U.d. presidentja e deritanishme e Kosovës, Vjosa Osmani në përputhje me nenin 90 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, sot ia dorëzoi detyrën e u.d. presidentit dhe kryetarit të Kosovës, Glauk Konjufca.
Pasi që e ka uruar për detyrën, Osmani e ka njoftuar Konjufcën për punët që janë bërë nga Presidenca nga nëntori i vitit të kaluar e deri tash.
Ajo gjithashtu e ka njoftuar Konjufcan edhe për punët që janë në proces, duke i ofruar mbështetje në punën e mëtejme, thuhet në komunikatën e Zyrës së Presidentit të Kosovës.
Kryetarit të ri të Kuvendit, njëherësh U.D. President, z. Glauk Konjufca dhe Kryesisë së re të Kuvendit, u uroj punë të mbarë në udhëheqjen e institucionit më të lartë legjislativ e përfaqësues të vendit tonë.
Ishte nder i jashtëzakonshëm që përgjatë legjislaturës së shtatë të jem në krye të Kuvendit, tempullit të demokracisë dhe të punoj duke përfaqësuar interesin e qytetarëve dhe duke rritur integritetin e transparencën në këtë institucion.
Dita e sotme, është realizim i vullnetit qytetar të shprehur me votë plebishitare në zgjedhjet e 14 shkurtit.
Të gjitha deputeteve dhe deputetëve u uroj punë të mbarë, duke uruar që të jenë përherë të udhëhequr nga kërkesat dhe nevojat e qytetarëve dhe të punojnë gjithnjë në shërbim të më të mirës për ta.
Na priftë e mbara!, ka thënë Osmani.