Build Skills with our trainings

Sign up now!

Të rinjtë i hynë politikës në kërkim të fuqizimit të të drejtave të tyre

Pri 5, 2021

Shpesh kur përmendet lidhmëria mes të rinjëve dhe politikës, gjëja e parë që bie ndërmend është votimi në zgjedhje si akt themelor i angazhimit të të rinjve në këtë fushë. Por, politika është më shumë se kaq. Të qenit i përfshirë në politikë nënkupton të vendosësh për vetën dhe të ardhmen, e kur je një i ri apo e re me potencial, si mund të ndikojë kjo përfshirje?

Objekti i pjesëmarrjes së të rinjve në politikë që dikur ishte i vogël, tani po merr vëmendje më të madhe nga të rinjtë e Mitrovicës. Këta të rinj kanë vende të caktuar për t’u mbedhur e për të diskutuar, siç janë selitë e partive. 

Të rinjtë mitrovicas hyjnë në politikë me qëllim që t’u dëgjohet zëri, dhe që kërkesat e tyre t’u merren parasysh.

Ismet Bala, student në Fakultetin Ndërkombëtar të Mitrovicës po ashtu thotë se të rinjtë nuk po synojnë shumë përfitimet personale .

“Unë mendoj se të rinjtë e Mitrovicës, edhe pse merren me politikë, përfitojnë pak, për të mos thënë hiç. Pavarësisht angazhimit, deri më tani unë nuk kam përfituar asgjë,” thotë ai.

Sipas tij, jo shpesh të rinjve u merren parasysh mendimet e tyre në lidhje me çështje që i prekin ata, dhe se partitë i shfrytëzojnë të rinjtë më shumë në fushata elektorale për punën logjistike, si vendosjen e posterave dhe për thirrje për tubime.

Në një intervistë për KosovaLive, Safet Kamberi tregon se si është kyçur në politikë dhe çka e ka shtyer atë t’i hyjë politikës. 

Ai thotë se ka filluar qysh kur ishte regjistruar si student në fakultet, dhe tash ka arritur të jetë kryetar i degës së Lidhjes Demokratike të Kosovës në Mitrovicë, njëherit edhe kryesues i Kuvendit në këtë komunë. Në atë kohë politika ishte kryesisht ideal, ishte mjet për të kontribuuar në shtetndërtim, dhe pikërisht për këtë arsye Kamberi e konsideronte të nevojshme të përfshihej në procese vendimmarrëse, duke qenë pjesë e një partie politike. 

Ai tregon se si kanë qenë mundësitë e angazhimit politik për të rinjtë asokohe.

“Në atë kohë partitë ishin më konservatore, më të mbyllura për gjenerata të reja, kërkohej angazhim shumë i madh për t’i bërë vetes vend në strukturat udhëheqëse të një partie.  Udhëtimi im politik nuk ishte i lehtë, megjithatë isha këmbëngulës, bashkëpunues, konsistent,” u shpreh ai.

Kamberi shprehet optimist për potencialin e gjeneratave të reja, pasi edhe vetë ka punuar për përfshirjen e të rinjve të Mitrovicës në partinë që ai përfaqëson. 

“Unë mendoj se diversiteti i madh politik në Kosovë ka bërë që partitë domosdoshmërisht të hapen për kuadro të reja, të krijojnë hapësirë për të rinjtë. Kjo është shumë pozitive”, tregoi ai.

Ai konsideron se partitë politike i mirëpresin njësoj të dy gjinitë, ndërkohë që megjithatë ai vëren një hezitim nga vajzat dhe gratë. 

Kamberi, nga ana tjetër, nuk u preferon të rinjve ta vendosin politikën si prioritet para zhvillimit të tyre profesional.

“Ne jemi shtet që shquhemi për gjeneratë të re, rrjedhimisht edhe politikat tona institucionale duhet të jenë të ndikuara nga ky komunitet që në Kosovë janë shumicë, pra të rinjtë,” thotë ai.

