Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani priti në takim ambasadorin hungarez József Bencze, i cili e uroi për marrjen e detyrës dhe konfirmoi vazhdimin e mbështetjes së Kosovës në rrugën euro-atlantike, si dhe në procesin e liberalizimit të vizave.
Duke e falënderuar për rikonfirmim të këtyre qëndrimeve, presidentja Osmani, gjithashtu e falënderoi ambasadorin Bencze për letrën e urimit të presidentit hungarez János Áder.
“Marrëdhëniet e vendit tonë me Hungarinë i kanë rrënjët në historinë tonë të përbashkët të mbrojtjes së vlerave civilizuese evropiane dhe jemi jashtëzakonisht mirënjohës për gatishmërinë e vendit tuaj që të punojmë së bashku drejt intensifikimit dhe zgjerimit të bashkëpunimit në mes të vendeve tona”, ka theksuar presidentja Osmani.
Në takim u fol në veçanti për situatën me pandeminë, me ç’rast Osmani theksoi se sigurimi i vaksinave është prioritet kryesor për të gjitha institucionet.
Osmani potencoi edhe bashkëpunimin në fushën e arsimit me shtetin hungarez, me fokus në rritjen e numrit të bursave për studentët tanë për t`i ndjekur studimet në Hungari.
Në diskutimin për bashkëpunimin në të ardhmen, presidentja Osmani tha se do të mbështesë qeverinë e vendit në të gjitha nismat dhe projektet e përbashkëta me Hungarinë, teksa u tha se fusha të interesit të përbashkët janë: bashkëpunimi dhe shkëmbimi kulturor, shkëmbimet tregtare, bujqësia, siguria, si dhe në fusha e integrimit evropian, thuhet në komunikatën për media e Zyrës së Presidentit.