Build Skills with our trainings

Sign up now!

Një jetesë mes ndihmës sociale dhe lëmoshës

Tet 20, 2020

Sipas Bankës Botërore dhe Agjencisë së Statistikave të Kosovës (ASK), rreth 18.0 përqind e popullsisë së Kosovës jeton në varfëri, ndërsa 5.1 përqind e tyre në kufirin e skajshëm të varfërisë, ndërkohë që sipas Ministrisë së Integrimit Evropian, në Kosovë shkalla e papunësisë sillet rreth 40%.

E shohim çdo ditë në sheshet e kryeqytetit duke kërkuar lëmoshë. Bahrije Sahiti nga komuniteti rom, thotë se jetesa në Kosovë është e vështirë prandaj është detyruar që të mbajë familjen në ketë formë.

“I kam 5 fëmijë, burrin e kam sëmurë dhe nuk punon asgjë, më duhet mua që të punoj se ndryshe nuk do të ekzistonim. Shumë e kam jetën e rëndë. Krejt familja më ka detyruar që të dal në rrugë se nuk kisha dal. Shteti jonë duhet të më ndihmoj sado pak diçka që me jetua edhe unë dhe familja jeme sikurse njerëzit e tjerë me kushte më të mira sepse një ndihmë sociale nuk mund të mbaj familjen me barna e as me ushqim”, thotë për KosovaLive, Bahrije Sahiti nga Obiliqi.

Drejtori i Qendrës për Punë sociale në Prishtinë, Blerim Shabani thotë se të gjitha familjet me kushte të vështira ekonomike janë përfituese të ndihmës sociale nga shteti.

Përfitues të ndihmës sociale janë të gjitha ato familje apo individë që janë në gjendje të vështirë sociale dhe ekonomike. Janë dy kategori – kategoria e parë dhe kategoria e dytë. Ata të cilët janë me probleme shëndetësore dhe janë të paaftë për punë me konstatime të mjekut trajtohen përmes komisionit mjekësor. Sigurisht që e drejta për ndihmë sociale përcaktohet në përputhje me dispozitat ligjore në fuqi. Mund të jetë përfitues edhe personi i cili është me gjendje të mirë shëndetësore. Ndihma sociale është e destinuar për familjet që janë në gjendje të vështirë socio–ekonomike”, ka thënë Shabani gjatë një intervistë për KosovaLive.

Në Prishtinë sipas Shabanit nuk po vërehet shtimi i personave të cilët kanë nevojë për ndihmë sociale apo kërkojnë ndihmë të tillë nga shteti.

“Në nivel të Prishtinës nuk vërehet trend i madh i rritjes, por në të ardhmen edhe mund të ketë shtim të kërkesave për ndihmë sociale, për shkak të gjendjes ekonomike të krijuar nga pandemia. Shërbimi i ndihmës sociale është kompetencë e deleguar në QPS. Shërbimi i ndihmës sociale në kuadër të QPS-se  merret me pranimin e kërkesave, vlerësimin e familjeve, paraqitjen e familjeve në komision mjekësor, njohjen e të drejtës në ndihmës sociale, aktivizimin në bazën e të dhënave, rivlerësimin dhe ri aplikimin”, përfundon drejtori i Qendrës për Punë Sociale në Prishtinë, Blerim Shabani.

Ndërkaq, Selvete Sadiku, udhëheqëse e Divizionit të Ndihmave Sociale nga Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale konfirmon se këtë vit ka ngritje të familjeve që kërkojnë ndihmë sociale.

Pas rasteve të para me  virus COVID në Kosovës kemi vërejtur  se  është rritur numri i familjeve shfrytëzues të ndihmës sociale në tre muajt e parë – mars, prill, maj 2020. Por kjo rritje më shumë  vjen edhe si rezultat i vendimeve nga MFT që për muajin mars, prill dhe maj 2020, janë  pezulluar  disa kritere të akteve ligore dhe nënligjore në fuqi, për shkak të situatës emergjente dhe të pandemisë COVID 19. Pas qershorit 2020 shifrat janë gati se të njëjta si para pandemisë”, ka thënë Sadiku.

Agim Imeri 58 vjeçar nga Prishtina për KosovaLive tregon se, jeta e ka shtyrë atë që të punojë rreth 21 vite me një tënd në rrugë duke shitur cigare dhe gjë sende të tjera, kohëve të fundit është ballafaquar edhe me një sëmundje të rend siç është kanceri mirëpo as kjo nuk e ka ndalur që të punoj për t’i siguruar familjes të ardhurat mujore.

