Build Skills with our trainings

Sign up now!

COVID-19 vetëm sa i shtoi sfidat në punësimin e grave

Tet 28, 2020

Viti 2020 deri më tani ka qenë përplotë të pa pritura dhe sfida, të cilat vetëm se kanë shtuar brengat dhe problemet e shoqërisë kosovare. Në një shoqëri ku ende frymon patriarkalizmi, gratë janë të parat që preken nga ndodhitë që kolapsojnë ekonominë dhe fushat e tjera.

Pandemia e cila perfshiu botën u bë edhe një nga sfidat e radhës për punësimin e grave në Kosovë.

Besnike Arifi, e cila u largua nga dy punët ku ajo po punonte, si koordinatore në teatrin “Faruk Begolli”në AAB, dhe si gastronome në “Zone Club”, tash e gjashtë muaj është e pa punë, pasi që kontrata në teatrin e AAB i përfundoi në fillim të pandemisë, ndërsa lokali ku ajo po punonte si gastronome u mbyll për shkak të virusit Covid-19.

Në mars kur na mbyllën për shkak të pandemisë, në të dyja punët ku isha aktive, si koordinatore në teatrin ‘Faruk Begolli’ dhe në gastronomi, në ‘Zone Club’, u largova nga puna. Në teatrin e AAB-së  unë kisha kontratë pune, por fatkeqësisht ajo mbaroi në fillim të pandemisë, pasi nuk dihej se çfarë po ndodhte dhe ende nuk dihet se çfarë do të ndodhë me teatrin, ndërsa në gastronomi u largova, ngase lokali ku punoja nuk po funksiononte më“.

Që në fillim të përhapjes së pandemisë numri i të pa punëve është rritur dukshëm: vetëm në muajin prill 2020, Agjencia e Punësimit ka regjistruar gjithsej 32,377 punëkërkues të rinjë. Kjo ka bërë që numri i punëkërkuesve të regjistruar për periudhën janar-prill 2020 të shkojë në 37,392. Gati gjysma e tyre – 16,820 janë gra.

Që prej shpalljes së pandemisë nga Organizata Botërore e Shëndetësisë, është evidentuar rritje e dhunës në familje, me shumicë absolute të grave si viktima, rritje e papunësisë që në shkallë të gjerë prek gratë, rritje e barrës së përkujdesjes për familjen dhe punët e shtëpisë.

Në institutin Demokracia Për Zhvillim, theksojë nevojën e domosdoshme për hartimin e një plani emergjent për përballimin e pasojave ekonomike të Covid-19 për gratë. Marrë parasysh që shumica e grave të punësuara janë aktive në sektorin privat, kriza tashmë e ndjerë ekonomike, me shumë mundësi do të rezultojë me humbje masive të vendeve të punës për gratë.

Ndër të tjera, të dhënat tregojnë se me normë tejet të ulët të punësimit të grave (13%), joaktivitet enorm në treg të punës (79%), me një në tri gra të punësuara në sektor privat pa kontratë pune, si dhe me vetëm 11% të bizneseve të grave, si dhe me mosadresimin e sfidave të grave në fuqinë punëtore tashmë të goditur nga pandemia, mund të shkaktohen dëme të mëdha vështirë të riparueshme.

Në 15 masat në Pakon Emergjente Fiskale për zbutjen e rreziqeve të papunësisë të prezantuara në fund mars 2020 nga Qeveria e Kosovës, sfidat specifike në (mos)punësimin e grave nuk u identifikuan. Përgjigje gjinore nuk mori as çështja e lejes së lehonisë për gratë shtatëzëna dhe ato lehona.

Duke marrur parasysh mungesën e drejtësisë sociale dhe barazisë gjinore në vend, mosaktiviteti i grave në tregun e punës lidhet zakonisht edhe me obligimet për përkujdesjen familjare. Situata ekzistuese me ngecje ekonomike, mbyllje të shkollave, punë nga shtëpia dhe distanca sociale, bën që COVID-19 të rrezikojë seriozisht mirëqenien e grave në Kosovë, ku ka vështirësi të kosiderueshme ekonomike, rreziqe më të mëdha të dhunës në familje, qasje të kufizuar në shërbimet publike dhe vështirësi për të rifilluar tregun e punës.

Liridona Sijarina, nga Qendra Kosovare për Studime Gjinore rendit disa nga arsyet për  numrin e madh të grave të pa puna në periudhën e pandemisë.

“Sipas statistikave të dala nga AKS numri i të papunëve është rritur. Sa i përket grave të cilat mund të humbasin punën më lehtë është për shkak se ato janë të koncentruara më shumë në sektorë të ndjeshëm ku edhe paguhen keq, po ashtu edhe gratë të cilat janë të vetëpunësuara është dashur të mbyllin lokalet për shkak të situatës me pandeminë, por shumica e grave janë edhe pa kontratë pune e që e bënë të lehtë largimin nga puna.

