Përkundër dëshirës së madhe për tu marrë me kuzhinë, Verona Tafa, nga komuna e Vitisë, nuk po gjenë mundësi për të bërë praktikë në këtë drejtim, e cila do t’i ndihmonte edhe për punësim.
Edhe pse kishte kryer studimet në Fakultetin për Gjuhë Angleze në Ferizaj, Tafa kishte shprehur dëshirën që të mësonte më shumë për kuzhinën.
Ajo tregon se ka arritur të bëjë praktikë në një trajnim të organizuar nga Iniciativa për Zhvillimin e Bujqësisë së Kosovës (IADK), për konservim të perimeve, por që pas këtij trajnimi nuk ka arritur të kryej më praktikë, pasi nuk ka pasur oferta të tilla.
“Kam kuptuar se përveç gjuhës angleze më pëlqen shumë edhe kuzhina, andaj nisa të hulumtoj dhe hasa në një thirrje për aplikim nga IADK për trajnim për konservim të perimeve. Gjatë trajnimit kam përvetësuar shumë gjëra rreth kësaj fushe, por që më tutje nuk kam gjetur asgjë të këtij lloji”, thotë ajo.
Të punësohesh diku do të thotë të jesh i përgatitur për treg, mirëpo përgatitja vjen vetëm në bazë të praktikimit, e që në Kosovë shihet të jëtë luks për të rinjtë kosovarë.
Se interesimi i të rinjëve për praktikë është i madh në Komunën e Vitisë, e thonë edhe nga biznese të ndryshme në këtë komunë.
Ndër bizneset që ka pasur marrëveshje për praktikë me të rinjtë, sidomos me Gjimnazin “Kuvendi i Lezhës” në Viti, është biznesi privat ‘’Termovali’’.
Këta të fundit kanë treguar se kërkesat për praktikë tek ata nga ana e të rinjëve janë shumë të mëdha, por mundësitë e tyre për t’i plotësuar ato kërkesa janë të vogla.
‘‘Mundësitë tona për t’i plotësuar kërkesat e të rinjëve për praktikë janë shumë të vogla. Në momentin që e kryejnë praktiken dhe ne i shohim se janë profesionistë u kërkojmë të punojnë në kompaninë tonë’’, janë shprehur nga ky biznes.
Se gjetja e një pune praktike nuk ka qenë kurrë e lehtë dhe ashtu vazhdon të mbetet tregon edhe platforma zyrtare e Ministrisë së Arsimit për orientim profesional, edukim dhe këshillim në karrierë.
Me të rinjtë e Vitisë po punon Qendra Rinore, organizatë joqeveritare e dalë nga Komuna e Vitisë.
Drejtoresha e kësaj qendre, Donjetë Sadiku, bëri të ditur se interesimi i të rinjëve për trajnime është shumë i madh. Ajo ka thënë se pas trajnimeve kërkohet pastaj edhe punë praktike, disa me pagesë e disa pa pagesë.
‘‘Interesimi për trajnime është shumë i madh. Kur kemi të bëjmë me organizata zakonisht të trajnuarit certifikohen, gjë që nuk ndodh edhe me biznese, kurse si kriter është mosha 15-30 vjeç”, thotë Sadiku.
Sadiku tregon se sa krenarë janë me këta të rinjë, pasi që ka pasur raste kur ata janë punësuar për shkak të përkushtimit të tyre në punë.
‘‘Para dy vitesh kemi pasur bashkëpunim me organizatën Helvetas, e cila ka mundësuar dërgimin e të rinjve nëpër biznese me ç’rast shtatë prej tyre janë punësuar dhe vazhdojnë të jenë të punësuar edhe më tutje, dhe krejt kjo për shkak të përkushtimit dhe angazhimit në punë’’, shprehet ajo.
Edhe pse të rinjtë kanë interesim për punë praktike, nga e cila synojnë të punësohen, papunësia në Kosovë mbetet e lartë.
Rezultatet e Anketës së Fuqisë Punëtore për tremujorin e parë të vitit 2020, tregojnë se dy të tretat e popullsisë në Kosovë janë popullsi në moshë pune, mirëpo në kuadër të popullsisë në moshë të punës, shkalla e pjesëmarrjes në fuqinë punëtore është 38.8%.
Se sa është e rëndësishme puna praktike, tregon më së miri, Valdete Sahiti, nga Vitia. Falë trajnimeve, e punës praktike që kishte bërë, ajo ka arritur tashmë ta hapë biznesin e saj për konservim të perimeve “Agroskifteraj”.
Ajo ka treguar për KosovaLive për rëndësinë e punës praktike, e cila e kishte ndihmuar që të hapë gati një fabrikë të tërë të konservimit të perimeve në Viti.