Ndërkaq, Irfan Peci, zyrtar në Komunën e Mitrovicës, në një intervistë për KosovaLive thotë se pjesëmarrja e të rinjëve në politikë është mjaft e theksuar kryesisht në forume rinore në kuadër të partive politike, dhe më pak në struktura udhëheqëse, dhe se arsyeja e përfshirjes së tyre në politikë është kryesisht me pretendimin për një punësim më të lehtë dhe për një avancim më të  shpejtuar në karrierë.

“Pozita udhëheqëse në qeverisje qoftë në nivel lokal apo qendror shumë pak u besohet të rinjëve. Ata kryesisht përdoren për kryerjen e punëve operative në kuvend,” tha ai.

Peci gjithashtu konsideron se në aspektin material, nga politika përfitojnë vetëm një numër simbolik i të rinjve që arrijnë të depërtojnë në pozita udhëheqëse, gjersa në aspektin profesional mund të përfitojnë një numër më i gjerë i të rinjve përmes pjesëmarrjes në konferenca, tubime dhe grupime të ndryshme. 

“Të rinjtë, sidomos ata me ngritje profesionale, duhet të marrin pjesë në politikë në mënyrë që të japin kontribut në rregullimin dhe avancimin e politikave shtetërore dhe lokale,” thotë Peci.

Të pranishëm, por të pafuqishëm në vendimarrje

hulumtimin “Sa miqësore janë partitë politike ndaj të rinjve?” të publikuar nga Demokracia për Zhvillim në prill të vitit 2020, duke anketuar të rinjtë që aktualisht janë pjesë e partive politike në Kosovë, kur të rinjtë janë pyetur për motivin kryesor të tyre për të qenë pjesë e ndonjë partie politike, 48% e të rinjve të anketuar deklaruan se programi i partisë së caktuar kishte qenë i përafërt me bindjet e tyre. Nga ana tjetër,  32% e të rinjve të anketuar deklaruan se arsyeja kryesore e angazhimit të tyre politik ishte të japin kontribut në vendin e tyre. 

Hulumtimi ka prekur edhe anën e përfitimeve që i kanë të rinjtë nga pjesëmarrja e tyre në parti politike, me atë se pjesa më e madhe e të rinjve e konsiderojnë fitimin e njohurive dhe shkathtësive si benefitin kryesor të angazhimit të tyre politik, e një pjesë shumë e vogël thonë se përveç zhvillimit të shkathtësive dhe zgjerimit të miqësisë, angazhimi partiak u ka ndihmuar të sigurojnë edhe një vend pune.

Sado e madhe mund të jetë pjesëmarrja e të rinjve në politikë, vendimmarrja e tyre lë shumë për të dëshiruar, ngase përfshirja në normat që rregullojnë çështjet e rinisë nuk është e mjaftueshme. 

Armend Kadiri, zyrtar ligjor në komunën e Rahovecit, konsideron se të rinjtë duhet të kyçen në politikë për të rritur diapazonin e veprimit rinor në kuptimin radikal si dhe ofrimin e shërbimit nëse u ipet mundësia.  

“Nga politika, të rinjtë fitojnë përvoja të reja të ballafaqimit me problemet e rinisë, por jo vetëm, pasi kjo u mundëson të krijojnë përshtypje të reja mbi problemet e të gjithë qytetarëve”. 

Në një raport të publikuar nga Anibar,  i financuar nga Agjencia e Shteteve të Bashkuara për Zhvillim Ndërkombëtar – USAID dhe implementuar nga Qendra e Trajnimeve dhe Burimeve për Avokim – ATRC, kur të rinjtë janë pyetur se sa kanë marrë pjesë në dëgjime publike, 35.2% e të rinjve deklarojnë se kanë marrë pjesë, në krahasim me 11.1% që tregojnë se nuk janë informuar për dëgjime të tilla. 

