Build Skills with our trainings

Sign up now!

Shtëpia, karantina e përhershme e të moshuarve

Dhj 6, 2020

Të  plakesh është bukur dhe çdo person e quan veten të bekuar përderisa arrin në këtë cikël jetësor.

Sipas Iniciativës Kosovare për Stabilitet në Kosovë (IKS), mosha mesatare e popullsisë së Kosovës prej 1.7 milionë banorëve është 30 vjet ndërsa vetëm 6.2% janë të moshës 65 apo mbi 65-vjeç.

Muharrem Azemi nga Vitia, tash pesë vite njëri ndër pensionistë të Kosovës thotë se, si një  ekonomist me profesion, pensioni aktual që e merr me kontributdhënien e tij 40 vjeçare nuk krahasohet. Vlera që e merr për të është e ulët madje nuk i dalin as për shpenzime personale.

“Në fillim kur jam pensionuar nuk e kam pritur edhe aq mirë  për shkak se pensionet janë të vogla në krahasim me shpenzimet që  neve na duhen si pensionist. Në  fillim e kam pasur pensionin 140 euro ndërsa tash 198 euro. Jam ekonomist  me profesion, kam punuar kontabilist në një firmë  në Viti. Me pension me kanë  ofenduar pasi që 40 vite punë  kam bërë dhe tani me ketë  pension të mbetem kjo i bie se nuk vlerësohet puna në vendin tim. Dhe nuk kujdeset askush për pleqërinë time”, tha në një prononcim për KosovëLive Azemi. 

Ky 70 vjeçar nga Vitia, thotë se pleqërinë e kalon në natyrë me familje dhe shoqëri, ndërkohë që u bën apel institucioneve shtetërore që t’iu ndihmojnë  pensionistëve. 

 “Pleqërinë  e kaloj në fshat me familje të afërt dhe shoqëri, në Prishtinë vij në vizitë tek djali. Por Qeveria do të duhej të bëjë më shumë për neve si pensionistëve.  Barnat duhet me qenë falas edhe mu ngrit pensionet, mjekësia tek ne është për mjerim punonjësit shëndetësor që ushtrojnë punën në  QKUK, po punojnë formalisht dhe maksimumin e japin tek spitalet private, kjo e dëmton drejtpërdrejt pensionistin sepse ai me aq pension që ka nuk i dalin as për mjekime e as për asgjë. Për pensionist është kosto e lartë për t’u shëruar në  Kosovë ”, thekson ai.

Sipas Agjencisë Statistikore të Kosovës, aktualisht në vendin tonë  janë  142,058 përfitues nga skema pensionale nga kategoritë e ndryshme. Por prej tyre, 49,541 përfitues pensionist kontributpagues të moshës, nga skema për pensionet e Trepçës janë 2,390 përfitues, të pensioneve të Trupave Mbrojtëse të Kosovës janë 1,145 përfitues dhe nga Forca e Sigurisë së Kosovës janë 581 përfitues pensional.  

Qazim Gashi, udhëheqës në Departamentin e Politikave Sociale dhe Familjes në Ministrinë e Punës dhe e Mirëqenies Sociale spjegon angazhimin e kësaj ministrie rreth të moshuarve pa përkujdesje familjare dhe të rasteve sociale.

“…Trajtimi për 24 orë bëhet në Shtëpinë e Personave të Moshuar dhe pa përkujdesje familjare në Prishtinë dhe në 3 shtëpi me bazë në komunitet të cilat janë në komunat Istog, Skenderaj dhe në Graqanicë. Është në proces të hapjes për trajtim të këtij komuniteti edhe shtëpia e katërt me radhë në komunën e Novobërdës”, thotë Qazim Gashi, në një bisedë për KosovaLive.

Të drejtën për marrjen e shërbimeve në këto shtëpi kanë të gjithë ata të moshuar që i plotësojnë kriteret e përcaktuara sipas Udhëzimit Administrativ 10/2014. Dhe, porsa të bëhen banor të rregullt në këto shtëpi kanë trajtim gjatë 24 orëve, nga stafi shëndetësor, shërbimi i kuzhinës, shërbimi social, shërbimi teknik dhe ai i administratës.

