Build Skills with our trainings

Sign up now!

Paqëndrueshmëria urbanistike po e “ngulfat” Gjilanin

Tet 24, 2020

Ndërtimet pa ndonjë planifikim dhe të ngritura në zona ku edhe kanë krijuar probleme, kanë rezultuar në kaos duke mbyllur edhe perspektivën e zhvillimit të qyteteve.

Sipas Ligjit për Ndërtim, një objekt i cili ndërtohet duhet t’i plotësojë kriteret minimale që kanë të bëjnë me mbrojtjen e shëndetit publik, sigurisë dhe mirëqenies së përgjithshme përmes rezistencës së nevojshme të strukturës së hapësirave të emërgjencës, ekuilibrit dhe stabilitetit, e të tjera.

Valton Qerimi, arkitekt nga komuna e Gjilanit, thotë se jemi duke jetuar në një vend ku çuditërisht politikat mbi arkitekturën dhe ubranizimin as që zihen në gojë edhe pse nga to varet më së shumti cilësia e jetës.

Si në çdo fushë përmirësimi fillon duke shtruar fillimisht pyetje të cilat mundësojnë indentifikimin e problemeve si parakush për të ndëruat strategji për zgjidhjen e tyre”.

Rishikimi i të gjitha dokumentëve të të gjitha niveleve duke filluar nga ai hapësinor, planet zhvillimore komunale, planet zhvillimore urbane e deri tek ato rregullative janë disa nga hapat që ai i sheh si detyra që duhen bërë patjetër dhe sa më parë.

Qerimit thotë se ajo që duhet të jetë fokus është harmonizimi i të gjithë këtyre dokumenteve në mes vete në mënyrë që të mos kenë mundësi interpretimi të dyfishtë, si në shumicën e rasteve në qytet të Gjilanit.

“Sikurse në gjithë Kosovën edhe në qytetin tonë këto probleme urbanistike janë shumë të ekspozuara dhe shfaqen shumë në kualitetin e dobët të projekteve të objekteve publike”, thotë Qerimi.

Sipas tij,  në situatën aktuale ka ndikuar edhe mungesa e trajtimit të kualitetit arkitektonik dhe të dizajnit hapësinor në kuadër të legjislacionit të ndërtimit dhe planifikimit hapësinor, por mbi të gjitha mungesa e një vullneti politik institucional për të njohur vlerën e arkitekturës dhe planifikimit hapësinor në shoqërinë demokratike.

Qerimi liston disa prej problemeve të cilat janë të paraqitura në masë të madhe në këtë komunë, e njëra ndër to pa dyshim trafiku dhe shtigjet për këmbësorët, hapësirat gjelbëruese, gjithashtu edhe parkingjet.

Ai thekson se duhet të mendojmë për një zgjidhje alternative të parkingjeneve më të mëdha qofshin ato brenda qytetit apo jashtë tij. Në të njëjtën kohë duke siguruar gjithmonë transport urban dhe duke krijuar kushte për personat që vijnë në qytet për punë apo për kryerjen e ndonjë shërbimi apo nevojave të ndryshme.

Si përfundim  – silueta urbane e Gjilanit është e degraduar dhe po shkon drejt një kolapsi në të gjitha aspektet duke filluar nga zbatimi i planit urbanistik, infrastruktura, hapesirat gjelbëruese po ashtu edhe parkingjet qe jo vetëm në Gjilan po në gjithë botën janë në krizë dhe një intervenim urgjent që ta ndalojmë të keqën, sepse në disa pjesë edhe intervenimi duket se është i pamundur”, përfundon Qerimi.

Në anën tjetër dhe Daut Dauti, ndryshe një banor jo i përhershëm i Gjilanit, pohon se sheh mjaftë parregullësi urbanistike në qytet kurdoherë që ai vjen në këtë vend.

“Ndërtimet e reja nuk duket se janë bërë sipas rregullave që kërkojnë hapësirë të caktuar gjelbërimi dhe parkim të automjeteve”, thotë Dauti ku thekson se duhet parë edhe ish-furrën e bukës të silosi, e cila është rrethuar me ndërtesa.

Ai gjithashtu thotë se kjo ndikon edhe në mbajtjen e pastërtisë në qytet sikurse edhe në infrastrukturën rrugore.

“Ndërtimin e komandon profiti e jo urbanizimi”, shprehet Dauti.

Thelbësore për cilësinë e jetës së banorëve është cilësia e infrastrukturës së një qyteti. Ajo gjithashtu përcakton qëndrueshmërinë e qytetit ndaj një numri rreziqesh globale, në veçanti rreziqeve mjedisore, sociale dhe shëndetësore, por edhe rreziqeve ekonomike të tilla si papunësia.

Disponueshmëria dhe cilësia e infrastrukturës janë në thelb të shumë prej sfidave me të cilat përballen qytetet e urbanizuara me shpejtësi në vendet në zhvillim, ndërsa nën-investimi po paraqet sfida të ngjashme në ekonomitë më të zhvilluara

Edhe pse infrastruktura në Gjilan duket paksa më e zhvilluar me projekte sidomos në qendrën e qytetit, ajo ngec sa i përket rrugëve dytësore apo alternative të cilat ose janë të dëmtuara ose gati të pakalueshme. Një shembull është rruga “Marie Shllaku”, që lidh qendrën e qytetit me rrugën qarkore, e cila është një prej arterieve kryesore të qytetit.

