E drejtuar nga kryeministri Albin Kurti, Qeveria e Republikës së Kosovës ka zhvilluar mbledhjen e dytë, në të cilën është diskutuar dhe miratuar Rregullorja me të cilën përcaktohen fushat e përgjegjësisë administrative të Zyrës së Kryeministrit dhe të ministrive.
Në hapje të mbledhjes së dytë të Qeverisë, kryeministri Albin Kurti, duke vlerësuar angazhimin e kabinetit qeveritar tha se e din që ka vendime të shumta që janë duke u përgatitur nga të gjitha ministritë e që janë urgjente, por sot kemi një vendim që është më urgjent se tjerët e që është rregullorja e re për fushat e përgjegjësisë administrative e cila i hapë rrugë sistemimit të përgjegjësive që kemi në Kryeministri e në ministritë e linjës si rezultat i fuzionimit që janë bërë në disa ministri. Ai shtoi se ndoshta këtë mbledhje mund ta mbanim në këmbë, sepse vërtetë nuk kemi kohë për të humbur sepse vendimet e rëndësishme që ju jeni duke i propozuar duhet të vijnë sa më shpejtë në tavolinën time.
Rregullorja për fushat e përgjegjësisë administrative të Zyrës së Kryeministrit dhe ministrive, e miratuar sot, është obliguese për Kryeministrin, zëvendëskryeministrat, ministrat, zëvendësministrat, këshilltarët politikë, këshilltarët e jashtëm politikë, nëpunësit e punësuar në kabinete dhe nëpunësit civil në Qeverinë e Republikës së Kosovës.
Rregullorja përkufizon funksionet e Qeverisë në ushtrimin e pushtetit ekzekutiv në përputhje me Kushtetutën dhe legjislacionin në fuqi dhe kompetencat përmes miratimit të vendimeve me propozimin e anëtarëve të Qeverisë dhe institucioneve tjera në pajtim me Kushtetutën dhe legjislacionin në fuqi; miratimit të akteve juridike ose rregulloreve, të nevojshme për zbatimin e ligjeve; diskutimin e problemeve dhe miratimin e vendimeve për çështje të tjera që ajo i konsideron të rëndësishme në kuadër të kompetencave të saj; miratimit të vendimit për emërimet dhe shkarkimet brenda kompetencave të saj, si dhe kryen të gjitha detyrat dhe përgjegjësitë e tjera të përcaktuara me Kushtetutë dhe legjislacionin në fuqi, thuhet në komunikatën për media e Zyrës së Kryeministrit.
Rregullorja e miratuar nga Qeveria e Kosovës përcakton edhe përbërjen nga këto ministri:
- Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës (MPJD);
- Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve (MFPT);
- Ministria e Drejtësisë (MD);
- Ministria e Mbrojtjes (MM);
- Ministria e Punëve të Brendshme (MPB);
- Ministria e Shëndetësisë (MSH);
- Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MASHTI);
- Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit (MKRS);
- Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal (MAPL);
- Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës (MMPHI);
- Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural (MBPZHR);
- Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë (MINT);
- Ministria e Ekonomisë (ME);
- Ministria për Komunitete dhe Kthim (MKK);
- Ministria e Zhvillimit Rajonal (MZHR).