Sipas organizatës HealthyWomen, menstruacionet janë një funksion biologjik rutinë, si gjumi ose frymëmarrja. Më shumë se 800 milionë vajza dhe gra e përjetojnë atë në secilin muaj.
Megjithatë, në një studim të fundit në SHBA, 62% e grave dhe 59% e burrave e përshkruan “të turpshme për të folur në lidhje me menstruacionet”, dhe vetëm 60% (e burrave dhe grave) e konsiderojnë të pranueshme.
Sipas aktivistes për të Drejtat e Grave, Leonida Molliqaj, shumë gra anëmbanë botës ende ballafaqohen me mungesë të informacioneve shëndetësore e shpesh edhe të produkteve menstruale.
“Ështe shqetësuese se si kjo çështje nuk merr trajtimin e duhur për faktin se prekë vetëm gratë. Menstruacionet nuk duhet të shihen as si të turpshme e as si probleme personale të grave, duhet të trajtohen në nivelin e shëndetit publik’, u shpreh ajo.
Por, në vendin tonë duket që është një problem edhe më i theksuar, meqenëse, informacionet janë bazike sa i përket ciklit menstrual.
Për njohuritë e kufizuara rreth ciklit menstrual nga gratë dhe vajzat në Kosovë, është pajtuar edhe Prof.As.Dr.Vlora Ademi Ibishi, gjinekologe obstetër.
“Njohuritë rreth ciklit menstrual janë të kufizuara në moshën mesatare se kur duhet të paraqitet menstruacioni i parë që në terminologjinë mjekësore njihet si menarche dhe në kohëzgjatjen e ciklit menstrual, përkatësisht paraqitjen e menstruacionit përafërsiht çdo muaj”, shprehet Ademi Ibishi..
Sipas UNESCOS, dy në tre vajza në disa vende nuk e kanë idenë se çfarë po ndodh me trupin e tyre kur fillojnë menstruacionet. Këto janë disa nga arsyet pse ekziston një nevojë urgjente për edukim cilësor gjithëpërfshirës seksual (CSE).
Këtë e pohon edhe Vlora Ademi Ibishi, e cila thotë se mungojnë njohuritë sa i përket ndryshimeve fizike, psiqike dhe emocionale të cilat ndodhin te vajzat e reja veçanërisht gjatë dekadës së dytë të jetës e që i shoqërojnë ciklet e para menstruale.
“Njohuritë rreth ciklit menstrual janë kryesisht informata të përcjella nga nëna, motra apo edhe informacione të marra përmes mediave elektronike e të cilat nganjëherë edhe vështirë kuptohen drejtë për shkak të terminologjisë mjekësore”, thotë ajo.
Ndërsa, sipas gjinekologes tjetër, Aida Kumnova, në informimin e ciklit menstrual kanë ndikuar edhe rrjetet sociale.
“Rrjetet sociale kanë ndikuar shumë pozitivisht në disa aspekte te informimit të vajzave dhe grave për problemet të cilat i kanë.”, tregon ajo.
Edhe Medina Ahmeti, 23 vjeç, nga Prishtina tregon se informacionet rreth ciklit menstrual i ka marrë nga familja përkatësisht nga nëna. Kurse, shkolla e ka informuar pak ose thuajse fare në këtë aspekt.
Sipas, Leonida Molliqaj, shëndeti seksual dhe riprodhues i grave, jo vetëm në Kosovë, është temë tabu.
…”mirëpo duke qenë në një shoqëri tradicionale dhe patriarkale, funksioni i gruas, përkatësisht trupit të saj dhe funksionit të saj në shoqëri dhe familje ështëi determinuar në biologji. Kjo temë është shumë e ndërlidhur me aspektin privat, rrjedhimisht mbetet e errësuar si çështje. Cikli jo vetëm që nuk trajtohet, atij i ulet toni kur e themi me zë”, tha ajo.
Edhe Ahmeti vetë është e hapur që të flasë rreth kësaj teme, sepse e konsideron si temë shumë të rëndësishme dhe tejet të ndjeshme për gjininë femërore. Por, prapë e mendon si temë tabu.
“Është temë tabu sepse ende nuk kemi arritë në shkallën ku gjinia femërore vlerësohet për atë që është, ende nuk ka barazi gjinore dhe kërkohet emancipim shumë më shumë se kaq”, shprehet ajo.