Ministria pohon se në hartim e sipër në legjislacion është edhe skema e trajtimit të personave të moshuar me vetëfinancim. 

“Departamenti i Politikave Sociale dhe Familjes bën hartimin e politikave dhe zbatimin e tyre në sferën e strehimit të personave të moshuar pa përkujdesje familjare. Do të hartohet legjislacioni i duhur për t’u bërë i mundur trajtimi 24 orë i të moshuarve me vetfinancim si dhe kemi bërë licencimin e OJQ-ve për ofrim të shërbimeve për këtë komunitet në shtëpi-familje”, thotë Gashi. 

Sipas Iniciativës Kosovare për Stabilitet varfëria në Kosovë më tepër i kërcënon të moshuarit ndërkohë që ata shpërfillen nga politikbërësit.

“…Të moshuarit në Kosovë janë shtresa më e varfër e shoqërisë. Standardi i jetesës së tyre është rezultat direkt i pensioneve të vogla, varfërisë së përhapur dhe i varësisë nga familjet e tyre. Janë pjesë e pambrojtur e komunitetit tonë, veçanërisht tani gjatë pandemisë. Duke e ditë që kjo kategori e popullsisë, janë më të atakuar nga virusi COVID-19, dhe duke pasur parasysh rrethanat se si jetojnë ata, Qeveria e Kosovës nuk ka ndërmarrë ndonjë veprim që do të mund ta mbronte këtë kategori, përkundrazi me vendimet e pa menduara mirë ata nuk gëzojnë asnjë mbrojtje si shëndetësore (lirimi nga pagesa e barërave, mjekimi pa pagesë etj) apo sociale)”, pohon IKS në një përgjigje për KosovaLive. 

Iniciativa Kosovare për Stabilitet thekson se gjendja ekonomike e të moshuarve nuk u jep hapësirë të jetuarit të shëndetshëm dhe pa qenë i varur nga të tjerët. 

“Duke marrë parasysh kushtet në të cilat jetojnë dhe përkrahjen që shteti i ofron kësaj kategorie, të moshuarit në Kosovë jetojnë pa dinjitet. Me apo pa dëshirën e tyre ata detyrohen të jetojnë me familjet e tyre, që shumë shpesh shkaktohet edhe mbipopullim i hapësirave. Me 18 % të popullsisë që jetojnë në varfëri ekstreme, dalin probleme të mëdha edhe për  përkujdesjen e të moshuarve duke ditë se sa shumë nevoja dhe shpenzime kanë ata”, pohojn në IKS. 

Departamenti i Politikave Sociale dhe Familjes në MPMS thekson se komunat e Kosovës duhet të merren me rregullimin e hapësirave ku të moshuarit mund të pushojnë dhe t’i kryejnë aktivitetet e tyre. 

“…Sa i përket hapësirave ku të moshuarit tubohen dhe zhvillojnë aktivitete të ndryshme me interes për ta, për këtë është komuna ajo që duhet të bëjë për të moshuarit që i takojnë. Kjo çështje, nga të gjitha komunat në Kosovë, është e rregulluar nga organizatat e pensionistëve si dhe nga vet komunat. Por në këtë drejtim ka vend që të bëhet edhe më shumë”, thotë Gashi i MPMS-së. 

Për temën e të moshuarve në vend KosovaLive ka provuar të komunikoj edhe me komunën e Prishtinës, por nga këta të fundit nuk është marrë asnjë përgjigje. 

Sipas të dhënave nga raporti i Entit të Statistikave të Kosovës Prizreni ka numrin më të madh të të moshuarve me 23.3%, më pas Prishtina me 17.8% dhe Peja e Gjakova më nga 9 persona apo 12.3%. 

