Build Skills with our trainings

Sign up now!

Të rinjtë në politikë: Mundësi punësimi e përfitimi si motivim

Jan 28, 2021

Rinia përbën një shumicë të popullsisë kosovare sipas regjistrimit të fundit të popullsisë që ishte bërë në vitin 2011, sipas të cilit 27 për qind e popullatës në Kosovë janë të moshës 15-29 vjeç.

Kur përmendet rinia dhe politika, ajo çfarë na vjen në mendje më së pari është fitimi i të drejtës për të votuar nga të rinjtë. Por në përditshmërinë tonë dëgjojmë të rinjtë të thonë se janë të zhgënjyer me shtetin, me klasën politike domethënë pasi nuk po bën sa duhet për rininë.

Për pesë vite ndjekin studimet bachelor dhe master, por të rinjtë kosovarë nuk e kanë aspak të sigurt se do të arrijnë të zënë një vend pune menjëherë pas përfundimit të studimeve universitare.

Pas aplikimeve të shumta në konkurse të ndryshme pune, pas intervistave sa për “sy e faqe” siç thotë populli, të zhgënjyer me këtë, ata i shohin partitë politike si trampolinë dhe si mundësinë e vetme për t’u punësuar në pozita që korrespondojnë me studimet që kanë kryer. 

Por përfshirja në politikë për shumë të rinjë kosovarë që kanë ambicie të përfshihen në pozita vendimarrëse, funksione partiake apo lista zgjedhore has në shumë vështirësi sepse zëri i tyre nuk dëgjohet dhe mendimit të tyre nuk i kushtohet shumë vëmendje.

Këtë e dëshmon një raport i Fondacionit Ndërkombëtar për Sisteme Zgjedhore (IFES) nga një anketë e zhvilluar me 300 të rinjë të grupmoshave 15-29 vjeç në Kosovë, anëtarë të strukturave rinore të partive dhe me përfaqësues të organizatave, sipas të cilës rezulton se edhe pse të rinjtë e shohin veten si faktor të rëndësishëm në antarësimin në subjekte politike, ata nuk e shohin vetën të angazhuar në këto subjekte. Sipas këtij raporti, rreth 60 për qind e të anketuarve mendojnë që është pjesërisht ose shumë e rëndësishme që rinia të jetë pjesë e subjekteve politike në Kosovë, 9 për qind e të anketuarve mendojnë se nuk është i rëndësishëm anëtarësimi i të rinjëve në parti politike, kurse aspak të rëndësishëm këtë anëtarësim e shohin 18 për qind e të anketuarve.

Ndërsa 48 për qind e të anketuarve në këtë studim, e lidhin anëtarësimin në parti për përfitime personale siç është sigurimi i punësimit.
Mirsad Vitia, kryetar i degës së Lëvizjes Vetëvendojse në Hajvali, fenomenin e futjes në një parti politike e sheh si rezultat i rrjedhës logjike të gjërave në partitë e vjetra që vazhdimisht predikojnë me shprehjet si “nëse vjen në partinë tonë i ke dyert më të hapura dhe e ke më lehtë të punësohesh”.

“Domethënë nëse një kojshi i yti ose i dikujt punësohet në atë mënyrë pra përmes partisë, pastaj muhabeti merr dhenë edhe kështu fillon dhe krijohet kjo logjikë”.

Njëherit student i shkencave politike, Vitia thotë se nëse të rinjtë nuk merren me politikë, politika merret me ta dhe vendos për fatin e tyre.

Nga një hulumtim me të  rinjtë e partive kryesore politike të kryer nga Instituti Demokracia për Zhvillim, 48 për qind nga të anketuarit deklaruan se programi i partisë ka qenë motivi kryesor për t’u anëtarësuar në politikë, 32 për qind se qëllimi ishte për të dhënë kontribut për vendin si arsye, 8 për qind se duan të shtyjnë idetë e tyre përpara, 5 për qind sepse partia ka ekipin më të mirë, 4 përqind sepse u pëlqen lideri i partisë, ndërsa 4 për qind të tjerë që të avancohen  në karrierë.

Sami Boroci, i riu nga Hajvalia, karrierën e tij politike e kishte filluar në moshën 17 vjeçare, më pas ai shërbeu si kryetar i Forumit të Rinisë në partinë politike Aleanca Kosova e Re (AKR) në degën e Hajvalisë dhe më pas në atë të Prishtinës thotë se arsyeja kryesore pse ai kishte përzgjedhur këtë subjekt politik tishte programi me fokus 70 për qind ekonomik, që e kishte parë si perspektivë të re për vendin.

