Build Skills with our trainings

Sign up now!

Nepotizmi ulë numrin e studentëve në universitetet publike

Nën 13, 2020

Të studiosh në universitete shtetërore apo kolegje private kjo është çështje e kamotshme e studenteve kosovarë. Studimet çdo herë po bëhen më të rëndësishme por sipas studentëve, përfaqësuesve të universiteteve publike, kolegjeve private dhe njohësve të arsimit, interesimi i të rinjve për studime në universitete publike këtë vit ka reflektuar me ulje, sipas tyre, shkaku i nepotizmit në universitete publike, por edhe i pandemisë Covid-19.

Njohësi i arsimit, Fehmi Hysenaj gjatë një interviste për KosovaLive në lidhje me standardet, fitimin dhe nepotizmin e universiteteve publike dhe private thotë se, varësisht se ku studion një student përparësia për punësim mbetet tek universitetet publike.

 “...Unë mendoj se si universitetet publike, po ashtu edhe kolegjet private kanë përparësitë dhe dobësitë e tyre. Një student i universitetit publik edhe në paraqitje mburret që studion në universitet publik dhe ka përparësi sipas ligjit të punësohet, sidomos në procesin mësimor para universita.  Por, ka programe nëpër kolegje private që janë adaptuar për tregun e punës, sidomos në shkencat kompjuterike, kurse kemi rastin e shkencave kompjuterike psh. FSHMN që më shumë i përshtaten kuadrit mësimor se sa tregut, pra është i ngulfatur me matematikë”, tha Hysenaj për KosovaLive.

Leonita Dugolli, studente e vitit të parë në Universitetin e Prishtinës në degën – kimi inxhenierike në një prononcim për KosovaLive tha se UP-ja ka përparësi për punësim dhe diploma e saj është më valide se sa në kolegjet private.

Më ka pëlqyer kimia që të studioj gjithmonë edhe me këtë drejtim mundësia është më e madhe për punësim, pagesat janë më të ulëta se në kolegjet private, unë në këtë vit UP jam pranuar në afatin e dytë, laboratorët dhe objektet janë të vjetër por janë funksional, ka vend për përmirësim po për momentin janë efektive”, ka thënë Dugolli.

Ndërsa studenti tjetër nga kolegji privat AAB në degën stomatologji, Islam Rexhepi thotë se për shkak të nepotizmit në universitetet publike të rinjtë po zgjedhin kolegjet private për të studiuar.

“Kushtet janë më të mira në privat, si për tu regjistruar po ashtu edhe cilësia e të studiuarit në AAB është më e mirë. UP është shumë zor të pranohesh në fakultetin e mjekësisë apo diku tjetër andaj unë por edhe të rinjtë e tjerë zgjedhin kolegjet private si opsion të dyte”, tha Rexhepi për KosovaLive.

Fehmi Hysenaj, njohës i arsimit thekson se ambientet shkollore dhe pajisjet laboratorike janë shumë më të avancuara në disa kolegje se sa në universitetet publike, mirëpo kjo gjë është më e kushtueshme për studentët. Ndërsa siç tregon ai, arsyeja kryesore pse të rinjtë që zgjedhin kolegjet private janë pamundësia për tu regjistruar në UP.

Ai tregon se kolegjet private do të duhej të ulnin tarifat vjetore të studimeve dhe të fokusohen te kërkimet shkencore.

“...Kolegjet private duhen te orientohen kryesisht në kërkime shkencore, sepse si qëndron tani puna, nuk janë të balancuara mësimdhënia me hulumtimet shkencore, me përjashtime të vogla, por sipas mendimit tim kolegjet private do të duheshin të ishin jo fitimprurëse, sepse kjo do të orientonte mjete për investime në hulumtime dhe krijimin e data bazave shkencore”, ka thënë ai për KosovaLive.

Kujtojmë se me datë 21.09.2020 në Universitetin e Prishtinës është mbajtur konkursi për pranimin e studentëve të vitit të parë në baçelor të vitit akademik 2020-2021.