Edhe Altina Marmullaku, 20 vjeç, tregon se informacionet e para rreth ciklit menstrual i ka marrë fillimisht në rrethin familjar
“…mirëpo mëvonë për këtë çështje kemi diskutuar edhe në shkolla por me informacione të rezervuara, pasi asnjëherë në shkollat tona nuk kemi informacione të mjaftueshme lidhur me këtë temë. Kjo temë sqarohet në një farë mënyre nga mësimdhënësit tonë vetëm për shkak se është pjesë e planprogramit, mirë po asnjëherë nuk informohemi aq sa duhet nga shkollat lidhur me ciklin menstrual.”, thotë Marmullaku.
Sipas, aktivistes, Molliqaj, shoqëria nuk është fare e informuar rreth ciklit menstrual.
“ Duke u konsideruar si temë e grave, cikli menstrual fare nuk diskutohet as në familje e as në publik. Por problemi nuk qëndron vetëm këtu. Duke qenë zakoni në bashkëjetësë me ligjin dhe sistemin ekonomik e shoqëror, informimi është absolutisht i pamjaftueshëm”, shprehet ajo.
Ndësa, Altina shprehet se nuk bën vizita të shpeshta te gjinekologu për shkak se nuk ka probleme me ciklin menstrual. Por, mendon se në shumicën e rasteve ndodh ngurrimi nga ana e vajzave apo grave që të vizitojnë gjinekologun për problemet që kanë me cikël menstrual.
“….kjo ndodh për shkak të paragjykimeve të rrethit shoqëror në të cilin jetojmë por edhe për shkak të mungesës të temës së edukimit seksual në institucionet arsimore”, thotë ajo.
Sipas, gjinekologes, Aida Kumnova, vajzat dhe gratë vizitohen tek gjinekologu rrallë.
“…vetëm nëse kanë ndonjë problem me mungesë të ciklit menstrual (oligomenorhea) ose nëse kanë cikël të shpeshtë menstrual (Hipermenorhea ) dhe nëse kanë sasi të madhe të ciklit menstrual që në disa raste dinë të shkaktoj edhe anemi të vajzave dhe grave (menometrorrhagia )”, shprehet ajo.
Bazuar në përvojën e saj klinike mbi dhjetë vjeçare si gjinekologe, Ibishi thotë se vajzat e reja nuk vizitohen te gjinekologu për të marë informata edukative rreth ciklit menstrual, për të kuptuar cka është normale apo çrregullim apo edhe për rëndësinë e kujdesit dhe higjienës gjatë menstruacioneve.
“Zakonisht vajzat e reja të shoqëruara nga nëna vizitohen te gjinekologu për arsye të çrregullimeve të ciklit menstrual, pasi që manifestimi klinik i çrregullimit është i shprehur si në formë të lodhjes, molisjes, anemisë së rëndë aq sa në disa raste është e nevojshme edhe administrimi i gjakut dhe produketeve të gjakut me qëllim të korigjimit të anemisë. Krejt kjo ndodhë për shkak të mungesës së njohurive rreth sasisë normale të gjakderdhjes menstruale”, shprehet ajo.
Shoqata per Edukimin dhe Kujdesin Familjar, ka mbajtur nje takim me 35 nxënëse të klasave të 8-ta dhe 9-ta të shkollës fillore “Shaban Lipovecaj”, në Gjakovë. Gjatë këtij takimi u diskutuan edhe tema që ishin në interes të studenteve vajza, siç është cikli menstrual; vajzave të reja iu ofrua mundësia për të zhvilluar konsulta dhe biseda me gjinekologë.
“Kjo është hera e parë që ne ligjërohemi për këto tema dhe se gjatë këtij takimi ne kemi mësuar shumë për shëndetin e riprodhimit”, tha njëra nga studentet.
Në fillim të ligjëratës, kur tema u prezantua, ajo ishte ndier e ndrojtur se mund të diskutonte rreth këtyre temave vetëm me nënën, motrën ose shoqet e saj dhe jo në prani të shumë vajzave.
Sipas, helloclue.com, kur flasim për cikël menstrual, nuk e emërojmë si të tillë, por përdorim eufemizma. Ato shërbejnë për një qëlllim – eufemizmat na japin fjalë për të folur për gjëra që konsiderohen tabu nga ana kulturore.
