Ushtruesja e detyrës së presidentes, Vjosa Osmani bashkë me kryetarin e Lëvizjes Vetëvendosje dhe kryeministrin në ardhje, Albin Kurti, kanë bërë homazhe për 23 vjetorin e masakrës dhe betejës në Likoshan e Qirez, ka bërë të ditur ajo në postimin e saj në Facebook.
Çdoherë duhet t`i kujtojmë të rënët, sepse duke nderuar ata do ta dimë vlerën e lirisë që e gëzojmë dhe rrugën nëpër të cilën kemi kaluar për të arritur deri këtu dhe kjo kujtesë historike e sakrificës së popullit tonë duhet të jetë në funksion të ndërtimit të një të ardhme më të mirë për familjet e të rënëve dhe të gjithë qytetarëve të Kosovës ka thënë Osmani.
“Sot, bashkë me kryeministrin në ardhje, z.Albin Kurti dhe kryetarët e komunave të Drenasit e Skenderajt, z.Ramiz Lladrovci dhe z.Bekim Jashari, nderuam martirët e dëshmorët e Likoshanit e Qirezit, në 23 vjetorin e kësaj Masakre dhe Beteje.
Çdoherë duhet t`i kujtojmë të rënët, sepse duke nderuar ata do ta dimë vlerën e lirisë që e gëzojmë dhe rrugën nëpër të cilën kemi kaluar për të arritur deri këtu. Ushtarët e UÇK-së që bënë luftën frontale me forcat serbe dhe civilët e ekzekutuar, torturturuar e masakruar më 28 shkurt të vitit 1998 janë dëshmi e veprimeve gjenocidale të Serbisë në Kosovë, ndaj këtë të vërtetë duhet ta themi dhe ta mbrojmë çdoherë dhe kudo.
Kjo kujtesë historike e sakrificës së popullit tonë duhet të jetë në funksion të ndërtimit të një të ardhme më të mirë për familjet e të rënëve dhe të gjithë qytetarëve të Kosovës.
Qoftë i përjetshëm kujtimi për martirët e dëshmorët që ranë për lirinë e vendit!”