Ministri i Shëndetësisë i Republikës së Kosovës, Arben Vitia zhvilloi sot një takim virtual me Massimiliano Paolucci, menaxher i Bankës Botërore për Kosovën dhe për Maqedoninë e Veriut, në rajonin e Evropës dhe Azisë Qendrore dhe përfaqësues të tjerë të këtij misioni.
Vitia ka falënderuar misionin e Bankës Botërore për gatishmërinë dhe reagimin e shpejtë ndaj nevojave të Kosovës gjatë pandemisë COVID-19 dhe për fleksibilitetin e treguar brenda projekteve ekzistuese midis MSh-së dhe këtij misioni.
Gjatë takimit është biseduar për situatën rreth COVID-19 dhe përgjigjen e përbashkët ndaj sfidave që ka shkaktuar koronavirusi në të gjitha aspektet, si dhe nevojën e lehtësimit të procesit të sigurimit të vaksinave kundër COVID-19 dhe përgjithësisht edhe të forcimit shëndetësor të Kosovës.
Ministri Vitia ka siguruar misionin e BB-së se me ekipin e tij është i përkushtuar për të siguruar vazhdimësinë e projekteve të përbashkëta në proces me BB dhe arritjen e objektivave të përcaktuara në to.
Nga ana e tij, Massimiliano Paolucci, ka shprehur përkushtimin e misionit të BB-së që të bashkëpunojmë ngushtë me Ministrinë e Shëndetësisë në realizimin e projekteve, me qëllim të përmirësimit të indikatorëve shëndetësor në Kosovë, thuhet në komunikatën për media e MSH-së.