Sipas të dhënave të institutit Riinvest t rreth 19 për qind e grave të punësuara nuk kanë kontratë pune me punëdhënësin e tyre aktual, nga të cilat më shumë se 81 për qind janë të punësuara në sektorin privat.

Më 8 mars të këtij viti, Agjencia për Barazi Gjinore në bashkëpunim me ish-kryeministrin Albin Kurti, e shënoi Ditën Ndërkombëtare të Gruas përmes amandamentimit të Kornizës Ligjore për Mbrojtje nga Dhuna në Familje, si dhe prezantimit të draftit final të Programit të Kosovës për Barazi Gjinore.

Në lansimin e këtij projekti, ish-kryeministri theksoi se gjendja e gruas në shoqërinë kosovare vazhdon të jetë e rëndë duke shtuar se gratë e kanë gradën më të lartë të shkollimit në Kosovë, por më të ultë sa i përket punësimit.

Edhe pse para pandemisë në Ballkanin Perëndimor Kosova ishte vendi me rritjen më të madhe të punësimit, megjithatë kishte ende një sasi të madhe fuqie punëtore të pashfrytëzuar.

Ky potencial ekonomik i pashfrytëzuar, sipas ish-kryeministrit Kurti, janë gratë. Duke folur për lëndën e re, e cila për bazë ka ekonominë dhe barazinë gjinore, tha se është alarmuese që 80 për qind e grave janë jashtë tregut të punës në Kosovë, por megjithatë ato nuk pushojnë por janë duke menaxhuar të gjitha shpenzimet e familjes e duke punuar punët e shtëpisë:

Mbi 80 për qind e grave i kemi pasive në treg të punës. Kjo është alarmuese sepse ato janë potencial i pashfrytëzuar ekonomik. Ato janë jashtë punësimit por nuk janë duke pushuar, janë duke menaxhuar të gjitha shpenzimet e familjes e duke punuar punët e shtëpisë...Ne nuk mund të ecim përpara pa zhvillimin e kapitalit njerëzor. Pa barazinë gjinore e humbasim demokracinë”, kishte deklaruar ai.

Mirëpo, mbetja pa punë nuk është e vetmja sfidë për gratë në këtë periudhë, problem tjetër është edhe koncentrimi i grave në sektore të ndjeshme të punës, ku lehtë mund të largohen nga puna, pastaj diskriminimi gjinor, si dhe mungesa e njohurive se ku të adresojnë ankesat për padrejtësitë dhe pakënaqësitë e  tyre në vendin e punës.

Kur është fjala te pagat, gratë janë të pozicionuara në ato vende pune që shihen si më pak të rëndësishme, dhe kjo bënë që me automatizëm të paguhen më pak. Mirëpo, ndodh që gratë dhe burrat mbajnë pozita të njejta në punë, por që pershkrimi i kontratës nuk është i njejtë, dhe shihet si faktor tjetër i diskriminimit në punë. Gratë si kategori e veçantë e diskriminimit në punë, nuk është që raportohet shumë. Në një hulumtim që unë kam bërë më herët, del që ka shumë pak raste të evidentuara në institucione publike që gratë ose edhe burrat, kanë pohuar të jenë diskriminuar për shkak të gjinisë së tyre, por më i lehtë-evidentueshëm është pushimi i lehonisë dhe është diçka që ligji sanksionon goxha mirë”, thotë Liridona Sijarina.

Për më tepër, ajo thekson se shkeljet e të drejtave në vendin e punës nuk raportohen edhe për shkak të frikës nga varfëria si dhe besimit jo të plotë në institucione:

„…Mirëpo, shkelje si: mohim i pauzës, orare të tejzgjatura dhe kushte të kqija të punës, nuk është që raportohen. Kjo pak a shumë ka faktorë strukturor, duke marrë parasysh që nuk kemi kultivuar besimin në institucione dhe nuk është që i njohim të drejtat tona, andaj edhe nuk reagojmë, apo nuk dimë edhe ku t‘i adresojmë ato. Por, në anën tjetër edhe institucionet janë misogjeniste dhe nuk i marrin me seriozitet ankesat e grave, sidomos edhe gjatë një periudhe si kjo ku gratë i kanë frikën edhe varfërisë.“

Zëvendës-kryeinspektori për Marrëdhënie Pune, Murat Vokshi thotë se nuk ka pasur rritje të ankesave në vendin e punës nga ana e grave gjatë pandemisë, duke marrur parasysh edhe largimin nga puna dhe qëndrimin në shtëpi si masë mbrojtëse nga Covid-19. Parregullësitë gjatë inspektimit kanë qenë kryesisht mosrespektimi i masave të vendosura nga qeveria.

