Build Skills with our trainings

Sign up now!

Pandemia e vuri kulturën në “burg pa dashje”

Shk 16, 2021

Që nga konfirmimi i rasteve të para me virusin Corona, në Kosovë janë marrë një sërë masash nga Ministria e Shëndetësisë për ta parandaluar përhapjen e pandemisë me qëllim të ruajtjes së shëndetit publik.

Pavarësisht çmimit që mund të paguajë Kosova pas rifillimit të jetës normale, në fillim të kësaj pandemie Qeveria në koordinim me Ministrinë e Shëndetësisë vendosën për kufizimin e  lëvizjes së qytetarëve, u ndaluan tubimet publike, të gjitha subjektet që ofrojnë shërbime të gastronomisë

Pika e tetë (8) e këtij vendimi ndaloi të gjitha aktivitetet kulturore në nivel vendor.

Disa nga këto organizime për shkak të situatës  u pezulluan e disa të tjera përdorën platforma të ndryshme online për të realizuar vazhdimin e tyre.

Zv. ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Engelber Zefaj ka thënë për KosovaLive se pandemia ka pasur një ndikim të madh në aktivitetet kulturore.

“Si ministri, vazhdimisht jemi duke i informuar institucionet dhe zyrtarët përgjegjës për menaxhimin e pandemisë rreth situatës në kulturë në mënyrë që ata të marrin vendime të përshtatshme. Jemi të përkushtuar që të veprojmë tërësisht në përputhje me rekomandimet e ekspertëve për menaxhimin e pandemisë,” ka thënë ai.

Gushti i vitit të kaluar gjeti sheshin “Fehmi Lladrovci” në komunën e Drenasit plot me qytetarë të vendeve të ndryshme të cilët grumbulloheshin për t’u argëtuar në “Muajin e Mërgatës” me këngëtarët më të zëshëm të momentit. 

“Muaji i Mërgatës” është një aktivitet kulturor që zhvillohet për 35 ditë radhazi në këtë komunë për nderë të mërgimtarëve. Një organizim të tillë këtë vit e parandaloi pandemia COVID-19 dhe ky aktivitet u anulua.

Organizatori i këtij festivali, Robert Nuha ka treguar se për shkak të situatës së pandemisë janë detyruar ta anulojnë duke shpresuar që situata të normalizohet. 

“Kemi menduar disa alternativa për ta realizuar festivalin, mirëpo, marrë parasysh idenë bazë që është socializimi dhe mbledhja e njerëzve brenda një ambienti atraktiv, edukativ e kulturor, atëherë format online por edhe me distancë gati janë të pamundshme,” ka thënë ai për KosovaLive.

“Muaji i Mërgatës”, sipas tij, ka një rëndësi të madhe për komunën e Drenasit sepse deri në vitin e kaluar ka qenë i vetmi festival me karakter të tillë në Kosovë, komunat e tjera më pastaj kanë filluar ta konsumojnë si ide. Ky aktivitet, rrëfen ai, ka sjellë përfitime të shumta kulturore, monetare dhe ka ndikuar në rritjen e turizmit.

“Drenasi është bërë shembull në nivel vendi se si duhet të organizohen aktivitete kushtuar mërgatës sonë. Përveç përfitimit në imazhin si komunë, në pjesëmarrje të audiencës nga e gjithë Kosova, ka pasur edhe nga Maqedonia, Mali i Zi e Shqipëria, e që e bënë këtë aktivitet akoma më të rëndësishëm!”, shtoi Nuha duke bërë të ditur se “Muaji i Mërgatës” do të vazhdojë patjetër. 

Edhe puna e teatrit është pezulluar nga pandemia. Artdashësit mbeten pa shfaqje ndërsa aktorët pa punë.  Aktori i njohur, Dardan Gashi ka luajtur shumë drama e skenare në teatrin e Kosovës, dhe ai këtë periudhë e konsideron burg pa dashje si për publikun dhe për aktorët. 

“Teatri është shpirti i një qytetërimi dhe si trupi pa shpirt ashtu dhe një shoqëri pa teatër është një trup pothuajse i vdekur”, ka thënë Gashi.

Ai është shprehur i bindur që një ditë kjo pandemi do të kalojë duke konsideruar si ditë shprese datën që do të rikthehemi në normalitet. 

“Si çdo gjë kalimtare në këtë botë edhe pandemia do të marrë arratinë një ditë. Dhe dita tjetër do të jetë dita e shpresës, e kthimit dhe e entuziazmit me energji të reja dhe farfuritje artistike”, ka shtuar ai.