Tutje, 68.5% e të rinjve të anketuar thonë se janë takuar me politikanë dhe zyrtarë komunalë, kurse 31.5% prej tyre nuk kanë pasur mundësinë për takime të tilla. 

Ndonëse raporti tregon se një numër i madh i të rinjve në Kosovë kanë marrë pjesë në dëgjime publike e janë takuar me politikanë nga komunat përkatëse, ata prapëseprapë janë shprehur të pafuqishëm në vendimmarrje, duke thënë se vetëm prezenca e tyre nuk është e mjaftueshme, por duhet që kërkesat e tyre të mirren parasysh më tepër. 

“Të rinjtë shprehen se veçse janë të mësuar të dëgjojnë shprehjen ‘hajt se ju jeni të rinj’ kur ata janë përballur me vendimmarrësit në nivele të ndryshme. Kjo shprehje, sipas tyre, aludon që ata si të rinj nuk e kanë përvojën dhe as të drejtën që jenë pjesë e proceseve vendimmarrëse,” thuhet në këtë publikim.

Kimete Berisha, inspektore ligjore në komunën e Mitrovicës mendon se mosha më adekuate për të rinjtë të angazhohen në politikë është 20 vjeç, ndërsa Armend Kadiri shprehet se mosha ideale është 16-17 vjet, për një arsye të vetme. 

“Mendoj se mosha ideale për të filluar angazhimin politik është mosha 16-17 vjeçare, në mënyrë që pjekuria politike të jetë graduale, dhe kështu edhe vota e parë e dhënë nga ai/ajo i/e re të jetë e baraspeshuar me bindjen që ka krijuar që nga fillimi,” tha Kadiri. 

Instituti Demokracia për Zhvillim (D4D) ka disa vite që implementon projekte që kanë të bëjnë me subjektet politike dhe të rinjtë/rejat që dëshirojnë të bëhen pjesë e proceseve politike dhe demokrative.                

Nadhnjim Halilaj, koordinator i projektit në Demokraci për Zhvillim thotë se gjatë punës me subjektet politike ndër vite është vërejtur një tendencë e disa prej tyre që të përfshijnë rininë brenda strukturave të tyre politikëbërëse dhe vendimmarrëse. Duke marrë parasysh këtë fakt, D4D ka realizuar disa trajnime për të rinjtë që dëshirojnë të bëhen pjesë e politikës në të ardhmen apo janë pjesë e saj tashmë, me synim avancimin e njohurive dhe aftësive të tyre politikëbërëse dhe inkurajimin e të rinjve për të qenë më shumë pjesë e proceseve politike dhe demokratike.

“Sa i përket subjekteve politike, është e rëndësishme që ato të përfshijnë dhe të trajnojnë të rinjtë duke u mundësuar atyre zhvillim profesional. Ky do të ishte një investim që e rritë besnikërinë dhe angazhimin e rinisë ndaj subjektit politik dhe njëkohësisht për rininë shihet si një potencial për zhvillim brenda atij subjekti,” thotë ai.

Bazuar nga të dhënat e mbledhura gjatë takimeve me rini brenda projekteve të implementuara nga D4D, të rinjtë/rejat rrallëherë ftohen në takime nga subjektet politike për të dëgjuar shqetësimet dhe nevojat e tyre, dhe në rastet më të shpeshta kjo bëhet gjatë fushatës zgjedhore për zgjedhjet lokale apo qendrore. Takime të ralla të të rinjve/rejave ndodhin gjithashtu edhe me zyrtarë komunalë, pasi që këto takime në rastet më të shpeshta ndodhin për interesa personale dhe rrallëherë për interesa të komunitetit.  

Ndërsa ndër arsyet kryesore për mungesën e takimeve me zyrtarë komunalë, sipas Halilajt është humbja e besimit në institucionet qeverisëse për adresim të shqetësimeve dhe nevojave të tyre, dhe mendimi mbizotërues se “zyrtarët komunal punojnë për interesa të ngushta politike dhe ekonomike”.