Ndërsa, Mimoza Ibrani, prorektore për mësimdhënie dhe çështje për studentë në Universitetin e Prishtinës gjatë një interviste për KosovaLive ka thënë se, vetëm në afatin e parë në UP janë pranuar 4132 studentë, ndërsa për afatin e dytë ende nuk dihet.

Universiteti i Prishtinës ka shpallur Konkurs për pranimin e studentëve në studimet themelore baçelor me 21.09.2020, për 6638 studentë, përfshirë këtu edhe kuotat për komunitetet jo-shumicë si dhe kuotat për kandidatët jashtë Kosovës. Në afatin e parë janë pranuar për regjistrim 4132 studentë, ndërsa vendet tjera janë shpallur në Konkursin plotësues. Provimet pranuese janë organizuar me 2,3 dhe 4 nëntor dhe ditën në vijim, sipas afateve të përcaktuara me konkurs, shpallen rezultatet përfundimtare”, tha ajo.

Ajo tregon se, krahasuar me vitet e tjera, numri i studentëve dukshëm është zvogëluar dhe kjo si shkak i pandemisë Covid-19.

Krahasuar me vitin paraprak ka ulje rreth 10%  në numrin e aplikantëve. Një ndër faktorët që kanë ndikuar në ulje të numrit është edhe pandemia Covid-19”, ka theksuar Ibrani.

Ndryshe, Ibrani për UP-në thotë se si universitet publik është me standarde ndërkombëtare, siç thekson ajo, i përmbush nevojat e studentëve.

Universiteti i Prishtinës rangohet nga platformat ndërkombëtare si universiteti më i mirë në trevat shqipfolëse dhe krahas kësaj ka fituar akreditimin institucional 5 vjeçar, që do të thotë se ekspertët ndërkombëtar e kanë vlerësuar se i përmbush standardet e kërkuara të cilësisë”, ka thënë ajo.

Ibrani thotë se UP-ja është zgjedhja e parë e aplikantëve për të studiuar.

Ne vlerësojmë se zgjedhja e parë e të rinjve në Kosovë është Universiteti i Prishtinës, ku në rast të mospranimit në UP drejtohen pastaj tek bartësit tjerë të arsimit të lartë”, përfundon Ibrani.

Me datë 23.10.2020 në Universitetin e Prishtinës është mbajtur konkursi për pranimin e studentëve të vitit të parë në master të vitit akademik 20-21.

Ndërsa nga zyra për pranim dhe bursa, RIT Kosova, AUK, Lavon Bajrami gjatë një interviste për KosovaLive ka thënë se, krahasuar me vitet e tjera është rritur numri aplikantëve për të studiuar në këtë kolegj.

Gjatë këtij viti neve kemi pranuar 150 studentë. Krahasuar me vitet e tjera numri është rritur. Arsyeja kryesore e rritjes se këtij numri besojmë është ngritja e vazhdueshme e kualitetit që neve ofrojmë dhe oferta edhe më e mirë akademike qe sivjet e kemi. Çmimi i shkollimit në vit është 6,240 EUR, por rreth 45% e studentëve tek në çdo vit marrin bursa. Pra vetëm rreth 55% e studentëve paguajnë çmimin e plotë”, ka thotë Bajrami.

Bajrami thekson se ky kolegj i përmbush nevojat e studentëve nga aspekti i bursave, zhvillimi akademik dhe bashkëpunimit me ndërkombëtarët.

“Neve i përmbushim të gjitha nevojat e studentëve sepse jemi në partneritet me njërin nga universitetet me të mira amerikane, Rochester Institute of Technology (RIT). Studentët tanë kanë qasje në të gjitha shërbimet akademike njejtë sikurse ata në SHBA dhe në fund kuptohet që diplomën e marrin direkt në RIT në SHBA”, tha ai.

Lavon Bajrami ndër të tjerash përmend edhe dallimin që ky kolegj ka nga universitetet publike te ne, që qëndron te programi i të mësuarit po ashtu edhe çmimit për studentët.