Nën moton  “Beerfest”  po vjen ma i madh, ma i bukur edhe ma argëtues!” këtë vit ky staf nuk arriti ta përmbushë këtë moto në edicionin jubilar të këtij festivali, jo për qejfin e tyre, por nga situata pandemike. Festivali i birrës është anuluar. 

Leart Zeqa, pjesë e Modus Kosova që merret me organizimin e këtij aktiviteti ka bërë të ditur për KosovaLive që pandemia ka pasur një ndikim të madh tek ky festival duke ia pamundësuar realizimin.

“Natyra e punës në të cilën operojmë është e atillë që është ndikuar direkt nga masat kufizuese dhe për këtë arsye nuk kemi mundur që të realizojmë këtë festival”, ka shtuar ai.

Pavarësisht kërkesës së publikut për ta rikthyer “Beer Fest”, Zeqa ka bërë të ditur se kanë punuar në drejtim për të gjetur mënyra alternative për të realizuar festivalin në një formë ose tjetrën. 

Zhvendosja e artit online

Edhe aktivitetet në fushën e artit kanë pasur një ndryshim të rrjedhës së punës – fillimisht galeritë janë mbyllur për shkak të Corona virusit e më pas janë hapur me kushtëzim. Në galeri tashmë mund të hyjnë nga dy-tre persona, me maska duke respektuar distancën.

Një eksperiencë të tillë ua mundësoi “Shkolla Verore për Krijimtari Mediatike” pesëmbëdhjetë pjesëmarrësve nga anembanë Kosova për të parë ekspozitën e Jakup Ferrit.

Bleona Hamiti, njëra nga pjesëmarrëset ka treguar se janë pritur shumë mirë në Galerinë e Arteve dhe se i kanë respektuar masat anti-covid duke qenë gjatë gjithë kohës me maska dhe duke mbajtur distancën.

“Kemi qenë me grupe të ndara, njëri grup ka vizituar katin e parë të galerisë ndërsa grupi tjetër katin e dytë, kemi mbajt vazhdimisht distancë dhe kemi kaluar një kohë të mirë pavarësisht kohës në të cilën po kalojmë” ka thënë ajoAnëtarja e bordit të këtij institucioni, njëkohësisht piktore dhe ligjëruese e pikurës dhe arteve pamore në Fakultetin e Arteve në Universitetin e Prishtinës dhe në Fakultetin e Arteve të Bukura në Prishtinë, Zake Prelvukaj thotë se pandemia ka pasur një ndikim në aktivitetet kulturore që i përkasin fushës së arteve. 

“Një numër i caktuar i ekspozitave të cilat nuk kanë mundur të realizohen fare janë anuluar, disa janë shtyer për një afat të pacaktuar e disa të tjera janë bartur në platformën online”, ka thënë Prelvukaj.

Ajo thotë se kjo situatë ka ndikuar edhe në krijimtarinë e saj, të kolegëve dhe studentëve duke pohuar se artistët kanë shfaqur një botë brenda botës së tyre, kanë lëvizur më ndryshe dhe me një paraqitje të paparë më herët. Ajo e sheh këtë si diç shumë pozitive. 

“Kam pasur fatin që kam një atele personale afër banesës, aty kam punu në formate të mëdha, puna që kam bërë ka dalë interesante, kam ‘zbuluar’ Zaken, një miks i emocioneve për të cilat nuk ka pasur një mes”, ka thënë ajo. 

Në anën tjetër, artistja tregon se gjithë kohën ka qenë në  komunikim me shumë njerëz të afërm, ish-studentë tek të cilët pandemia ka ndikuar dhe ka krijuar lëndime psikologjike. 

“Mendoj që kjo që ka ndodhur është një vërejtje, na është dhënë një mesazh. Në krijimtarinë time ka ndikuar pozitivisht, kam një barometër të emocioneve. Tek dikush ka ndikuar shumë keq. Është e rëndësishme ta ruajmë e ta duam njëri-tjetrin sepse jemi në një kohë ku nuk e dimë çka do të na sjellë e ardhmja”, thotë Prelvukaj.

Galeria e Arteve ka zhvendosur disa nga ekspozitat online.

“Me ndihmën e Engjëll Berishës kemi arritur që të realizojmë një ekspozitë virtuale ku iu është dhënë mundësia adhuruesve të artit t’i shohin nga afër punimet e artistëve. Është bërë një punë kreative”, shton Prelvukaj.

