Pas një vendimi kontravers dhe profesionalisht të pambështetur mjaftueshëm në fakte, Gjykata Kushtetuese e Kosovës urdhëroi që brenda 40 ditëve të mbahen zgjedhjet e jashtëzakonshme në Kosovë dhe U. D. e Presidentit të Kosovës, Vjosa Osmani ka përfunduar takimet konsultative me subjektet politike për caktimin e datës së zgjedhjeve të jashtëzakonshme. Tash, vetëm po pritet që Gjykata Kushtetuese e Kosovës t’ua dërgojë palëve vendimin e Gjykatës në mënyrë që të caktohet data e saktë.
KMDLNj ka pritur që Gjykata Kushtetuese e Kosovës ta kthejë edhe një herë në votim formimin e Qeverisë së Kosovës ndërsa verdiktin urdhërues për zgjedhje të jashtëzakonshme e llogaritë si penalizim. Mirëpo, pasi që Gjykata Kushtetuese është adresa e fundit e interpretimit të kushtetushmërisë së një vendimi që kontestohet, vendimi i Gjykatës Kushtetuese duhet të zbatohet pa asnjë kundërshtim. Për këtë çështje në Kosovë është ndërtuar dhe forcuar një standard i pranimit të çdo vendimi të Gjykatës Kushtetuese dhe, deri më tani nuk ka asnjë rast të kundërshtimit të vendimeve të Gjykatës Kushtetuese ndonëse janë marrë vendime që , për pasojë kanë pasur dorëheqjen e presidentëve.
Kohë më parë, thuaja 6 muaj pasi u propozua votimi i Ligjit për Rimëkëmbje Ekonomike, më në fund u votua ky Ligj që për qëllim ka dhënien e kontributit për zbutje të gjendjes së rëndë ekonomike për qytetarë dhe biznese por se për këtë dhe ndërmarrje tjera financiare duhet të miratohet Buxheti i Kosovës në mënyrë që të mos ketë ngecje në kryerjen e detyrimeve ndaj qytetarëve sikur edhe të garantohet funksionimi i institucioneve.
Tash, në prag të zgjedhjeve të jashtëzakonshme po kërkohet që me një procedurë të shpejtuar të votohet Buxheti i Kosovës, gjithnjë duke u thirrur në faktin se, nëse nuk votohet ky buxhet, atëherë Kosova do të gjendet në një krizë të papërballueshme. Në kohën kur ka filluar , ndonëse e pashpallur fushata zgjedhore, miratimi i Buxhetit konsiderohet si kartë e fortë elektorale prandaj, për të eliminuar këto mundësi, KMDLNj propozon që të ulen të gjitha subjektet politike dhe, nëse e arrijnë konsensusin e plotë atëherë ta votojnë Buxhetin e Kosovës. Miratimi dhe votimi i Buxhetit të Kosovës nuk është dhe nuk duhet të jetë interes partiak por ekskluzivisht interes shtetëror andaj konsensusi është i domosdoshëm.
Nëse nuk arrihet një konsensus i plotë atëherë , si kompromis duhet të gjindet një zgjidhje e ndërmjetme, deri në marrjen e mandatit të qeverisë së re e cila do të kishte përgjegjësi për buxhetin e vitit 2021. Nëse qeveria e re do të formohej deri në mars të vitit 2021, në mungesë të konsensusit të subjekteve politike qeverisëse dhe të opozites për miratim të Buxhetit të Kosovës për vitin 2021, përgjegjësia duhet t’i bartet qeverisë së re. Nëse ndodhë e kundërta dhe nëse Buxheti miratohet pa konsensus , qeveria e re, përmes rishikimit të buxhetit do ta hudhë poshtë buxhetin e miratuar , pa një konsensus të plotë të subjekteve politike.
PDK–ë, përmes z.Hoxhaj që e udhëheqë këtë parti, ka deklaruar se do ta votojë Buxhetin e Kosovës për vitin 2021 për faktin se të punësuarit do të mbesin pa paga sikur që, nëse nuk do të votohej, nuk do të mund të zbatohej Ligji për Rimëkëmbje Ekonomike që është votuar pikërisht falë votave të PDK-së.
KMDLNj rekomandon që kryeministri Hoti të thërret përfaqësues të subjekteve politike dhe akterë tjerë në përpjekje të sigurojë një konsensus për miratimin e Buxhetit të Kosovës për vitin 2021. Në të kundërtën dhe në mungesë të një konsensusi politik dhe shoqëror duhet të gjindet një zgjidhje e përkohshme apo kalimtare, deri në formimin e qeverisë së re! Në këtë rast, kompromisi është shumë i nevojshëm dhe i domosdoshëm dhe do të ishte në dobi të qytetarëve si dhe bizneseve që janë buzë falimentimit, për të mbijetuar, deri në një normalizim të situatës.
Edhe qeveria e re, pas zgjedhjeve të jashtëzakonshme, pa një kompromis do ta ketë të pamundur ta miratojë Buxhetin, prandaj duhet të bëhen të gjitha përpjekjet që të miratohet Buxheti I Kosovës, para se të shkohet në zgjedhje të jashtëzakonshme duke arritur pajtueshmëri midis pozitës dhe opozites aktuale, pa u ndjerë pozita si fituese e as opozita, si humbëse!