Lideri i AKR-së, Behxhet Pacolli, “i njohur për të kaluarën e tij në krijimin e vendeve të punës dhe si ndërmarrës i suksesshëm në botë”, kishte qenë një arsye tjetër që ai kishte vendosur t’i bashkohej kësaj partie.

Gjatë kohës sa ai kishte shërbyer si kryetar i Forumit Rinor ai thotë se të rinjtë ishin me interes të pyesnin se çka ju ofron partia atyre si kundërvlerë për angazhimin e tyre, pra se a do të mund të punësoheshin dhe se numri është shumë i vogël i atyre të rinjëve që angazhohen për të mbrojtur kauza të caktuara.

“Nëse don me qenë politikan i mirë fokusi qysh në fillim  duhet me qenë se si mundesh me zgjidh një çështje lokale e pastaj me kalu si deputet apo si ministër”, mendon ai.

Edhe i riu prishtinas, Vivianit Fejza thotë se qëllimi i anëtarësimit të tij në parti politike të ketë qenë mundësia për të shprehur idetë e tij për përmirësimin e gjendjes në Kosovë, ndonëse shprehet kundër praktikës së anëtarësimit në parti politike me qëllimin që të sigurojë një vend pune më lehtë sepse partia nuk është ndërrmarrje.

“Një i ri që i futet politikës duhet të mendoj se si me ide pozitive për shtetin duhet të hapen vende të reja pune e të ketë lehtësira për bizneset aktuale e po ashtu për ato potenciale. Nëse e ke pasion politikën nuk duhet të mendosh vetëm për veten tënde por për shtetin në përgjithësi”, thotë Fejza, anëtar i Partisë  Demokratike të  Kosovës..

Sa i përket numrit të të rinjëve të anëtarësuar në degën e PDK-së  në  Prishtinë dhe Hajvali, ai thotë se nuk kanë shifra pasi ato ndryshojnë vazhdimisht, po se “ka një numër mjaft të madh”. 

Nënkryetari i Forumit Rinor të Lidhjes Demokratike të Kosovës në degën e Hajvalisë, Ardian Ajeti, thotë se në Hajvali janë 100 aktivistë të partisë së tij që aktivizohen në fushata elektorale kryesisht por edhe në aktivitete të tjera, të tilla si humanitare, për pastrimin e Hajvalisë si dhe mbajta e trajnimeve mbi politikëbërjen, trajnime për rrjete sociale e shumë aktivitete tjera.

Ardiani thotë se motivin për politikë e ka marrë nga trashëgimia familjare si dhe tek besimi i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) si parti me vlera të mëdha.

73% e të rinjëve s’janë angazhuar në parti politike në mungesës të motivit/ hapësirës

Grupi për Hulumtime Ballkanike (BPRG) ka zhvilluar një kurrikulë me mbajtjen e trajnimeve të veçanta (“Të rinjtë në politikë”) me të rinjë nga komuna të ndryshme të Kosovës për temat që shihen me prioritet nga vetë të rinjtë e partive politike. Këto trajnime që janë mbajtur për dy vite radhazi (2019 -2020), kanë pasur në fokus kryesisht krijimin e vizionit se ku do të shkojë Kosova viteve të ardhshme, përcaktimin ideologjik të partive dhe ndërtimin e kapaciteteve politike. Por brenda trajnimit janë mbuluar edhe tema të tilla si bashkëpunimi rajonal, dialogu Kosovë-Serbi, si dhe zhvillimi ekonomik dhe politikat sociale.

Shqipe Mjekiqi, ligjëruese e këtyre trajnimeve thotë se sipas vlerësimeve që janë bërë me disa të rinj është vërejtur mungesë njohurish në mesin e të rinjëve sa i përcaktimit ideologjik të partive. 

“Qëllimi i këtij trajnimi ka qenë t’i bëjmë të rinjtë të debatojnë me njëri-tjetrin në bazë të argumenteve, kjo sepse ekziston tendeca që të kundërshtohet tjetri për shkak të përkatësisë partiake të ndryshme”,  shprehet ajo.

Ligjëruesja e politikave në Grupin për Hulumtime Ballkanike, Mjekiqi thotë se në Kosovë mungon një përcaktim i qartë ideologjik i partive politike dhe se votuesit e votojnë lidershipin dhe jo programin politik ose qëndrimin e partive, prandaj të rinjtë kanë pak njohuri sa i përket ideologjisë së partive të tyre.

Sipas Grupit për Ballkanin, 73 për qind e të rinjëve asnjëherë nuk janë angazhuar në ndonjë parti politike për shkak të mungesës së motivit dhe hapësirës. 

