Build Skills with our trainings

Sign up now!

Përballja me “normalitetin e ri” ekonomik të shkaktuar nga pandemia

Pri 5, 2021

S.B (që deshi të mbetej anonim) tash e disa vite bukën për dy fëmijët e tij e siguron gjatë sezonit të verës. Duke i punuar dy toka me qera, ai mbjell misër dhe kunguj duke pritur  kështu t’i shesë gjatë verës.

Po punoj e po shes, por sivjet pa mërgimtarë e diasporë gjërat po janë më ndryshe. Fitim më të madh kisha viteve të kaluara. Misrin ende e shes në shesh, më ndihmojnë edhe fëmijët si dhe gruaja nga shtëpia. Ajo i bën gati e i pjekë farat dhe misrin. Është e vështirë, por duhet“, thotë ai.

Edhe Kaltrina Muzaqi, një e re nga Vushtrria, ka arritur sukses e të ndërtojë biznesin e punën e asaj. Pasi mori njohuritë për dizajn e tekstil, ajo hapi atelien e saj. Ndonëse punë jo edhe e lehtë, ajo arriti ta realizojë ëndrrën e kahmotshme. Shumë vajza që punën ia besuan janë ndarë të kënaqura. Në mbrëmjet e maturës, dasma e ahengje te ndryshme vihen re fustanet e bëra nga dora e saj, mirëpo këtë vit pandemia Covid-19 bëri që gjërat të jenë më ndryshe. U ndaluan dasmat, maturat e ahengjet vetëm me numra të kufizuar.

Ndonëse tashmë pas izolimit puna vazhdon, ajo i tregon vet ndryshimet se sa janë të dukshme në biznes. Për Kaltrinën, pandemia vazhdon të jetë gjëja më e keqe që i ka ndodhur.

“Mungesa e të ardhurave është e pa paramenduar. Në lokal po kemi frikë se mos infektohet apo infektojmë dikë. Dallimet janë shumë të mëdha krahasuar me vitet e kaluara kur sezona ishte nga marsi deri në shtator. Madje edhe çmimet janë ulur pasi edhe të ardhurat janë më ulta,” tha ajo.

Kaltrina e përmbyll me porosi që bizneset private duhet të ndihmohen e mbështeten, pasi bukur gjatë ka ndikuar kjo kohë pandemie.

komunën e Vushtrrisë operojnë rreth 3,838 biznese, ku pjesa më e madhe e këtyre bizneseve janë të orientuar në veprimtari tregtare.

Duke u bazuar në të dhënat e Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë, rreth 38.95% e bizneseve merren me tregti, 15.50% me transport dhe telekomunikacion, kurse në 10.21% hynë shërbimet hoteliere dhe restorantet.

Vushtrria për disa muaj zuri frontin në vendin e dytë me përhapje të virusit. Kryetari i  Komunës, Xhafer Tahiri në bashkëpunim me ministri, biznese të mëdha dhe organizata, u doli në ndihmë qytetarëve të Vushtrrisë në forma të ndryshme. Ndër to ishte shpërndarja e pakove me sasi ushqimore e higjenike tek familjet në nevojë, si dhe aprovimi i mjeteve buxhetore me subvencion 120 euro për fëmijë të lindur gjatë vitit 2020.

Sipas Tahiri, rendimenti i grurit, një ndër degët kryesore ekonomike të bujqësisë,  ishte i kënaqshëm edhe nga fermerët, ndërkaq si mbështetje komuna kishte dhuruar 145 sera të pajisura me sistem të ujitjes. Komuna e Vushtrrisë ka ndarë pako 200,000 euro për lirim nga pagesa e qirasë, shtyerje të afatit të lejeve ndërtimore, lirim nga pagesat e instuticioneve publike arsimore, dyfshim të bursave për studentë, dyfishim të mjeteve financiare për klube sportive dhe subsvencione për prindërit me fëmijë me aftësi të kufizuara.

Nënkryetari i kësaj komune, Besim Muzaqi, në një intervistë për KosovaLive tha se masat e marra ishin adekuate konform rregullave dhe mundësive që ka komuna.

“Ndihmat me pako ushqimore besoj që, përveç përkrahjes materiale, u dëshmuan edhe si përkrahje morale, që tregoi se në këtë sfidë jemi të gjithë së bashku,” tha Muzaqi, teksa shton se shërbimet shëndetësore arrijnë mbi 21,000 vizita në shtëpi të qytetarëve gjatë kësaj periudhe, e cila duhet medoemos të mirret edhe si shembull.

Vushtrriasja F.B. mendon se gjendja aktuale ekonomike nuk është e mirë. Ajo, edhe pse për vete nuk punon, ndihet keq për të rinjtë të cilët i kanë humbur vendet e tyre të punës. Sa u përket masave për parandalimin e përhapjes së pandemisë, ajo shpreh zemërimin me qytetarë, të cilët i çuan të pakujdesshëm.