“Nga 2241 inspektime gjatë periudhës së pandemisë, parregullësitë në vendin e punës kanë qenë kryesisht mos zbatimi i vendimeve të qeverisë, mirëpo nuk ka pasur rritje të numrit të ankesave nga gratë, kjo ndoshta duke marrë parasysh edhe largimin nga puna dhe qëndrimin në shtëpi, për shkak të pandemisë. Kryesisht ka pasur pyetje drejtuar inspektoriatit në lidhje me subvencionet e qeverisë në kohën e pandemisë”.

Ajshe Halilaj, qytetare e Prishtinës, thotë se pandemia ka pasur një ndikim negativ në gjendjen ekonomike të grave, duke marrë parasysh obligimet shtesë apo përkujdesjen ndaj familjes:

„Unë mbeta pa punë për gjashtë muaj dhe ka qenë periudhë goxha e vështirë, sidomos për neve grave kur dihen edhe obligimet shtesë tonat siç është përkujdesi ndaj familjes

Ajo thotë se do të dëshironte të kërkonte kompensim financiar nga institucionet, por njohuritë e pamjaftueshme se ku të adresojë këtë çështje, si dhe pabesueshmëria në institucione bënë që të mos ndërmarrë një hap të tillë:

„Unë do të doja të bëja ankesë në institucione për kompensim të dëmit financiar që na ka shkaktuar pandemia, mirëpo nuk po e dimë se ku të drejtohemi, por edhe nëse ankohemi nuk është se po merremi parasysh për gjendjen tonë ekonomike”.

Edhe Sanije Kosumi, qytetare e Prishtinës thotë se papunësia është rritur më shumë te gratë dhe se ajo mbeti për dy muaj pa punë, por për fat të mirë u rikthye sërish.

Ka qenë periudhë e keqe, ku të gjithë mbetëm pa punë, por mendoj se papunësia është rritur më shumë te gratë. Pasi u ktheva në punë, shumë shoqe të mia filluan të kërkojnë nga unë që t‘iu gjej një vend pune“

Adelina Tërshani nga Rrjeti i Grave të Kosovës, pohon se shumica e grave përveç që nuk kanë besim në institucione dhe nuk e dinë se si të raportojnë shkeljet e të drejtave të tyre, si ne vendin e punës ashtu edhe në raste të tjera, nuk kanë njohuri edhe për ekzistimin e organizatave të cilat i adresojnë çështjet e tyre te institucionet.

„Gratë nuk po u besojnë institucioneve sidomos kur vjen puna te raportimi i padrejtësive në vendin e punës sepse frikësohen që nuk kanë me gjetë mbështetje, por edhe gratë që raportojnë dhunën në familje shumë shpesh thonë që po vijmë direkt te ju, sepse po ju besojmë më shumë. Por shqetësuese është edhe fakti që një numër i madh i grave nuk e dijnë se ekzistojnë organizata të tilla që mbështesin gratë, i orientojnë dhe  bashkëpunojnë me to për të drejtat e tyre”

Në një analizë të bërë nga Instituti Riinvest thuhet se gratë kanë më shumë gjasë të marrin pjesë në punë të paqëndrueshme apo në ekonominë jo-formale, të punojnë në punë që nuk janë në përputhje të plotë me praktikat e legjislacionit të punës, apo të punojnë në punë të ndjeshme.

Në një kontekst më të përgjithshëm, punësimi i pasigurt përfshin të gjithë ata që punojnë pa kontrata, paguhen nën pagën minimale, ndaj të cilëve nuk aplikohen dispozitat ligjore të punës – siç janë pushimet e paguara apo pushimi mjekësor, si dhe nuk paguhen për punë jashtë orarit. Për më tepër, të punësuarit në punë të paqëndrueshme ballafaqohen me mungesë të mbrojtjes në punën e tyre, si dhe përballen me kushte të vështira.

Edhe pse, pandemia nuk është sfida e vetme që vështirëson gjendjen ekonomike dhe të përgjithshme të grave, faktorët e tjerë socio-kulturorë që nuk janë ç’rrënjosur ende në shoqërinë tonë siç janë: korrupsioni, diskriminimi ndaj grave, ngacmimi seksual në vendin e punës, bëjnë që të gjejnë terren më të pershtatshëm në kohën e pandemisë, dhe të vështirësojnë reagimin dhe raportimin e rasteve të tilla nga gratë në institucionet relevante.

“Pandemia nuk duhet të shihet si arsyetim i çdo padrejtësie ndaj grave ashtu sikurse edhe rritja e dhunës ndaj grave në këtë kohë, mirëpo dukuri të tilla si: papunësia e grave në nivel alarmues, rritja e dhunës ndaj grave, shkelja e të drejtave në vendin e punës, janë më së evidente në këtë kohë”, thotë Adelina Tershani.

