Build Skills with our trainings

Sign up now!

Kosova ende larg pikës së dëshiruar të zhvillimit të inovacionit

Tet 21, 2020

Lorik Tolaj nga Deçani, student i Shkencave Kompjuterike në UBT, ka një ide shumë të mirë inovative, një produkt që do t’u hynte në ndihmë një grupi njerëzish. Ai ka menduar të krijojë një mini-aparat teknologjik që ndihmon personat që dëshirojnë ta lënë duhanin.

“Mini aparati do të shfaqte se sa cigare ke konsumuar gjatë ditës dhe përafërsisht kur do jetë koha e ardhshme e rikonsumimit të cigares. Kështu personi vetëdijësohet se sa herë gjatë ditës ka pirë cigare dhe në çfarë orari. Si rrjedhojë ai/ajo mund ta zgjasë intervalin kohor të konsumimit të duhanit dhe eventualisht ta evitojë pirjen e tij,” tregoi Loriku.

Ai mendon se një produkt inovativ, jo domosdosshmërisht nënkupton të krijosh diçka të re, përkundrazi, inovacioni për të nënkupton të krijosh një perspektivë të re mbi diçka që tashmë ekziston. Mirëpo, Loriku thotë se ambienti ku vepron ka bërë që ideja e tij të mbetet në letër.

“Deçani ka mbetur shumë prapa në këtë fushë, por të mos thënë krejtësisht prapa. Edhe përkundër kërkesave prej forumeve e organizatave të ndryshme, dhe premtimeve të vazhdueshme nga secili kryetar që ka udhëhequr komunën, ende mbetet problem në Deçan, dhe ato pak anvancime të bëra janë kryesisht minimale,” shtoi më tutje ai.

Ligji për Inovacion Shkencor dhe Transfer të Dijes dhe Teknologjisë i dalë nga Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë e përkufizon inovacionin si veprimtari që ndërmerret me qëllim të krijimit të prodhimeve, teknologjive, proceseve dhe shërbimeve të reja”, ndërsa produktin inovativ si “aplikim i një produkti të ri ose të përmirësuar në mënyrë të konsiderueshme”.

Të jesh një adoleshent me potencial e të mos kesh se ku t’i zhvillosh idetë e tua në komunën në të cilën jeton është më se sfiduese. Edhe pse inovacioni konsiderohet si një fushë ku shumë të rinjë e gjejnë veten, në komunën e Deçanit ende nuk ofrohet mundësia e angazhimit të të rinjëve sepse nuk ka qendër të inovacionit. Përkundër kësaj, të rinjtë si Loriku japin ide për krijmin e produkteve të reja inovative me shpresë që një ditë do të kenë ku t’i zhvillojnë ato më tutje.

Arsyet për mungesën e një qendre inovative në Deçan janë nga më të ndryshmet, por kryesore po konsiderohet mungesa e buxhetit dhe hapësirës për të ndërtuar një qendër të tillë në këtë komunë.

Bekim Vishaj, Drejtor i Drejtorisë Komunale të Arsimit në këtë komunë, thotë se mungesa e qendrave inovative vjen si pasojë e mungesës së hapësirës dhe buxhetit të nevojshëm.

Si pikë kryesore është buxheti, por jo vetëm. Mungon edhe infrastruktura, pra objekti i duhur për të ndërtuar këtë qendër sepse duhet plotësuar shumë kritere për të qenë funksionale për të rinjtë. Megjithatë, Kosova nuk qëndron mirë me posedimin e qendrave të tilla”, tha Bekim Vishaj për KosovaLive.

Vishaj shton se ka pasur projekte nga MASHT në disa shkolla të komunës së Deçanit, projekte këto që kanë pasur pikësynim kryesor inovacionin te të rinjtë.

“Kemi pasur disa trajnime për inovacion të cilat i ka mbajtur Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë në shkollën e mesme profesionale ‘Tafil Kasumaj’, shkollën fillore ‘Bajram Curri, si dhe në gjimnazin ‘Vëllezërit Frashëri’ në Deçan, projekte këto të vogla, mirëpo kam parë se të rinjtë janë shumë të interesuar dhe kuriozë për t’u marrë me to,” shtoi më tutje ai.

Raporti i Lens-it për papunësi tregon se shumë projekte biznesi që kanë qenë të përkrahura nga iniciativa donatorësh janë planifikuar të jenë të qëndrueshme, mirëpo, pas përfundimit të projektit, kanë dështuar si pasojë e mospërkrahjes.