Sylejman Krasniqi, kryetar i Federatës Sindikale të Pensionisteve të Kosovës thotë se institucionet vendore deri më  tani i kanë  neglizhuar kryesuesit dhe të moshuarit nëpër shoqatat e pensionisteve të  Kosovës. Siç thekson ai, vazhdimisht iu janë  dërguar ankesat e të  moshuarve drejtuar liderëve por këta të  fundit kanë qenë të paqasshëm. 

Unë jam ne këtë pozite nga 9 maji 2018, Qeveria nuk ka bërë asgjë për te moshuarit edhe pse ne kemi bërë disa herë kërkesa. Afro 3-4 kërkesa ua kemi bërë kryeministrave, kryetarëve të shtetit edhe kryekuvendarëve që  kanë  qenë  ne pushtet. Këto kërkesa çdo vit u janë dërguar për me na pranuar disa nga problemet tona dhe deri më tani nuk kemi pasur asnjë përgjigje apo ftesë prej tyre e as ndihmë ”, tha  Krasniqi gjatë  një  interviste për KosovaLive.

Sipas tij, pensionistët edhe gjatë kohës më pandeminë Covid-19 janë penalizuar për shkak të izolimit gjë që ua ka vështirësuar pensionisteve qëndrimin ditor në tri shoqatat aktuale të  pensionisteve kosovarë.

Gjatë pandemisë institucionet shtetërore nuk kanë bërë asgjë për pensionistet, lokalet ekzistuese për pensionistet në Prishtinë  dhe në  gjithë  Kosovë aktualisht janë të  mbyllura. Në këto lokale pensionistët kanë pirë kafe, çaj, janë ushqyer por edhe kanë kryer edhe aktivitete të ndryshme si lojëra të shahut dhe lojëra të tjera, këto të gjitha pa pagesë. Tani janë të mbyllura dhe për pensionistë nuk ka asnjë aktivitet deri tek përmirësimi i gjendjes me pandemi”, thotë Krasniqi.  

Ai rikujton se buxheti është shtylla kryesore për të moshuarit ngase të gjitha aktivitetet e deritanishme janë të organizuara me buxhet vetanak, pa mbështetje institucionale. 

Gjithmonë me forca tona jemi munduar në nivel lokal të komunave me organizua ekskursione-shëtitore për pensionistë. Pra me shpenzime tonat që i marrim nga anëtarësimi i Sindikatës Rajonale të Meditranit dhe nga buxheti i pensionistëve që janë me kushte më të mira ekonomike ndërsa nga pushteti nuk kemi asnjë lloj ndihme, asnjëherë nuk është ndarë ndonjë buxhet për shoqatat e pensionisteve të Kosovës”, shton Krasniqi. 

Buxheti i kishte prishur edhe planet e pensionistëve për një udhëtim.

“Ne si Federatë e Sindikatave të Pensionistë të  Kosovës, kemi planifikuar që për të gjithë të  moshuarit të bëjmë  një udhëtim në Marok por për shkak të  mungesës së buxhetit, për fat të keq është anuluar”, përfundon ai. 

Sipas një  hulumtimi nga Iniciativa Kosovare për Stabilizim, gjatë vitit 2017, në Kosovë rreth 2.6% e të moshuarve kanë jetuar vetë, 38% e grave nuk kanë vijuar arsim të rregullt, prej tyre 66% janë analfabete. Kurse tek burrat vetëm 9% janë të pashkolluar dhe prej tyre 77% janë analfabetë.

Ramiz Mustafa, kryetar i Shoqatës Sindikale të komunës së Prishtinës po ashtu thotë se institucionet shtetërore i kanë neglizhuar pensionistet dhe thekson se në  Kosovë deri në vitin 2002 nuk ka pasur pensione. 

Që nga pas lufta Qeveria dhe institucionet e tjera shtetërore asgjë  nuk kanë  bërë  për pensionistë. Nga viti 2002 pensionistët nuk kanë marrë asgjë nga Qeveria dhe ministritë. Nga viti 2002, pensionistë kanë  filluar të  marrin nga 40 euro në një kohë të gjatë dhe ky pension ka qenë  i njëjtë sikurse ai që ka qenë i shkolluar, i pashkolluar, me marrëdhënie pune apo i papunë. 40 euro nuk ka qenë pension por as ndihmë pasi që për pensionistë nuk kanë qenë të mjaftueshme këto para nga shteti”, thotë Mustafa në një bisedë për KosovaLive . 