“Në qytet shoh shumë persona pa maska e pa dorëza. Edhe në qendrat e tregut për pazare të tyre dalin ashtu. Të paktën për të moshuarit të mendojnë,“ thotë ajo.

Kështu, duke qenë të izoluar me muaj, pandemia vuri në pah zbehjen e situatës ekonomike financiare. Kosova vazhdon të jetë pjesë e vendeve të prekura më virus. Menaxhimi vazhdon, masat kryesisht respektohen, por kur bëhet fjalë për buxhetin e Republikës së Kosovës, pandemia sigurisht se ka ndikuar në zvogëlim të aktiviteteve të cilat e mbushin fondin financiar. Shumë biznese në komuna të ndryshme thuajse gjinden pranë falimentimit, ka humbje të vendeve të punës, vështirësim të gjendjes financiare familjare e sektorë privatë të rrezikuar.

Arbëresha nga Vushtrria, pronare e sallonit estetik të bukurisë “Arbëresha”, në intervistë për KosovaLive thotë se biznesin e saj e kishte hapur dy vite e gjysmë më parë kur kishte edhe obligime e vështirësi tjera. Ishte studente. Në njërën anë kishte mësimin, e në anën tjetër punën. Por ajo ia doli. Në krahasim me dy sezonat e kaluara, këtë vit ishin më shumë vështirësi. Mungesa e dasmave, maturave e ahengjeve tjera është parë dukshëm.

“Vitin e kaluar kishte punë, e këtë vit mezi po i mbulojmë shpenzimet e lokalit. Mendoj që bizneset duhet ndihmuar më tepër pasi ka pasur shumë humbje,” thotë Arbresha.

Pë dallim nga ajo, pandemia kishte ndikuar edhe pozitivisht në biznesin të cilin Natyra Pantina e kishte hapur në qershor të vitit të kaluar. Biznesi i saj privat funksionon online, pasi ajo mirret me shitje të veshjeve për djemë dhe vajza, ndaj klientët kanë pasur mundësi të bëjnë porosi nga shtëpia, rrjedhimisht edhe përfitimet i janë rritur në njëfarë mase.

“Porositë zakonisht bëhen prej rrjeteve sociale, prandaj nuk kemi ndonjë llojë frike nga kontakti me klientë,” shprehet ajo.

Në një intervistë për KosovaLive, Nasuf Aliu, kryesuesi i Kuvendit Komunal në Vushtrri bën krahasimin për ekonominë para dhe gjatë pandemisë. Vushtrria ishte ndër komunat më të goditura nga virusi, ndaj për të, Shtabi Komunal Anti-Covid, masat, proreklamimi i tyre ishin hapa me sistem të mirë menaxhues, dhe që e ka bërë atë të jetë optimist për gjendjen e ardhshme.

“Krahasimi i situatës ekonomike para dhe gjatë pandemisë është shumë dimensional dhe i pa përcaktuar. Nga ana jonë si komunë, kemi angazhuar kompani profesionale për gjetjen e detajeve, kërkesave, pasojave drejt së ardhmes. Këtë vit ka shumë rënie drastike në financa në veçanti, për tregun e lirë e punëtorët pa kontrata,” u shpreh ai.

 


“Mendoj që së fundmi po shihet një vetëdijësim rreth masave e kujdesisë tek qytetarët tonë e kjo duhet të vazhdojë, sepse duke qenë se nuk kemi ndonjë vaksinë që do i jepte fund
kësaj pandemie, na duhet ndihma e qytetarëve në respektim të masave, pasi kjo pandemi goditi të gjithë ekonominë globale,” tha Aliu.Sipas tij, komuna e Vushtrrisë është e gatshme gjithmonë t’u përgjigjet masave Anti-Covid.

Aliu thotë se është vërejtur mungesa e të hyrave nga diaspora qysh në muajt e parë këtij viti.

Edhe raporti i Institutit GAP – “Ndikimi i diasporës në ekonominë e Kosovës gjatë pandemisë COVID-19”, e përkrah këtë duke vërtetuar se numri i vizitave të mërgimtarëve dhe periudha e qëndrimit të tyre në Kosovë gjatë pandemisë është zvogëluar dukshëm, dhe se dëmi i shkaktuar nga të hyrat e ekonomisë në krahasim me vitin 2019 pritet të jetë prej 205 deri 219 milionë euro.

Sipas raportit të Bankës Qendrore të Kosovës (BQK), për tërë vitin 2020 parashikohet rënie e aktivitetit ekonomik deri në 5.9%, ndërkaq ky aktivitet është ngadalësuar nga efektet e masave parandaluese të përhapjes së virusit (3.1%). Sa i përket eksportit dhe importit, tregtia pritet të dobësohet, ku deficiti pritet të ngushtohet për 2.5% në terma realë. Edhe eksporti i mallërave do të pësojë rënie deri në 13.7%.

