Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti i shoqëruar nga zëvendës kryeministri, Besnik Bislimi priti në takimin e tij të parë pas marrjes së detyrës së kreut të ekzekutivit, shefin e Zyrës së BE-së në Kosovë/përfaqësuesin special të BE-së, ambasadorin Tomáš Szunyog dhe zëvendës shefin e Zyrës së BE-së, Riccardo Serri.
Ambasadori Szunyog i uroi fillim të mbarë dhe suksese në detyrën e re Kurtit. Ai përsëriti gatishmërinë dhe vullnetin e BE-së për thellimin e bashkëpunimit me të, Qeverinë e tij dhe Republikën e Kosovës në arritjen e synimeve të përbashkëta dhe për përfitimin e qytetarëve të Kosovës. Kryeministri Kurti faleminderoi Szunyog për vizitën dhe urimet si dhe për gatishmërinë për thellim të bashkëpunimit. Po ashtu e njoftoi për synimet dhe prioritet e tij si kryeministër i Qeverisë së re.
Ambasadori Szunyog u shpreh se prioritetet e qeverisë së re janë edhe prioritetet e BE-së.
Në takim gjithashtu u dakordua edhe për realizimin e një vizite zyrtare në institucionet qendrore të Bashkimit Evropian thuhet në komunikatën për media e Zyrës së Kryeministrit.