Instrukturja Myrvete Zenuni thotë se infrastruktura rrugore e qytetit të Gjilanit është përgjithësisht në gjendje të rregullt. Kohëve të fundit kanë filluar edhe punimet për përmirësimin e saj, por megjithatë ka edhe disa mangësi”.

Si problem ajo e sheh mungesën e asfaltimin në disa lagje të rëndësishme të qytetit, të cilat lidhin rrugët kryesore dhe kësisoji pengojnë lëvizjen e lirshme me mjete transportuese.

“Në aftësimin e kandidatëve për kategorinë B, kaosi i shkaktuar nga lëvizjet e shumta me makina ndikon negativisht në kryerjen e detyrës, sepse është ngarkesë e madhe për një person i cili fillon hapat e parë në vozitjen e mjetit”, thotë Zenuni.

Njëra prej modeleve të uljes së përdorimit të veturave në pjesë të qytetit ku ka shumë tollovi të veturave është Tarifa e Kongjestionit apo “Congestion Charge Zone“. Një tarifë e cila është e ngarkuar për shumicen e makinave dhe automjeteve motorike që drejtohen brenda zonës së ngarimit të taksave në Londër.

Prej vitit 2017 një prej zonave më të ngarkuara të Londrës, pra, pikërisht kjo pjesë vazhdon të jetë një nga zonat më të mëdha të ngarkimit të kongjestionit në botë. Përpos Londrës taksimin e kanë bërë edhe vende të tjera siç është Singapori dhe Sokholmi.

Tarifa standarde është 15 funta, çdo ditë nga ora 07:00 e mëngjesit deri në 10:00 pasdite. E ata të cilët nuk i binden pagesës së kësaj takse mund të dënohen me një gjobë prej 65 dhe 195 paund.

Sa më i lartë të jetë numri i automjeteve në rrugë, kemi nivele më të larta të ndotjes së ajrit dhe zhurmës. Veturat janë një nga burimet më të mëdha të ndotjes në planet. Automjetet që lëvizin më ngadalë shkaktojnë më shumë ndotje sesa makinat që lëvizin me shpejtësi në autostradë.

Mbajtja e një shpejtësie konstante zakonisht djeg pak a shumë një sasi konstante karburanti. E në anën tjetër, nximi dhe frenimi i vazhdueshëm është fajtori kryesor dhe zakonisht çon në më shumë ndotës që pompohen në ajër. Mbingarkesa e trafikut krijon gjithashtu nivele të larta të zhurmës dhe trafik të zgjatur.

Me reduktimin e përdorimit të makinave private,  si rezultat, zvogëlohen shpenzimet e karburantit, ulen nivelet e zhurmës në zonat urbane të mbushura me njrëz, zvogëlohet emetimi i gazit në atmosferë dhe përmirësohet përdorimi i këmbësorëve në hapësira publike.

Të gjitha këto efekte të ndotjes së ajrit nga makinat janë të konsiderueshme për njerëzit që jetjonë në rajone urbane. Nivelet e larta të oksidit të azotit janë të rrezikshme për njerëzit. Dioksidi i karbonit kontribuon në ndryshimin e klimës dhe dioksidi i squfurit shkakton shi acid. Këta ndotës gjithashtu dëmtojnë funksionin e mushkërive, veçanërisht te fëmijët dhe të rriturit që vuajnë nga astma.

Se sa e rëndësishme është infrastrktura tregon edhe vlerësimi që OECD (Organizata për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ekonomik). Kjo organizatë vlerëson se qeveritë do të duhet të shpenzojnë afërsisht 71 trilionë dollarë deri në vitin 2030 për të siguruar infrastrukturë të përshtatshme globale për energji elektrike, transport rrugor dhe hekurudhor, telekomunikacion dhe ujë. E gjitha kjo të bëhet në mënyrë që të mos ekzistojë rreziku që infrastruktura të mos ecë në hap me rritjen e tyre.

Uranik Emini

Pikëpamjet e shprehura në këtë publikim janë të News Agency KosovaLive dhe në asnjë mënyrë nuk mund të konsiderohen si qëndrim i Fondacionit të Kosovës për Shoqëri të Hapur.

PUBLIKIME

LAJME

THELLESISHT

DIALOG

Grantet e Prodhimit të Përmbajtjes II

Grantet e Prodhimit të Përmbajtjes II

Pesë aplikantë që paraqitën një aplikacion për “Grantet e Prodhimit të Përmbajtjes II”, Tv Tema, Internews, RTV Puls, Radio Gorazdevac dhe Besnik Krasniqi do të marrin mbështetje.

BARAZI

Womair: Informimi i grave dhe burrave për cilësinë e ajrit

Womair: Informimi i grave dhe burrave për cilësinë e ajrit

Më 19 nëntor, nga ora 10:00 deri në 12:00 në KosovaLive u mbajt ngjarja interaktive “Womair”, e cila kishte për qëllim informimin e djemve, vajzave, grave, burrave, çifteve dhe të gjithë të interesuarve, pa dallim, për mënyrat më efektive për përmirësimin e cilësisë së ajrit në hapësira të brendshme dhe të jashtme.

EDUKIM