Build Skills with our trainings

Sign up now!

Irracionaliteti politik në pandemi dëmton interesin e përbashkët

Nën 25, 2020

Pandemia globale Covid-19 si në të gjitha vendet e tjera të botës edhe në Kosovë ka trazuar ujërat sa i përket shkencës e shëndetësisë dhe sipas ekspertëve politik, atyre të arsimit, gazetarëve, psikologëve, ekonomistëve, OJQ-ve të ndryshme dhe institucioneve kompetente shëndetësore, pandemia Covid-19 te ne është duke u parë ende si sfidë që po kërkon zgjidhje. Siç theksojnë ata, politikat irracionale përgjatë kohës me pandemi kanë thelluar më tej krizat shoqërore dhe nga institucionet përkatëse shëndetësore kërkohet një organizim më adekuat ndaj situatës pandemike nga Covid-19.

Njohësi i rrjedhave politike, Shkëlzen Maliqi gjatë një interviste për KosovaLive ka thënë se informacionet-vendimet për pandeminë Covid-19 me të drejtë është dashur të merren vetëm nga institucionet përkatëse të shëndetësisë por jo edhe të politikës, siç tregon ai, politika nuk ka vend në shëndetësi e aq ma pak në parandalimin e pandemisë Covid-19.

“…Ne kemi pasur dhe kemi përplasje të vazhdueshme politike, rreth masave për parandalimin e pandemisë. Mendoj se ato kanë qenë absolutisht të panevojshme, pasi që për masat në esencë është dashur të vendosin institucionet dhe komisionet shëndetësore duke u bazuar në rekomandimet e  OBSH0dhe përvojat e vendeve me mbrojtje shëndetësore më të avancuar”, është shprehur Maliqi.

Ndërsa, sipas drejtorit ekzekutiv të KMDLNJ-së, Behxhet Shala, gjatë kohës kur edhe Kosova u ballafaqua me pandeminë Covid-19, ka pasur shkelje të të drejtave të njeriut.

“…Të drejtat e njeriut u janë shkelur të moshuarve, të sëmurëve kronikë, të burgosurve për faktin se nuk mund t’i realizojnë disa të drejta që ua garanton ligji.  Nxënësve dhe studentëve shkaku se nuk po iu ofrohet një arsimim cilësor, bizneseve sepse janë të falimentuar ose buzë falimentimit. Të drejtat e njeriut po iu shkelen të punësuarve sepse po i humbin vendet e punës, kategorive të popullatës që janë përfitues të skemës sociale dhe atyre që edhe në rrethana normale kanë jetuar në kushte të vështira si romët , ashkalinjtë dhe egjiptianët”, thekson ai.

Shkëlzen Maliqi, njohës i politikës kosovare, për kolapsin ekonomik, shëndetësor dhe arsimor si shkak i pandemisë Covid-19, fajëson dy qeveritë e krijuara së fundi të Kosovës. Siç tha ai, politika është dashur t’i lë inatet partiake dhe të gjejë gjuhën e përbashkët dhe solidare, kompromise, në mënyrë që të shpëtohen sa më shumë jetët e njerëzve, por edhe që ekonomia të dëmtohet sa më pak.

“…Ne kemi kaluar dy faza të qasjes ndaj pandemisë, me qeverinë ‘Kurti’, për dy muaj e ca kemi pas masa të ashpra të kufizimit të lëvizjes së qytetarëve, dhe me këtë edhe është mbajtur numri i kufizuar i infektimeve, kurse kur erdhi në pushtet Qeveria ‘Hoti’, u alarmua nevoja për hapje sepse po rrënohej ekonomia e vendit, dhe kjo solli rritjen e numrit të infektuarve dhe të pasojave me fatalitet. Fatkeqësisht, ne pamë në vazhdimësi ngadhënjimin e inateve, por jo edhe të dialogut, shkencës, politikës dhe ekonomisë”, ka thënë ai.