Sipas tij, pushteti i kapur i ka kufizuar shoqatat e pensionistëve që t’i kërkojnë të drejtat e tyre dhe se “cila parti është në pushtet i përkrah ato shoqata ku kryesuesit janë partiak”. 

“…Në  Kosovë  ka më  shumë  se 200 mijë  pensionistë dhe partitë politike mundohen gjatë  fushatave zgjedhore që t’i shfrytëzojnë duke i joshur me një  lloj ndihme momentale. Ne i kemi problem ndihmat nga institucionet si shkak se nuk i përkasim ndonjë  partie politike e aq ma pak të  ndonjë partie të pushtetit. Më e keqja është se cila parti është në pushtet ju ndihmon atyre të vetëve, pra ekzistojnë disa shoqata për pensionistë të cilat marrin ndihmë nga partitë politike në  këmbim të votave. Logjikisht kryesuesit e shoqatave të  pensionisteve me status nuk guxojnë t’i përkrahin ndonjë parti politike”, thekson ai. 

Në Departamentin e Pensioneve në Ministrinë e Punës dhe Mirëqenies Sociale thonë se personat e moshuar janë përfitues të pensionit atëherë kur në baza ligjore janë përcaktuar për një kategori të caktuar. Fokusi i kësaj ministrie, pohojnë ata mbetet tek pensionet e ish punëtorëve të arsimit dhe te punëtorët e parakohshëm të Trepçës.

Departamenti i Pensioneve zbaton kornizën ligjore për pensione (pension bazë; kontribut pagues; invalidor i punës; familjar; me aftësi të kufizuara, para dhe tetraplegjikë pa kufizim moshe), por e drejta më e favorshme mbetet n fuqi; t verbrit po ashtu pa kufizim moshe; kompensimi për ish punëtoret e arsimit e po ashtu edhe pensionet e parakohshme të “Trepçës”; TMK-së dhe FSK-së”, thuhet në një përgjigje me shkrim për KosovaLive nga Departamenti i Pensioneve në MPMS. 

Ndryshe, gjatë kohës që Kosova po luftonte ma pandeminë Covid-19 kjo ministi pohon se janë implementuar të gjitha pagesat për pensione, dhe se gjatë muajve prill-qershor janë bërë edhe pagat shtesë në shumë prej 30.00€ për përfituesit shuma e pensionittë të cilëve ka qenë nën shumën e 100 €”.  

Sipas Departamentit të Pensioneve, numri i përfituesve nga skemat pensionale për muajin nëntor 2020 është 23,5493.

Kryetari i Shoqatës Sindikale të komunës së Prishtinës, Mustafa thekson iniciativën për kujdesin shëndetësor të të moshuarve gjatë kësaj periudhe.  

Pensionistët kanë probleme të mëdha financiare, sociale dhe shëndetësore, pensionet e tyre janë  të vogla dhe ne si shoqatë për pensionistë jemi munduar t’ju ndihmojmë rreth një projekti i cila ka pas të bëjë me kontrollet shëndetësore të pensionistëve pa pagesë. Komuna në fillim e ka përkrah këtë iniciativë por kjo e gjitha ka zgjatur pak pasi nga ana e komunës kemi kuptuar se ka mungesë të stafit shëndetësor, kërkojmë që kjo iniciativë të vazhdohet sepse është në të mirë të shëndetit të pensionistëve”, tha ai. 

Mustafa thotë se mjeku vullnetar i ka vizituar pensionistët prishtinas përgjatë dy muajve, por mungesa e stafit shëndetësor dhe tani gjendja me pandeminë Covid-19 ka kushtëzuar ndaljen e kësaj iniciative. 