“Pa marrë parasysh numrin e iniciativave për të krijuar inkubatorë të biznesit në gjithë vendin, ekzistojnë vetëm disa inkubatorë funksionalë, të cilët prapë nuk janë të qëndrueshëm dhe varen nga përkrahja e donatorëve.” thuhet në këtë raport.

Drejtori i gjimnazit “Vëllezërit Frashëri” në Deçan, Hamid Qorraj, thotë se një projekt inovativ që e kanë pasur në gjimnaz ka shfaqur mjaft interesim tek të rinjtë por që nuk ka qenë mjaftueshëm fitimprurës si pasojë e mungesës së stafit të kualifikuar.

“Gjimnazit, shkollës sonë i është ofruar një kabinet i TIK-ut ku ka printera 3D dhe kompjutera të rinj, por fatkeqësisht stafin e kemi jo shumë të përgatitur në mënyrë që t’u shërbejë plotësisht nxënësve, mirëpo interesimi i tyre ka qenë shumë i madh”, ka thënë Qorraj.

“Vëllezërit Frashëri” në Deçan, mendon se ndërtimi i një qendre për inovacion në Deçan është shumë i nevojshëm.

Ndërkohë, anipse ka progres me të dhënat për aktivitetet e ndërmarrësisë, ende ka mungesë të statistikave për inovacionin në Kosovë për të vlerësuar kapacitetet dhe angazhimin e të rinjëve në inovacion. Një prej anketave më të fundit, ajo e realizuar nga OECD në vitin 2013 (Anketa ) e  bërë me 153 kompani të sektorit privat, shpalos se një pjesë e madhe e këtyre kompanive e konsiderojnë veten inovative.

Ministria e Inovacionit dhe Ndërmarrësisë ka hartuar edhe Planin Strategjik për Inovacion dhe Ndërmarrësi për periudhën kohore 2019-2023 ku thuhet se është rritur buxheti në nivel qeveritar për promovimin e inovacionit dhe ndërmarrësisë, dhe se nga viti 2018 kjo ministri ka ndarë rreth 10 milionë euro në total.

Edhe Ndriçim Çekaj nga Deçani, student i master-it në Integrime Europiane dhe Administratë Publike në Universitetin e Prishtinës është i mendimit se inovacioni në këtë komunë nuk përkrahet pasi që nuk ka asnjë projekt të qendrës inovative, mirëpo thotë se ndërtimi i një qendre të tillë do t’u ndihmonte të rinjëve të këtushëm që të rrjetizohen me të rinjtë e komunave tjera përmes inovacionit.

Marrë parasysh faktin se është koha e teknologjisë dhe inovacionit, hapja e një qendre inovative do t’i ndihmonte të rinjtë e komunës sonë që t’i zhvillojnë shkathtësitë që ata posedojnë, si dhe të krijojnë një rrjetizim me të rinjtë e komunave të tjera të Kosovës por edhe të atyre jashtë vendit”, tha Çekaj.

Në Kosovë, megjithatë, ekzistojnë disa hapësira ku të rinjtë shprehin idetë e tyre të cilat më vonë i implementojnë në projekte, e kështu duke rezultuar në produkte inovative që përmirësojnë kushtet e përgjithshme apo gjendjen aktuale të shoqërisë.

Njëra nga këto hapësira është edhe Laboratori i Inovacioneve (Innovations Lab Kosovo) që funksionon që nga viti 2010 në kuadër të zyrës së UNICEF-it në Kosovë.

Laurat Raca, zyrtar për zhvillim të adoleshentëve në zyrën e UNICEF-it, tregon se qëllimi i laboratorit është që të mbështesë dhe të plotësojë nevojat e të rinjëve. Duke folur per programet më të rëndësishme në kuadër të laboratorit të inovacioneve, Raca tregon programin UpShift që ka filluar prej vitit 2014. Ky është një program i cili ka lindur në Kosovë, e pastaj është replikuar edhe në 22 shtete tjera duke e marrë si shembull të mirë të një iniciative që fuqizon të rinjtë.

Përkundër sfidave, Raca shton se ka interesim shumë të madh të të rinjëve për të qenë pjesë e këtyre programeve, dhe një ndër arsyet kryesore është që programet e tyre arrijnë tek të rinjtë nëpërmjet formave të ndryshme.

“Ndoshta ajo që na dallon neve prej të tjerëve është në përgjithësi qasja jonë, sepse përveç rrjeteve sociale, ne mundohemi të arrijmë tek të rinjtë përmes një strategjie pak më specifike në kuptimin që ne shkojmë nëpër shkolla, qendra rinore, këshille rinore e kështu me radhë”, u shpreh Raca.