Ndër të tjerash Maliqi përmend edhe armiqësinë e politikaneve tanë në raport me situatën që Kosova është duke e përjetuar nga pandemia Covid-19. Sipas tij, interesi i vetëm që do të duhet të kishte politika dhe politikanët në shëndetësi është interesi për të mirën e popullatës dhe stabilizimit të vendit.

Irracionaliteti që përmendet shpërfaqë pikëpamjet e ngushta të akterëve politikë të cilët injorojnë interesin e përbashkët, i cili është vlerë e përbërë që dëgjon dhe merr nga të gjitha palët, dhe nuk absolutizon qëndrimin dhe interesa ideologjike ose partiake. Por duhet të kuptohet se interesi i vërtetë i përgjithshëm duhet të jetë i përbërë, rezultante e dialogut dhe respektit të ndërsjellë, jo i afirmimit të ekskluziviteteve dhe mohimit të qëndrimeve të tjera si armiqësore dhe si tradhti”, ka theksuar Maliqi.

Ai thotë se popullata është faktori kryesor ndaj luftimit të virusit që së fundi po e kërcënon vendin. Siç është shprehur ai, vetëdijesimi i qytetarëve ndaj zbatimit të masave për parandalimin e virusit, shpëton jetë por edhe përmirëson gjendjen në vend.

Mospërfillja e masave që i kanë shpallur qeveritë, sidomos në periudhën kur janë hequr masat restrictive të lëvizjes, ka qenë faktori që e ka sjell valën e dytë të pandemisë. Ne kemi një shoqëri që i ka shumë zakonet të obligueshme të tubimeve për gëzime dhe mortore, kemi kode të shumta të shprehjes së afërsisë, përqafimet, puthjet etj., që na bëjnë të pakujdesshëm në mbrojtje nga infektimet. Kujdesi ndaj këtyre na largon nga virusi”, përfundon Maliqi.

Kujtojmë se me datën 13 mars Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës(IKSHPK) dhe ministri Arben Vitia, konfirmuan dy rastet e para të të prekurve me pandeminë Covid-19.

Ilir Havolli, kryetar i Shoqatë së Psikologëve të Kosovës gjatë një interviste për KosovaLive tha se vendimet e marra nga institucionet shtetërore tek popullata kanë reflektuar sa pozitive aq edhe negative, siç tregon ai, ana negative ishte tek shëndeti mendor.

Vendimet e marra nga institucionet tona për pandeminë nga fillimi deri tani kanë pasur dy lloje efektesh, atë pozitiv në stopimin por jo parandalimin e përhapjes se virusit ndërsa negative në sferën e shëndetit mendor sepse aspak nuk është menduar për mirëqenën e popullatës as në aspektin psikologjik por as në aspektin ekonomik”,tha ai.

Havolli shprehet se iniciativat individuale të psikologëve gjatë kohës me pandemi nuk kanë munguar… e vetmja gjë që ka munguar kanë qene institucionet të cilat kanë thelluar më tej krizat në shoqëri.

Nga fillimi i pandemisë, ne si ‘Shoqatë e Psikologëve të Kosovës’ kemi bërë thirrje të vazhdueshme që shëndeti mendor i popullatës po shkon duke u thell;uar në përkeqësim dhe çdo herë e kemi ngritë zërin për të cilat është bërë shumë nga psikologët e shoqatës por shumë pak nga institucionet qeveritare e siç dihet disa raste kanë përfunduar edhe në fatalitet”, ka thënë Havolli.

Ai ka thënë se ripërjetimi i stresit pastrauamatik në kohë pandemia rrezikon shëndetin mendor në individ po ashtu edhe në rrethin shoqëror.

Vazhdimi i përjetimit të situatave stresante si pasojë e politikave irracionale ka sjellë një përjetim të lartë të stresit dhe ankthit tek popullata që nga muaji mars dhe po vazhdon akoma, pra ka rrezik të madh që popullata të e përjetoj stresin pastraumatik i cili është shumë i dëmshëm si për individin që e përjeton ashtu edhe për rrethin dhe shoqërinë”, shtoi ai.

