Në vazhdën e vizitave në vend-operacionet e FSK-së, ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj i shoqëruar nga zv.komandanti i FSK-së, gjeneral major Enver Cikaqi, kryetari komunës së Hanit të Elezit,
Rufki Suma dhe deputeti Mirsad Shkreta, inspektoi sot njësinë e Kompanisë së Deminimit të FSK-së e angazhuar në operacionin e deminimit në zonën e fshatit Seçishtë të Hanit të Elezit.
Me këtë rast, ministri Mehaj u prit nga komandanti i Regjimentit të Mbrojtjes Civile, nënkolonel Shpend Zogaj dhe përmes zv.komandantit të Kompanisë së Deminimit, kapiten Beslir Hoxhaj u njoftua me misionin, detyrat, strukturën organizative, personelin, pajisjet, trajnimet, si dhe ushtrimet dhe operacionet e përbashkëta vendore dhe ndërkombëtare.
Gjithashtu , ministri Mehaj u njoftua edhe me të arriturat e kompanisë si dhe shkallën e realizimit të operacionit, kushtet e operimit, kërkesat si dhe sfidat e njësisë gjatë zhvillimit të aktiviteteve profesionale që ndërlidhen me deminim dhe asgjësimin e mjeteve të pashpërthyera dhe operacionit përkatës.
Nga ana e tij, ministri Mehaj shprehu vlerësimin e lartë me përgëzimin për detyrën e shenjtë në shpëtimin e jetërave, rezultatet kulminante të arritura deri më tani, shkallën e lartë të profesionalizimit dhe shkathtësive të demonstruara të pjesëtarëve të kompanisë së deminimit.
Në fund, ai siguroi se në cilësi të Ministrit të Mbrojtjes do të ofroj të gjithë angazhimin, përkushtimin dhe mbështetjen maksimale për realizimin e suksesshëm të planit të njësisë në kuadër të operacioneve të tyre të deminimit dhe asgjësimit të mjeteve të pashpërthyera. Ai në fund theksoi se, kompania e deminimit është aset i veçantë për sigurinë e vendit, por edhe potencial i madh për angazhim në operacionet e stabilitetit në misionet ndërkombëtare.
Operacionet e deminimit të FSK-së, përveç në fshatin Seçishtë, në të njëtën periudhë janë duke u realizuar edhe në tri zona tjera si në Babaj Bokës të Gjakovës, Varosh dhe Parku i Lirisë së Ferizajit.
Që nga viti 2021, specialistët e deminimit dhe EOD-së së FSK-së kanë pastruar rreth 3.260.000 m2 dhe asgjësuar 9231 mjete eksplozive anembanë vendit, proces ky i cili planifikohet të përfundoj në vitin 2024.
Në fund të vizitës ministri Mehaj i shoqëruar nga kryetari Suma dhe delegacionet e tyre vendosi buxhetë me lule në kompleksin memorial në varrezat e dëshmoreve të Hanit të Elezit në fshatin Pustenik, thuhet në komunikatën për media e Ministrisë së Mbrojtjes.