Prej storieve të suksesit në kuadër të këtyre programeve mund të përmendet aplikacioni për edukatën seksuale “Shnet”, produkti “Te Pema” që gjendet në sheshin Zahir Pajaziti në Prishtinë e shumë projekte të tjera të cilat kanë kapur shifren deri 6000-7000 pjesëmarrës në baza vjetore.

Në një tryezë diskutimi të mbajtur nga Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë, u tha se universitetet janë vatra e zhvillimit dhe përparimit të inovacionit mes të rinjve. Në Universitetin e Prishtinës ekziston një qendër inovative “VentureUP” që është bashkëpunim i Universitetit të Prishtinës me USAID, dhe fokusohet në fuqizimin e të rinjve aktivë dhe që synojnë të krijojnë biznese të reja inovative përmes inkubatorit të bizneseve.

Mentor Rexhepi, drejtor ekzekutiv i VentureUP tregoi se në këtë hapësirë janë të qasur rreth 5000 studentë të Universitetit të Prishtinës ku të gjitha aktivitetet janë pa pagesë dhe janë të dizajnuara duke marrë paraysh nevojat dhe interesat e vetë studentëve për zhvillim personal profesional.

Ai mendon se përkrahja e inovacionit është e kufizuar brenda organizatave të tilla si VentureUP.

“Për fat të keq, institucionet kompetente nuk kanë investuar sa duhet për të stimuluar produktet inovative. Sidoqoftë, edhe përkundër kësaj, ka produkte inovative në Kosovë që zhvillohen nga të rinjtë dhe studentët tonë përmes organizatave që promovojnë dhe mbështesin produktet inovative sikurse është VentureUP”, ka thënë Rexhepi.

Një tjetër kompani që promovon inovacionin është edhe kompania softuerike “Kutia” e cila ka filluar në vitin 2013. Qëllimi kryesor i kompanisë është ofrimi i shërbimeve kualitative dhe funksionale për klientët e saj.

Arianit Fazliu, drejtor ekzekutiv i kompanisë tha se shkak kryesor i fillimit të kësaj kompanie ka qenë papunësia. Ai bashkë me Faton Selishtën e kishin nisur punën duke u mbështetur vetëm në forcat e tyre, e kjo tregon më së miri përkushtimin e madh për të krijuar diçka të mirë. Ai thotë se, në Kosovë, të rinjëve u ofrohen mjaft shumë mundësi mirëpo varet edhe nga individi.

“Mendoj që të rinjëve u ofrohen shumë mundësi, por gjithmonë varet prej interesimit të tyre për  të qenë të inkuadruar në inovacion, sepse gjithkush mund të jetë i mirë në këtë fushë në qoftëse ka dëshirë”, shtoi ai.

Tutje ai tregon se cilat janë përfitimet e pjesëmarrjes në aktivitete inovative.

“Angazhimi ynë në aktivitete të ndryshme ndihmon në zhvillimin e mendimit kritik si dhe mënyrën e qasjes ndaj njerëzve, sepse në një mënyrë a tjetër e gjitha lidhet me idenë se si e ‘shkrijmë’ teknologjinë me pjesë tjera të jetës”, tha ai për KosovaLive.

Arianit Fazliu, drejtor ekzekutiv i kompanisë “Kutia”, konsideron se Kosova ka punë për të bërë për të hyrë në mesin e shteteve me inovacion të zhvilluar.

Kosova ka bërë përpjekje për të zhvilluar politikën e saj të hulumtimit dhe inovacionit, thuhet në Raportin e Progresit për Kosovën i vitit 2019, mirëpo Ligji për Veprimtaritë Hulumtuese Shkencore nuk është duke u zbatuar siç duhet për shkak të mungesës së fondeve. Kjo ka bërë që Kosova të jetë në fazën e hershme të përgatitjeve për shkencë dhe hulumtime. Në fushën e inovacioneve është arritur progres i kufizuar.

“Ndaj Kosova ka shumë punë për të bërë për të arritur pikën e dëshiruar të zhvillimit të inovacionit“, thuhet më tej në Raportin e Progresit.

Në shtetet e jashtme, inovacioni është një prej fushave që i kushtohet vëmendje e madhe. Bazuar në indeksin Bloomberg, që radhit shtetet me inovacionin më të zhvilluar përgjatë viteve, për vitin 2020 shteti me inovacionin më të zhvilluar është Gjermania, duke kaluar kështu edhe Korenë Veriore e cila ka mbajtur vendin e parë për gjashtë vite rresht, ndërsa tash rradhitet e dyta në listë.