Havolli thekson se vendi ynë është duke përdorur mekanizma adoptues për rregullat ndaj pandemisë Covid-19, të përcaktuara nga institucionet, dhe shton se adaptimi i këtyre masave do e rraskapit më tej popullatën sa i përket përjetimit të shumë shqetësimeve psikologjike.

Në një përgjigje pëmres postës elektornike nga Divizioni i Komunikimit me Publikun në Ministrinë e Shëndetësisë, thuhet se Kosova nuk do e përjetojë edhe njëherë izolimin total, por do të ketë masa mbrojtëse ndaj pandemisë Covid-19.

“Izolim total sikurse në fillim të pandemisë nuk pritet të ketë. Çfarëdo mase që ndërmerret nga MSh-ja apo Qeveria, varet nga rekomandimet që i jep IKSHPK-ja. Qëllimi është që të jetë një kontrollim i pandemisë ku prioritet ka shëndetin, por duke lejuar edhe ushtrimin e veprimtarive të rrafshit ekonomik me masa mbrojtëse dhe në mënyrë të kontrolluar”, pohojnë nuga MSH.

Ministria e Shëndetësisë premton se në bashkëpunim me Qeverinë ndaj popullatës do të përkushtohen në shëndetin e njeriut, jetën sociale dhe ekonominë e vendit, këto të cilat së fundi janë rrezikuar nga pandemia Covid-19.

Si në botë edhe në Kosovë, pandemia përveç probleme shëndetësore sjell edhe probleme sociale dhe ekonomike. Qeveria dhe MSh-ja po punojnë në lidhje me këto pasoja, humbjet janë të konsiderueshme në çdo rrafsh. Prioritet mbetet shëndeti publik dhe mbrojtja e jetës së njerëzve”, theksohet në përgjigjen nga DKP e Ministrisë së Shëndetësisë.

Kurse, Ilir Havolli nga Shoqata e Psikologëve të Kosovës tregon edhe mënyrën se si duhet të sillemi gjatë kohës me pandemi, duke shtuar se ushqimi dhe gjumi janë më të rëndësishmet në jetën e njeriut për t’i larguar problemet e shëndetit mendor.

Apelohet tek popullata që t’i kushtojnë shumë kujdes higjienës mendore, të analizojnë çdo situate që shkakton stres, ankth apo depresion. Kujdes shumë të madh duhet kushtuar ushqyerjes së rregullt të pasur me vitamina dhe procesit të gjumit i cili duhet të jetë i rregullt, të qëndrojnë sa me larg duhanit, kafes së tepruar, alkoolit, por sa me afër jetesës së shëndetshme e cila ndikon në mirëqene të shëndetshme psikologjike”, u shpreh Havolli.

Psikologu pohon se izolimi apo karantiminimi nuk është adekuat për parandalimin e pandemisë Covid-19 në Kosovë, dhe se më adekuatja do te ishte ndërmarrja e fushatave vetëdijesese, ndërgjegjesese për respektimin e masave anticovid 19.

Kujtojmë apelin e drejtuar Qeverise së Republikës së Kosovës, një ditë para miratimit të masave të reja nga Shoqata e Psikologëve të Kosovës,ku thuhet se institucionet shtetërore do të duhet të punojnë në të mirën e shëndetin mendor tek popullata dhe jo në politikat dhe interesat e tyre personale.

Ndërsa në Ministrinë e Shëndetësisë pohojnë se vendimet e deritanishme të marra sa u përket masave për parandalimin e pandemisë Covid-19, ishin për të mirën e shëndetit të popullatës dhe se është vepruar në bazë të ligjeve të Kosovës.