Sipas tij, institucionet vendore deri më tani nuk u kanë dhënë dritë të gjelbër për ndihme financiare shoqatave të  Pensionisteve në  Prishtinë dhe se kjo shoqatë  funksionon me punë vullnetare teksa kërkojnë ndihmë nga shteti. 

Çdo vit u dërgojmë plan program institucioneve shtetërore se çka kemi me punuar gjatë vitit për aktivitetet e pensionisteve nga aspekti financiar apo material. Deri më  tani ani nuk është realizuar nga institucionet tona asgjë nga plan programet tona dhe nga to nuk kemi marrë  asnjë cent, kjo dëshmo se punojmë vullnetarisht. Kërkojmë që institucionet tona të jenë me serioze dhe të punojnë me të vërtetë për të moshuarit, kjo kategori jo e parëndësishme e Kosovës”, përfundon ai. 

Një hulumtim i  Enti të Statistikës së Kosovës tregon se, Kosova në nivelin botëror renditet e 118-ta më jetëgjatësi mesatare prej 69 vite (meshkujt 67 dhe femrat më 71) derisa, Shqipëria është në vendin e 46-të më jetëgjatësi mesatare prej 76.4 vite (meshkujt më 73 dhe femrat më 79.7 – vite).

Për Nexhid Jetullahun, një tjetër pensiononit 68 vjeçar nga Prishtina thotë se epiteti pensionist ka qenë  i mirëseardhur, por pensioni është ai i cili po e kushtëzon jetesën e tij.  

Kam punuar si financier në Arkivin e Kosovës deri në moshën 65 vjeçare. I kënaqur jam që Zoti më ka zgjatë jetë për me mbërri pensionin sepse kam pasur edhe probleme shëndetësore… edhe jam operuar, kam pasur sulm në tru por e arrita edhe pensionin. Pensionimin e kam prit me shumë gëzim por pensionet e ulëta po ma vështirësojnë të jetuarit pasi që  nuk po më  dalin as për një pjesë të ilaçeve të  mia”, thotë ai për KosovaLive.  

Sipas tij, kontrollet shënmdetësore për pensionistë është dashur të jenë pa pagesë. 

Pensioni im momental është 260 euro, kjo në bazë të kualifikimit tim dhe kontributit në  punë n që  kam bërë  që  40 vite në  Arkivin e Kosovës, por nga që  jam me gjendje jo të  mirë  shëndetësore këto nuk me dalin as për barna as për kontrolle mjekësore e as për asgjë. E lus qeverinë dhe ministritë përkatëse që neve si pensionistë të na ndihmojnë në shëndetësi, lirim të pagesave. Gjithçka është e mundur por duhet vetëm të punohet më shumë për të moshuarit e Kosovës”, thotë Jetullahu. 

Sipas  Entit të Statistikave të Kosovës,  në Kosovë janë 73 persona që kanë kaluar një shekull jete është 73 dhe se në çdo 34,250 banorë vie një i moshuar mbi moshën 100 vjeçare. 

Drejtoresha e Shtëpisë së të moshuarve në Prishtinë, thotë se të moshuarve nuk u ka munguar përkujdesja as në kohe pandemie, se përkushtimi ndaj të moshuarve në ketë institucion është shtuar po ashtu edhe mbështetja e institucioneve shëndetësore përgjatë kësaj kohe nuk i ka harruar.  

“Në SHPMPF-Prishtinë rezidentëve tonë iu ofrohen shërbime 24-orë, kjo ka vazhduar edhe gjatë kohës së pandemisë, kujdesi dhe përkushtimi i menaxhmentit dhe stafit ka qenë në nivelin e duhur po ashtu kemi pasur mbështetje nga IKSHPK-ja duke i testuar dhe ritestuar disa herë rezidentët dhe stafin në institucion, si dhe nga MSH-ja jemi furnizuar disa herë me material mbrojtës për nevoja të banorëve dhe stafit gjatë kohës së pandemisë”, thekson ajo për KosovaLive. 