Ela Sfishta, studente e ekonomisë në Universitetin e Prishtinës e sheh zhvillimin ekonomik në Republikën e Kosovës relativisht të dobët.

“Që nga periudha e pasluftës, e sidomos pas shpalljes së pavarësisë, mendoj që jemi njëri prej vendeve në rajon me zhvillimin ekonomik më të dobët, me diku rreth 3-4% rritje ekonomike për një periudhë rreth 20 vjeçare,” thotë ajo.

Duke e pasur një ekonomi të tillë, pandemia ka dëmtuar thuajse shumë sektorë ekonomikë.  Ajo dëmet më të mëdha i sheh tek sektorët privatë, ku 40% veçse kanë falimentuar. Sipas Sfishtës, rrëzimi i qeverisë dhe krijimi i një tjetre nuk ka qenë e qëlluar, pasi nuk i mori masat e duhura. Në analizën e saj, Kosova si shtet i ri, me territor e popullsi të vogël në krahasim me vendet e tjera gjen mundësi për zhvillim ekonomik më të madh. Shkaku i kësaj gjendjeje, sipas saj, është mungesa e qarkullimit të parasë.

“Kur e them mungesa e qarkullimit të parasë i referohem asaj se buxheti nuk shfrytzohet nga politikanët tanë. Kemi mungesa fabrikash të cilat krijojnë vende pune,” shprehet Ela.

Ajo gjithashtu shtoi se shteti duhet t’i kushtojë vëmendje sektorit privat, dhe se lirimi nga disa pagesa nuk mjafton.

“Unë mendoj se nuk është shfrytëzuar edhe aq pakoja emergjente, mirëpo prapë nuk është edhe situatë shumë e pakënaqshme pasiqë çdo shtet është i obliguar që sa më shumë të ruajë rezervat e tij për çfarëdo goditje te papritur në të ardhmen, e njëjtë edhe shteti ynë,” tha Ela.

Zyra e Kryeminstrit me 22 korrik 2020 ka treguar se është miratuar Projektligji për Rimëkëmbje Ekonomike, me ç’rast do ndryshohen edhe disa ligje të lidhura me  të. Kryeminstri në detyrë Avdullah Hoti kishte kërkuar që në kuvend të trajtohej ky Projektligj për Plotësim e Ndryshim të Buxhetit të Republikës së Kosovës për vitin 2020, që do të ndihmonte si plan për rimkëmbje ekonomike duke marrë masa si ndihmë për qytetarë e biznese. Njëra ndër masat e marra nga Qeveria është edhe Pakoja Emergjente, e cila mban vlerën e 290 milionë euro.

Qeveria e Kosovës kishte përgatitur pakon e parë (pakoja emergjente fiskale) dy javë pas fillimit të masave kufizuese, edhe atë në vlerën e 190 milionë eurove, e cila e përkthyer në terma krahasues është ekuivalent me 10% të të hyrave të përgjithshme buxhetore, ndërsa paralelisht me këtë dhe duke ndjekur zhvillimin e aktivitetit ekonomik, ishti krijuar grupi punues për dizajnimin e pakos së dytë (pakoja e rimëkëmbjes ekonomike).

Pakoja emergjente fiskale nuk është implementuar ende në tërësinë e saj, sidoqoftë deri në momentin kur po shkruhet ky artikull përfitues kanë qenë rreth 100.564 qytetarë të thjeshtë, rreth 167 mijë penzionerë, si dhe 120 mijë punëtorë që kanë marrë kompensim të pagesës në shumën e 170 eurove.

Përkrah gjithë këtyre masave për mbylljen e biznesve vendore, erdhën edhe pakënaqësitë e gastronomëve në tërë Kosovën.

Ditën e 20 shtatorit të vitit të kaluar, në Vushtrri ishte zhvilluar një protestë e thirrur nga gastronomët si shenjë paknaqësie. Protesta ishte bërë me thyerje pjatash afër Kalasë së Qytetit. Dhjetëra përfaqësues ishin pjesëmarrës, ndërkaq ishte paralajmëruar edhe një protestë tjetër me 25 shtator por që më vonë u anulua.

Përfaqësuesi i Gastronomëve në Vushtri, Avni Tërdeci në një intervistë për KosovaLive deklaroi se masat e ndërmarra pas datës 13 mars kishin ndikuar në shumë në biznese, ku edhe u detyruan t’i mbyllnin lokalet. Në lokalin e tij ai ka punuar vetëm me porosi deri në orën 21:00 kur është dashur ta mbyllte.

“Para mbylljes kam investuar në lokal e kam marrë kredi. Vitin e kaluar i kam pasë 12 punëtorë e këtë vit veç një punëtor,” tregon Tërdeci.