Të gjitha vendimet e marra kanë pasur për qëllim ruajtjen e shëndetit publik të popullatës përballë pandemisë Cofid-19. Në fillim shumica e vendimeve janë marrë duke u bazuar në Ligjin për parandalimin e sëmundjeve ngjitëse në Kosovë, kurse pas miratimit në Kuvend të Ligjit për parandalimin dhe luftimin e COVID-19, vendimet bazohen kryesisht në këtë ligj dhe ligjet e tjera në fuqi”, thonë nga MSH.

Sipas Ministrisë së Shëndetësisë, Kosova e ka menaxhuar mirë situatën me pandeminë Covid-19 edhe përkundër kushteve jo të favorshme.

MSh-ja ka filluar menaxhimin duke u bazuar në planin e gatishmërisë dhe të reagimit kundër Covid-19, plan ky që është përditësuar në ndërkohë me versionin e ri përshtatur zhvillimit të situatës rreth pandemisë në Kosovë. Përgjithësisht, Kosova ka pasur një përgjigje relativisht të mirë ndaj pandemisë Covid-19, përkundër mungesave të mëdha që i ka pasur në fillim si në kapacitetet spitalore, po ashtu edhe në resurset profesionale e humane”, thotë MSH.

Ministria e Shëndetësisë ndër të tjerash jep edhe lajmin e mirë se në Kosovë së shpejti nis vaksinimi ndaj gripit sezonal ndërsa vaksinat anticovid janë në pritje të ardhjes.

Këtyre ditëve nis vaksinimi kundër gripit sezonal në Kosovë, me 160500 vaksinat e para të blera nga MSh-ja përmes UNICEF-it. Sa u përket vaksinave anti Covid, MSh-ja është futur në listën e shteteve që do të përfitojnë 20% apo 360 mijë vaksina falas nga aleanca botërore e vaksinimit GAVI (COVAX). Plani është për vaksinimin e rreth 70% të popullatës, ndërsa kategori prioritete janë profesionistët shëndetësor, të sëmurët kronikë dhe grupet e popullatës që janë më të ndjeshme në aspektin shëndetësor”, njofton Ministria e Shëndetësisë.

Sipas MSH, si shkak i situatës me pandeminë Covid-19, një numrit të konsiderueshëm të specializanteve iu është dhënë e drejta të specializojnë dhe të punojnë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës dhe se sektori shëndetësor ka ngritur rëndësi të madhe të rritjes së numrit të personelit shëndetësor.

Që nga fillimi i pandemisë i është kushtuar shumë rëndësi ngritjes së numrit të personalit shëndetësor. Janë punësuar së pari 200, pastaj edhe 375 profesionistë të fushave të ndryshme për të ndihmuar në menaxhimin e situatës. Janë dhënë 1500 specializime, me qëllim që mjekët të kryejnë specializime por edhe të ndihmojnë gjatë pandemisë, dhe së fundi do të punësohen edhe 150 specialistë të fushave të ndryshme në QKUK dhe 7 spitalet e përgjithshme”, pohon Ministria e Shëndetësisë.

Ndër të tjerash, MSH-ja thekson se Kosova është e pajisur me pajisje mjekësore duke përfshi infrastrukturën shëndetësore, terapinë si dhe pajisjet higjienike. Sipas tyre, ka nevojë dhe për më shumë donacione nga shteti dhe partnerët ndërkombëtarë. Ndryshe sipas kësaj ministrie, deri më tani shkalla e vdekshmërisë në Kosovë është 2.7 (nga numri i të infektuarve).

Sipas Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës, deri në momentin kur po hartohej ky artikull, në Kosovë numri i të prekurve me Covid-19 kishte shënuar me 32.022 numrin total të rasteve, numri i përgjithshëm i të shëruarve deri më sot është gjithsej 19.024 ndërsa 874 raste të vdekjes.

Njohësi i arsimit Rinor Qehaja, në një intervistë për KosovaLive thotë se arsimi në kohë pandemie nuk ka rezultuar pozitiv dhe se përgjatë kësaj periudhe është vërejtur cilësia e ulët akademike e nxënësve.

