Ministri i Drejtësisë, Selim Selimi së bashku me zëvendësministrin njëherësh koordinatorin Nacional Kundër Dhunës në Familje, Florian Dushi, dhe akter të tjerë vendor dhe ndërkombëtar të sistemit të drejtësisë, sot kanë diskutuar për Ligjin për Mbrojtje nga Dhuna në Familje.
Ky diskutim është bërë në një takim të realizuar nga Ministria e Drejtësisë në kuadër të fushatës së “16 Ditëve të Aktivizmit kundër Dhunës me Bazë Gjinore”.
Me këtë rast, ministri Selimi tha se Ministria e Drejtësisë ka ndërmarrë hapa të rëndësishme në zbatimin e Strategjisë Kombëtare të Republikës së Kosovës për Mbrojtje nga Dhuna në Familje dhe Planin e Veprimit 2010-2020, i cili trajton shërbimet për viktima edhe ndjekjen penale të kryesve të krimit.
“Viktimave iu duhet mbështetja për t’i pasur burimet dhe ndihmën për t’u larguar nga marrëdhëniet e dhunshme. Kurse kryesit e krimit duhet ta dinë se sjellja e tyre ka pasoja. Me zbatimin e planit të veprimit, do të ndërmarrën hapa rrënjësorë për të siguruar mbrojtje dhe drejtësi për viktimat”, tha ministri Selimi.
Selimi ka përmendur të arriturat e Ministrisë së Drejtësisë në këtë fushë, siç janë: ndryshimet ligjore ku është përfshirë dhuna në familje si vepër e veçantë në Kodin Penal të Kosovës, krijimi i bazës së integruar të të dhënave për evidentimin e rasteve të dhunës në familje, si dhe nënshkrimi i Memorandum Bashkëpunimit me Strehimoret e viktimave të dhunës në familje, për qasje dhe lehtësim në punësim të personave të strehuar në strehimoret e dhunës në familje dhe viktimave të dhunës seksuale gjate luftës.
“ Pavarësisht të arriturave, dhuna në familje është evidente, statistikat tregojnë se pikërisht janë gratë ato që preken nga format e dhunës në familje, duke përfshirë dhunën psikologjike, ekonomike dhe atë fizike. Kjo tregon se duhet më shume pune dhe angazhim institucional, bashkëpunim më të gjithë sektorët që ta luftojmë këtë dukuri negative”, deklaroi ministri Selimi.
Gjatë këtij takimi, ministri Selimi tha se Kosova gjatë hartimit të politikave për mbrojtjen nga dhuna në familje është kujdesur që të harmonizohet me standardet ndërkombëtare për mbrojtjen e të drejtave të njeriut.
Ministri Selimi falënderoi partnerët zhvillimor, BE, UN Women, KE, OSBE, Eulex, Ambasada Amerikane etj., për mbështetje në hartimin e politikave dhe promovimin dhe sensibilizimin qytetarëve në mbrojtjen nga dhuna në familje.
Ndërsa zëvendësministri i Drejtësisë, Florian Dushi tha se gjatë këtij viti ka pasur një ngritje të rasteve të dhunës në krahasim me vitin paraprak.
“ Si rezultat i masave që qeveritë kanë ndërmarrë për të parandaluar Covid- 19 e që është mbyllja totale dhe po ashtu edhe problemet ekonomike, ka pasur një ngritje rasteve të dhunës. Për fat të mirë jo si në shtetet e rajonit por mund të vlerësohet se ka qenë një ngritje e lehtë por që institucionet e vendit kanë bërë gjithë çfarë është në dorën e tyre për të parandaluar ose për të trajtuar secilin rast të dhunës në familje komfor legjislacionit në fuqi”, tha zëvendësministri Dushi.