Neve nuk e shohim universitetin publik si konkurrencë sepse neve ofrojmë program shumë më të ndryshëm. Mësimi te ne është në gjuhen angleze dhe programet e studimit janë ndryshe të dizajnuara, gjithashtu çmimi është me shumë dallim. Krejt këto në universitetin publik janë shumë më ndryshe se te ne”, ka theksuar Bajrami.

Njohësi i arsimit, Fehmi Hysenaj thekson se, stafi akademik i universiteteve publike dhe kolegjeve private nuk ka ndryshime pasi që sipas tij, ekzistojnë profesorë që janë ligjërues të dy universiteteve dhe kjo ndikon edhe te cilësia e të studiuarit pasi që literatura nuk është e njëjtë në të dy rastet.

“Në përgjithësi jo, por ka pak përjashtime në të tri aspektet, diku prijnë universitetet publike, diku kolegjet private, por këtu ka ngecje sidomos në stafin e stërngarkuar akademik të cilët përveç mbi normës në universitete publike angazhohen edhe në kolegje dhe kjo ndikon në uljen e cilësisë, dhe ajo çka bie në sy i njëjti profesor vepron me dy kute të ndryshme në dy institucione, për literaturë mendoj që shteti do të duhet tu mundësoj qasje pa pagesë studiuesve në data bazat kryesore të botës”, tha Hysenaj.

Hysenaj nuk e mohon nepotizmin në universitetet publike. Pse studentët zgjedhin kolegjet private, sipas tij, qëndron tek fakti se nepotizmi është term ende i freskët te ne ndërsa pohon se studentët mund të zgjedhin studimet në privat edhe në bazë të infrastrukturës, literaturës së përshtatshme.

Në universitetet publike ka edhe nepotizëm, por regjistrimi në universitetet publike në shumicën e rasteve është meritor në afatet e rregullta, kurse inspektorati duhet t’i shoh çka ndodh pastaj. Qëndron edhe ajo që disa nxënës që nuk mund të kalojnë provimin pranues ti drejtohen kolegjeve, por tash Agjencioni i Akreditimit i ka kufizuar edhe kolegjet me numër të studentëve. E keqja tjetër që thuaja se të gjithë po tentojnë të studiojnë që në botën e zhvilluar nuk ndodh kështu, sepse tregu i punës absorbon shumë nga nxënësit e drejtimeve profesionale. Mirëpo, ka nxënës që për shkak të programeve të avancuara dhe infrastrukturës edhe përkundër kapaciteteve të larta zgjedhin kolegjin privat”, ka përfunduar Hysenaj.

Sipas Agjencisë së Statistikave të Kosovës, gjatë vitit 2019-20, numri i përgjithshëm i studentëve në arsimin universitar ishte 73,604, prej tyre në universitetet publike ishin 58,879 studentë, ndërsa në kolegjet private 14,725 studentë.

Në një përgjigje përmes postës elektronike nga Universiteti i Gjilanit “Kadri Zeka”, thuhet se ky universitet ka pranuar afro 800 studentë në drejtimin bachelor dhe master. Sipas tyre numri i studenteve këtë vit është rritur.

“Krahasuar me vitet e tjera, është rritur numri i të interesuarve që dëshirojnë të studiojnë në Universitetin ‘Kadri Zeka’. Këtë vit shembull, në Fakultetin e Edukimit programi fillor, në Fakultetin e Shkencave Kompjuterike dhe atë të Shkencave Aplikative programi matematikë arsimore. Interesimi ka qenë mjaft i madh dhe vendet janë plotësuar që në afatin e parë të konkursit për pranimin e studentëve të rinj. Në këto programe studimore kanë konkurruar 2 deri në 3 kandidatë për një vend. Ndërsa, ka një rënie të vogël të interesimit për fushën e ekonomisë e të drejtësisë, mirëpo fakultetet përkatëse janë në proces të reformimit dhe do të ndryshohet gjendja”, thonë nga UKZ-ja.

Universiteti pohon se i përmbushë nevojat e studenteve me standarde të mësimdhënies, platforma të avancuara dhe bashkëpunime student-staf akademik, dhe kjo sipas tyre,  dëshmon edhe cilësinë e të studiuarit.