Përmes këtij biznesi, ajo tani po i del në ndihmë grave të komunës së saj.
‘‘E kam nisur këtë aktivitet duke parë pasivitetin e grave, e çka është më e keqja edhe të të rejave që kanë pasur nevojë për një shtytje dhe motiv për punë. Në fillim si shoqatë e më vonë si biznes për konservim të perimeve’’, ka thënë ajo.
Ndërsa, një pikë tjetër që në fakt mund të çojë deri tek një eksperiencë që mund të ndihmojë për punë, është edhe vullnetarizmi.
Vullnetarizmi nënkupton aktivitetet që zhvillohen nga personat fizikë të moshës 15-24 vjeçare që ofrojnë kohën, punën, njohuritë, dhe aftësitë e tyre në shërbim të komunitetit për të mirën e shoqërisë pa pagë. Paragraf të posaçëm për punën vullnetare ka në strategjinë për rininë, të Qeverisë së Kosovës.
Për dallim nga të rinjtë të cilët thonë se nuk u ofrohen mundësi për të kryer punë praktike, nënkryetari i Komunës së Vitisë, Hasan Aliu thotë se punë praktike ka por jo edhe shumë të interesuar.
Sipas tij, të rinjtë janë shumë më të fokusuar në punë administrative, dhe duan punësim të menjëhershëm.
‘‘Të rinjtë janë më shumë të fokusuar në punë shtetërore dhe duan punësim të menjëhershëm, ata ende nuk e kanë të qartë sa e rëndësishme është puna praktike, dhe se jo të gjithë mund të praktikohen dhe punësohen në administratë’’, ka thënë ai.
Nënkryetari thotë se tani janë në prag të një marrëveshjeje të re, ku do të bëjnë praktikë 15 të rinjë.
Sipas tij, OJQ-të po kryejnë punë të madhe përmes trajnimeve gjithashtu, sidomos dy organizatat e dala nga komuna, Qendra Rinore dhe Këshilli i Veprimit Rinor Lokal.
‘‘Ka shumë raste kur kemi bashkëpunuar me Ministrinë e Punës dhe Mirëqenies Sociale, dhe kur praktikantët janë deleguar nëpër biznese kemi paguar 50\50. Tani jemi në prag të një marrëveshjeje të re, ku përfitues për praktikë do të jenë 15 të rinjë dhe komuna do të paguajë pjesën e saj prej 70 eurosh”, ka thënë ai.
Ndërsa, drejtori i Entit të Punësimit në Viti, Isuf Beluli, thotë se ata punojnë shumë në aktivizimin e të rinjve dhe përmend se më 1 tetor kanë nisur praktikën 46 të rinj, e ky numër pritet të rritet muajt në vijim.
Sipas tij, praktikantët delegohen nga komuna, me pagesë, ku komuna jep 170 euro kurse pjesën tjetër e kryen biznesi.
“Zakonisht për praktikë kemi të bëjmë me të rinjtë që kanë mbaruar shkollën e mesme profesionale, kurse trajnime kemi të bëjmë me ata që kanë kryer shkenca natyrore dhe shoqërore”, ka deklaruar ai.
Për punë praktike, të rinjëve në ndihmë i ka dalur edhe Agim Arifi, pronar i mobilierisë “Leocom” në Viti.
Megjithatë, ai thotë se interesimi i të rinjve që të bëjnë praktikë në biznesin që ai udhëheq është i vogël,.
“Ne japim mundësi për praktikë varësisht prej interesimit dhe profilit, ka të rinjë që vijnë 2 muaj ose 3 dhe largohen. Sa i përket mobilierisë nuk ka interesim, por interesim më të dukshëm ka gastronomia”, shprehet Arifi.
Këshilli i Veprimit Rinor Lokal (KVRL) po ashtu ka për objektiv organizimin e trajnimeve të cilat çojnë drejt dëshirës per punësim praktik.
‘‘Ne si KVRL së bashku me Qendrën Rinore u kemi ofruar të rinjve trajnime të ndryshme me drejtime profesionale duke bashkëpunuar me organizatën zvicerane Helvetas dhe Komunën e Vitisë. Gjatë dy viteve ne kemi trajnuar dhe certifikuar rreth 600 te rinjë, dhe ky proces është duke u vazhduar akoma pa plan ndaljeje’’, shprehet kryetarja e kësaj organizete, Sadie Lutfiu.
Sipas saj, trajnimet që të rinjtë i kërkojnë janë zakonisht trajnime profesionale, trajnime që kanë të bëjnë me drejtime të ndryshme si ngrohje qendrore, instalim të rrymës e ujit, rrobaqepësi, dizajn grafik etj., sepse ka shumë raste kur në bazë të trajnimeve ata mund të ndalen në ato biznese.
