Për të shënuar 23 Prillin, Ditën Botërore të Librit, KosovaLive dhuroi 37 kopje të librit “136 Zëra të Grave dhe Vajzave”, nga një libër për secilën bibliotekë në Kosovë.
Përmes shpërndarjes të këtij libri KosovaLive synon që të ngrisë zërin e vajzave dhe grave me shpresë që kontributi dhe vlerat që ato kanë për shoqërinë tonë të dëgjohet.
Libri “136 Zëra” përmban në vete storjet e 136 grave dhe vajzave. Gjatë viteve 2013-2016, përmes kutisë “WoW-Woman of the Week”, e cila publikohej në kuadër të Kosovalive360. Për 136 javë, përgjatë gati tre vjetësh, një grua rrëfente storjen e vet multidimensionale përmes kutisë WOW.
Qëllimi i krijimit të kategorisë “WoW” kishte qenë t’i sjellë audiencës tregime të kontributit të llojllojshëm të grave dhe vajzave. Brenda muajit, në kutinë “WoW” pasqyroheshin storje të katër grave. Puna e njërës nga to, atë kohë, ishte më e etabluar dhe zëri i saj dëgjohej më shumë në shoqëri, ndërsa tri të tjera do të ishin ende në fillim të karrierës së tyre apo për punën e tyre ende nuk ishte dëgjuar.
Librat i pranoi drejtori i Biblotekës Kombëtare të Kosovës, Fazli Gajraku dhe Lavdije Rrahmani, shefe e Departamentit të Pasurimit të Koleksionit të Bibliotekës Kombëtare.
Ndër të tjerash, ata u shprehën falenderues për dhurimin e librave dhe të lumtur që të rinjtë nga e gjithë Kosova do të kenë rastin të lexojnë këtë libër nëpër bibliotekat e Kosovës.
Artiola Babuni, menaxhere e projekteve në KosovaLive u shpreh e lumtur që po arrijnë të kontribuojnë për të rinjtë e Kosovës dhe të ngrisin vetëdijen për rëndësinë dhe vlerën që vajzat dhe gratë e kanë për vendin tonë.
KosovaLive është organizatë mediale e cila përdorë median si mjet dialogu, edukimi dhe barazie. Duke përdorur mediat inovative të komunikimit dhe programet për rritjen e barazisë sociale, ekonomike dhe gjinore, KosovaLive kontribuon në përmirësimin e jetët e mijëra personave anembanë vendit.