Kjo ekspozitë vjen si bashkëpunim me Galerinë e Arteve që quhet “Artistët gjatë karantinës” në të cilën tregohen punime e artistëve pjesëmarrës me punimet e tyre të pikturuara gjatë kohës së karantinimit duke reflektuar mbi gjendjen sociale të një shoqërie në situatë pandemie.

Organizata joqeveritare Artpolis, që për qëllim ka krijimin e një shoqërie bazuar në vlera feministe përmes artit dhe kulturës, po ashtu është ndikuar dukshëm nga pandemia.

“Që nga 14 marsi kur edhe janë shpallë masat kufizuese, natyra e aktiviteteve që ne zhvillojmë është e atillë që drejtpërdrejtë preket nga këto kufizime, andaj edhe rrjedha e punës sonë ka ndryshuar”,  thotë zyrtarja për informim tek Artpolis, Venera Ismaili.

Ndërkohë që filmi “Zgjimi i Pranverës” që si ngjarje pasqyron vitet e 90-ta në Kosovë, parashikohej të mbahej me 19 mars të këtij viti, situata pandemike e pamundësoi një gjë të tillë, andaj është dashur që data të ndryshohet ndërsa provat të zhvendosën online.

Promovimet e filmave janë një pjesë e rëndësishme e punës që bënë kjo organizatë prandaj edhe mënyra se si janë realizuar këtë vit ka përfshirë një rreth edhe më të ngushtë  të njerëzve.

Shfaqja muzikore “Zgjimi i Pranverës” u promovua me 12 qershor të vitit 2020 në Teatrin Kombëtar të Kosovës.

“Promovimi i filmit “Zgjimi i Pranverës” është bërë në një rreth të ngushtë, ku është përfshirë vetëm stafi duke respektuar rregullat me mbajtjen e maskës, dorezave dhe distancës në mënyrë të vazhdueshme” ka thënë Ismaili.

Virusi i barti edhe festivalet online

Pandemia COVID-19 ka bërë që disa nga aktivitetet kulturore që zhvilloheshin fizikisht, me lojëra e diskutime kritike për situata të ndryshme, këtë vit të zhvendosën në platforma online për të mos e anuluar apo pezulluar punën e tyre por për ta vazhduar atë.

“Green Festival” është festival multidisiplinar që përbëhet nga muzika, ekspozita, debate, arte pamore, filma, edukim, ndërmarrje rinore, zanate, panaire dhe gjithashtu kombinon të gjitha aktivitetet drejt ndërgjegjësimit dhe qëndrueshmërisë së mjedisit.

Këtë vit shënoi 10 vjetorin e tij në një mënyrë krejtësisht të ndryshme nga ajo që ishte planifikuar, pra online. Arta Gashi menaxhere e marketingut ka treguar se si janë përshtatur me formën online.

“Organizimi i festivalit online, ka kërkuar mund shtesë, meqenëse është hera e parë për ne që të gjitha aktivitetet duhet t`i orientojmë online, ani pse ka material që kërkon diskutim, prani të njerëzve e interaktivitet”, ka thënë ajo.

Gashi ka bërë të ditur se transmetimi online në Facebook, Instagram  i ka mundësuar që të kenë nën vëzhgim pjesëmarrjen e audiencës. Duke e konsideruar si një përvojë të re, Arta ka thënë se janë  ndarë të kënaqur me programin.

“Përvojë e re, formë totalisht e paparashikuar për të mbajtë një festival, mirëpo jemi të kënaqur me programin që kemi arritur ta përcjellim tek masa, e që është pranuar shumë mirë dhe me pozitivitet”, ka shtuar ajo.

Temat që janë trajtuar në këtë edicion kanë qenë me përmbajtje sociale: pabarazia, konkretisht në arsim, ajo gjinore, urbane dhe sociale, me theks te veçantë në ndikimin e pabarazisë në shoqëri gjatë pandemisë.

Mesazhi kryesor i këtij festivali ka qenë “Të gjithë duhet të jemi të barabartë”.

“DokuFesti” gjithë aktivitetet e tyre i kanë zhvendosur në platforma online. Alba Cakalli, producente e këtij festivali këtë mënyrë të realizimit të festivalit e ka konsideruar si të suksesshëm pavarësisht sfidave në të cilat kanë hasur.

