Build Skills with our trainings

Sign up now!

Të rinjtë të interesuar, por të painformuar për ndërmarrësinë

Jan 21, 2021

Përkundër interesimit të të rinjve për t’u marrë me ndërmarrësi, ata nuk po gjejnë mundësi për t’u aftësuar e për të gjetur punë në këtë fushë.

Ndërmarrësia njihet si element kyç i zhvillimit të ekonomisë. E kur bëhet fjalë për ekonominë e vendeve në tranzicion, ajo kthehet në simbol ekzistencial për zhvillimin e një vendi.

Zakonisht qytetet e mëdha ofrojnë shumë më shumë mundësi në krahasim me qytetet e vogla, përkundër interesit të të rinjve për këtë fushë.

E shqetësuar për mungesën e ofertave për angazhim në ndërmarrësi në komunën e Kaçanikut shprehet Persefona Luzha.

Nuk kam informacion për oferta për grante apo këshillime për ndërmarrësi në komunën tonë. Më duket si mision i pamundur, si një gjë e huaj. Edhe nëse ka ndonjë ndërmarrës në komunën ku unë banoj, mund të jetë ndonjë i ri që ka jetuar në komuna më të mëdha, ku edhe mundesitë janë më të mëdha“, shprehet me shqetësim ajo.

Gent Saraçi, zyrtar i lartë për grante, pranon se ka pasur mungesë të informacionit te të rinjtë.

Në fillim kemi hasur në mungesë informacioni tek të rinjtë. Madje aplikacionet ia kemi dhënë të rinjve që kanë qenë duke frekuentuar kafenetë. Ne jemi fokusuar në komuna të vogla ku edhe nevoja është më e madhe. Në komunën e Kaçanikut, nga 100 aplikues për grante, 21 aplikime janë miratuar”, Saraçi.

Ariana Çaka, gazetare nga Komuna e Kaçanikut vlerëson se rinia duhet të përkrahet më shumë, në mënyrë që potencialin krijues, e kreativitetin ndërmarrës, ta kthejnë në biznese të suksesshme.

Sipas saj, duke marrë parasysh faktin që në Kaçanik ka shkallë të lartë të papunësisë, rinia po mundohet që përmes nismave vetjake dhe bashkëpunimeve me organizata tjera, ta mbajë gjallë frymën rinore të ndërmarrësisë, dhe të krijojë perspektivë qytetare, e vende të reja pune. 

Ndërsa, Diana Luzha, njohëse e ekonomisë dhe aktiviste nga komuna e Kaçanikut thotë se nevoja për ndërmarrësi në këtë komunë është e madhe. 

Ka pasur iniciativa për ndërmarrësi, por të rinjtë kanë mungesë të informacionit rreth mundësive, granteve apo mbështetjeve të ndryshme për të ndërmarrë një hap të tillë”, ka thënë ajo.

Blerina Krasniqi, nga organizata joqeveritare “Një fillim ndryshe”, ka treguar se gjatë takimeve që kanë pasur me të rinjtë, këta të fundit kanë shprehur interesimin e tyre për të poseduar biznese, për të marrë hapat e parë në ndërrmarrësi, dhe sigurisht për të realizuar ëndërrat e tyre për të ardhmen. Sipas saj, të gjitha bizneset në fillim kanë nevojë për informacion, trajnime dhe donacione.

Nevoja për të realizuar synimet dhe pikëpamjet në jetë sipas këndvështrimit tonë dhe jo sipas pikëpamjeve të punëdhënësit, bën që njerëzit e motivuar të duan dhe të besojnë në veten e tyre si udhëheqës biznesi”, thotë ajo.

Bahri Selimi, drejtor për Ekonomi, Financa dhe Zhvillim në Komunën e Kaçanikut thotë se bashkë me organizatën “Help Kosova” kanë realizuar projektin “Programi i Trajnimit për Vetëpunësim”, i cili si qëllim ka të nxisë punësimin e të rinjve dhe ndërmarrësinë tek te rinjtë e cënueshëm ekonomikisht dhe të margjinalizuar.

Projekti synon punësimin e 50 të rinjve.

Për realizimin e mirëfilltë të këtij projekti komuna ka bashkëfinancuar shumën prej 10,000.00 eurove apo 22% të shumës së përgjithshme sipas marrëveshjes së mirëkuptimit. Ky projekt synon të aftësojë 50 të rinj dhe të ofrojë 20 grante për start up-ave në komunën tonë”, është shprehur ai për KosovaLive.