Ai mendon që mënyra e vetme më e mirë për të zërë hapin e humbur është që të ndahet pako emergjente.

Në Ministrinë e Financave dhe Transfereve, sipas Institutit GAP, në muajt mars dhe prill 2020, të gjitha komunat kishin arketuar të hyra në vlerë rreth 6 milionë euro (9.3 milionë më pak sesa vitin e kaluar).

Për të frenuar ndikimin ekonomik të pandemisë, të gjitha komunat e Kosovës kishin ndërmarrë masa konkrete. Marrë parasysh faktin se kjo ishte një situatë e re, ky raport tregon qartë që  disa komuna kanë bërë një punë shumë të mirë në këtë drejtim.

Prej komunave që deri kah mesi i muajit maj 2020 kishin miratuar pakot emergjente ekonomike ishin Prishtina, Drenasi, Ferizaji dhe Hani i Elezit, ndërsa Podujeva dhe Lipjani kishin miratuar masa të tilla të pjesshme. Kuvendi Komunal i Drenasit kishte liruar nga pagesa që kanë ndaj komunës të gjitha bizneset private për vitin 2020, përfshirë këtu edhe shfrytëzimin e hapësirës publike. Njësoj kishin vepruar edhe Ferizaji dhe Hani i Elezit mirëpo te këto komuna, kjo vlente vetëm për gjashtëmujorin e parë të vitit 2020.

Edhe Gjakova u ndikua shumë nga kjo situatë. Drejtori për Zhvillime Ekonomike në Gjakovë, Ferdinand Kolaj thotë se po bëjnë të pamundurën për t’i ndihmuar këto biznese.

“Pandemia po lë pasoja, sepse po ka biznese që po operojnë me vështirësi të mëdha, por ne si komunë po mundohemi t’u qëndrojmë sa më pranë që mundemi,” shprehet Kolaj.

Ai tregon se gjatë muajve të pandemisë janë dëmtuar biznese të ndryshme, por që komuna i ka ndihmuar me grante e subvencione, duke filluar nga bashkëfinancimi me organizatën HELP, ku 37 pronarë ishin përfitues të nga dy mijë eurove.

Një tjetër qytetare nga Gjakova, që po ashtu preferoi të mbetej anonime, tha se me masat e ndërmarra nga Qeveria e Kosovës ishte mesatarisht e kënaqur, pasi në rrugë është obligative të respektosh rregullat dhe nëse nuk i respekton mund të dënohesh, ndërkaq në lokale nuk ka respektim edhe aq të masave, madje as distancim.

“Edhe qyteti ynë, Gjakova, është prekur nga pandemia, sidomos në sezonin veror, ku turizmi është dëmtuar si shkak i mungesës së mërgimtarëve,” u shpreh ajo.

Një Analizë Tematike e bërë si publikim i Odës Ekonomike Amerikane në Kosovë (OEAK) synon të sjellë vëmendje tek politikat e ndryshme ekonomike dhe të përshkruajë sfidat për zhvillimin e politikave të tilla, në mënyrë që të hapë rrugë për adresimin e tyre.

Në bazë të anketës, kriza e shkaktuar nga COVID-19 ka ndikuar thellë në aftësinë e sektorit privat për të operuar, ku 39% të ndërmarrjeve të anketuara janë mbyllur plotësisht, 30.7% kanë punuar me kapacitete të reduktuara dhe 13.8% kanë funksionuar me orare të reduktuara të punës. Në të njëjtën kohë, 60% e të anketuarve besonin se kriza COVID-19 rrezikon mbijetesën e biznesit të tyre.

Flutura Sogonjeva

Ky artikull është shkruar në kuadër të projektit “Ngritja e Aftësisë Mediale dhe Digjitale”/”Enhancing Media and Digital Literacy”, e mbështetur nga Albany Associates.

PUBLIKIME

LAJME

THELLESISHT

DIALOG

Grantet e Prodhimit të Përmbajtjes II

Grantet e Prodhimit të Përmbajtjes II

Pesë aplikantë që paraqitën një aplikacion për “Grantet e Prodhimit të Përmbajtjes II”, Tv Tema, Internews, RTV Puls, Radio Gorazdevac dhe Besnik Krasniqi do të marrin mbështetje.

BARAZI

Womair: Informimi i grave dhe burrave për cilësinë e ajrit

Womair: Informimi i grave dhe burrave për cilësinë e ajrit

Më 19 nëntor, nga ora 10:00 deri në 12:00 në KosovaLive u mbajt ngjarja interaktive “Womair”, e cila kishte për qëllim informimin e djemve, vajzave, grave, burrave, çifteve dhe të gjithë të interesuarve, pa dallim, për mënyrat më efektive për përmirësimin e cilësisë së ajrit në hapësira të brendshme dhe të jashtme.

EDUKIM