“Ndikimi i pandemisë në arsim besoj që do të bartet tutje për vitet në vijim, çoftë në ngecje akademike, por edhe si shkëputje nga mësim nxënia. Periudha jashtë shkollës nga pranvera e këtij viti ka shkaktuar një shpërqendrim të tërësisht nga procesi mësimor, duke e zhvendosur vëmendjen nga cilësia në kujdes karshi pandemisë – e kjo, sado e arsyeshme, ka tkurrur vëmendjen e mësimdhënësve, nxënësve dhe prindërve për një mësimdhënie më të mirë”, ka thënë ai.

Tutje, Qehaja insiston që institucionet shtetërore të kenë një menaxhim më të mirë në kuadër të arsimit në vend.

Fokusi i institucioneve tona duhet të jetë në sigurim të shtuar për mësimdhënësit me sëmundje kronike pjesë e procesit mësimor, për të cilit, angazhimi nënkupton edhe rrezik me të shtuar. Në të njëjtën kohë, duhet të sigurohemi në vazhdimësi që nxënësit kanë përkrahje emocionale të strukturuar nga vet shkolla, si reagim karshi gjithë këtij shqetësimi të pësuar nga pandemia”, tha Qehaja.

Kujtojmë se Qeveriame datë 12.11.2020 kishte marrë vendim për masa të reja për mbrojtjen nga pandemia COVID-19: përveç masave mbrojtëse ndaj virusit si mbajtje e obligueshme e maskave, distanca dhe mbyllja e shkollave në fuqi ka hyrë edhe ora policore nga ora 19.00 deri në 05:00 me qëllim uljen e numrit të të infektuarve nga pandemia Covid-19.

Ndërsa, Arton Muhaxheri, njohës i rrjedhave të ekonomisë për KosovaLive thotë se vendimet e deritanishme të institucioneve shtetërore për parandalimin e pandemisë Covid-19, ekonominë e vendit e sollën para kolapsit.

Çdo vendimmarrje e qeverisë për ta mbrojtur shëndetin publik ka pasoja në shëndetin ekonomik. Qeveria assesi nuk po mund ta gjej mesin e artë që paralelisht ta luftoj pandeminë por duke mos e dëmtuar rëndë ekonominë e cila është para kolapsit”, tha ai.

Muhaxheri konsideron se sa më shumë të bëhet presion në shoqëri për izolim, krizat ekonomike thellohen.

“Popullata po jeton me frikën se çka do të ndodh nesër”, thotë ai.

Ekonomisti konsideron se situata me pandemi mund të menaxhohet pa u dëmtuar ekonomia përmes votimit të ligjit për rimëkëmbje që, sipas tij, do të shpëtonte ekonominë e vendit nga kolapsi.

Pasojat e mëdha ekonomike të shkaktuara nga pandemia Covid-19 janë; deri tani mbi 40 mijë persona kanë mbetur papunë nëse gjendja vazhdon të jetë e tillë kjo shifër do ete arrij në 70 mijë deri në fund vit. Po, edhe kjo situatë ka zgjidhje fillimisht duhet marr masa që nuk e dëmtojnë shumë ekonominë, pastaj duhet të votohet ligji për rimëkëmbjen ekonomike duke bashkëpunuar Qeveria edhe me opozitën, por në këtë situatë edhe rritja e borxhit publik do të ishte e arsyeshme dhe e nevojshme”, ka thotë Muhaxheri.

Sipas Agjencisë së Statistikave të Kosovës, shuma e përgjithshme e të hyrave të Qeverisë për tre mujorin e parë të 2020-së ishte 402.4 milionë euro, ndërsa totali i shpenzimeve të përgjithshme ishte 400.3 milionë euro.Kurse, në tre mujorin e dytë të këtij viti, shuma e të hyrave të Qeverisë së përgjithshme në ishte 587.2 milionë euro, ndërsa shuma e shpenzimeve ishte 534.9 milionë euro.

