere dhe standarde, kopijimet gjatë vlerësimit, notat e falura, pasojat e të cilave i përcjellin gjenerata të tëra.”
Ekzistojnë disa akte ligjore dhe nënligjore me anë të cilave parashihen rregulla për raportet profesorë-nxënës, ndërkohë që institucionet edukative arsimore publike dhe private, këto rregulla i përcaktojnë me akte të brendshme.
Procesi i vlerësimit të studentëve rregullohet me Udhëzimin e Kodit te Etikes për vlerësimin e nxënësve me numër 491/01B, datë 23.12.2011 dhe Udhëzimin Administrativ të MASHT, Nr.6/2014 Kodi i mirësjelljes dhe masat disiplinore për nxënës të shkollave të mesme të larta. Por, këto marrëdhënie rregullohen edhe me akte nënligjore të cilat i nxjerrin institucionet publike dhe private. Disa nga to janë: Kodi i Etikës së stafit akademik të Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”, Kodi i Etikës i Universitetit të Prizrenit “Ukshin Hoti”, Rregullore të ndryshme për detyrat e punës, përgjegjësitë dhe masat disiplinore të personelit të institucioneve edukative-arsimore dhe akte tjera.
Sipas avokates Egzona Gashi, me dispozitat ligjore në fuqi parashihen sanksione të cilat i shqiptohen mësimdhënësve të cilët i shkelin aktet e lartëpërmendura.
“…Me dispozitat ligjore në fuqi ndaj personelit arsimor të cilët nuk i përmbahen detyrave dhe obligimeve të punës dhe ndërmarrin veprime që janë në kundërshtim me rregullat e shkollës apo dispozitat ligjore në fuqi është paraparë shqiptimi i masave disiplinore. Kështu si sanksion për shkelje të Kodit Etikës për vlerësimin e nxënësve dhe rregullave tjera që parashihen me akte tjera ligjore në fuqi mund të shqiptohen masat disiplinore, e të cilat varësisht se çfarë shkelje cilësohet veprimi, shkelje e lehtë apo e rëndë, masat të cilat mund të aplikohen janë: Vërejtja me gojë, vërejtja me shkrim, zbritja e pagës për 20% për atë muaj, suspendim i përkohshëm dhe ndërprerje e marrëdhënies së punës”.
Ajo tregon se me dispozita ligjore parashihen edhe sanksione-masa edukative disiplinore për nxënësit të cilët shkelin rregullat që parashihen me Kodin e mirësjelljes apo akte tjera të institucioneve edukativo-arsimore. Masat edukativo-disiplinore të cilat u shqiptohen nxënësve të shkollave të mesme larta janë vërejtje me gojë, vërejtje me shkrim, pezullimi i përkohshëm nga garat, ekskursionet, vizitat, pezullimi nga shkolla deri ne 3 ditë, pezullimi i përkohshëm nga 1 deri ne 3 muaj e sanksione te tjera.
Marigona Xhigoli
Për autorin/en:
Marigona Xhigoli është në përfundim të studimeve për Media dhe Komunikim në UBT dhe aktualisht është pjesë e programit “Internship & Mentorship 2” në KosovaLive. Marigona ka qenë gjithmonë entuziaste për projekte të ndyshme në media dhe sipas saj media është dashuria më e madhe dhe gjithmonë do të mundohet të sjellë diferencën në mediat e Kosovës.
Ky artikull është shkruar në kuadër të projektit “Promovimi i Edukimit Medial dhe Forcimi i Gazetarisë së Pavarur në Ballkanin Perëndimor”, i cili realizohet me fonde të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Mbretërisë së Bashkuar përmes British Embassy Pristina dhe #AlbanyAssociates.
Përmbajtja e këtij botimi është përgjegjësi vetëm e autorit dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Mbretërisë së Bashkuar.