Ministri Punëve të Brendshme Xhelal Sveçla, priti në takim shefin e programit për Ballkanin Perëndimor nga Komisioni Ndërkombëtar për Persona të Zhdukur (ICMP) Matthew Holliday, i cili ishte i shoqëruar nga zyrtari i programit për Kosovë dhe rajon nga kjo organizatë Ylber Morina.
Gjithashtu, në këtë takim morën pjesë Kryeshefi Ekzekutiv i Agjencisë së Kosovës për Forenzikë, Blerim Olluri dhe shefja e Kabinetit të ministrit, Jeta Tela-Shema.
Ministri Sveçla theksoi se e çmon shumë angazhimin e kësaj organizate në çështjen e personave të zhdukur në Kosovë, si një ndër temat më të rëndësishme për qytetarët e Kosovës dhe më me prioritet për Qeverinë e Republikës së Kosovës.
Holliday, foli për angazhimin e tyre sa i përket çështjes së personave të zhdukur në Kosovë duke i dhënë edhe theks të veçantë nevojës për forcimin e bashkëpunimit mes ICMP-së dhe MPB-së , me qëllim të ofrimit të ndihmës në lidhje me zbardhjen e fatit të personave të zhdukur.
Ministri Sveçla u zotua se për çështjen e zbardhjes së fatit të personave të zhdukur do të ofrojë gjithë ndihmën e nevojshme si dhe u dakorduan për të vazhduar bashkëpunimin e ngushtë, thuhet në komunikatën për media e MPB-së.