Në dhjetor 2020, në Thesarin e Kosovës është paguar një shumë prej 24.05 milionë euro si fonde të asistencës buxhetore të ofruara nga Komisioni Evropian. Këto fonde janë pjesë e asistencës së përgjithshme të BE-së për të zbutur ndikimin e COVID-19, për të mbështetur modernizimin e administratës publike të Kosovës dhe për të forcuar menaxhimin e financave publike.
BE-ja do të vazhdojë mbështetjen e Kosovës me fonde shumë të nevojshme për të zbutur ndikimin socio-ekonomik të krizës së COVID-19 mbi popullsinë dhe bizneset e Kosovës.
Komisionari për Fqinjësinë dhe Zgjerimin, Olivér Várhelyi tha: “Kosova dhe BE-ja janë të dyja akoma në mes të pandemisë. Përmes këtyre pagesave të mbështetjes buxhetore, ne ndihmojmë Kosovën të ndërmarrë veprimet e nevojshme për të luftuar pandeminë: të ndihmojë stabilizimin e financave publike, t’i ofrojë mbështetje bizneseve të vogla dhe qytetarëve nevojtarë për t’ia dalë mbanë vështirësive financiare me të cilat përballen në këtë situatë të vështirë. Ne qëndrojmë pranë popullit të Kosovës”.
Mbështetja buxhetore është një formë e mbështetjes nga BE-ja, ku BE-ja shpërblen përparimet që shënojnë qeveritë në zbatimin e strategjive të veta dhe në arritjen e synimeve që i kanë vënë vetes. Pagesat e mëparshme të BE-së lidhur me administratën publike dhe reformat e menaxhimit të financave publike në shumën prej 11.5 milionë euro dhe 9.97 milionë euro, u disbursuan në dhjetor 2019 dhe korrik 2020, përkatësisht.
Qeveria ka vazhduar të ndjekë agjendën e saj të menaxhimit të financave publike dheadministratës publike, por duhet të riafirmojë zotimin e saj ndaj objektivave dhe parimeve të përgjithshme të kësaj agjende të reformave, të sigurojë përshpejtimin e ritmit të zbatimit në të ardhmen dhe të sigurojë që masat e parashikuara ekonomike dhe investimet nuk e minojnë stabilitetin makro-ekonomik në Kosovë.