Nga puna me të rinjtë që janë pjesë e strukturave të subjekteve politike është vërejtur se ata në vazhdimësi shfaqin kërkesat dhe nevojat e rinisë tek strukturat e subjekteve politike që u takojnë, mirëpo jo të gjitha merren parasysh gjatë vendimmarrjes. Megjithatë, pozitiv është fakti se subjektet politike janë duke i përfshirë të rinjtë/rejat e strukturave të tyre në procese vendimmarrëse. 

Kjo është vërtetuar nga hulumtimi i D4D-së mbi opinionin e të rinjve/rejave për subjektet politike, ku 83% e tyre kanë deklaruar se subjekti i tyre politik në vazhdimësi i përfshin ata/ato në debate të brendshme gjatë proceseve vendimmarrëse. Ndërkaq, 18% e tyre janë deklaruar se nuk përfshihen aspak apo sipërfaqësisht.

Një pjesë e konsiderueshme e rinisë që janë angazhuar në subjekte politike kanë përfituar nga trajnime të ndryshme për ngritje të kapaciteteve të organizuara nga subjektet e tyre, duke avancuar më shumë njohuritë e tyre mbi proceset demokratike, politike, dhe shndërrimit të shqetësimeve dhe nevojave të qytetarëve në politika lokale e qendrore. 

Të rinjtë e Kosovës kanë shumë shqetësime që përfshijnë papunësinë, liberalizimin e vizave, luftimin e korrupsionit, sundimin e ligjit, shqetësime këto që domosdoshmërisht lidhen me proceset politike në vend. 

Zhgënjimi me situatën, motivim për pjesëmarrje

Instituti Demokratik i Kosovës në shkurt të vitit 2018 ka publikuar një hulumtim të opinionit lidhur me qëndrimet e votuesve të rinj, ku ndër të tjera tregohet se 61.5% e të rinjve të anketuar mendojnë se gjërat në vend nuk janë duke shkuar në drejtimin e duhur, fakt ky që rrezikon të ardhmen e tyre në Kosovë. Rezultatet e nxjerra nga hulumtimi tregojnë se institucioni më i besueshëm për të rinjtë mbetet komuna, përderisa qeveria dhe partitë politike janë institucionet më pak të besuara nga ana e të rinjve.

Kur flasim për simpatizimin e disa partive politike nga të rinjtë dhe mospëlqimin ndaj partive të tjera, një ndikim të madh mund të ketë edhe familja.  Rezultatet e hulumtimit të KDI-së tregojnë se të rinjtë përcaktohen për votën ndaj një kandidati apo një subjekti politik në pavarësi të plotë nga familja (85.3 për qind). Vetëm një pjesë e vogël e të rinjve (14.7 për qind), e përbërë kryesisht nga të rinjtë e komunitetit serb, kanë deklaruar që marrin opinionet e familjes.  

Yllza Hoti, është një prej deputeteve më të reja në moshë në listën e deputetëve të Kuvendit të Kosovës nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, në një intervistë për KosovaLive tregon më tepër  për eksperiencën e saj në këtë fushë.  

“Vendimi im për t’u kyçur në politikë ka qenë një proces i ndikuar nga disa faktorë, kryesisht nga situata jo e favorshme e krijuar në vendin tonë për të rinjtë kosovarë. Shumica e bashkëmoshatarëve të mi vazhdimisht bëjnë plane për t’u larguar nga Kosova, me synim të gjetjes së një pune e një jete më të mirë. Kjo situatë ka qenë dhe vazhdon të jetë shumë zhgënjyese për mua, dhe si e tillë ka qenë një nga arsyet më të rëndësishme për vendimin tim  për t’u kyçur në politikë”.  

Për të, përfshirja në politikë ka qenë një eksperiencë shumë interesante dhe sfiduese, por që ia ka mundësuar të informohet drejtpërdrejt me problemet e qytetarëve të Kosovës, gjë e cila e ka motivuar Hotin të punojë për të mirën e vendit. Ndërsa prej eksperiencave që ajo veçon është angazhimi si anëtare e Komisionit për Buxhet dhe Financa. 