“Universiteti Publik ‘Kadri Zeka’ i përmbush nevojat e studentëve. Në programet e veta të studimit i përshtatet tregut të punës dhe përgatitë  studentët  për tregun e punës. Mësimdhënësit  përdorin një shumëllojshmëri të metodave të punës e vlerësimit, duke nxitur zhvillimin e aftësive të ndryshme tek studenti. Ekziston një bashkëpunim i shkëlqyer mes studentit dhe mësimdhënësit. Universiteti publik ‘Kadri Zeka’ si prioritet të vetin ka cilësinë dhe ka krijuar mekanizmat për sigurimin e cilësisë, si Zyra për zhvillim akademik dhe cilësi”, thonë në UKZ.

Universiteti “Kadri Zeka” thekson  se procesi i regjistrimit e deri tek diplomimi është shumë transparent, por se i vetmi problem në ketë universitet është objekti i cili, sipas tyre, nuk i plotëson kushtet e duhura.

 “Regjistrimi i studentëve në vitin e parë është tërësisht transparent: prej A deri në Zh bëhet në mënyrë digjitale dhe secili kandidat e sheh veten ku dhe a ka pasur sukses në provimin pranues. Funksionon edhe procesi i ankimimit, i cili është siguresë anti-nepotizëm”, theksuan nga UKZ-ja.

Por, se nepotizmi nuk i ka zhdukur rrënjët e veta nëpër universitetet publike e thonë edhe nga Universiteti Publik “Kadri Zeka” në Gjilan.

Fatkeqësisht, ende ka njerëz me mentalitet nepotist: prindër që intervenojnë për fëmijët e tyre, duke i dekurajuar dhe mos besuar te aftësitë e fëmijëve të tyre. Por, ata gjithnjë janë më të paktë dhe shoqëria ka filluar të mësohet me besimin në forcat e veta”, kanë shkruar nga Universiteti publik i Gjilanit “Kadri Zeka”.

Sipas Ministrisë së Arsimit, në afatin e parë të vitit akademik 2020-2021, kalueshmëria e maturantëve ka qenë 67.44 përqind, ndërsa në afatin e dytë 8,300 nxënës e kanë paraqitur provimin, në test kanë marrë pjesë pjesë 7.502 nxënës, kurse 4.835 e kanë kaluar testin.

Sara Fusha Osmani, udhëheqëse e Departamentit të Marketingut dhe Komunikimit në Riinvest, thotë se gjatë këtij viti në ketë kolegj janë pranuar rreth 400 studentë e të cilët janë përfitues të bursës pa pagesë për 1 vit.

“Rreth 400 studentë ka pranuar kolegji ‘Rriinvest’, për dallim nga vitet e kaluara numri i studentëve është rritur… Këtë vit është përmbyll cikli i tretë i studimeve pa pagesë, pra vitin e parë studentët kanë pasur studime me bursë pa pagesë që kanë paguar partneret e ‘Riinvestit’ të cilët kanë paguar për bursën e tyre”, theksoi ajo për KosovaLive.

Sipas saj, kushtet e kolegjit për studime janë të favorshme si për nga infrastruktura po ashtu edhe për nga stafi akademik.

Në kolegjin tonë ekziston edhe libraria elektronike, platformat e tjera online, gjithashtu është eshtë biblioteka e furnizuar me libra për studentët. Jemi njeri prej institucioneve private me stafin më të përgatitur, e gjithë stafi përbëhet nga profesorë të cilët kanë doktoruar jashtë vendit”, ka thënë Fusha Osmani.

Osmani thotë se kolegji “Riinvest” nuk është konkurrent me universitetet publike, por se siç thekson ajo, të zgjedhin kolegjin për arsye të cilësisë në mësim, infrastrukturës dhe punësimit.

“Ne universitetet publike nuk i shohim si konkurrent sepse te ne shërbimi ofrohet në mënyre shumë më cilësore se sa në universitete publike, infrastruktura tek ne është shume më e mirë, stafi shumë më i përgatitur, gjithashtu kemi marrëveshje për punësim të studentëve. Pse studentët e zgjedhin ‘Rinvestin’ për të studiuar është cilësia e studimit sepse ofrojmë programe kualitative, stafi i përgatitur dhe bashkëpunimi me universitete ndërkombëtare”, tha ajo.

