Build Skills with our trainings

Sign up now!

Inovacioni me shumë sfida, por me një të ardhme në Kosovë

Jan 11, 2021

Sistemi i inovacionit në Kosovë përballet me një numër sfidash të rëndësishme. Performanca e saj është penguar nga një kombinim i faktorëve të ndryshëm, duke filluar nga koordinimi i politikave deri te mungesa e burimeve të dedikuara për të mbështetur inovacionin.

Era Jashari, këshilltare për Marrëdhëniet me Publikun, Marrëdhëniet Ndërkombëtare dhe Zhvillim të Shërbimeve nga Oda Ekonomike e Kosovës thotë se kompanitë inovative janë një ndër kontribuesit kryesor në zhvillimin e ekonomisë edhe pse sektori ku shumë prej tyre operojnë në Kosovë është relativisht i ri.

“Këto kompani po ndikojnë në rritjen e punësimit sidomos tek të rinjtë dhe po nxjerrin potencialet dhe aftësitë e të rinjëve nga Kosova. Mes tjerash këto kompani po ngrisin imazhin e vendit tonë duke u vlerësuar lartë nga institucione kredibile në nivel Evropian”, tha ajo. 

Jashari gjithashtu thotë se kompanitë inovative kanë qenë disi më të përgatitura për ndryshimet që ka sjellë pandemia COVID-19 si rezultat i vendosjes së kufizimeve për të parandaluar përhapjen e saj. Pra, sipas saj kompanitë inovative janë më të përgatitura për punën nga shtëpia dhe funksionalizimin e operimeve të tyre përmes teknologjive digjitale.

“Duke qenë se kompanitë inovative dhe sektori i TIK në përgjithësi janë prijes të transformimit digjital për shumë industri të ndryshme, është e rëndësishme ta shfrytëzojnë pandeminë COVID-19 dhe domosdoshmërine e transformimit digjital në favor të zhvillimit të qendrueshëm”, thotë Jashari.

Ajo tregon se sektori i teknologjisë është sektori i vetëm që eksporton më shumë se që importon. 

“Është shumë e rëndësishme të përkrahet në rolin që ka në krijimin e vendeve të reja të punës, rritjes së konkurrueshmërisë dhe zhvillimit të qëndrueshëm të sektorit privat”, thekson Era Jashari.

Banka Qendrore Evropiane thotë se një nga përfitimet kryesore të inovacionit është kontributi i saj në rritjen ekonomike. Inovacioni mund të çojë në produktivitet më të lartë. Ndërsa produktiviteti rritet, më shumë mallra dhe shërbime prodhohen – me fjalë të tjera, ekonomia rritet.

Këtë e pohon edhe Çelik Nimani, nga kompania Frakton.

 “Frakton i ka sjellur shumë të mira Kosovës, duke krijuar së pari më shumë se 40 vende të punës përbrenda kompanisë dhe indirekt me partneritete më kompani tjera dhe dhjetëra vende pune. Duke qenë se ne jemi edhe kompani që eksportojmë shërbime, ne në vazhdimësi sjellim të ardhura drejt vendit tonë, dhe këto më pas reflektohen në paga dhe mirëqenie për punëtorët tonë, si dhe tatime e kontribute të paguara për shtetin në vazhdimësi”, tha Nimani.

Ai argumenton se Kosova mund të jetë një vend i mirë për kompani inovative përderisa ka njerëz që themelojnë e ndërtojnë kompani të tilla, të cilat gjithashtu e vendosin në hartën e botës Kosovën për të mirë në vazhdimësi.

Nimani tregon se këto kompani ndërtojnë e zhvillojnë produkte e shërbime për kompani botërore si Bosch, Siemens, Mercedes, Lufthansa etj. 

“Kësisoj tregojmë që nuk jemi treg vetëm për fuqi punëtore të lirë, por për fuqi punëtore kualitative dhe të shkathtë. Këto të gjitha indirekt e direkt ndikojnë në ekonominë e Kosovës, pasi ndihmojnë në krijimin e kompanive të reja dhe gjithashtu inspirojnë potencialisht që të shohim edhe produkte të reja që krijohen në Kosovë e janë në dispozocion për botën”, shprehet ai.

Rron Cena nga kompania Formon tregon se bashkë me kompaninë e tyre të themeluar në Kosovë bëjnë inovacione të ndryshme dhe disa prej tyre janë thjeshtësimi i përdorimit të 3d printerit desktop, duke e zhvilluar produktin në mënyrë vertiale (hardëare, elektronike dhe software. 

“Qëllimi i këtij produkti të quajtur Formon Core ka qenë intro për çfarëdo konsumatori në botën dhe teknologjinë e 3d printimit”, u shpreh ai duke thënë gjithashtu se janë duke i finalizuar edhe n2 produkte tjera, 3d printerë, me specifika për konsum profesional të 3d printimit, të cilat do të lansohen verën e vitit 2021.