Behxhet Shala, drejtor ekzekutiv i KMDLNj gjatë një interviste për KosovaLive ka thënë se,vendimet e marra nga institucionet publike rreth pandemisë Covid-19 ishin jolegjitime, por janë përkrahur, meqë sipas tij, e drejta për jetë është me e rëndësishme se e drejta për liri.

Institucionet e Kosovës janë përballur me një përvojë të re nga pandemia COVID -19. Në fillim Qeveria ‘Kurti’ përkatësisht ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia e zbatuan mbylljen-karantinimin që për shumë qytetarë ishte masë e skajshme dhe kufizim i lirisë së lëvizjes e që ishte në kundërshtim me Kushtetutën” e Kosovës, përkatësisht ishte kundër të drejtave dhe lirive të njeriut. KMDLNj e kishte të qartë se po shkelej Kushtetuta e Kosovës, por i pati përkrahur masat kufizuese të qeverisë ‘Kurti’ për faktin se kur ndeshen dy të drejta të njeriut –  e drejta për jetë dhe e drejta e lirisë së lëvizjes, mbizotëron e drejta për jetë mbi të cilën realizohen të gjitha të drejtat tjera”, shprehet Shala.

Sipas Shalës, në kohë pandemie shumë vendime nuk kanë qenë të drejta dhe “politika i ka futur hundët edhe aty ku nuk i ka takuar”.

Realisht , edhe në qeverinë ‘Kurti’ por edhe në qeverinë ‘Hoti’ politika ka ndikuar 100% në menaxhimin e krizës së pandemisë, që nga fillimi e deri në vendimmarrje. Për KMDLNj ka qenë e papranueshme që edhe në paraqitjet krejtësisht profesionale ku profesionistët e fushës do të duhej ta kishin fjalën kryesore, këtë e bënin politikanët që nënkupton politizim të menaxhimit, në dëm të profesionalizmit”, tha ai.

Shala është i mendimit se masat kufizuese për mbrojtjen nga virusi janë të domosdoshme, por jo edhe mbyllja totale pasi që vuajtjet e kizave shoqërore janë më të mëdha.

“Izolimi dhe karantinimi i pjesshëm dhe i përkohshëm është masë e domosdoshme për parandalimin e përshkallëzimit të situatës, KMDLNJ ka qenë dhe është kundër mbylljes së përgjithshme aq më parë që shteti nuk ka mundësi materiale të kompensojë as për së afërmi bizneset dhe qytetarët që e kanë pësuar për shkak të pandemisë”,  thekson ai.

Sipas Shalës, politika duhet të bëjë politikë dhe të mos ndërhyjë në shëndetësi. Politika, thotë ai, duhet ta votojë Ligjin për rimëkëmbje ekonomike dhe të iniciojë ndryshimin e Ligjit për Trustin e Pensioneve ku, ata që janë pensionuar mund të tërheqin sa të duan nga kursimet pensionale kurse ata që nuk janë pensionuar, në marrëveshje me Trustin mund të tërheqin aq mjete sa kanë nevojë.

Shala ndër të tjerash tha se qytetarët janë të obliguar t’i respektojnë masat mbrojtëse ndaj virusit por edhe kanë të drejtën e ankesës për ndonjë padrejtësi tek institucionet tona.

Qytetarët duhet të respektojnë rekomandimet e IKSHPK dhe masat e qeverisë së Kosovës për aq kohë sa nuk kemi mbyllje totale. Kanë të drejtë të ankohen, qoftë në institucionet e shtetit apo të pavarura për shkak të situatës së jashtëzakonshme nuk ka mundësi për protesta masive mirëpo kjo nuk nënkupton që qytetarët duhet të durojnë padrejtësi nëse mungon interesimi, kujdesi dhe përkrahja e shtetit atëherë edhe protestat janë mundësi për realizimin e të drejtave të njeriut”, tha ai.