Nga Agjencia e Statistikave të Kosovës se gjatë vitit të kaluar, shkalla e papunësisë në Kosovë ishte 25.7%.

Ndërsa, Linda Dula –Halilabazi, sekretare e përgjithshme nga universiteti i Gjakoves ” Fehmi Agani”, thotë se, gjatë këtij viti në ketë universitet janë pranuar 340 studentë dhe se numri i studentëve është i ulet krahasuar me vitet e kaluara.

Gjatë këtij viti Universiteti i Gjakovës ‘Fehmi Agani’ ka pranuar 340 studentë. Krahasuar me vitet tjera numri është pak më i vogël për shkak se 8 programe të reja studimi kanë ngelur në proces të vlerësimit shkaku i pandemisë. Mirëpo interesimi ka qenë i kënaqshëm marrë parasysh numrin më të vogël të nxënësve-studentëve përgjithësisht”, ka thënë ajo për KosovaLive.

Sekretarja e përgjithshme e Universitetit të Gjakovës ” Fehmi Agani”, Dula-Halilabazi pohon se UGJFA i përmbushë të gjitha nevojat e studentëve sa i përket studimeve dhe punon sipas standardeve të përcaktuara me kornizën ligjore për arsimin e lartë. Njëherësh, universiteti mundohet që dita ditës të përmirësohet në arritjen e standardeve edhe më të larta.

 “Kolegjet private nuk mund të na konkurrojnë ne si universitet publik për shkak se ato kanë kritere më të ulëta për pranim si dhe për studime. Universitetet publike në këtë drejtim janë më rigoroze. Jo, në Universitetin e Gjakovës nuk ka nepotizëm dhe nuk është dukuri që ngjan apo ka ngjarë tek ne. Gjithsesi, i përmbahemi akteve ligjore të brendshme e të jashtme në mënyrë që ta shmangim këtë dukuri”, përfundon ajo.

Në universitetin “Ukshin Hoti” të Prizrenit gjatë këtij viti janë pranuar mbi 1 mijë studentë në nivelin bachelor dhe master. Ndërsa krahasuar me vitet e kaluara ka pasur ulje të studenteve në disa drejtime.

“Universiteti ‘Ukshin Hoti’ në Prizren, sivjet ka 1680 vende të lira në studimet bachelor, ndërsa janë paraqitur 2021 maturantë. Në nivelin master janë 185 vende të lira ndërsa janë paraqitur 234 kandidatë. Numri i studentëve të pranuar është i njëjtë në shumicën e drejtimeve, përpos në Fakultetin Juridik dhe atë Ekonomik që është zvogëluar, pas studimit të tregut që është bërë nga njësitë përkatëse gjatë procesit të ri akreditimit të programeve studimore”, thuhet në një përgjigje pëmes postë elektronike nga Universiteti i Prizrenit “Ukshin Hoti”.

Universiteti i Prizrenit pohon se aktualisht i përmbush nevojat e studenteve dhe posedon privilegji sikurse të standardëve evropiane.

Në bazë të vlerësimit të ekspertëve ndërkombëtarë (gjatë vlerësimit për riakreditim institucional), nëse krahasohen me universitet tjera që kanë qenë në proces të riakreditimit, Universiteti ‘Ukshin Hoti’ në Prizren, është institucioni publik i arsimit të lartë që i plotëson kushtet më së miri në raport me standardet evropiane të arsimit të lartë dhe Manualin e Akreditimit të Agjencisë për Akreditim të Kosovës”, thekson UPUH.

Ky universitet publik pohon se konkurrenca dhe nepotizmi nuk ekzistojnë si terme tek ta.

Duke marrë parasysh ofertën akademike dhe kushtet që ofron, përfshirë dhe statusin e universitetit publik dhe qytetin e Prizrenit me rajon shumë të gjerë, universiteti nuk ka konkurrencë në kontekstin ku vepron. Në universitetin tonë nuk ka qenë evidente dukuria e nepotizmit. Rekrutimi i stafit si akademik ashtu edhe administrativ bëhet mbi bazë të meritës”, pohojnë nga ky universitet publik.