Yllza tregon se në Lëvizjen Vetëvendosje, 15 nga 31 deputetë janë nën moshën 35 vjeçare, e të cilët janë personat më të duhur për t’i përfaqësuar interesat e të rinjve të Kosovës. Ajo vë në pah faktin se ndonëse pothuajse çdo parti ka grupe rinore si pjesë e strukturave të tyre, këtyre të rinjve rrallëherë u jipet mundësia për t’u përfshirë në pozita përfaqësuese – qoftë brenda partisë apo edhe në institucione publike. Duke filluar nga zhvillimi ekonomik e deri te zhvillimi shoqëror, pikëpamjet e të rinjve janë të domosdoshme nëse duam t’i arrijmë qëllimet tona drejt rrugëtimit në Bashkimin Evropian, konsideron ajo.  

“Edukimi dhe zhvillimi profesional i të rinjve tonë është investimi më i sigurt për të ardhmen e vendit tonë,” tha Hoti. 

Hoti mendon se përqindja e përfaqësimit të të rinjve në Kuvendin e Kosovës duhet të rritet pasi që mundësia e të shërbyerit si deputet do t’u mundësonte të rinjve kosovarë t’i shtyejnë përpara proceset dhe nismat që janë në të mirën e vendit, por duke e pasur prioritet fuqizimin e të rinjve dhe rritjen e perspektivës së tyre për të punuar e kontribuar brenda Kosovës.

“Duke qenë qytetarë aktivë e të cilët angazhohen në procese politike, të rinjtë mund të punojnë për t’i shtyer para çështjet të cilat ata i mendojnë të rëndësishme siç mund të jenë politikat për rritjen e punësimit të të rinjve, lehtësimin në qasjen për edukim kualitativ, apo politikat për rritjen e mirëqenies dhe kualitetit të jetës së të rinjve si pjesë e shoqërisë së gjerë,” përfundoi Hoti.

Nëse analizohet në një shkallë evropiane, marrëdhënia e të rinjve me politikën tregohet se është relativisht e dobët, edhe pse ekzistojnë dallime të pakta nga shteti në shtet. Megjithatë, në varësi të vendeve, ekzistojnë kontekste të ndryshme të lidhjes së të rinjve me politikën. Kështu, niveli i interesit për politikë është më i lartë në Holandë, Suedi dhe Gjermani, ndërsa vlerat më të ulëta janë në Spanjë dhe Itali. Franca zë një pozitë të ndërmjetme dhe nuk shquhet për pjesëmarrje të lartë të të rinjve. 

Rinesa Fejza

Ky artikull është shkruar në kuadër të projektit “Ngritja e Aftësisë Mediale dhe Digjitale”/”Enhancing Media and Digital Literacy”, e mbështetur nga Albany Associates.

PUBLIKIME

LAJME

THELLESISHT

DIALOG

Grantet e Prodhimit të Përmbajtjes II

Grantet e Prodhimit të Përmbajtjes II

Pesë aplikantë që paraqitën një aplikacion për “Grantet e Prodhimit të Përmbajtjes II”, Tv Tema, Internews, RTV Puls, Radio Gorazdevac dhe Besnik Krasniqi do të marrin mbështetje.

BARAZI

Womair: Informimi i grave dhe burrave për cilësinë e ajrit

Womair: Informimi i grave dhe burrave për cilësinë e ajrit

Më 19 nëntor, nga ora 10:00 deri në 12:00 në KosovaLive u mbajt ngjarja interaktive “Womair”, e cila kishte për qëllim informimin e djemve, vajzave, grave, burrave, çifteve dhe të gjithë të interesuarve, pa dallim, për mënyrat më efektive për përmirësimin e cilësisë së ajrit në hapësira të brendshme dhe të jashtme.

EDUKIM