Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani në mars të këtij viti ka dekoruar me Urdhërin “Shotë Galica”, Fahrije Hoti dhe 7 gra të cilat kanë dhënë kontribut në avokimin dhe avancimin e barazisë gjinore si dhe në kauzën e përpjekjet për drejtësi.
Osmani në postimin e saj në Facebook ka thënë se Fahrija dhe gratë e Krushës por dhe shumë gra anë e mbanë Kosovës, janë dëshmia më e mirë që e kemi se si vuajtja e dhimbja shndërrohen në forcë për të vepruar e motiv për të punuar për ringritje e për fuqizim të grave në Kosovë.
Më 8 mars të këtij viti, kam dekoruar me Urdhërin “Shotë Galica” znj. Fahrije Hoti dhe 7 gra të cilat kanë dhënë kontribut në avokimin dhe avancimin e barazisë gjinore si dhe në kauzën e përpjekjet për drejtësi.
Në pamundësi për të qenë prezente për të pranuar urdhërin atë ditë, e prita dje znj. Hoti së bashku me dy gra të Krushës në zyrën time. Në vitin 2005, “Gratë e veja” të Krushës me në krye znj. Fahrije, filluan iniciativën për konservimin e ushqimeve dimërore, e cila në vitin 2010 u shndërrua në ndërmarrjen e njohur “Krusha”. Historia e znj. Fahrije u përjetësua së fundmi dhe përmes filmit artistik “Zgjoi” të regjisores Blerta Basholli, e cila në Festivalin Sundance të këtij viti shënoi sukses të jashtëzakonshëm me marrjen e 3 çmimeve.
Sa herë që kam rastin e nderin e veçantë të flas me këto gra, aq më shumë shtohet nevoja për të insistuar për drejtësi. Drejtësi për fëmijët e tyre të cilët iu vranë para syve; drejtësi për bashkëshortët e tyre; drejtësi për të gjithë ata që u zhdukën më dhunë; drejtësi për secilën familje që ende nuk gjen paqe e qetësi që nga lufta e vitit 1999.
Fahrije dhe gratë e Krushës, por dhe shumë gra anë e mbanë Kosovës, janë dëshmia më e mirë që e kemi se si vuajtja e dhimbja shndërrohen në forcë për të vepruar e motiv për të punuar për ringritje e për fuqizim të grave në Kosovë. Ju qëndroni fort në shtyllat e Republikës sonë, e ne do qëndrojmë fort për ju dhe pas jush deri në arritjen e drejtësisë!