Por, të pakënaqur me përkrahjen që ju bëhet të rinjve në ndërmarrësi janë shprehur edhe nga komunat tjera.

Problematike mospërkrahjen e duhur e të rinjve nga niveli lokal e sheh edhe asambleisti i Komunës së Prishtinës nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Arbër Vokrri. Ai ka kritikuar kryetarin e Prishtinës, Shpend Ahmetin për mosinteresimin për këtë fushë.

Dembelizmi dhe mosinteresimi i kryetarit të komunës është evident, pasi çdo vit po hasim në dukurinë e teprimit të buxhetit”, ka thënë ai.

Strategjinë Kombëtare për Inovacion dhe Ndërmarrësi për vitet 2019-2023, si objektiv është parë harmonizimi i kurrikulave të aftësimit profesional dhe arsimit të lartë me kërkesat e ndërrmarrësisë dhe ekonomisë.

Organizata të ndryshme joqeveritare dhe jofitimprurëse, janë angazhuar që nga pas paslufta në Kosovë. 

Forumi për Iniciativa Qytetare (FIQ), nëpërmjet projektit PREX synonte që të rriste mundësitë e angazhimit  të të rinjëve në Kaçanik. Projekti  kishte filluar në shtator të vitit 2017, nga i cili përfituan 2 mijë e 300 të rinjë nga komuna e Kaçanikut. 

Një ndër përfituesit e granteve nga Forumi për Iniciativa Qytetare ishte edhe Bleron Krivanjeva, drejtues i Discovery Lab Hackerspace. 

Vështirësitë kanë qenë të natyrave të ndryshme por ne i merrnim si sfida dhe shndërroheshin në probleme që kërkonin zgjidhje. Disa prej tyre i shihnim si presion për hapsirë e deri në neglizhencë të nevojave dhe përparësive të komunitetit”, ka thënë ai.

Krivanjeva tregon pikënisjen e Discovery Lab Hackerspace.

Ne kemi aktivizuar Discovery Lab si një ndërmarrje për të identifikuar talentet potenciale dhe orientimin e tyre drejt zhvillimit duke ju mundësuar qasje në përkrahje, trajnime, resurse apo mjete për të arritur të jenë pjesa më produktive e shoqerisë”, ka thënë ai.

Drejtori menaxhues në BONEVET në Kaçanik, Shkelzen Vishi ka thënë se së shpejti do të ofrojnë mbështetje edhe për bizneset në nivel themelimi.

Së shpejti edhe në BONEVET në Kaçanik do të fillojmë me modulin e Project Based Learning dhe Startup (Pre)Incubator, ku do të ofrojmë mbështetje për bizneset në nivel themelimi”, ka thënë ai.

Safet Fazliu, drejtues i kompanisë për konsulta biznesi D&D tregon se sivjet, për shkak të pandemisë Covid -19, kanë patur një numër më të vogël të pjesëmarrësve në trajnime për ndërmarrësi, nga ku janë trajnuar rreth 120 përfitues të rinj, ndërsa shërbime këshillime për ndërmarrësi dhe plane biznesi kanë marrë 190 përfitues. 

Sipas tij, pranë qendrës D&D, gjatë 5 viteve kanë përfituar nga trajnimet dhe këshillimet mbi 15 mijë persona.

Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, gjatë muajit shtator kishte certifikuar 120 të rinj në fushën e ndërmarrësisë në Pejë dhe në Gjakovë.

Ndërsa, në politikat për përkrahjen dhe fuqizimin e rinisë në Kosovë, me përkrahje të Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit, edhe 100 të rinj janë certifikuar në fushën e ndërmarrësisë në Ferizaj.

Por se si është fillimi i një start up-i dhe sa ndërmarrës jemi ne si shoqëri, na tregon ndërmarrësi Ardian Hoxha.

“Në Kosovë, në dallim me shtetet e rajonit, shpirtin ndërmarrës e kemi shumë më të zhvilluar. Sot jetojmë në kohën e internetit dhe burimet e shumta elektronike, na mundësojnë të kemi më shumë literaturë dhe burime të ndryshme frymëzimi nga sipërmarrës të suksesshëm, prej ku mund të mësojmë dhe të motivohemi”, thotë ai.

Dafina Turkeshi-Ballanca, drejtuese e “Business Development Group” tregon se interesimi i të rinjve gjatë trajnimeve për ndërmarrësi është shumë i madh.