Lista pasohet nga Singapori, që vitin e kaluar ishte radhitur në vendin e gjashtë, kurse tash radhitet e treta. E katërta është Zvicra që gjatë gjithë kohës gjendet të paktën në Top 20 shtetet më të zhvilluara nga ana e inovacionit. Vendin e pestë, gjashtë dhe shtatë e mbajnë Suedia, Izraeli dhe Finlanda, për t’u pasuar nga Danimarka në vendin e tetë që është një prej tre shteteve nordike e pozicionuar mirë në këtë listë. Franca vlerësohet shumë për investime në hulumtime në kompani të ndryshme dhe zhvillimin e infrastrukturës telekomunikative, mirëpo sistemi i edukimit në raport me inovacionin nuk është në të njëjtin nivel.

Ndërkohë, ka shumë produkte inovative që janë krijuar dikur e që kanë bërë ndryshime duke ndikuar në përmirësimin e jetesës dhe aspekte tjera. Sipas një artikulli nga Mashable, në vitin 2018 shumica e aktivistëve dhe organizatave të ndryshme kanë punuar së bashku për të gjetur zgjidhje të ndryshme apo edhe të sjellin produkte të reja në treg.

Njëra nga këto është hapja e dyqanit Starbucks në Shtetet e Bashkuara të Amerikës për njerëzit që janë të shurdhër apo me vështirësi në dëgjim. Punëtorët e këtij dyqani janë të aftë të flasin në gjuhën e shenjave dhe veshin përparëse që kanë të vizatuar shenja të gishtërinjëve në to. Ata gjithashtu i mësojnë të tjerët (persona që nuk janë të shurdhër) se si të flasin në gjuhën e shenjave duke u dhënë ilustrime në tabelë.

Një punëtor duke shërbyer në një nga dyqanet e Starbucks për të shurdhër.

Një ndër inovacionet tjera më të rëndësishme konsiderohet edhe i ashtuquajturi Alexa, që supozohet të jetë asistent personal virtual, e që tash përveç kryerjes së funksioneve tjera, mund të përdoret edhe për të bërë donacione në vlerë prej 5 deri në 5,000 dollarë kudo në botë, dhe krejt kjo bëhet përmes zërit.

Në anën tjetër, është shqyrtuar edhe një platformë e cila është mjaft fitimprurëse për punëtorët që pastrojnë shtëpi. Ata zakonisht nuk kanë ndonjë përfitim pune, mirëpo  platforma  Alia  premton të ndryshojë atë për miliona njerëz, shumica e të cilave janë gra. Kjo platformë, e lansuar këtë vit nga Aleanca Kombëtare e Punëtorëve të Brendshëm (National Domestic Workers Alliance), bën të mundur që punëtorët të kërkojnë dhe të marrin kontribute nga klientët e tyre. Opsionet e përfitimit përfshijnë sigurim shëndetësor në rast të aksidenteve, pagesë edhe jashtë orarit të punës, si dhe sigurimin e jetës.

Pra, përmes kësaj platforme, klientët mund të kontribuojnë me nga 5 dollarë ekstra për çdo pastrim të shtëpisë, kështu për të ndihmuar pastruesin/en e tyre që të përfitojë më tepër nga puna.

Mirëndjellë Stojkaj

Ky artikull është shkruar në kuadër të projektit “Ngritja e Aftësisë Mediale dhe Digjitale”/”Enhancing Media and Digital Literacy”, e mbështetur nga Albany Associates.

PUBLIKIME

LAJME

THELLESISHT

DIALOG

Grantet e Prodhimit të Përmbajtjes II

Grantet e Prodhimit të Përmbajtjes II

Pesë aplikantë që paraqitën një aplikacion për “Grantet e Prodhimit të Përmbajtjes II”, Tv Tema, Internews, RTV Puls, Radio Gorazdevac dhe Besnik Krasniqi do të marrin mbështetje.

BARAZI

Womair: Informimi i grave dhe burrave për cilësinë e ajrit

Womair: Informimi i grave dhe burrave për cilësinë e ajrit

Më 19 nëntor, nga ora 10:00 deri në 12:00 në KosovaLive u mbajt ngjarja interaktive “Womair”, e cila kishte për qëllim informimin e djemve, vajzave, grave, burrave, çifteve dhe të gjithë të interesuarve, pa dallim, për mënyrat më efektive për përmirësimin e cilësisë së ajrit në hapësira të brendshme dhe të jashtme.

EDUKIM