Meqenëse Gjykata Kushtetuese e Kosovës më 21 dhjetor ka marrë vendimin që deputeti i zgjedhur në Kuvendin e Kosovës, Etem Arifi, s’kishte pasur legjitimitet në momentin kur kishte votuar për Qeverinë Hoti, partitë politike në Kosovë edhe para se të nisë fushata parazgjedhore zyrtare i kanë filluar bisedimet me përfaqësuesit e degëve të tyre, në përgatitje për zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare.
Në të vërtetë, Lëvizja Vetëvendosje lëndën lidhur me interpretimin e votës së Etem Arifit e kishte dërguar në Gjykatën Kushtetuese më 11 korrik të këtij viti, meqenëse ky deputet në kohën e votomit për Qeverinë Hoti, më 3 qershor, tashmë ishte i dënuar nga gjykata me 15 muaj burg për mashtrim me subvencione. Vota e Arifit ishte vendimtare për zgjedhjen e kësaj qeverie.
Gjykata Kushtetuese e Kosovës këtë vendim e kishte marrë njëzëri pas konsultash me të gjitha palët e interesuara.
“Nëse përbërja e propozuar e Qeverisë nuk merr shumicën e votave të nevojshme, Presidenti i Republikës së Kosovës, brenda dhjetë (10) ditësh emëron kandidatin tjetër sipas së njëjtës procedurë. Nëse as herën e dytë nuk zgjidhet Qeveria, atëherë Presidenti i Kosovës i shpall zgjedhjet, të cilat duhet të mbahen jo më vonë se dyzet (40) ditë nga dita e shpalljes së tyre”, thotë neni 95, pika 4 e Kushtetutës.
Në vendimin e Gjykatës Kushtetuese po ashtu thuhet se "asnjë person që është i dënuar për vepër penale me një vendim gjyqësor të formës së prerë në tre vjetët e fundit, nuk mund të jetë kandidat për deputet e as të fitojë mandat të vlefshëm në Kuvendin e Republikës së Kosovës, si dhe se Qeveria Hoti do të mbetet në detyrë deri në zgjedhjen e një ekzekutivi të ri.
Ehat Miftaraj nga Instituti Kosovar për Drejtësi në profilin e tij në Facebook ka theksuar se “ky vendim i Gjykatës Kushtetuese e ka një hile të madhe”, sepse as “Albin Kurti, Albulena Haxhiu, Donika Kadaj-Bujupi, Faton Topalli e shumë të tjerë të dënuar për vepra penale edhe me kusht nuk do të mund të kandidojnë në zgjedhjet që do mbahen në janar apo shkurt të vitit të ardhshëm”.
Ata Gjykata Themelore në Prishtinë i kishte shpallur fajtorë në vitin 2018 për veprat penale – përdorim i armëve dhe mjeteve të rrezikshme, si dhe për pengimin e personit zyrtar në kryerjen e detyrës duke gjuajtur gaz lotsjellës në Kuvendin e Kosovës në vitin 2015.
Me qëndrimin e Miftarajt pajtohet edhe ish kryetari i Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, Enver Hasani, duke saktësuar se nuk ka kurrfarë pengesash ligjore që Kurti të kandidojë për kryeministër.
Mirëpo, avokati Arianit Koci konsideron se për Kurtin dhe të tjerët nuk ka kurrfarë pengesash për të marrë pjesë në zgjedhje, meqenëse bëhet fjalë për dënim me kusht.
Dhe derisa të mos sqarohet çështja se në cilat kushte mund të marrin pjesë ose jo në zgjedhjet e ardhshme personat që janë dënuar në tri vjetët e fundit për kryerjen e veprave kriminale, UD e presidentit të Kosovës, Vjosa Osmani, i ka nisur menjëherë konsultat me partitë politike për aktimin e një date për mbajtjen e zgjedhjeve të jashtëzakonshme.
Në pritje të një vendimi përfundimtar, analistët kosovarë spekulojnë se zgjedhjet do të mund të mbaheshin në pjesën e dytë të shkurtit të vitit të ardhshëm.
