Në Ministrinë e Mbrojtjes sot filloi aksioni humanitar për dhurimin vullnetar të gjakut, për vitin 2021, i cili aksion do të vazhdojë të realizohet për dy javë në të gjitha kazermat e FSK-së.
Aksioni është organizuar nga Qendra Mjekësore e FSK-së së bashku me Regjimentin Mjekësor dhe në bashkëpunim me Qendrën Kombëtare të Transfuzionit të Gjakut të Kosovës.
Dhurimi vullnetar i gjakut në këtë kohë është më se i nevojshëm, duke parë nevojat e përditshme për gjak të QKTGJK, por edhe mjaft sfiduese për shkak të gjendjes së vazhdueshme me pandeminë Covid-19.
Forca e Sigurisë së Kosovës është e angazhuar që përmes dhurimit vullnetar të gjakut të gjendet sa më afër qytetarëve, për t’iu dalë në ndihmë, atyre që, më së shumti ju nevojitet gjaku në këtë situatë
Në ditën e parë, aksionit vullnetar i janë përgjigjur një numër i madh i zyrtarëve të Ministrisë së Mbrojtjes dhe pjesëtarëve të FSK-së.
Dhurimi vullnetar i gjakut, në kuadër të FSK-së, tashmë është bërë traditë, me moton; „një pikë gjak për shpëtimin e një jete“, thuhet në komunikatën e Ministrisë së Mbrojtjes.