Edhe fondacioni gjerman “Friedrich Ebert Stiftung”, në vitin 2018 kishte kryer një studim me 10 mijë të rinj në Kosovë dhe rajon, rezultatet e të cilit treguan se interesimi i të rinjëve kosovarë për politikën kishte pësuar rënie krahasuar me një studim të disa viteve më parë.

Interesimi i të rinjëve për politikën kombëtare, sipas këtij studimi, kishte pësuar një rënie drastike (katër herë më e ulët), pasi në vitin 2012, 56 për qind e të rinjëve ishin deklaruar si “shumë të interesuar”, ndërsa në studimin e fundit vetëm 13 për qind e të anketuarve ishin deklaruar si “shumë të interesuar” ose “të interesuar” për politikën.

Rënien e interesimit e pohon edhe prodekani i Fakultetit Filozofik, Selim Bezeraj, i cili thotë se në Departamentin e Shkencave Politike në nivelin bachelor ka rënie të numrit të aplikimeve në krahasim me vitin e kaluar, dhe se sivjet në nivelin bachelor kanë aplikuar 118 kandidatë, ndërsa në nivelin master gjithsej 146 kandidatë. Gjithsej në këtë departament 269 janë vajza ndërsa 253 djem.

Kushtrim Kuçi kryetar i forumit të rinisë së LDK-së në Suharekë thotë se interesimi i të rinjëve për të hyrë në politikë është sepse këtë e shohin si një mundësi punësimi në një punë të shtetit përmes strukturave politike. Ai inkurajon të rinjtë kosovarë që anëtarësimin në politikë mos ta shohin si mundësi për përfitim personal por si një mundësi për të bërë  ndryshime në vend. 

“… sepse ka ardhur koha që edhe ne si gjenerata të reja të sakrifikjmë vetveten për të lënë diçka të mirë për të ardhmen tonë, e jo vetëm të parët që dhanë jetën por edhe ne si të rinjë të bëjmë diçka për një jetë më të mirë për fëmijët tanë”, shprehet Kuçi.

Sa i përket vendimit të tij për t’u marrë me politikë, ai thotë se arsyeja kishte qenë sepse është optimist se gjeneratat e reja mund të udhëheqin më mirë se gjeneratat e vjetra.

Kryetari i Forumit të Rinisë së LDK-së, konsideron se 90 për qind e të rinjëve arsyen kryesore për të cilën kyçen në parti politike e kanë sepse e shohin si mundësi që në ardhmen të punojnë në një punë të shtetit.

Në një anketë tjetër të institutit Demokracia për Zhvillim, me 107 të rinj të shtatë partive politike në Kosovë (LVV, LDK, PDK, AAK, NISMA, AAK, dhe PSD), rreth dy e treta deklaruan se ende nuk kishina pasur mundësinë për të kandiduar në zgjedhje, dhe se në vitin 2019 vetëm 17 përqind e të rinjëve deri në moshën 35 vjeçare ishin pjesë e listave të kandidatëve për zgjedhjet parlamentare.

Vivianit Fejza, kryetar i Forumit të Rinisë së Partisë Demokratike të Kosovës në Prishtinë shprehet i kënaqur me përfshirjen e të rinjëve të partisë të tij në lista zgjedhore. 

Sa i përket listave zgjedhore në PDK jemi shumë të kënaqur sepse me të vërtetë krijohet shumë hapsirë për të rinjtë“, thotë Fejza.

Ndryshimi i stereotipeve dhe percepcionit të të rinjve

Jetmira Zeka nga Demokracia për Zhvillim (D4D), misioni i së cilës është ndikimin në proceset e zhvillimit të politikave publike në mënyrë që të përshpejtojë zhvillimin socio-ekonomik të vendit, përmirësimit të qeverisjes dhe përforcimit të kulturës demokratike, thotë se të rinjtë duhet ta kuptojnë se është e mundshme të jesh i angazhuar në politikë edhe pa qenë pjesë e ndonjë subjekti politik.  Ai, ndërkaq rikujton se politika përgjithësisht konsiderohet si një hapësirë për individët me përvojë politike, ku të rinjtë shpesh janë në disavantazh dhe dekurajohen të hyjnë në politikë për shkak të moshës së tyre të re, mundësive të kufizuara për ndërtimin e kapaciteteve dhe mungesës së përvojës.

“Synimet e tyre, të rinjtë mund t’i shtyjnë përpara përmes aktiviteteve dhe iniciativave qytetare duke avokuar për politika rinore te institucionet qeverisëse, qoftë si grup që përfaqëson interesat e rinisë qoftë përmes organizatave joqeveritare apo subjekteve politike të cilat pastaj avokojnë për këto nevoja rinore në adresën e duhur”, thotë Zeka.