Marmullaku thotë se përdorimi i fjalëve si cikël menstrual, periodat mujore nuk po përdoren nga shoqëria jonë pasi që po zëvendësohen nga termat më të llojllojshem, në një farë mënyre që të mos kuptohet se për çfarë çështje jemi duke diskutuar, dhe në një hapësirë publike po ndodh përdorimi i termave nga më të ndryshmit.
“Mirëpo kjo ndodh edhe për shkak të tabusë në shoqërinë tonë ndaj kësaj teme. Diskutimet në publik rreth ciklit menstrual vazhdojnë të jenë të papranueshme jo vetëm për kategorinë e ultë apo të mesme të shoqërisë kosovare, mirëpo edhe për vetë klasën më të lartë të shoqërisë siç janë institucionet akademike dhe politikëbërëse”, shprehet ajo.
Gjinekologia Kumnova konsideron se sa i përket tabusë rreth ciklit menstrual, nuk përfshihen të gjitha vendet.
“Te vajzat ndoshta që jetojnë në vendet rurale mund të jetë tabu, por nuk mund t’i përfshijë të gjitha vendet rurale sepse viteve të fundit ka shumë ngritje dhe emancipim edhe në atë pjesë”, thotë ajo.
Tabutë e zakonshme lidhur me ciklin menstrual përfshijnë idenë se vajzat dhe gratë janë të papastra, të ndyra, ose mëkatare përderisa janë me menstruacione. Në realitet, gjaku menstrual është i njëjtë me çdo lëng tjetër. Në të gjithë botën, gratë dhe vajzat përballen me izolim, turp dhe rrezik për shkak të keqinformimit dhe stigmës rreth periudhave të tyre.
Gjinekologia Ademi Ibishi thotë se në qasjen ndaj çrregullimeve të ciklit menstrual një rol të madh luajnë edukimi, shkollimi por edhe pavarësia ekonomike e gruas. Në shoqërinë tonë, sipas saj, kjo temë vazhdon të mbetet tabu si pasojë e faktorëve socio-kulturor.
“Edukimi shëndetësor në shkolla, emisionet në media me të cilat përcillen këshillat nga profesionistët shëndetësor rreth kësaj teme, involvimi i vajzave dhe të rejave ku ato do të mund të parashtronin pyetjet rreth shqetësimeve të tyre do të ndihmonin që kjo temë të mos ishte tabu bashkë me pasojat kur bëhet fjalë për crregullimet e ciklit menstrual”, thotë Ademi Ibishi.
Kurse Ahmeti, tregon se sa i përket gjinisë së kundërt, gjërat kanë filluar të ndryshojnë, në krahasim me të kaluarën.
“Burrat tani kanë informacione më shumë, sepse ka filluar të kalojë në temë të rëndësishme pasi që si e tillë duhet të cilësohet. Burrat e gjeneratës time e kanë cilësuar temë tabu dhe shpesh kanë banalizuar me të”, shton ajo.
Edhe E.L 21 vjeç, nga Gjilani, mendon që është temë që nuk flitet mjaftueshëm dhe se burrat kosovarë nuk janë të informuar sa duhet.
“Për arsye të mënyrës që na edukojnë në shkollë dhe familje, kjo temë besoj se shihet si diçka që nuk duhet të flitet në prani te meshkujve”, shprehet ai.
Turpërimi i një gruaje për cikël është njëjtë si të turpërosh dikë që pin ujë, ndoshta nuk është një shembull përfekt, por të paktën tregon që është pjesë e natyrës njerëzore dhe askush nuk mund t’i kontrollojë.
Viola Korça
Për autorin/en:
Viola Korça, është studente e vitit të tretë, në Departamentin e Gazetarisë, në Universitetin e Prishtinës “ Hasan Prishtina”. Ajo ka qenë pjesë e Kosovalive, në kuadër të programit “Internship & Mentorship 2”. Ajo ka pasur disa përvoja në portale të ndryshme, që e kanë ndihmuar shumë në aftësimin e saj profesional. Por, të ardhmën e saj e sheh në televizion.
Ky artikull është shkruar në kuadër të projektit “Promovimi i Edukimit Medial dhe Forcimi i Gazetarisë së Pavarur në Ballkanin Perëndimor”, i cili realizohet me fonde të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Mbretërisë së Bashkuar përmes British Embassy Pristina dhe #AlbanyAssociates.
Përmbajtja e këtij botimi është përgjegjësi vetëm e autorit dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Mbretërisë së Bashkuar.