…Shumica e të rinjve vijnë me idetë e veta për të bërë biznes dhe kërkojnë që të zhvillojnë shkathtësitë. Gjithmonë ka interesim dhe entuziazëm në këtë aspekt”.

Sipas saj, të rinjtë janë shumë të angazhuar për të gjetur strategji konkrete të tregut.

Kur të rinjtë më qasen për t’i këshilluar rreth përpilimit të një planit të biznesit ose këshillimit rreth nërmarrësisë, ata kanë një qasje më shumë realistike. Jo që mungon entuzjazmi por ata bëhen më të angazhuar që të gjejnë strategjitë konkrete të tregut, shitjes, marketingut dhe financimit”, ka shtuar ajo.

Ndërkohë, Komuna e Hanit të Elezit, zhvillimin ekonomik ia ka besuar një të reje.

Sevime Laci, drejtoreshë në Drejtorinë për Zhvillimin ekonomik në Komunën e Hanit të Elezit, ka deklaruar se janë duke i nxitur të rinjtë dhe gratë për tu marrë me ndërmarrësi.

Kemi shprehur gatishmërinë për të ndihmuar çdo start up apo iniciativë biznesore në komunën tonë. Punojmë fort për të përmbushur pritshmëritë e qytetarëve. Ndërkaq po i nxisim të rinjtë dhe gratë për tu marrë me ndërmarrësi”, ka thënë ajo.

Drejtori Ekzekutiv i Odës Amerikane Arian Zeka kishte vlerësuar se promovimi dhe përkrahja e ndërmarrësisë në mesin e të rinjëve është e rëndësishme për faktin se papunësia e të rinjve është më e larta në Evropë. 

Mbështetjen e të rinjve në fushën e teknologjisë, e kanë parë të rëndësishme edhe shtetet tjera. 

Planin Kombëtar të Veprimit për Rininë në Shqipëri, për vitit 2015-2020, vëmendje e veçantë i kushtohet fuqizimit të bazës praktike dhe profesionale të universiteve, e cila mund të përdoret jo vetëm për rritjen e njohurive profesionale të studentëve, por dhe si një mundësi për krijimin e mini-bizneseve.

Në një raport për Ballkanin Perëndimor, thuhet se Banka Evropiane e Investimeve, do t’i ndihmojë të rinjëve në punësim.

Sipas këtij raporti, Banka Evropiane e Investimeve, në Mal të Zi do të ofrojë 320 milionë euro ndërsa, në Bosnjë dhe Hercegovinë,  25 milionë euro për një kompani të qirasë financiare,  për të financuar kompanitë e vogla dhe mbështetur projekte në turizëm, bujqësi, kujdes shëndetësor, arsim dhe mjedis. 

Strategjinë për ndërmarrje të vogla dhe të mesme në qytetin e Shkupit, thuhet se tregjeve financiare të cilat nuk arrijnë ta sigurojnë mbështetjen e nevojshme, u ndihmon Komisioni Evropian në mënyrë aktive me anë të investimeve në biznese të reja.

Në një raport për gjendjen në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, thuhet se edukimi dhe trajnimet për ndërmarrësi përgatisin njerëzit, veçanërisht të rinjtë që të jenë individë të përgjegjshëm e sipërmarrës që kontribuojnë në zhvillimin ekonomik.

Brunilda Gjura-Tafili 

Ky artikull është shkruar në kuadër të projektit “Ngritja e Aftësisë Mediale dhe Digjitale”/”Enhancing Media and Digital Literacy”, e mbështetur nga Albany Associates.

PUBLIKIME

LAJME

THELLESISHT

DIALOG

Grantet e Prodhimit të Përmbajtjes II

Grantet e Prodhimit të Përmbajtjes II

Pesë aplikantë që paraqitën një aplikacion për “Grantet e Prodhimit të Përmbajtjes II”, Tv Tema, Internews, RTV Puls, Radio Gorazdevac dhe Besnik Krasniqi do të marrin mbështetje.

BARAZI

Womair: Informimi i grave dhe burrave për cilësinë e ajrit

Womair: Informimi i grave dhe burrave për cilësinë e ajrit

Më 19 nëntor, nga ora 10:00 deri në 12:00 në KosovaLive u mbajt ngjarja interaktive “Womair”, e cila kishte për qëllim informimin e djemve, vajzave, grave, burrave, çifteve dhe të gjithë të interesuarve, pa dallim, për mënyrat më efektive për përmirësimin e cilësisë së ajrit në hapësira të brendshme dhe të jashtme.

EDUKIM