Lëvizja Vetëvendosje në postimin e saj në Facebook ka thënë se pas 10 ditë fushate, në kohë pandemie pas mijëra kilometrave dhe qindra takimeve, ndryshimi që kemi kërkuar kurrë nuk ka qenë më afër.
Në sheshin Skënderbeu në Prishtinë, Lëvizja Vetëvendosje ka përmbyllur fushatën ku kandidati për kryeministër Albin Kurti ka kërkuar nga qytetarët që të votojnë masivisht në mënyrë që të sigurojnë shumicën parlamentare dhe të mos lejohet të përsëritet 25 marsi i vitit të kaluar, kur u rrëzua Qevria në kulmin e pandemisë, prandaj këtë nuk do ta lejojmë, ta votojmë numrin 127.
Kurse kandidatja e Vetëvendosjes për presidente, Vjosa Osmani ka thënë se vota për numrin 127, është votë kundër korrupsionit dhe kundër kapësve të shtetit.
Ajo ka thënë se pas 14 shkurtit do ta japim qeverinë e shpresës, jo për 52 ditë, por për katër vjet të plota.
“Pas 10 ditë fushatë të jashtëzakonshme në këtë situatë të pazakontë, pas mijëra kilometrave dhe qindra takimeve, me ju, në çdo cep të republikës, ndryshimi që kemi kërkuar kurrë nuk ka qenë më afër.
Ka qenë kjo një fushatë e paparë deri më sot. Qindra mijëra prej jush jeni mbledhur shesheve, na keni pritur me lot dhe me buzëqeshje, me duar që zgjaten përpara, për të marshuar bashkë, na keni përcjellur me buzëqeshje dhe me lot, me duar që na përshëndesin nga prapa, për të vazhduar punën, na keni hapur dyert e shtëpive tuaja, sepse njëherë na i keni hapur zemrat, për atë që e duam e na duhet, bashkë, dhe krejt, dhe drejt”.