Përmes një postimi në Facebook, U.d e presidentes, Vjosa Osmani në Ditën e Përkujtimit të Holokaustit ka përkujtuar gjenocidin ndaj hebrenjve, Ajo ka thënë se gjenocidi ndaj popullit hebrej ka qenë barbaria më e madhe që njeh historia njerëzore deri më sot.
“Në Ditën e Përkujtimit të Holokaustit, bashkëndjejmë me miqtë tanë dhe ritheksojmë se gjenocidi ndaj hebrenjve është barbaria më e madhe që njeh historia njerëzore deri më sot. Sot, duhet ta kujtojmë dhe të ndihemi krenar për ndihmën të cilën shqiptarët i dhanë komunitetit hebraik në vitet e trishtimit. E përderisa kujtojmë kalvarin e hebrenjve, nuk ka si të mos përmendet edhe ndihma e shtetit izraelit ndaj kosovarëve të dëbuar dhunshëm në luftën e vitit 1999.
Në botë mbijetojnë vetëm miqësitë ndërmjet popujve e shteteve. Kosova, shqiptarët, Izraeli dhe izraelitët prej kohësh kanë ndërtuar urat e miqësisë.
Holokausti u kujtoftë përgjithmonë dhe shërbeftë në funksion të ndërgjegjësimit që ngjarjet si këto të mos ndodhin kurrë më. Përkujtimi i Holokaustit është riafirmim i të vërtetës, një nevojë prej së cilës nuk duhet të hiqet dorë asnjëherë dhe në asnjë rrethanë!”