Sipas statistikave të përgjithshme të Policisë së Kosovë, vetëm më datën 19.11.2020 në territorin e Kosovës u shqiptuan mbi 700 tiketa si shkak i mos respektimit të masave mbrojtëse nga pandemia Covid-19.

Bujar Vitija, gazetari që mbulon shëndetësinë thotëse politika në vend ka ndikuar drejtpërdrejt në fushën e shëndetësisë përgjatë kohës kur edhe u shfaq nga pandemia Covid-19.

“Fatkeqësisht politika po ndikon në favor të pandemisë në Kosovë. Kjo për faktin se politika po e neglizhon rrezikun nga koronavirusi duke mos e përgatitur dhe furnizuar mjaftueshëm sistemin shëndetësor, dhe si pasojë duke e sjellë vendin në një situatë kur duhet të mbyllemi që të parandalojmë dhe shpëtojmë nga kolapsi shëndetësor”, tha ai në një prononcim për KosovaLive.

Vitija po ashtu është i mendimit se masat që janë marr aktualisht janë të domosdoshme për të menaxhuar shifrat enorme të javëve të fundit.

“Vendimi për masat e reja është i domosdoshëm, për fat të keq politika në 20 vitet e fundit nuk ka investuar sa duhet në shëndetësi dhe tani po i vuajmë pasojat. Tash e tutje, politikanët do të duhej të merrnin mësim dhe të kenë prioritet shëndetësinë. Gjithsesi qytetarët duhet të bashkëpunojnë me respektimin e masave dhe të kenë kujdes për shëndetin e tyre sepse mund të vijnë në situatë kur nuk do të mund të marrin trajtimin e duhur nga sëmundja e Covid-19 për shkak të fluksit të madh të pacientëve në spitale”, ka thënë Vitija.

Ndryshe, ky gazetar tregon se përgjatë punës së tij në kohë pandemie ka hasur në rrezik të drejtpërdrejtë nga infektimi i virusit, por se mediat, përkundër faktit se nuk janë përkrahur nga institucionet publike, kanë vazhduar punë duke raportuar në kohë reale nga tereni .

Puna ime si gazetar gjatë pandemisë ka qenë mjaft e rëndë sepse kemi pas zhvillime të shumta dhe raportimet kryesisht nga terreni dhe kjo na ka vënë para një rreziku për t’u infektuar me Covid-19. Fatkeqësisht ne si gazetar nuk e kemi pasur asnjë ndihmë nga Qeveria. Por përkundër kësaj ne nuk e kemi ndal punën e madje kemi raportuar shumë herë brenda klinikave Covid-19 në QKUK, duke qenë kështu në krye të detyrës për të ndërgjegjësuar qytetarët me rrezikun nga pandemia”, përfundon ai.

Shqipdona Gashi

Pikëpamjet e shprehura në këtë publikim janë të News Agency KosovaLive dhe në asnjë mënyrë nuk mund të konsiderohen si qëndrim i Fondacionit të Kosovës për Shoqëri të Hapur.

PUBLIKIME

LAJME

THELLESISHT

DIALOG

Grantet e Prodhimit të Përmbajtjes II

Grantet e Prodhimit të Përmbajtjes II

Pesë aplikantë që paraqitën një aplikacion për “Grantet e Prodhimit të Përmbajtjes II”, Tv Tema, Internews, RTV Puls, Radio Gorazdevac dhe Besnik Krasniqi do të marrin mbështetje.

BARAZI

Womair: Informimi i grave dhe burrave për cilësinë e ajrit

Womair: Informimi i grave dhe burrave për cilësinë e ajrit

Më 19 nëntor, nga ora 10:00 deri në 12:00 në KosovaLive u mbajt ngjarja interaktive “Womair”, e cila kishte për qëllim informimin e djemve, vajzave, grave, burrave, çifteve dhe të gjithë të interesuarve, pa dallim, për mënyrat më efektive për përmirësimin e cilësisë së ajrit në hapësira të brendshme dhe të jashtme.

EDUKIM