Puna e tyre si kompani ka zhvilluar inovacion edhe gjatë pandemisë Covid-19, kur Formon duke e shfrytëzuar kompetencën profesionale të zhvillimit, kanë krijuar ventilator për frymëmarrje për pacientë të hospitalizuar që kanë pasur vështirësi në frymëmarrje. 

“Ky projekt është shfrytëzuar nga vende të ndryshme të botës si Meksika, Brazili, disa vende të tjera të Amerikës Latine dhe të Afrikës, poashtu”, tha ai.

Cena thotë se kompanitë inovative (në çfarëdo sektori) janë shkaktari kryesor i zhvillimit të sektorit privat të cilitdo shtet, jo vetëm të Kosovës. Ai e sheh krijimin e produkteve inovative apo shërbimeve të tilla si ndikim për ulje të deficitit dhe ngirjte të të hyrave nga shtetet tjera.

Ai beson se, ne si shtet, derën e vetme që e kemi në dispozicion nëse dëshirojmë të kemi ngritje të produkitvitetit dhe standrateve jetësore, është inovacioni. 

“Benefitet e inovacioni janë gjithnjë të dukshme dhe pothuajse të padiskutueshme në vendet e zhvilluara. Në Kosovë, ende nuk është kuptuar rëndësia e krijimit dhe fokusit të veçantë në kompani vendore që hapin vende punë për “knowledge workers”, të cilët në mënyrë direkte ndikojnë në produktivitet dhe rritje ekonomike, gjithashtu edhe për një standard jetësor më të mirë. Impakti i inovacionit është i thjeshtë, ndikon në produkitvitet dhe vende të reja pune dhe sa më shumë produkte e shërbime të reja krijohen paralelisht me ç’rast rritet edhe ekonomia e një vendi”, përfundon ai.

Një vlerësim të sistemit inovativ të Kosovës që e ka bërë Organizata për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ekonomik, rezulton se organizimi institucional i Kosovës dhe infrastruktura e inovacionit vuan nga katër dobësi. 

Këto janë: mungesa e implementimit dhe mekanizmve të monitorimit, mungesa e të dhënave të nevojshme për hartimin dhe vlerësimin e politikave, mungesa e personelit me përvojë, dhe burimet e pamjaftueshme financiare për masat mbështetëse të inovacionit.

Në mënyrë që të rrisin konkurrencën e tyre, firmat e Kosovës duhet që në mënyrë efektive të angazhohen në veprimtari të inovacionit, thuhet pos tjerash në atë analizë.

Në anën tjetër, Mërgim Cahani themelues i Gjirafa, thotë se kompania e tij është e para me rritjen më të shpejtë të teknologjisë në Ballkan.

Programi Deloitte Technology Fast 50 i bazuar në Evropën Qendrore, është një program që profilizon kompanitë e teknologjisë me rritje të shpejtë në rajon. 

Pesë kompani nga Kosova janë zgjedhur nga Deloitte si kompani që kanë zhvillim të shpejtë, me ndikim dhe janë në rritje e sipër në Evropën Qendrore. Në këto kompani bëjnë pjesë Gjirafa, Frakton dhe përpos tyre edhe Cacttus, ASSECO SEE, 3CIS J.S.C,

Se ka pasur ndikim pozitiv në rritje të shitjeve online pohon edhe Cahani duke thënë se shitjet online gjatë pandemisë kanë ndikuar pozitivisht në e-commerce me ç’rast ka pasur më shumë fitim.

Innovation Center Kosovo është një kompani tjetër inovative e cila ka për synim mbështetjen e bizneseve të reja startup në Kosovë, shpjegon drejtori ekzekutiv i kësaj kompanie, Uranik Begu. 

“Bizneset të cilat i mbështesim janë të rëndësishme pasi që sjellin risi dhe inovacion në vend, dhe njëkohësisht rrisin konkurrencën e brendshme”, tha ai.

Begu thotë se inovacioni, si term, gjithmonë ka bashkëjetuar me ne si shoqëri dhe ai beson se si Kosovë jemi të adaptueshëm karshi risive që ofrojnë bizneset. 

“Ajo që duhet të kemi në fokus është që të krijojmë një mentalitet i cili gjithmonë synon që të sjell risi dhe inovacion në biznes, pasi që është e vetmja mënyrë për të mbijetuar konkurrencës globale”, është shprehur Begu. 

Ai gjithashtu beson se Kosova ka potencial që të ketë kompani që qëndrueshme dhe inovative të cialt fillimisht do të shërbenin tregun e brendshëm duke sjellur risi në produkte dhe shërbime, dhe që njokohësisht do të mund të përmirësonin mirëqenien tone qytetare. 

“Duhet një investim i madh në edukimin dhe në ekonomi të dijes në mënyrë që të krijojmë kompani inovative të fuqishme të cilat do të ishin bartëse të zhvillimit tonë ekonomik.”

