Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, sot gjatë ditës ka zhvilluar një bisedë telefonike me presidentin e Këshillit Evropian, Charles Michel.
Presidenti Michel e uroi kryeministrin Kurti për fitoren impresive në zgjedhjet parlamentare të këtij viti dhe për marrjen e detyrës së kreut të qeverisë. Në prag të vizitës së kryeministrit Kurti në Bruksel, presidenti i Këshillit Evropian Michel i shprehu mirëseardhje në kryeqendrën e Bashkimit Evropian.
Kryeministri Kurti e njoftoi presidentin Michel për prioritetet e qeverisë, e që mbizotërohen nga menaxhimi i pandemisë dhe sigurimi sa më i shpejtë i dozave të reja të vaksinave. Këtu, ai e falënderoi presidentin Michel për mbështetjen e BE-së në sigurimin e dozave të vaksinave nëpërmjet mekanizmit COVAX.
Kryeministri Kurti nënvizoi synimet e qeverisë në investime të reja që ofrojnë vende të reja të punës dhe reformat në drejtësi, si pjesë e luftës kundër korrupsionit.
Në fund të takimit, kryeministri Kurti ritheksoi angazhimin e qeverisë për një dialog të përgatitur mirë ndërmjet Kosovës e Serbisë, thuhet në komunikatën për media e Zyrës së Kryeministrit.