Agim Imeri tregon se pensioni të cilin e merr nuk është i mjaftueshëm, andaj puna në rrugë mbetet si alternativë e vetme për të mbajtur familjen. Siç thekson ai, fitimet janë të vogla në krahasim me nevojat e familjarëve.

“Jam baba i pesë fëmijëve, prej pas lufte punoj dhe e mbaj familjen. Punoj për shkollimin e fëmijëve. E kam mundur kancerin dhe e marr një pension invalidor 75 euro kjo është një ndihmës pak por nuk del as për barna, jam ende me terapi, po duhet të punoj, me qenë e drejt është dashtë me qenë në një punë normale dhe jo këtu, nga kjo punë në muaj nuk di a dalin 150 euro fitim ndërsa në ditë maksimumi 5 euro, kjo nuk mjafton”, ka thënë Imeri për KosovaLive.

Sipas raportit të indeksit të Kombeve të Bashkuara, në botë jetojnë 1,3 miliardë persona të varfër.

Sadiku nga Ministria e Punës dhe Mirëqenies thekson se në Kosovë mbi 20 mijë familje janë më ndihmë sociale.

Familje që janë përfitues të Ndihmës Sociale janë aktualisht 24,472 familje, me 98,958 anëtarë. Ndërsa  familje me një anëtarë që janë përfitues të Ndihmës Sociale janë 1868. Ndihmë e përkohshme financiare u ofrohet familjeve të cilat i  plotësojnë kriteret dhe kushtet e përcaktuara me ligjin  bazë, nr.2003/15 për Skemën e Ndihmës Sociale  me ligjin Nr.04/L096 për ndryshim dhe plotësim e ligjit Nr. 2003/15 për Skemën e Ndihmës Sociale në Kosovë dhe me një numër të caktuar të Udhëzimeve administrative”, thotë ajo.

Siç thekson Sadiku, shuma për një anëtar të familjes në Kosovë është 60€ në muaj (minimalja) dhe 180 € në muaj për familjen 15 anëtarëshe (maksimalja).

Ajo thotë se Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale këtë vit premton dyfishimin e asistencës sociale përgjatë periudhës tetor-dhjetor.

Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale në kuadër të zbatimin të programit për rimëkëmbje ekonomike, ka marrë vendim për dyfishimin e pagesës së skemës së asistencës sociale për periudhën tetor-dhjetor 2020, e cila do të realizohet çdo muaj bashkë me pagesën e rregullt të kësaj skeme sociale. Çdo familje që konsideron së është e varfër dhe jeton në kushte të vështira ekonomike, ka të drejtë të paraqes kërkesë për Ndihmë Sociale në QPS”, përfundon ajo.

Gani Mustafa, drejtor i QPS-së – Mitrovicë e Jugut thotë se në këtë qytet janë mbi dy mijë familje përfituese të asistencë sociale.

“Përfitues  të  Asistencës  Sociale  në  Mitrovicën e Jugut  janë  të  përfshirë  gjithsej  2263 familje. Të gjithë shfrytëzuesit e ndihmës sociale duhet ti plotësojnë edhe këto kritere siç janë; Të mos kenë asnjë anëtar të familjes në marrëdhënie pune, e po ashtu nëse familja ka automjet nuk i plotëson kriteret  për të përfituar përveç nëse ka ndonjë anëtar me aftësi të kufizuara, e që automjeti nevojitet për përmbushjen e nevojave të personit me aftësi të kufizuara dhe  nuk duhet të ketë tokë në sipërfaqe mbi 50 ari”, ka thënë Mustafa.

Sipas Mustafës, shuma e ndihma sociale është si vijon: një person 60 euro, dy persona  82.50 euro, tre persona 90.00 euro, katër persona 97.50 euro, pesë perona  105.00 euro, gjashtë persona 112.50 euro, shatë persona 120.50 euro, tetë persona 127.50 euro.

Ish minatori i minierës në Kishnicë, Hafiz Gerbeshi thotë se kushtet e rënda e kanë shtyrë që të punojë në rrugë duke shitur fruta të malit. Ai aktualisht është pensionist por pensioni të cilin e merr nuk është i mjaftueshëm.