Në kuadër të projektit “ Përfaqësimi i të rinjve me integritet politik”, D4D ka realizuar një seri të takimeve motivuese mes të rinjëve dhe deputetëve në komunën e Prishtinës, Pejës, Prizrenit, Gjilanit dhe Mitrovicës, qëllimi i të cilave ka qenë që të rrisë përfaqësimin politik të të rinjve, me një fokus të veçantë tek të rinjtë që do të marrin pjesë për herë të parë në zgjedhjet lokale, si kandidatë dhe si votues, (zgjedhje këto të planifikuara për vitin 2021).

“Është e rëndësishme të bëjmë përpjekje të vazhdueshme për përgatitjen e të rinjve për pjesëmarrje aktive në komunitetin e tyre dhe për t’u bërë qytetarë dhe votues të angazhuar”, shpreht Jetmira Zeka, zyrtare e projektit në D4D.

Në këto takime, sipas saj, të rinjtë kanë pasur mundësinë që të përfitojnë më shumë rreth njohjes së mundësive për të qenë pjesë e proceseve politike si dhe të diskutojnë mbi sfidat të cilat ata mund të ballafaqohen në të ardhmen. D4D deri më tani ka mbajtur 5 takime motivuese mes të rinjëve dhe deputetëve, për të cilat kishte shumë interesim nga të rinjtë që të marrin pjesë, ku në secilin takim kanë marrë pjesë deri në 20 pjesëmarrës.

Një këndëvështrim më ndryshe për aspektin e punësimit përmes politikës e ka i riu nga Peja, Doan Tahirbegolli Kryetar i Rinisë së Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (ARK) duke u shprehur se politika si definicion është vetë interes.

“Mendoj se politika si definicon është vetë interes, edhe çdo i ri nëse merret me politikë edhe ka kualitet dhe eksperiencë në lëmi të caktuara, atëherë pse mos të punësohet”, thotë Tahirbegolli.

Ai inkurajon të rinjtë që të merren me poltikë që t’i mbrojnë interesat e tyre sepse sot atyre po ju bëhen shumë padrejtësi. Ndonëse thotë se ka shumë të rinjë me kuadro profesionale që janë premtues për të ardhmen.

Sipas një hulumtimi të Balkan Policy Research, të rinjtë e forumeve rinore paragjykohen për shkak të moshës dhe se roli i tyre aty është simbolik, për arsyen se të qenit i ri në mendësinë politike nënkupton i papërvojë dhe se përfshirja e plotë e tyre në vendimmarrje bëhet vetëm në çështjet që lidhen ekskluzivisht me forumin rinor.

shkallë botërore numri i deputetëve përfaqësues të qeverive paraqet përqindje shumë të ulët, ku në botë, deputetët nën moshën 30 vjeçare përbëjnë vetëm 1.9 për qind, ndërsa më shumë se 80 për qind e parlamenteve të botës nuk kanë deputet të moshës nën 30 vjeç.

Problemet me të dukshme mbeten stereotipizimet e të rinjëve të partisë për shkak të moshës së re, por se edhe vetë të rinjtë duhen të ndryshojnë perceptimin se partitë duhet të jenë urë lidhëse e tyre për punësim por atë ta shohin si vendin e përshtatshëm ku ata me kontributin autentik dhe vizionin e tyre të bëjnë ndryshime në vend.

Samire Halilaj

Ky artikull është shkruar në kuadër të projektit “Ngritja e Aftësisë Mediale dhe Digjitale”/”Enhancing Media and Digital Literacy”, e mbështetur nga Albany Associates.

PUBLIKIME

LAJME

THELLESISHT

DIALOG

Grantet e Prodhimit të Përmbajtjes II

Grantet e Prodhimit të Përmbajtjes II

Pesë aplikantë që paraqitën një aplikacion për “Grantet e Prodhimit të Përmbajtjes II”, Tv Tema, Internews, RTV Puls, Radio Gorazdevac dhe Besnik Krasniqi do të marrin mbështetje.

BARAZI

Womair: Informimi i grave dhe burrave për cilësinë e ajrit

Womair: Informimi i grave dhe burrave për cilësinë e ajrit

Më 19 nëntor, nga ora 10:00 deri në 12:00 në KosovaLive u mbajt ngjarja interaktive “Womair”, e cila kishte për qëllim informimin e djemve, vajzave, grave, burrave, çifteve dhe të gjithë të interesuarve, pa dallim, për mënyrat më efektive për përmirësimin e cilësisë së ajrit në hapësira të brendshme dhe të jashtme.

EDUKIM