Tech Boost, programi për përgatitjen e bizneseve startup për investime është një program nga ICK i dizajnuar për të shndërruar idenë e biznesit të qëndrueshëm. Ky është një program i cili synon të përfshijë themeluesit e bizneseve të reja, të cilët janë të gatshëm të përkushtojnë kohën për përparim të mëtutjeshëm në tregun rajonal dhe atë ndërkombëtar.

Në anën tjetër, Blerim Rexha, udhëheqës i Departamentit të Inxhinierisë Kompjuterike dhe profesor në Fakultetin e Inxhinierisë Elektrike dhe Kompjuterike të Universitetit të Prishtinës thotë se qeveria ka harruar pothuajse krejt sektorin e inovacionit dhe ndërmarrësisë në Kosovë. 

Rexha thotë se ka pasur ndryshime drastike në qeverinë e Kosovës, që kanë ndikuar negativisht në sektorin e inovacionit. 

“Ndryshimi në strukturën e qeverisë, gjegjësisht shuarja e Ministrisë së Inovacionit, ka shuar edhe ato pak shpresa që janë ngjallur më herët. Start up-et, akseleratorët, inkubatorët, si dhe rëndësia e qendrave kreative dhe inovative si ICK-ja, nuk po vlerësohen dhe mbështeten”, ka thënë ai.

Ai beson se rruga e vetne që i pret të rinjtë e Kosovës është drejtimi kah kompanitë innovative. Sipas Rexhës të rinjtë nuk duhet të presin që të punësohen në Telekom, KEK ose në administratë shtetërore, por ata duhet të mbështeten për krijimin e ndërmarrjeve të reja dhe inovative.

Inovacioni është një përkrahës shumë i mirë i të rinjëve. ICK përmes programeve të tyre ofrojnë punë praktike me pagesë, ku pas trajnimeve në dizajn grafik, video editim, web programim, online marketing, Java dhe WordPress, janë angazhuar në punë praktike me pagesë nëpër kompani dhe organizata të ndryshme në Kosovë.

Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, në tryezën e paraqitur në 2019 të mbështetur nga Projekti HERAS “Status quo-ja e zhvillimit të kërkimit dhe inovacionit në Kosovë: Mendime për R&I të ardhshme të Kosovës”, tregon se kërkimi dhe inovacioni në Kosovë është i pazhvilluar dhe përballet me një sërë sfidash. 

Mungesa e mekanizmave të zbatimit dhe monitorimit, mjete të pamjaftueshme financiare kushtuar zhvillimit të kërkimit dhe inovacionit, infrastruktura e dobët për kërkim dhe inovacion, mungesa e politikave dhe e korrdinimit ndërinstitucional janë disa prej faktorëve të ndryshme që pengojnë zhvillimin e këtyre sektorëve.

Uranik Emini

Pikëpamjet e shprehura në këtë publikim janë të News Agency KosovaLive dhe në asnjë mënyrë nuk mund të konsiderohen si qëndrim i Fondacionit të Kosovës për Shoqëri të Hapur.

PUBLIKIME

LAJME

THELLESISHT

DIALOG

Grantet e Prodhimit të Përmbajtjes II

Grantet e Prodhimit të Përmbajtjes II

Pesë aplikantë që paraqitën një aplikacion për “Grantet e Prodhimit të Përmbajtjes II”, Tv Tema, Internews, RTV Puls, Radio Gorazdevac dhe Besnik Krasniqi do të marrin mbështetje.

BARAZI

Womair: Informimi i grave dhe burrave për cilësinë e ajrit

Womair: Informimi i grave dhe burrave për cilësinë e ajrit

Më 19 nëntor, nga ora 10:00 deri në 12:00 në KosovaLive u mbajt ngjarja interaktive “Womair”, e cila kishte për qëllim informimin e djemve, vajzave, grave, burrave, çifteve dhe të gjithë të interesuarve, pa dallim, për mënyrat më efektive për përmirësimin e cilësisë së ajrit në hapësira të brendshme dhe të jashtme.

EDUKIM

Të rinjtë e të moshuarit e Kosovës të rrezikuar nga informatat, lajmet dhe përmbajtja e rreme

Të rinjtë e të moshuarit e Kosovës të rrezikuar nga informatat, lajmet dhe përmbajtja e rreme

Sipas Media Index 2018, të publikuar nga Open Society Institute në Sofie të Bulgarisë, shtetet në rajonin e Balkanit janë më të ndjeshmet dhe më të rrezikuarat në Evropë nga dezinformimi dhe lajmet e rreme. Kjo është kryesisht për shkak të nivelit të ulët të edukimit, numrit të lartë të mediave të kontrolluara nga shtetet apo intereset e bizneseve, dhe për nga mungesa e besimit në shoqëri. Kjo rrezikshmëri nga manipulimi dhe nga konsumimi pa filter i përmbajtjes në media, paraqet një rrezik të madh për rajonin dhe specifikisht për Kosovën.