Kam qenë minator, tani jam pensioner, jetojë vetë i 6-të. Së bashku me familjen jetojmë në një banesë të cilën e kam marrë nga puna. Pensionin e kam të vogël prej 180 euro, nuk mundem të bëj asgjë nuk më dalin as për ilaçe. Me pension nuk di a të e paguaj ujin, rrymën, tatimin në prunë apo t’i ndaj për ushqim dhe veshmbathje. Në rrugë kam nis të punoj që 3 vite nga kjo punë nuk ka asgjë brenda ditës i fitoj 2 euro maksimum, nga shteti nuk ka asgjë dhe ky pension nuk është pension por social”, është shprehur Gerbeshi për KosovaLive.

Hafize Gashi dhe Sanije Krasniqi ditën e kalojnë bashkë duke kërkuar lëmoshë në Prishtinë, të dyja janë nga qytetet e ndryshme të Kosovës dhe të dyja kanë një hall atë se çfarë do t’i sjell fati i ditës. Siç theksojnë ato, është vështir të kërkosh lëmoshë në një moshë të shtyrë por nga kushtet ekonomike janë të detyrueshme.

Sanije Krasniqi 72 vjeçare nga Prizreni, aktualisht është e vetme dhe jeton në kushte të vështira. Nga shteti merr një ndihmë sociale prej 90 euro, por siç tregon ajo këto para nuk i dalin për ilaçe, obligimet tatimore e as për ushqim.

“Jam 72 vjeçare, jetoj e vetme nuk e kam askënd, jam rrit dhe tani jetoj jetim. Kam punuar 20 vite në Fabrikën e Tekstilit në Prizren por shteti ynë i ka numëruar vetëm 15 vite përvojë pune. Socialin e kam 90 euro nuk me dalin as për ilaçe, rrymë, ujë, veshje, ushqim. Ma shumë rri pa bukë se me bukë. Udhëtoj nga Prizreni në Prishtinë për të fituar diçka, e shpesh me ndodh që as pare për autobus nuk kam.”

Krasniqi shprehet kritike ndaj institucioneve shtetërore duke shtuar se shteti nuk ka bërë aq sa duhet për personat me kushte të dobëta ekonomike.

Ndërsa, Hafize Gashi, pjesëtare e komunitetit ashkali thotë se ndihma sociale nuk i mjafton as saj as familjes për jetesë.

“Kujdesem për 5 anëtarët e familjes, dal edhe kërkoj lëmoshë, me 50 euro nuk po mundem me pagu as rrymë as ujë as ushqim, jetoj në Fushë Kosovë si ndihmë sociale i kam 50 euro. Asgjë nuk dalin këto para nga shteti, shteti duhet të na ndihmoj neve sepse nuk jetohet kështu duke kërkuar lëmoshë në rrugë edhe ne kemi familje edhe ne kemi shpirt, nuk duhet ta vazhdohet kështu”, tha për KosovaLive, Hafize Gashi, banore e Fushë Kosovës.

Kjo 60 vjeçare thotë se ndihet e turpëruar kur kërkon lëmoshë dhe kur njerëzit i sjellin ushqim për të ngrenë.

“A nuk është marre që në ketë moshë të dal e të kërkoj lëmosh. Marre më vjen edhe kur ata që më njohin më japin ushqim. Shpesh këtë ushqim nuk e ha për vete, ua dërgoj fëmijëve të djalit pasi që ata e presin me pa durim për të larguar urinë”, thotë Gashi.

Njëri 13 e tjetri 6 vjeçar, vëllezërit Suad dhe Rrahim Avdullahi gjatë një interviste për KosovaLive rrëfejnë jetesën e tyre. Edhe pse të mitur, ata çdo ditë dalin dhe punojnë dhe as shkolla dhe as kushtet atmosferike nuk i ndalojnë.

Suad Avdullahu thotë se nga mëngjesi deri dikur në mbrëmje grumbullon hekurishte, kanaqe në mënyrë për t’i ndihmuar familjes.

“Prej orës 8 e mëngjesit e deri vonë në mbrëmje punoj, punoj me hekura, nuk fitoj shumë po mundona me i ndihmua familjes, sepse vetëm babai punon në mal edhe unë dua t’i ndihmoj familjes. Mundona me u ndihmu vëllezërve të mi më të vogël për ushqim dhe veshje por edhe për shkollë”, thotë Suadi.

Vëllai i tij i vogël, Rrahimi ndërkaq thotë se përveç që ndjek shkollën gjen kohë edhe për punë.