KosovaLive i ka kontaktuar edhe universitetet shtetërore si atë të Mitrovicës, Pejës dhe Ferizajit por deri në sajimin e këtij artikulli, nuk ka marrë asnjë përgjigje nga përfaqësuesit e universiteteve.

Në bazë të ligjit të Republikës së Kosovës nr. 04/L-037 neni 5, për t’u regjistruar apo për të fituar kualifikim të arsimit të lartë, ligji nuk parasheh kufizim të moshës.

Kushtrim Nuraj nga kolegji ISPE thotë se kushtet në kolegjin ku ai studion janë normale dhe fajëson universitetet publike që ai vet dhe të tjerët kanë zgjedhur kolegjet private për të studiuar.

“Kushtet janë të mira, normal që edhe ne paguajmë por mendoj se të gjithë ata që nuk pranohen në UP vendosin të regjistrohen në privat. Unë dhe shokët e mi kemi vendosur (për) kolegjet private në vend të atij shtetëror. Në UP kam dështuar, privat jam pranuar pa problem”, tha Nuraj për KosovaLive.

Prishtinasja Romesa Domi studion menaxhment dhe informatikë në Universitetin e Prishtinës dhe thotë se UP ka nevojë për infrastrukture të re, ka nevojë për përmirësime. Siç thekson ajo, punësimi dhe diplomat kanë një rol që të rinjtë tentojnë të regjistrohen së pari në universitet publik.

Me standardet që ofron UP nuk jam edhe shumë e kënaqur sepse administrata nuk punon qysh duhet ka shumë mangësi, profesorët dhe asistentët janë të mirë por nganjëherë bëhen edhe shkelje”, thotë Domi.

Bubulina Mehmeti, nga Prishtina, studente në dizajn interier në AAB, në një prononcim për KosovaLive, thotë se në mungesë të këtij drejtimi gjetkë, e ka zgjedhur kolegjin privat, dhe thekson se nepotizmi në UP e ka zhgënjyer atë që të konkurrojë në degën e arkitekturës në Fakultetin e Arteve në Universitetin e Prishtinës.

E kam zgjedh se (universititi i) shtetit nuk ka pas dizajn interier. Nepotizmi, sipas meje, ekziston në fakultetet publike andaj edhe jam friku të aplikoj në Fakultetin e Arteve në ndonjë degë. Dega e arkitekturës është shumë e vështirë për t’u regjistruar në UP. AAB pak ma mirë se UP me kushte.  Por, normal që UP për gjithçka ma e mirë për përparësi në punësim dhe diploma është ma valide”, shprehet Mehmeti.

Shqipdona Gashi

Pikëpamjet e shprehura në këtë publikim janë të News Agency KosovaLive dhe në asnjë mënyrë nuk mund të konsiderohen si qëndrim i Fondacionit të Kosovës për Shoqëri të Hapur

PUBLIKIME

LAJME

THELLESISHT

DIALOG

Grantet e Prodhimit të Përmbajtjes II

Grantet e Prodhimit të Përmbajtjes II

Pesë aplikantë që paraqitën një aplikacion për “Grantet e Prodhimit të Përmbajtjes II”, Tv Tema, Internews, RTV Puls, Radio Gorazdevac dhe Besnik Krasniqi do të marrin mbështetje.

BARAZI

Womair: Informimi i grave dhe burrave për cilësinë e ajrit

Womair: Informimi i grave dhe burrave për cilësinë e ajrit

Më 19 nëntor, nga ora 10:00 deri në 12:00 në KosovaLive u mbajt ngjarja interaktive “Womair”, e cila kishte për qëllim informimin e djemve, vajzave, grave, burrave, çifteve dhe të gjithë të interesuarve, pa dallim, për mënyrat më efektive për përmirësimin e cilësisë së ajrit në hapësira të brendshme dhe të jashtme.

EDUKIM