Në tryezën e organizuar nga Grupi për Studime Juridike dhe Politike u trajtuan çështjet prioritare të qeverisjes së re me fokus në sistemin e drejtësisë.
Krahas ministres së Drejtësisë, Albulena Haxhiu, diskutimi u zhvillua edhe nga panelistët tjerë Besnik Krasniqi,Rreze Hoxha Zhuja dhe Njomza Arifi.
Duke listuar prioritetet e Ministrisë së Drejtësisë, Ministrja theksoi nevojën e pashmangshme për vetting në sistemin e drejtësisë, hartimin e ligjit për pasurinë e pajustifikueshme të fituar në mënyrë të jashtëligjshme, miratimin dhe implementimin e Rishikimit Funksional të Sistemit të Sundimit të Ligjit, fuqizimin institucional të veprimit lidhur me krimet e luftës, përfshirë këtu edhe zbatimin e mirëfilltë të Strategjisë kundër Dhunës në Familje.
Gjatë konferencës, Ministrja Haxhiu theksoi që më nuk ka vend për diskutime mbi atë sa është i nevojshëm vettingu në sistemin e drejtësisë. Një gjë e tillë, vije si përgjigje ndaj pakënaqësisë së qytetarëve me sistemin e drejtësisë dhe do shërbejë si pikënisje për kthimin e besimit aq të munguar të qytetarëve në drejtësi.
Më tutje, Haxhiu e bëri të qartë që vettingu do jetë proces i gjatë dhe në këtë drejtim, konfiskimi i pasurisë së fituar në mënyrë të paligjshme nuk mund të presë mbarimin e këtij procesi. Sipas ministres, ndër elementet thelbësore të sundimit të ligjit është edhe përgjegjësia para ligjit për pasurinë e fituar në mënyrë të jashtëligjshme, e cila si e tillë do konfiskohet me vendim të gjykatës dhe në asnjë mënyrë tjetër.
Krimet e luftës, në anën tjetër, janë prioritet i Ministrisë dhe në këtë drejtim, Ministria do bëjë të pamundurën që të ngritë kapacitetet e Prokurorisë Speciale duke shtuar numrin e prokurorëve, dhe rrjedhimisht, duke fuqizuar kështu ndjekjen e krimeve të luftës. Ky veprim veçse është komplementuar me amendamentin e Kodit Penal, për ndjekjen e kryesve të krimeve të luftës në mungesë.
Siç e bëri të qartë ministrja Haxhiu, Ministria e Drejtësisë do të përcjellë për së afërmi çështjen e dhunës në familje dhe përmes mekanizmave në dispozicion, do të sigurohet që përgjigja institucionale në këtë drejtim e me të edhe parandalimi i kësaj vepre, të jetë më e fuqishme se kurrë.
Ky diskutim u ndiq live edhe nga përfaqësuesit e sistemit gjyqësor dhe prokurorial, si dhe partnerët zhvillimor e strategjik.