Ministri i Shëndetësisë Armend Zemaj ka nënshkruar sot aplikimin zyrtar për sigurimin e vaksinës kundër COVID-19 në aleancën globale GAVI-COVAX, derisa aplikimin për asistencë teknike lidhur me këto vaksina, është bërë ditë më parë përmes Ekipit të ekspertëve, i themeluar me qëllim të sigurimit të kësaj vaksine.
Aplikimi zyrtar në GAVI-COVAX nuk do të thotë se Kosova nuk do të shfrytëzojë edhe rrugë të tjera për të siguruar vaksina shtesë, sipas nevojës, përtej shifrës së 20% të vaksinave që do merren falas (apo rreth 360 mijë vaksina) nga COVAX, me që synimi është që të imunizohen kategoritë më të ekspozuara dhe rrezikuara nga COVID-19.
Synimi është që të vaksinohen grupet e popullatës që janë më të ekspozuara dhe rrezikuara nga COVID-19, siç janë nëpunësit shëndetësor, të moshuarit dhe personat me sëmundje kronike, personali i shërbimeve të angazhuara në menaxhimin e situatës epidemiologjike lidhur me COVID-19…, por pa e përjashtuar asnjë kategori që duhet të vaksinohet kundër COVID-19.
Duke njohur faktin se sigurimi i vaksinave përbën një obligim ligjor për ruajtjen e shëndetit publik të popullatës, Ministria e Shëndetësisë, qysh para disa muajve kishte vendosur kontakte me GAVI-COVAX, me qëllim që të sigurojmë vaksinën për qytetarët.
Pjesë e GAVI-COVAX , përveç OBSh, UNICEF-it, Bankës Botërore janë edhe fondacionet e ndryshme të fuqishme si dhe industria e vaksinave.
Kjo organizatë ka marrë përsipër që të ndihmojë shtete me të ardhura të ulëta dhe të mesme për sigurimin e vaksinës.
Kosova është e listuar në mesin e shteteve që 20% të vaksinës kundër COVID-19 do ta marrin falas përmes aleancës globale GAVI-COVAX, derisa pjesën tjetër do ta blejë vet.
Shumë kompani të prodhimit të vaksinave janë në përpjekje serioze për të zhvilluar dhe prodhuar vaksinën kundër COVID-19 si mënyra më e mirë për t’i dhënë fund pandemisë globale.
Shtete si Britania e Madhe veç kanë paralajmëruar vaksinimin e shpejtë të grupeve të rrezikut me vaksinën anti-covid, të njërit nga prodhuesit që tashmë ka marrë aprovimin për vaksinën e tij për përdorim tek njerëzit.
Shtete të tjera janë në procedura të sigurimit të tyre qoftë përmes kontakteve të drejtpërdrejta, qoftë përmes organizatave e aleancave të ndryshme që merren me lehtësimin e qasjes në vaksina në nivel global.
Disa nga shtetet me ekonomi të zhvilluara, përfshirë edhe industrinë farmaceutike, i kanë prodhuesit e tyre të vaksinave dhe kjo paraqet përparësi për to.
Me që procesi i sigurimit të vaksinës kërkon edhe disa parakushte të tjera që lidhen me transportin e tyre, ruajtjen, sigurinë dhe shpërndarjen e sigurt, Kosova ka aplikuar më parë për asistencë teknike në GAVI COVAX, ndërkohë që aplikimin për sigurimin e vaksinave shtesë e ka bërë bërë zyrtarisht gjatë ditës së sotme, edhe-pse afati ka qenë deri më 10 dhjetor.
Asistenca teknike ndërkaq është kërkuar rreth zinxhirit të transportit e ruajtjes së vaksinave dhe sigurisë së saj.
Ekipi i ekspertëve i formuar me qëllim që të merret me çështjen e vaksinës ka edhe pikën fokale në këtë GAVI-COVAX përmes së cilës do të zhvillohen kontaktet e mëtejmë deri në marrjen dhe administrimin e vaksinës tek popullata.
Gjatë vitit ndërkaq, MSh dhe IKSHPK kanë punuar me ekspert të huaj për të dizajnuar zinxhirin e ftohtë të ri të ruajtjes së vaksinave në Kosovë.