Në Komunën e Vitisë kanë operuar edhe organizata të huaja – USAID dhe KEC, me anë të programit ASSET-After School Support For Teens, u kanë ofruar të rinjëve vitias mundësi për praktikë.
Profesori i Gjimnazit “Kuvendi i Lezhës” në Viti, po ashtu këshilltar karriere i licensuar, Adriatik Zeqiri, tregon për marrëveshje me disa biznese, në mënyrë që të rinjtë të mbajnë punë praktikë.
‘Në shkollën tonë përmes ASSET-it janë krijuar disa klube brenda nxënësve me të cilët bëjmë aktivitete jashtëshkollore. Ne kemi lidhur marrëveshje me shumë biznese (markete, furra, restorante), ku nxënësit (3-4 për biznes) kanë mbajtë praktikë e që vazhdojnë të mbajnë ’’, shprehet Zeqiri
Vështirësi për punësim, mbase edhe më shumë se të tjerët, do të ketë edhe 20 vjeçari nga Vitia, D.M (emër i njohur për redaksinë). Për shkak që e ka lënë në gjysmë shkollimin, ai tani po ka vështirësi për të gjetur punë.
“Për shkak të tekeve të moshës e kam lënë të papërfunduar shkollën e mesme, e tani që jam i interesuar për punë më kërkohet diplomë e shkollës së mesme, ose së paku përvojë pune. Tani që nuk kam diplomë, të kryerit praktikë do të më hynte shumë në punë për të siguruar një vend të qëndrueshëm të punës’’, ka thënë ai.
Të rinjtë nuk janë të kënaqur as në komunën më të madhe, ate Gjilanit, për më shumë ata janë të dekurajuar sa i përket mundësive që u ofrohen për punë praktike.
Drenushë Halimi, e cila ka kryer studimet në nivelin master në Fakultetin Ekonomik, thotë se në komunën e Gjilanit ofrohen pak mundësi për punë praktike.
“Fatkeqësisht, unë personalisht kam kryer vetëm një praktikë tre mujore, në një zyrë të kontabilitetit. Komuna e Gjilanit ofron shumë pak mundësi për punë praktike për studentët dhe shumica e këtyre praktikave janë pa pagesë, gjë që ndikon negativisht dhe i dekurajon studentët”, është shprehur ajo.
Vendet e rajonit kanë mënyrat e veta se si të ofrojnë punë praktike.
Shqipëria e mundëson këtë përmes programit kombëtar të praktikave të punës, ndërsa në Maqedoni të Veriut gjendja shihet të jetë jo e kënaqshme. Sipas një studimi rinor, thuhet se sa i përket praktikës vetëm 36% e të anketuarve kanë bërë punë praktike gjatë arsimit të tyre, dhe se është serioze se më pak se një e treta e nxënësve dhe studentëve të rregullt gjatë arsimit të tyre kanë bërë punë praktike.
Shtetet Skandinave po u japin më shumë prioritet rinisë dhe mirëqenies së tyre, të njëjtën e bënë edhe sa i përket përgatitjes për treg, duke ua bërë të obligueshme ndjekjen e praktikës.
15 vjeçari nga Kosova, Rrahman Idrizi, i cili jeton në Suedi tregon se shkolla ia mundëson që të kryejë punën praktike.
“Unë jetoj në Malmo të Suedisë. Unë vijoj klasën e nëntë dhe shkolla më obligon që 2 muaj të vitit shkollor të ndjek praktikën që përkon me aftësitë tona. Kur të dalim në gjimnaz puna praktike rritet në 1 vit. Ne nuk paguhemi sepse shteti na i jep shtesat, që do të thotë na e paguan shkollën dhe obligimet e tjera”, ka thënë ai.
Në një raport të Kombeve të Bashkuara, thuhet se të rinjtë me pak përvojë shpesh hasin në vështirësi për të hyrë në punë.
Për ta lehtësuar gjetjen e shpalljeve për punë dhe punë praktike, Oda Ekonomike e Kosovës ka krijuar një platformë e cila jep mundësi të drejtpërdrejta informimi për mundësi pune. Ky website mundëson selektimin më të lehtë të asaj që duam në rast se ia japim informatat e kërkuara. Ndërsa, shpesh nevojitet një ndërmjetësim, mes punëdhënësit dhe punëkërkuesit, andaj për këtë po punon Agjensioni i Përkrahjes së Punësimit në Kosovë.
Loresa Sahiti
Ky artikull është shkruar në kuadër të projektit “Ngritja e Aftësisë Mediale dhe Digjitale”/”Enhancing Media and Digital Literacy”, e mbështetur nga Albany Associates.