Zyrtarë të lartë të partive politike kanë deklaruar se nuk do ta kundërshtojnë vendimin e
Gjykatës Kshtetuese të Kosovës dhe se janë të gatshme për zgjedhje.
Megjithatë, ata theksojnë se para mbajtjes së zgjedhjeve duhet të aprovohet Buxheti i Kosovës për vitin 2021, që të mos rrezikohet që në muajin mars të punësuarit në sektorin publik dhe pensionistët të mbeten pa paga dhe pensione, si dhe që do të ishte mirë që partitë politike të merreshin vesh para zgjedhjesh për një president konsensual të Kosovës, sepse nëse kjo çështje lihet për periudhën pas zgjedhjesh, mund të hyhet në një krizë politike të re, nëse as atëherë nuk zgjedhet presidenti. Kjo do të thotë se parlamenti do të shpërndahej përsëri dhe prapë do të mbaheshin zgjedhjet e reja të jashtëzakonshme.
Përkundër partive politike kryesore, vetëm Lëvizja Vetëvendosje nuk është e mendimit se Kosova do të hyjë në një krizë financiare, duke pohuar se qeveria e tyre do ta aprovonte buxhetin me procedurë urgjente. Nga ana tjetër, Partia Demokratike e Kosovës, aktualisht në opozitë, është e interesuar që buxheti të aprovohet para zgedhjeve.
40 deputetë e kanë nënshkruar kërkesën për mbajtjen e një seance të jashtëzakonshme të Kuvendit të Kosovës, në të cilën është paraparë aprovimi i buxhetit për vitin e ardhshëm, ndërsa seanca do të duhej të mbahej të hënën, më 28 dhjetor. Analistët kosovarë nuk e përjashtojnë mundësinë që Kuvendi të shpërbëhet menjëherë pas aprovimit të buxhetit.
Sa i përket marrëveshjes së partive politike lidhur me zgjedhjen e presidentit të ardhshëm të Kosovës, tani për tani nuk ka asnjë lëvizje përpara në atë drejtim.
Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës vazhdon të këmbëngulë se kandidati i tyre për president, Ramush Haradinaj, është i vetmi që mund të jetë i pranueshëm për Kosovën, por gjer tani ky propozim nuk e ka marrë mbështetjen e asnjë partie politike. Megjithatë, Ramush Haradinaj në një nga prononcimet e tij publike ka deklaruar se nëse për këtë funksion kandidon dikush nga familja Jashari, ai është i gatshëm që ta tërheqë kandidaturën e tij dhe votën t’ia japë atij personi.
Nga ana tjetër, Partia Demokratike e Kosovës konsideron se asaj i “përket” funksioni i presidentit të Kosovës, meqenëse atë e kryente ish lideri i tyre, Hashim Thaçi, i cili aktualisht gjendet në Hagë.
Lidhja Demkoratike e Kosovës disa herë ka deklaruar se funksioni i presidentit “nuk e intereson”, ndërsa Lëvizja Vetëvendosje këmbëngul që presidenti i ardhshëm të mos vijë nga radhët e partive politike, e bindur se kur të vijë në pushtet do ta propozojë një person për të cilin do të jetë e vështirë të mos votohet.
Një nga temat kryesore të debateve politike është edhe fituesi i mundshëm në këto zgjedhje dhe nëse partitë politike do të dalin në zgjedhje të vetme ose nëse do të bëjnë koalicione vetëm pas zgjedhjesh.
Bazuar në deklaratat e deritashme të liderëve kryesorë, partitë më të mëdha politike planifikojnë që në zgjedhje të dalin të vetme ose bashkë me partnerët politikë më të vegjël tradicionalë. Lëvizja Vetëvendosje deri tani e ka konfirmuar vetëm bashkëpunimin me Vjosa Osmanin, ish kandidaten për kryeministre të Kosovës nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, aktualisht UD e presidentes së Kosovës, e cila ka paralajmëruar themelimin e një nisme të saj.