“Unë edhe shkoj në shkollë edhe punoj, unë punoj vetë… nuk më ka thënë as babi, mami edhe askush të punoj por nga kushtet e vështira më duhet të punoj”, thotë ai.

Sipas LIGJI NR. 06/L-084 për Mbrojtjen e Fëmijëve, puna e ndaluar për fëmijë – është ajo e cila dëmton sigurinë, shëndetin, moralin dhe zhvillimin psikofizik të fëmijës, si rezultat i mungesës së përvojës dhe njohurive për kryerjen e punëve dhe detyrave të punës.

Çifti nga Mitrovica, Vahide Habibi 35 vjeçare dhe Bashkim Ceraviku 52 vjeçar, aktualisht jetojnë nën qiellin e hapur, pa ushqim dhe kushte elementare për jetesë. Pa kulm mbi kokë ata kanë improvizuar një të tillë tek ura e Ibrit dhe afro dy vite janë me qëndrim aty. Sipas tyre, deri më tani shteti nuk i ka ndihmuar dhe aktualisht vazhdojnë të jetojnë tek ura në erë, shi, borë e diell.

Që dy vite jetojmë tek ura e Ibrit së bashku me bashkëshortin. Këtu edhe mundesh me jetu edhe nuk mundesh – verës e shtyn, por dimrit nëpër borë, ftoftë nuk mundesh me banu dhe jetu. Për t’u pastrua shkoj tek vëllezërit, nuk kam kulm mbi kokë, në këto kushte as kafshët nuk jetojnë. Kërkoj nga shteti një ndihmë sado pak. Deri më tani vetëm me social mbahemi dhe duke punu nga pak unë duke kërkuar lëmoshë dhe burri me hekura”, thotë Vahidja.

Kushtet e vështira, thotë ajo e vështirësojnë edhe shëndetin e saj dhe të bashkëshortit.

Jam e sëmurë nga epilepsia dhe kam terapi të shtrenjtë që nuk po mundem me u shëru. Kjo jetesë normal që më shkakton probleme të mëdha, për mu edhe për burrin është rrezik shëndeti në ketë ambient”, tha Habibi.

Ndryshe çifti i vetëm dhe pa kulm mbi kokë në Mitrovicë nga institucionet shtetërore kërkojnë ndihmë.

Ndërsa, Arton Muhaxheri, njohësh i rrjedhave ekonomike gjatë një interviste për KosovaLive ka thënë se, zhvillimi ekonomik i Kosovës ndikon drejtpërdrejt tek varfëria.

“Zhvillimi ekonomik ndikon direkt në uljen ose rritjen e mirëqenies sociale. Për ta pasur më lehtë menaxhimin e ekonomisë në Kosovë atëherë të gjitha instrumentet duhet të fokusohen në mbështetjen e sektorit privat, pa zhvillim të këtij sektori nuk do të këtë as zhvillim të qëndrueshëm ekonomik”, tha Muhaxheri në një prononcim për KosovaLive.

Muhaxheri shprehet kritik ndaj institucione shtetërore.

Natyrisht, institucionet janë përgjegjëse për rregullimin e problemeve jo vetëm në ekonomi por edhe në sfera tjera. Nëse ka vullnet zgjidhet çdo problem por deri tash nuk po shohim vullnet”, thotë ai.

Shqipdona Gashi

Pikëpamjet e shprehura në këtë publikim janë të News Agency KosovaLive dhe në asnjë mënyrë nuk mund të konsiderohen si qëndrim i Fondacionit të Kosovës për Shoqëri të Hapur.

PUBLIKIME

LAJME

THELLESISHT

DIALOG

Grantet e Prodhimit të Përmbajtjes II

Grantet e Prodhimit të Përmbajtjes II

Pesë aplikantë që paraqitën një aplikacion për “Grantet e Prodhimit të Përmbajtjes II”, Tv Tema, Internews, RTV Puls, Radio Gorazdevac dhe Besnik Krasniqi do të marrin mbështetje.

BARAZI

Womair: Informimi i grave dhe burrave për cilësinë e ajrit

Womair: Informimi i grave dhe burrave për cilësinë e ajrit

Më 19 nëntor, nga ora 10:00 deri në 12:00 në KosovaLive u mbajt ngjarja interaktive “Womair”, e cila kishte për qëllim informimin e djemve, vajzave, grave, burrave, çifteve dhe të gjithë të interesuarve, pa dallim, për mënyrat më efektive për përmirësimin e cilësisë së ajrit në hapësira të brendshme dhe të jashtme.

EDUKIM