“Realizimi i festivalit në këtë mënyrë  nuk mund të them që ka qenë i  vështirë pavarësisht që  pjesa teknike i ka vështirësitë e veta, vështirësi kemi hasur tek vendimmarrja se a do shkojmë online apo fizikisht”, ka thënë Cakalli.

Shikueshmëria e ka kaluar pritshmërinë e tyre, bazuar në kohën në të cilën po ndodhet Kosova dhe ndikimin e saj tek njerëzit, stafi i këtij festivali ka pritur një ulje të shikueshmërisë.

“Kemi 18 vite që jemi fizikisht, në edicionin e fundit kemi pasur 22 mijë vizitorë ndërsa me ndikimin e pandemisë kemi menduar që do të ketë ndikim edhe audienca direkt, fatmirësisht ka kaluar pritshmërinë tona për mirë”, ka shtuar ajo. 

Cakalli ka treguar se mesazhi i festivalit ka qenë i hapur, secili nga njerëzit ta kuptojë në mënyrën e tij.

Edhe edicioni i 11 i Anibar-it  këtë vit është realizuar përmes platformave online. Rrethanat e krijuara nga virusi korona i kanë pamundësuar këtij festivali realizimin tradicional që kishte tash e 10 vite. 

Vigan Shala, vullnetar i këtij festivali, ka treguar për KosovaLive se janë të kënaqur me mënyrën e realizimit pavarësisht që ka qenë diçka krejtësisht e re.

 “Pavarësisht që na është dashur të adaptohemi me manovrimet online kemi arrit të realizojmë në një mënyrë shumë të mirë Anibar-in”, ka thënë ai.

Shala ka treguar se edhe këtë vit audienca ka qenë e interesuar rreth filmave, aktiviteteve e diskutimeve që zhvillohen tek ky festival, duke pasur parasysh që kanë qenë 150 filma të qasshëm për kategori të ndryshme.

Ai ka treguar se disa nga aktivitete e përvjetshme janë anuluar për shkak të pandemisë për shembull “after party” këtë vit nuk janë mbajtur.

Shala ka bërë të ditur se në këtë festival është trajtuar edhe çështja e pandemisë të cilën stafi, vullnetarët dhe ekipi realizues e kanë marrë shumë seriozisht duke qenë gjatë gjithë kohës me maska dhe dezinfektues për ta parandaluar përhapjen.

Mirëpo kjo nuk i ka ndaluar që të zhvillojnë edhe disa aktivitete fizike siç ka qenë puna murale, madje as nuk kanë hasur në vështirësi të realizimit të tyre.

“Nuk kemi hasur në vështirësi për punimet murale sepse gjatë gjithë kohës është mbajtur distanca e kërkuar, maskat dhe vazhdimisht kemi qenë të pajisur me dezinfektues”, ka shtuar ai.

I pyetur se cili ka qenë mesazhi që është përcjellë në këtë edicion të 11 të Anibar-it, Shala ka thotë se vetë bartja e festivalit në platfomën online tregon që nuk janë dorëzuar, duke kërkuar gjithmonë një zgjidhje për të mos u anuluar planet.

“Në çdo fatkeqësi të mundohemi të realizojmë gjëra të mira për rininë, komunitetin dhe shoqërinë”, ka thënë ai.

Laura Qelaj

Ky artikull është shkruar në kuadër të projektit “Ngritja e Aftësisë Mediale dhe Digjitale”/”Enhancing Media and Digital Literacy”, e mbështetur nga Albany Associates.

PUBLIKIME

LAJME

THELLESISHT

DIALOG

Grantet e Prodhimit të Përmbajtjes II

Grantet e Prodhimit të Përmbajtjes II

Pesë aplikantë që paraqitën një aplikacion për “Grantet e Prodhimit të Përmbajtjes II”, Tv Tema, Internews, RTV Puls, Radio Gorazdevac dhe Besnik Krasniqi do të marrin mbështetje.

BARAZI

Womair: Informimi i grave dhe burrave për cilësinë e ajrit

Womair: Informimi i grave dhe burrave për cilësinë e ajrit

Më 19 nëntor, nga ora 10:00 deri në 12:00 në KosovaLive u mbajt ngjarja interaktive “Womair”, e cila kishte për qëllim informimin e djemve, vajzave, grave, burrave, çifteve dhe të gjithë të interesuarve, pa dallim, për mënyrat më efektive për përmirësimin e cilësisë së ajrit në hapësira të brendshme dhe të jashtme.

EDUKIM