Ndërkaq, sa i përket raportimit të shkeljeve në vendin e punës, ajo thotë se në institucione relevante nuk gjejmë raportime të stilla siç ndodhen në intervistat tona me gra për organizatën „Rrjeti i Grave”

„Nëse marrim për bazë institucionet mund të marrim me mend që shkelje të të drejtave në vendin e punës ndaj grave nuk ndodhin, e kjo si pasojë e asaj që nuk raportohet, mirëpo nepër intervistat tona me gra gjejmë shkelje të ndryshme të të drejtave në vendin e punës siç janë: pushimi i lehonisë, ngacmimi seksual, pastaj dikriminimi për tu ngritur në detyrë, pastaj raste kur janë paguar me pagë më të ulët  prej kolegut burrë edhe pse e kanë kryer të njëjtën punë.”

Mosqasja në tregun e punës, shpie më lehtë në dhunë  ekonomike ndaj grave siç janë përjashtimi nga ekonomia e përbashkët familjare, dëmtimi i pronës, apo kërcënimi për ta shkatërruar atë; shkaktimi i ndjenjës së frikës për mirëqenien ekonomike.

Në një periudhë të krizës globale si kjo, nëpër të cilën po kalon e tërë shoqëria, Besnike Arifi inkurajon të gjitha gratë që të mos heshtin përballë padrejtësive por,  po ashtu shpreson në dhënien e mundësive nga institucionet për ta kapërcyer këtë gjendje:

Unë i sugjeroj të gjitha gratë që të mos heshtin, por të flasin e të kërkojnë të drejtën e tyre për të mbijetuar në një vend që besoj se të gjithë e duam, dhe kërkoj që vendi ynë dhe institucionet të mos na bllokojnë por të hapin rrugë e të na japin mundësi jo vetëm si gra, por edhe si njerëz, sepse të gjithë kemi kontribuar për këtë vend”.

Meqenëse, besimi në institucione nga ana e grave është shumë i cekët, por edhe institucionet  nuk kanë arritur ende të mbjellin këtë besim te gratë me punën e tyre, Tërshani u bënë thirrje grave që të bashkëpunojnë me organizatat siç është “Rrjeti i Grave”, si dhe shumë organizata të tjera të cilat i adresojnë çështjet që kanë të bëjë me të drejtat e grave:

Kemi mbi 150 organizata që bëjnë punë lokale pra që punojnë me komunitetin e vetë, kjo për  faktin që kanë mundësi më shumë me gjetë raste në vendin ku ato jetojnë , sesa qe e dimë ne nga Prishtina se çfarë ndodhë në vendet tjera në Kosovës, pra iu bëjë thirrje grave që për çfarëdo lloji padrejtësie, apo ankese që kanë për ta adresuar tek institucionet por që nuk kanë motivin e plotë për shkak të mos besimit në institucionet, le të bashkëpunojnë me organizatat e tilla siç është Rrjeti i Grave e te tjera, pasi do të gjejnë  mbështetjen e plotë.”

Jetlirë Ademi

r autorin/en:

Jetlira Ademi është studente e vitit të dytë në Departamentin e Gazetarisë në Universitetin e Prishtinës „Hasan Prishtina“. Ajo ishte pjesë e programit „Internship & Mentorship 2” në KosovaLive. Jetlira është e interesuar për gjithçka që lidhet me gazetarinë, por më shumë çështjet socio-kulturore, si dhe ato që kanë të bëjë  me të drejtat e njeriut.

Ky artikull është shkruar në kuadër të projektit “Promovimi i Edukimit Medial dhe Forcimi i Gazetarisë së Pavarur në Ballkanin Perëndimor, i cili realizohet me fonde të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Mbretërisë së Bashkuar përmes British Embassy Pristina dhe #AlbanyAssociates.

Përmbajtja e këtij botimi është përgjegjësi vetëm e autorit dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Mbretërisë së Bashkuar.

PUBLIKIME

LAJME

THELLESISHT

DIALOG

Grantet e Prodhimit të Përmbajtjes II

Grantet e Prodhimit të Përmbajtjes II

Pesë aplikantë që paraqitën një aplikacion për “Grantet e Prodhimit të Përmbajtjes II”, Tv Tema, Internews, RTV Puls, Radio Gorazdevac dhe Besnik Krasniqi do të marrin mbështetje.

BARAZI

Womair: Informimi i grave dhe burrave për cilësinë e ajrit

Womair: Informimi i grave dhe burrave për cilësinë e ajrit

Më 19 nëntor, nga ora 10:00 deri në 12:00 në KosovaLive u mbajt ngjarja interaktive “Womair”, e cila kishte për qëllim informimin e djemve, vajzave, grave, burrave, çifteve dhe të gjithë të interesuarve, pa dallim, për mënyrat më efektive për përmirësimin e cilësisë së ajrit në hapësira të brendshme dhe të jashtme.

EDUKIM