Alickaj tregon se në këtë institucion gjatë kohës me pandemisë Covid-19 ka pasur furnizime të rregullta të artikuj ushqimor, medikamente, material higjienik, veshmbathje, shtrojë e mbulojë e gjëra tjera përcjellëse, furnizime këto të rregullta nga furnitorët e kontraktuar nga MPMS.

Ajo konsideron se kushtet në ketë institucion janë të mirë dhe shërbimi ndaj të moshuarve është në nivel të duhur. 

Në SHPMPF kushtet e përgjithshme janë të mira, banorëve tonë ju ofrohen edhe këto shërbime si: ushqimi, veshmbathja , përkujdesja shëndetësore duke përfshi shërbime të përgjithshme mjekësore, stomatologjike, fiziatrike, shërbime sociale, administrative dhe teknike”, thekson Alickaj. 

Iniciativa Kosovare për Stabilitet konsideron se institucionet kosovare duhet të jenë vigjilente sa i përket pernsioneve në buxhet. 

Buxheti i Kosovës është i vogël, më pak se 2 miliardë euro. Miliona euro shpenzohen për pensione, derisa Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale ka buxhetin me të madh në Kosovë. Me 23 skema pensionale ekzistuese, sistemi i mbrojtjes sociale momentalisht është familja. Shteti gjithë barrën ua kalon familjarëve të personave që janë mbi moshën 65 vjeçare”, thotë IKS.

IKS thotë se standardi i jetesës i popullatës në moshë të shtyer në Kosovë është i komplikuar dhe se, të moshuarit kanë nevojë për kushte elementare, shëndetësore dhe ekonomike. 

IKS disa vjet më parë ka publikuar një raport mbi standardin e jetesës së moshuarve të Kosovës ‘Mos u Plaksh’, ku janë shtruar shumë nga problemet e këtij grupi. Disa madje mund të jenë përkeqësuar tani, siç janë nevojat financiare dhe nevoja për t’u kujdesur ose nga familja e tyre ose edhe mjekët/infermierët. Të moshuarit në Kosovë kanë pasur nevojë dhe vazhdojnë të kenë nevojë për kujdes më të mirë shëndetësor dhe qasje në institucionet shëndetësore”, pohon IKS.

Sipas Iniciativës Kosovare për Stabilitet duhet pasur kujdes kur bëhet fjalë për personat e moshuar ngase sjellja dhe ndihmat ndikojnë edhe në gjendjen emocionale të tyre. 

“Distancimi shoqëror dhe kufizimet bazuar në moshën e tyre dhe mungesa e kontakteve shoqërore, dëmtojnë mirëqenien fizike dhe mendore të personave të moshuar. Duhet të ketë iniciativa të reja që mbështesin të moshuarit në Kosovë dhe ata në numër të vogël të shtëpive të kujdesit në vendin tonë”, insiston Iniciativa Kosovare për Stabilitet.

Shqipdona Gashi 

Pikëpamjet e shprehura në këtë publikim janë të News Agency KosovaLive dhe në asnjë mënyrë nuk mund të konsiderohen si qëndrim i Fondacionit të Kosovës për Shoqëri të Hapur.

PUBLIKIME

LAJME

THELLESISHT

DIALOG

Grantet e Prodhimit të Përmbajtjes II

Grantet e Prodhimit të Përmbajtjes II

Pesë aplikantë që paraqitën një aplikacion për “Grantet e Prodhimit të Përmbajtjes II”, Tv Tema, Internews, RTV Puls, Radio Gorazdevac dhe Besnik Krasniqi do të marrin mbështetje.

BARAZI

Womair: Informimi i grave dhe burrave për cilësinë e ajrit

Womair: Informimi i grave dhe burrave për cilësinë e ajrit

Më 19 nëntor, nga ora 10:00 deri në 12:00 në KosovaLive u mbajt ngjarja interaktive “Womair”, e cila kishte për qëllim informimin e djemve, vajzave, grave, burrave, çifteve dhe të gjithë të interesuarve, pa dallim, për mënyrat më efektive për përmirësimin e cilësisë së ajrit në hapësira të brendshme dhe të jashtme.

EDUKIM