Ende nuk dihet emri i subjektit të saj politik, as nëse është regjistruar te Komisioni Qendror Zgjedhor.
Mediat në Kosovë kanë raportuar ditëve të fundit se një pjesë e zyrtarëve të degëve të Lidhjes Demokratike të Kosovës e mbështesin nismën që e ka paralajmëruar Osmani, ndërsa përfaqësuesit e kësaj partie pohojnë se ikja e Osmanit nga partia e tyre nuk do ta rrezikojë partinë.
Lutfi Haziri, nënkryetar i Lidhjes Demokratike të Kosovës megjithatë konsideron se me ikjen e Osmanit nga kjo parti askush nuk fiton.
“Sot ne humbim, nesër humb Vjosa. Pozicioni është i njëjtë. Ne dëmtohemi sot, në procesin tjetër dëmtohet Vjosa”, ka thënë Haziri.
Më anë tjetër, analistët kosovarë spekulojnë se në koalicion parazgjedhor do të mund të hynin Partia Demokratike e Kosovës dhe Nisma Socialdemokrate e Fatmir Limajt, por deri tani parashikimet e tilla nuk janë konfirmuar zyrtarisht.
Sipas hulumtimeve më të fundit, në zgjedhjet parlamentare të jashtëzakonshme do të fitojë Lëvizja Vetëvendosje, ndërsa për vendin e “dytë” do të luftojnë Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Partia Demokratike e Kosovës. Me rezultatet e këtyre hulumtimeve nuk pajtohet asnjëra nga partitë politike.
Ka reaguar edhe zëvendëskryeministri në detyrë, Besnik Tahiri, duke theksuar se parashikimet e tilla janë pjesë e fushatës.
“… Sidoqoftë edhe në fushatë njerëzit duhet të tregohen realistë. Parashikimet euforike, në esencë tregojnë mungesë vetëdijësimi dhe maturie politike, ndoshta edhe ngarkesë… Një gjë po ua them të gjithë kolegëve nga të gjitha partitë: Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës është këtu si kur është vështirë, ashtu edhe kur është më lehtë. Në secilën temë qëndrojmë të palëkundur. Në këto zgjedhje hyjmë më të fortë se kurrë më parë”, ka shkruar Tahiri në profiin tij në Facebook.
Më anë tjetër, kryetari i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, në Shtime ka deklaruar se koncepti i tij është në mbrojtje të shtetit, sepse vendi po rrezikohet.
“Ne besojmë se vendi ynë është në rrezik. Slogani ynë i fundit ka qenë bashkë për shtetin dhe apeli ynë ka qenë të bëhemi bashkë duke parashikuar rreziqet që po na vijnë për t’i preventuar ato. Ne qysh para tri vjetësh kemi paralajmëruar se Kosova do të jetë në një udhëkryq të madh.
Populli i Kosovës t’i japë orientimin vendit kah do ta çojë. Njëri drejtim çon të dëmi i pariparueshëm”, ka deklaruar midis tjerash Limaj.
Partia Demokratike e Kosovës i akuzon Lëvizjen Vetëvendosje dhe Lidhjen Demokratike të Kosovës “për mashtrim” të qytetarëve, sepse ata e kishin premtuar qeverinë e shpresës, duke theksuar se partia e tyre është dëmtuar, meqenëse lideri i tyre, Kadri Veseli, gjendet në Hagë, për ç’arsye pret që të marrë vota të mjaftueshme në zgjedhjet e jashtëzakonshme që të dalë partia e dytë me numrin e deputetëve në Parlamentin e Kosovës.
Edhe pse njohësit e mirë të ligjit zgjedhor të Kosovës pohojnë se është e pamundshme, Lëvizja Vetëvendosje pohon se gëzojnë mbështetjen më të madhe të qytetarëve të Kosovës dhe presin t’i kenë më shumë se 50 deputetë.
Violeta Oroshi Berishaj